Sunday, 7 April 2013

Kalojmë tranzit




Kalojmë tranzit
Nga Fatmir Terziu


Orë që ikin e akrepa që thyhen
Ditë që fshihen dhe kalendarë që digjen
Javë që treten e muaj që mbeten
Vite që ngjeshen dhe shekuj që mbarsen
Të gjithë në lëvizje të gjithë në një udhë
Ngujime të mistershme si në një kullë.

Zogj që ikin zogj që vijnë
Njerëz që lindin statuja që ngrijnë
Kuaj të lodhur kuaj në garë
Pyje të harbuar pyje të tharë
Toka e djerë toka ugar
E përditshme aspak e radhë.

Grurë i tretur misër i mykur
Sofra e varur tiganët në zjarr
Çerepa të thyer saça të ndryshkur
Të gjithë qytetarë askush fshatar
Asfaltet fryrë arrat mekur
Kafe-qejf s’ka më ‘Punë e Mbarë”
E thjeshtë: “Jemi të thekur!”

Gra si burra dhe burra si gra
Fëmijë të lodhur pleq si fëmijë
Bebe me tespija rini me qera
Diku njëqind halle diku njëmijë
Nuk është trill nuk është shaka
Civilim kohor modernizim i mbirë
Jetë luksi realitet ‘lëre mos e nga’.

Hapen letrat mbyllen kapakët
Histori e re histori e vjetër
Banjo Herakleane banjo e vakët
Qofte të nxehta gati në çdo metër
Politika zgjuar prush si flakët
Janë po ata s’ka më tjetër
I kemi si ujët e pakët!

Valle nate valse Panatheane
Punë të pista bukë me lista
Jetë lypësish jetë mondane
Diku lëmoshë diku vlon kriza
Jetë qejfi jetë jarane
Bulon turizmi plas miza
Eh Evropën e kemi pranë!

Maska të çjerra avuj alkooli
Meshkuj të bëshëm gra Koesira
Çahen mediat vlon metropoli
Kjo është e keqja kjo është e mira
Macja u mbars mushka polli
Jo më dy por njëqind fytyra
Koha tranzit koha që e solli
Ka humbur tashmë krejt yndyra!

 Janar 2004.

Nga Mitologjia Greke:
Heraklene: Këtu plazhe natyrore (u quajtën banjot natyrore në diell).
Panatheane: valle nga Festivali Panatheanik, ku kërcenin vetëm vajzat, duke kënaqur të tjerët.
Koesira: gra me gjendje të plotë e të shëndetshme.


No comments: