Monday, 15 April 2013

HOMAZH PÊR ELITARIZMIN...








Prend Doçi e Bib Doda janë pjesa më dinjitoze 
                        e palcës mirditore dhe e thalbit të shqiptarizmit...


            Kohët e fundit po gëzojnë dritën e botimit dy vepra me nivel të lartë për kulturën tonë kombëtare të autorit të talentuar, doktorit të shkencave Luigj Martini. Nga tematika e problematika e gjërë dhe nga volumi i madh i lëndës që trajtojnë, këto i kanë kaluar kufijtë e traditës së zhanrit të monografisë. Dhe serioziteti krijues me një erudicion të spikatur u dhuroi lexuesëve pothuajse dy “romane” krejt të veçanta e dinjitoze të karakterit historik, letrar dhe religjioz me titull “Abati i Mirditës– Prend Doçi” dhe princi i Gjonmarkajve “Bib Doda”. Prandaj përgjithësisht ngjet vërtetë, ashtu siç thekson profesori kosovar Salajdin Salihu, se “Libri është metaforë e jetës, rrezatues drite që nuk guxojmë ta humbim...Jeta e përgjithshme e njerëzimit është paluar në libër. Ai është gjurmë që ka lënë njeriu për ekzistencën e vet”.
            Pikërisht për këtë arësye, që në krye të këtyre vlerësimeve modeste, nuk mund t’i shmangem faktit mjaft inkurajues e njëherësh premtues, se çfarë e shtynë doktorin e shkencave të Kimisë e teknologjisë industriale të ecë në gjurmët e historisë lokale e kombëtare dhe të merret me studimin e aspekteve më të rëndësishme të saja, veçanërisht për ndriçimin e të kaluarës së lashtë pellazgo-ilire dhe të shekujve më të afërm të Mirditës, kur ai po debuton me shumë sukses në profesionin e tij me kërkime të ndryshme shkencore.
            Mishërimi në genet, në ndërgjegjen dhe në botëkuptimin e këtij autori: të ndjenjës së patriotizmit shekullor, të idealeve të shenjta kombëtare që liria e pavarësia të bulojnë si filiza të shëndetshëm për t’ ua përcjellur brezave përherë të freskëta dhe, të ndjenjës së përgjegjësisë qytetare për t’i ndriçuar bëmat heroike dhe figurat e shquara që u flijuan për dheun e të parëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Përkushtimi i mendjes së kultivuar dhe i talentit eruditiv krijues  shpërthyen suksesshëm për të marrë përsipër me vullnet e këmbëngulje përballjen me stuhitë e përgjakshme që e tronditën shekuj me radhë Mirditën e lashtë në rrugën e saj të mbijetesës. Guximi i tij i palodhur ka gërmuar e përvetësuar pirgje të tëra materialesh arkivore e studimore, duke hedhur dritë mbi shumë paqartësi e probleme historike që për arësye subjektive dhe objektive flinin në errësirën e kohës së shkuar me rrezikimin e mosnjohjes në detaje me të vërtetat e tyre shkencore e jetësore. Pasioni e vullneti kur kombinohen e ngjizen bukur me mençurinë dhe dashurinë, ato kthehen në një “kapsoll detonatori” për të ndezur dëshirat, perfeksionuar pikësynimet dhe kthjelluar objektivat që njerëzit e ditur i bëjnë gurë themeli të ecurisë së tyre në lëmejtë e shkencave të ndryshme. Përmbajtja e këtyre veprave historike flet pikërisht edhe për këto dy dhunti të inteligjencës së palodhur të kimistit Martini. Si çdo shkencë tjetër, edhe historia ka mjaft tema, probleme apo figura që nuk janë ndriçuar ende me trajtimin e mjaftueshëm dhe me shtjellimin e duhur shkencor. Prandaj këtu spikat veprimi i mençur i autorit për t’ iu përveshur shkencërisht ndriçimit të bëmave heroike e kulturore dhe diplomatike e religjioze të këtyre figurave elitare, të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e përmendur të trevës së Mirditës. Jo vetëm kaq. Bujaria e dhuntisë tjetër struket si një gjallesë e rinovuar te dashuria e ndrojtur e ish djaloshit shkodranë që në vitet ’60-të e lidhi të ardhmen e karrierës së tij me zulmën e lashtë e traditat e vyera të kësaj treve të pastër etnikisht dhe me vendlindjen e prelatit të Parasporës së Bulgërit e të princit të Oroshit. Dhe këtë dashuri të sinqertë të miqësisë tradicionale që i dhuroi Rubiku i xeherorëve e vëllazëria mirditore, ky studiues i palodhur e kompensoi me mirënjohjen intelektuale dhe thellsinë e diturisë së tij, duke përjetësuar kontributin elitar të dy martirëve historikë. Këto e të tjera cilësi individuale të studiuesit Luigj Martini përbëjnë thelbin e kësaj shtyse mjaft kurajoze, mbresëlënëse dhe të pasur me fakte të reja të trajtuara me kulturë letrare dhe me një përmbajtje të sinqertë që i ngjizet natyrshëm relativitetit të të vërtetave historike.
