Novruz Abilekaj
Tek shoh zhvillimet rreth nesh, më erdhi përsëri cikli me vargjet e
përçartjes. Kush ka durim dhe kohë të tepërt le të më bëjë shoqëri.
Faleminderit!
****************
HALUÇINANTE
1.
Në botë sferike
Jetoj në një botë sferike,
sferë rruzulli,
sferë hëna,
sferë dielli,
galaktika- rezervuar sferash.
Fjala,
mendimi,
dashuria,
sferike.
2.
Unë nuk fajoj-jam sferë
Eci në rrugët e qyteteve
e më shfaqen gjallesa sferike;
marrin rrokullimën nëpër trotuare
dhe shtypin,
dhe shtyjnë njëra – tjetrën.
Vërviten në rrugë para makinave
duke u uluritur metaleve dhe gomave,
edhe këto sferike;
ndjekin me kokëfortësi sfere
trajektoren e nisur,
kështu provokojnë mijëra përplasje,
pështjellime trajektoresh,
djegie meteorësh jetësorë.
Veçse përgjegjësia është prej sfere:
Unë nuk fajoj,
jam sferë,
s’kam sy e vesh,
s’kam duar e këmbë,
s’kam as organe qejfi, leri të tjerat.
Fundjafundit,
tek më do qejfi i kam të gjitha.
Ç’përgjegjësi kërkon nga unë?
Kupton?
...Ti s’kuptoke asgjë,
qenke më shurdh, më qorr, më memec
qenke tamam sferë.
O zot, kujt t’i flasësh?
Kujt t’i varësh fajin
në këtë botë sferash rrokullimëmbartëse?
Mua?!
Kurrë,
gozhdë të tillë s’do të kem.
Jam sferë e origjinës.
3.
E vërteta është thellë në zgavrën time
Rrokubares rrugëve të qyteteve,
dëgjoj tinguj mavi,
më nervozojnë zhurmat murrashe,
zëri i verdhë i mikut përbri më vjen i rrumbullakët.
Nuk marrë vesh çfarë thotë,
tund kokën dhe i them: po.
Ai nuk e sheh fare kokën time.
E si ta shohë?
Koka ime është thellë në qendrën time,
e shoh vetëm unë.
Ai, pa e parë fare kokën time që pohon,
pa e dëgjuar fare zërin tim rozë,
mbetet i kënaqur,
mbetet i kënaqur të ma hedh mua.
Të them unë:
Ai më dëgjoi,
domethënë më përfilli.
Ehe, ç’rrokudallkauk sferik!
Unë sapo ia loza atë lojë,
kur sikur e dëgjova bëra.
Në do le të kërkojë të vërtetën,
e vërteta është thellë në zgavrën time,
dhe ata që duhet të gjejnë të vërtetën
janë diku…
në rrokullimën e tyre pa ngjyrë.
4.
Di sfera nga rrokulliset ...?!
Doni tani t’i bëj një proçkë më të madhe?
… Rrokullisem pesë centimetra kub majas,
marrë kthesë një tonëshe,
bëj sikur do të mbahem
dhe e vërvis nën gomat sferike
atë,
që s’e njeh vlerën time prej sfere.
Kush do zbulojë fajin tim?
Di sfera nga rrokulliset?!
5.
S’i duhet drejtësisë ç’thotë e ç’bën drejtësia
Si të gjithë në botën e sferave
Edhe unë shaj e shahem,
godit dhe goditem,
rrah e rrihem.
Jam sferë,
shtatëqind breza sferë;
Ç’më duhet mua çfarë bëj unë…?
S’ju duhet ç’thonë e ç’bëjnë as sferave të tjera.
Ky rregull na mban tok sfera e mbisfera.
E përse të ketë faj e fajtor në një botë sferash,
ku dhe drejtësia sferike është
dhe s’i duhet drejtësisë
ç’thotë e ç’bën drejtësia?!
6.
Ekzistenca e qendrës në honin tonë
Themi që pata faj,
kush e pa?