            Portretizimin e figurës së Abat Prend Doçit, autori e arrin me ravijëzimin e disa paraleleve më të qenësishme piketuese diturore, historike dhe shpirtërore, të cilat lindën e u rritën dhe kulmuan të mbrujtura brenda tharmit të realitetit historik të shekullit 19-të përmes zjarrit që ndezën ngjarjet e mëdha kundër robërisë Otomane dhe synimeve të reja gllabëruese ballkanike. Hulumtimi këmbëngulës me një pasion letrar mjaft të dukshëm artistik e njeh lexuesin dhe opinionin shoqëror me rrugën e shenjtë që nisi jetimi i vogël i Parasporës së dhèut të Bulgërit. Nga qëmtimi i kujdesshëm përshkruhen me realizëm vuajtjet e kësaj familje të varfër, cilësitë e prirjet e djaloshit dhe vitet e arsimimit, niveli i formimit kulturor dhe ngjitja e shkallëve të shugurimit në altaret e Krishtërimit të këtij prifti patriot. Nga ndjeshmëria e përgjegjësisë krijuese spikasin me ngjyra të forta zgjuarsia e mençuria sojnike dhe dashuria për vendlindjen, durimi e gjakftohtësia dhe heshtja njerëzore përthithëse e virtyteve kristiane, sa tingujt e kambanës së altarit të kultit katolik u bënë lajmëtare shprese e besimi dhe komunikimi të ëmbël shpirtëror me nënën e motrën e vetme, me vendlindjen e tij Mirditën dhe me besimtarët e tre kontinenteve, ku shërbej si bari i grixhës së shenjtë. Mungesën e ndikimeve e të prioriteteve të jashtme të jetës fëminore, lehtësimin sadopak të pasojave të varfërisë dhe të anktheve e streseve të vetmisë brenda kolegjeve fetare, u përpoq t’ ia davariste dashuria e bujaria humane e prelatëve kishtar vendas e të huaj, si e dom Bibës, monsinjor Bardhit e veçanërisht e arqipeshkëvit Pal Dodmasej, të cilët i kultivuan thellë etjen dhe zellin e pashuar për diturinë, kulturën e gjuhën shqipe dhe për çeshtjen kombëtare e besimin Katolik. Janë shumë kuptimplote këshillat e mësuesit të tij atdhetar Pal Dodmasej, i cili e porosiste vazhdimisht që “Lindëm në një vend të bukur, padrejtësisht të shtypur në mes të errësirës..., por nuk do të jetë i largët ndryshimi që do të na risjellë identitetin”. Përkushtimi i autorit e nxjerr të plotë shumanshmërinë elitare të këtij personaliteti më të rëndësishëm të kësaj treve kryengritëse për liri e pavarësi dhe mbrojtëse e flaktë e parimeve të besimit kristian. Komunikimi e mirëkuptimi i ngrohtë e parimor, besnikëria tradicionale dhe mprehtësia politike e manovrimi diplomatik ishin cilësi të thekura që e ngjitën atë në kulmet më të larta të politikës së kohës si personalitet autoritar me një dituri e ndikim të madh në zhvillimin e ngjarjeve të ndryshme për liri e pavarësi, për kulturën e gjuhën shqipe dhe për pajtimin, unitetin e bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Me këto virtyte ai ju impunua qarqeve të ndryshme politike ballkanike dhe evropiane, duke zbuluar e në një farë mase edhe zbehur forcën e makinacioneve që ato thurnin e kurdisnin për realizimin e interesave të tyre në Shqipëri. Përpos këtyre shkathtësia e manovrimit diplomatik i dha mundësi të ndërhynte deri në instancat më të larta për të siguruar përfitime e mbështetje morale e politike, ekonomike e ushtarake, arsimore e kulturore dhe bashkëpunuese në të mirën e lëvizjeve e të organizimeve, të iniciativave e zhvillimeve dobiprurëse për Mirditën e mbarë vendin tonë. Në këtë fushë krahas të mirave që i siguronte ky autoritet i jashtëm mjaft ndikues e potencial për kohën, ai kuptonte e përpiqej me mundësitë e tija diturore e kishtare që t’i zbulonte e sqaronte dhe zhvlerësonte hiletë, makinacionet dhe interesat pragmatiste e asimiluese të fuqive të ndryshme për pushtimin, sundimin e shfrytëzimin e vendit tonë. Sa ato e kishin kuptuar e ia kishin frikën pushtetit të diturisë së tij, për të cilat intrigat e tyre djallëzore filluan me marifete klandestine ta injoronin e pengonin, shmangnin e izolonin derisa më në fund papritmas zhgënjimi dështues e shuajti përgjithmonë në altarin e abacisë së Oroshit. Mungesa dokumentare e pamjaftueshme ka krijuar boshllëqe e pamundësi për gjetjen e interpretimin e tyre. Pasi ish fuqitë ballkanike dhe evropiane që lidheshin me mbikëqyrjen e veprimtarisë së gjithanshme të tij ose të ndonjë tjetri, ende nuk i kanë hapur të gjitha arkivat sekrete për të dokumentuar akuzat e hidhura të kohës si “filo austriak apo malazez, si filo italian apo përkrahës i politikës së xhonturqve të ri” e të tjera. Një vërtetësi e tillë dokumentare pro ose kundër lidhjes së fshehtë me këto shtete, do ta sqaronte e lartësonte më së miri ende më shumë personalitetin e tij para opinionit të sotëm shqiptar. Meqë tani më janë bërë bajate shpifje të tilla të dashakeqësisë apo të armiqësisë për figura të kalibrit kombëtar e ndërkombëtar, se gjoja ky ose akcili patriot “ishin shërbëtorë apo agjentë të të huajëve”. Megjithatë hulumtimi i sinqertë i Luigj Martinit e jep qartë faktin e pakundërshtueshëm historik se në ato situata të tensionuara e të pa barabarta ishte shkathtësi e mençuri diplomatike dhe kurajo e tepruar të lidhje marrëdhënie e të kërkoje ndihmë tek më i fuqishmi i kohës për t’u mbrojtur nga rreziqet që i kanoseshin lirisë e pavarësisë dhe zhvillimit koherent të mbarë vendit, pa marrë parasysh rreziqet dhe etikimet që mund t’u klithnin pas shpine. Madje diplomacinë vjeneze e bën të flasë me pahir studiuesi ynë në rastin kur ky prelat dha shpirt nga shkaqe të vërteta objektive e subjektive shëndetësore apo të improvizuara e të përshpejtuara nga censura pushtuese për ta hequr qafe sa më parë, ashtu siç u veprua haptazi me helmimin e princit të Gjonmarkajve. Reagimi cinik i ambasadorit të asaj kohe të perandorisë dualiste austriake ishte i menjëhershëm e realist se “Êshtë e vërtetë që imzot Doçi ka qenë kundërshtari im, por duhet pranuar e vërteta se ka qenë mendjehollë dhe shumë i zoti. Në ministrinë tonë ndoshta të gjithë nuk e kanë dashur, por të gjithë e kanë çmuar”.* Po të zbulohen edhe të tjera deklarime të tilla nga arkivat malazeze, italiane ose turke do të shuhej me turp çdo hamendësim, shpifje apo poshtërim që ka tentuar të vrugojë personalitete të tilla si Prend Doçi, Nikoll Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë prelatë apo patriotë shqiptarë që u flijuan me patriotizmin e tyre për Shqipërinë në luftë dhëmb për dhëmb me politikat, synimet dhe agresionet ushtarake të atyre që kanë sulmuar e pushtuar vendin tonë nga lashtësia e deri në vitet ’40-të të shekullit të kaluar. Autori nuk harron pa theksuar as edhe dy nga karakteristikat kryesore të personalitetit të tij poliedrist. Atë të forcimit të unitetit e të bashkimit të vëllezërve të një gjaku jo vetëm kundër robërisë e synimeve pushtuese, por edhe për luftën kundër varfërisë e zhdukjen e zakoneve prapanike, pajtimin kombëtar dhe për zhvillimin arsimor e kulturor të mbarë popullit. Këtu spikasin qartazi dashuria e përkushtimi për ta paisur e zhvilluar gjuhën shqipe me alfabetin e saj, për të hartuar e shtupur dhe shpërndarë libra të ndryshme në një numër jo të vogël shkollash shqipe që i hapi me inisiativen e tij në juridiksionin e dioqezës se Oroshit, në krijimin e shoqërisë kulturore-artistike më të përparuarën e kohës, duke trajtuar problemet e gjuhës, të letërsisë e të kulturës kombëtare dhe të asaj religjioze me vënien e theksit në përhapjen e Krishtërimit, në organizimin e luftës për liri e pavarësi dhe në pajtimin e gjaqeve e për emancipimin shoqëror të Mirditës me rrethinat. Për këtë, si çdo udhëheqës e udhërrëfyes i denjtë atdhetar, ai ju drejtua popullit me organizmin e kuvendeve krahinore që të bashkëbisedonte ngrohtësisht me vëllezërit e etur për dije e përparim që të shëroheshin plagët e të shkuarës, si të egoizmit e përçarjes, të vetëgjygjësisë e të dhunës në familje, të përmirësimit të mënyrës së jetesës e të shkollimit me trinomin patriotik “fè e atdhte” dhe përparim e kulturim mbi gjithçka. Studiuesi i vëmendshëm, në çdo rast, me kujdesin e duhur paraqet në mënyrë realiste luftën e qarqeve të huaja dhe tendencat intriguese e ambicioze