Rreth nesh kishte vetëm sfera;
ato i drejtojnë sytë nga qendra e tyre,
kuptohet, nga bytha e tyre,
se atje i kemi të gjitha ne sferat;
edhe sytë, edhe turinjtë, edhe bythën;
në qendër.
Prandaj e shtyjmë ca vjet jetën.
O Zot, po të mos i kishim në qendër?
Ne do të ishim të gjithë sakat,
ne do të ishim të gjithë një ngjyrë,
të gjithëve do na sterronte drita,
do të na dukej njolla;
njolla që mbetet pas vaktit,
njolla që lë përleshja e gjinive,
njolla që na spiunon fajin.
Merita e botës sonë sferike;
ekzistenca e qendrës në honin tonë,
atje ku konservojmë njollat
deri në kalbjen që na sulmon.
7.
Të lëmuar si sferë- barknxirë si sferë
Kozmos sferik;
Gjithçka e kruspullosur në qendër,
thellë e ngjeshur në qendër.
Ti s’sheh të miat,
unë s’shoh të tuat.
Kështu të dy dalim në rrugë të kaltër,
të lëmuar si sferë,
barknxirë si sferë.
S’mund të ketë faj,
as fajtor,
kur dhe drejtësia sferike është,
e nuk i duhet ç’thotë e ç’bën.
8.
Shkova pak ditë në botën e të ikurve
Në këto sfero-çoro-goditje,
si gjithë sferat u godita dhe unë,
prapa kokës u godita.
Shkova pak ditë në botën e të ikurve,
ku gjithçka më qartë dukej;
gjallesat njerëzore ishin,
lule falnin njera-tjetrës,
jeta ish e përjetshme,
prandaj e harruar grykësia,
një gotë liri me dhjetëra tonë ar
nuk ndërrohej.
Gjymtyrët, veshët, brirët
në dritë të madhe ishin,
xixëllonin.
Dhe askujt s’i shaheshin,
s’i thyheshin,
as i goditeshin.
Paqja rridhte nga shpirtrat.
9.
Për një atom ar shes një mijë kilogramë liri
Më lutën andej të qëndroja,
pendimin në gojë më zunë,
veç unë u ktheva këtej përsëri;
sferë jam, thashë,
për një atom ar
shes njëmijë kilogramë liri.
Dhe ligj mund të ketë,
të tillë grykësi ta vuaj një mijë jetë.
U ktheva në botën me diell e hënë rrumbullake,
me llamba rrumbullake në rrugë,
që zbardhin skenën për mua,
zbardhin skenën për ty,
por ne e shohim dhe nuk e shohim njeri-tjetrin,
luajmë rolin tonë në pafundësi.
10.
Ç’duhen këta diej, këto hënëza dhe drita?
Ç’duhen këta diej, këto hënëza e drita?
Secili jeton në thellësi;
mendimin, ndjenjën, fytyrën
i fsheh në gropën e tij.
Atje drita, edhe hëna, edhe dielli shuhen.
Barku sferik i përpin,
i nxin.
11.
Fyej, vras, thyej eshtra sferike
Me një oqean lakmie në shpellë të kokës,
rroku, rroku, rrokubares,
shkel rrugën e shkurtër,
i vij rrotull tokës;
fyej, vras, thyej eshtra sferike.
Nuk pendohem.
Kur kthehem
dhjetë hektarë lavdi
e pesë metër nder
sjell.
Jam sferik,
as më pak, as më shumë;
Nuk më duhet mua ç’them
e ç’bëj unë.
12.
Me damkën e pushtetit në ballë
Nëpër një pemë ngjyrë trëndafili,
rroku – rroku si përherë,
deri në ullukët e qiellit zhytem.
Gërvishem atje në shumë lloje ngjyrash,
të kaltrën kërkoj,
të kaltrën s’e gjej.
Të kaltrën s’e gjej sepse unë nuk e di
ç’është e kaltër për mua,
ç’është e kaltër për tjetrin dhe për ty.