klerikale të brendshme për ta komprometuar e izoluar, penguar dhe zeruar vlerat e dukshme të patriotizmit e të kulturës eruditive e filozofike, arsimore dhe kishtare që prelati të dështonte në misionin politik, shoqëror dhe atdhetar. Kur intrigat, makinacionet dhe goditjet hileqare me prapaskena e kurthe intriguese nuk dhanë rezultatet që prisnin kundërshtarët dhe armiqtë, ato me brutalitetin e forcës e të ndërhyrjeve pushtuese e sunduese nuk lanë forma shantazhuese dhe mjete të egëra dhune represive pa përdorur që ta gjunjëzonin e poshtëronin, ta mundnin e largonin nga misioni i tij liridashës, atdhetar e përparimtar. Nëpërmjet fakteve dalin në pah format dhe egërsia e skajshme e persekutimit që u ushtrua vazhdimisht ndaj tij me izolim e internim, përjashtim nga urdhëri i shenjtë dhe burgim në Turqi e në Malin e Zi. Për gjithë këtë veprimtari patriotike, kulturore e kishtare poeti i madh Gjergj Fishta që varej si prift nga dioqeza e Abacisë së Oroshit, do të shprehej “I la nder vedit e nam kombit”.* Po ashtu, i gjetur e relativisht me vend, është cilësimi i shkruesit të parathënies së këtij libri, Kolec Çefa, i cili i përkufizon bukur disa tipare të abatit që hyri në histori për të mbetur si pinjoll i denjtë nga i cili ke se çfarë të mësosh, pasi ai “...jepte këshilla të mira, ishte udhërrëfyes i sigurtë, por edhe printe i pari. Ishte ma shumë prelat se luftëtar, ma shumë trim se guximtar, ma shumë burrë se trim. Paraqiti mjeshtërisht mendimin e zotimin kristian në politikë”.*
            Êshtë e nevojshme, madje me vend dhe në kohën e duhur që një studiues i mirënjohur, ndoshta jo mirditor, të merret me hulumtimin shkencor të veprimtarisë së gjithanëshme të oxhakut të Gjonmarkajve. Ky zotim do t’ ia rriste vlerat edhe historisë së Mirditës, pasi kjo hierarki princërore është e lidhur ngusht me ngjarje nga më të rëndësishmet e vendlindjes së saj. Një zbulim serioz e i sinqertë, një gërmim i thellë e përpunim i kujdesshëm i të dhënave arkivore të vendit e të huaja dhe një analizë metodologjike shkencore e fakteve apo e bëmave historike, politiko-shoqërore, institucionale kanunore dhe etnokulturore të veprimtarisë së pasur të kësaj dere që e udhëhoqi e drejtoi Mirditën shekuj me radhë, do t’i bënte nder të madh jo vetëm kapedanit, por të gjithë mirditorëve. Pasi jo pak kanë fryrë dallgë e stuhi të kohërave të ndryshme mbi ato saraje. Jo pak lidhje e marrëdhënie midis tij dhe forcave të ndryshme politike e ushtarake të brendshme e të jashtme kanë mbetur në errësirë pa u sqaruar mirë dobia apo efekti i kundërt i interesave personale e konjukturale. Jo pak lëvdata të personave të ndryshëm ose të lidhjeve nepotike kanë zënë vend në mediat tona e të huaja për lartësimin e këtij emëri të nderuar. Jo pak bëma patriotike e shoqërore dhe lokale e kombëtare kanë buruar nga oxhaku i Oroshit për mirditasit e mbarë popullin. Jo pak gurë e baltë është hedhur mbi fytyrën  e këtij oxhaku  të njohur nga vendasit dhe nga miqtë me një autoritet të përmendur historikisht. Jo pak represione e internime dhe burgosje e pushkatime kanë pësuar pinjollët dhe familjet e breznive të Gjonmarkajve! E drejta, paanësia dhe mirëkuptimi kurajoz flet pa dorashka edhe për ambicjen intriguese e verbuese të dinastive që e ka rënduar e vruguar ndërgjegjen e tyre me energji negative, se disa absurditete, paudhësina, farse alencash e marrëveshjesh të fshehta dhe krime të ndryshme brenda e jashtë fisit princëror janë kryer nga pjesëtarë të veçantë të këtij oxhaku në kohëra e rrethana të ndryshme historike e shoqërore. Prandaj iniciativa e studiuesit Luigj Martini është për t’u përshëndetur e stimuluar për largpamësinë e guximshme dhe qëllimin fisnik në përjetësimin e gjithçkaje të mirë që ky oxhak trashëgoi, e cila nga pluhuri i harresës, nga dashakeqësia e mosvlerësimi është parë bardhë e zi e jo me kolorin e ndritshëm që ka patur dhe tani po humbet e nuk njihet nga opinioni i brezave të sotëm e i atyre që do të vijnë.