Qielli të kaltër nuk ka;
mblidhni gjithë trupat gjyqësore,
ftoni këshillin më të lartë të drejtësisë,
qeveritë e parlamentet,
përfundimi do dalë:
O sfera, ngjyrën e kaltër qiellit ia kanë marrë,
na lini pesë vjet,
dhjetë vjet në pushtet,
t’iu sjellim hajdutët të gjallë.
Po nuk patë qiellin të kaltër,
këtu na varni përjetë,
me damkën e pushtetit në ballë!
Hi-hi, sferat këto mbroçkulla i qeshin,
i përmjerrin
dhe gjithë jetën i hanë.
13.
I ndëshkuari prapë jam ...
Atje lart gjeta fronin e të madhit,
e gjeta dhe i thashë dy fjalë?
Dëgjomë mua sferën, ti fron,
dëgjomë e shkruaj me radhë!
Sferik më qenke dhe ti,
sferik do kesh dhe aganë,
por përshëndete nga gjithë sferat,
duan a s’duan të tjerat,
s’trembem nga faji.
Le që kaq lart sa u ngjita s’kanë ç’më bëjnë,
trapi s’ua mban.
Përshëndete tët Zot dhe i thuaj;
për Zot edhe ne e mbajmë,
veçse është i pazoti,
racionet mirë s’na i ndan.
Përshembull, s’më trajton mirë mua
që bëj vepra të mira,
veç fjalën nis të tallë,
ndërsa vetë ka thënë:
Veprat besohen jo fjalët.
Kështu unë i mjeri ndes vetëm qirinj
dhe s’shtyp të gjallët.
Fqinji im i bën të dyja;
qirinjtë i ndes të trashë e të gjatë,
të gjallëve u bluan kokallat.
Unë shkrihem për kafshatën,
fqinji vështron lart e larg,
blen makina luksoze,
vjen në qiell me aeroplan,
lutet para teje për mua,
zbret poshtë, më shtrydh e më shan.
I ndëshkuari prapë jam.
14.
Si do zgjatësh dorën për ne?!
Kam të tjera e të tjera,
veç tek të shoh që je rrumbullak,
druhem pak;
nuk ke vesh, as sy, as hundë, as gojë,
as mendjen ku e varë.
Një pikë mbështetje s’e ke,
si do zgjatësh dorën për ne?!
Froni-vuv u tund e u shkund,
tha e ç’tha nuk e di,
mora rrokullimën nëpër shpellat e qiellit,
zbrita në shtëpi.
U ula pranë rrokusferës sime,
e mblodha në gji.
15.
Ndyrësia të shijojë
Edhe ne sferat biem mbi një femër,
rrokullisemi sferë mbi sferë,
bëjmë dashuri;
të shtojmë racën tonë,
të shtrohet me sfera toka,
mbiuji dhe nënuji,
të bëhemi shumë e shumë,
miljarda mijë,
pirgu i sfeave mbi qiej të arrijë.
Të ngjishemi faqe më faqe,
të të them unë, të më thuash dhe ti,
me vrull drite rrokufjala të eci,
të rrah gjithë veshët e botës,
tetë herë në sekond tek nisja të vijë.
Ç’të thashë e ç’më the
të ushqejë çdo sferë,
nga vrima gojë në zorrën e trashë,
tetë herë në sekond të ridalë jashtë,
të ndyjë ç’nuk është ndyrë,
ndyrësia të shijojë,
të përhapet si vlerë.
16.
Që vlera të nginjet me ndyrësi
Në këtë botë sferash,
ku jam unë,
e jemi të dy,
na duhet që vlera të nginjet me ndyrësi.
Kështu, syri i lig pa na ngrënë,
rrokubaresim në jetë të jetëve,
dhe nesër bëhemi vërtet miljarda mijë
RROKUMBRETËR dhe RROKUMBRETËRI.
No comments:
Post a Comment