            Kështu, autori në fjalë shkruan me shumë pasion krijues një libër dinjitoz me vlera të dukshme historike për princin e derës së Kapedanit të Oroshit, duke e vënë theksin fort në plagët, në bëmat heroike dhe në ngjarjet dramatike me të cilat u ndesh dhe i përballoi varfëria mirditore. Për krijimin e kompozimin e kësaj vepre autori heq disa paralele krahasimore, analizon me objektivitet e maturi shumë situata dinamike të ngjarjeve të atyre viteve, zbulon e zbërthen qëllimet e prapaskenat dhe synimet e diplomacisë evropiane, duke nxjerrur deduksione me vlerë shkencore që i afrohen të vërtetës relative të historisë së kësaj krahine e të asaj mbarë kombëtare. Që mos të biemë në një përsëritje të pavend e të mërzitshme, po përpiqem të theksojë vetëm ajkën e thelbit të ideve të autorit, të cilat i ka zhvilluar me një pasion, dashuri e pjekuri eruditive, duke e lartësuar e bërë të njohur historinë kolektive të Mirditës me Oxhakun e Gjonmarkajve si lidership udhëheqës shekuj me radhë. Prandaj po mundohem të jap një panoramë sa më bindëse të përmbajtjes së kësaj vepre, të ravijëzuar bukur me gojën, mendjen dhe dorën e Luigj Martinit pa shtuar asgjë nga ana ime, e cila do të mbetet në arkivin e veprave të këtij zhanri për t’u lexuar me shumë interes nga brezat e sotëm e nga ata që do të vijnë. Konkretisht, dimensionet e veprimtarisë së Bibë Dodë Gjonmarkajt janë pjesa më me vlerë e enciklopedisë vitale, e karakterit heroik dhe e traditave virtuale të kësaj treve me akte trimërie që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Qëndresa e vendosur dhe e pamposhtur e mirditorëve nëpër shekuj nuk u përkul e nuk u zvetnua asnjë herë që të mos venitej e shuhej emëri i vendlindjes, i shqiptarisë dhe i Krishtërimit. Rënia e mbretërisë së lashtë iliriane solli pushtime të ndryshme dhe kryengritje të përgjakshme, duke e kushtëzuar jetën e stërgjyshëve tanë me vetëmbrojtjen në malet si kështjella që të mbijetonin në shekuj vetëm si partnerë me pushtuesit, për të ruajtur lirinë e pavarësinë, vlerat e katoloçizmit dhe të drejtat e tyre zakonore e tradicionale. Otomanët u bënë një faktor i rrezikshëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë në çdo rast në konfliktet rajonale, duke rrezikuar seriozisht sundimin e familjeve veriore e jugore shqiptare. Disfata në betejën e Fushë-Kosovës, ku morën pjesë edhe krerët më të mëdhenjë të Gegërisë solli pasojën më të keqe: pushtimin e menjëhershëm të trevave shqiptare që në vitin 1380 dhe mbaroi në janarin e vitit 1479, d.m.th. brenda shekullit XIV e XV, duke humbur pavarësinë e tyre për shumë kohë dhe duke iu nënshtruar me dhunë reformave për islamizimin e besimit dhe të vendeve të kultit të Krishtërimit. Megjithatë mirditorët të etur për liri nuk pranuan nënshtrim as pazarllëk të Sulltanatit me rivalët e tij në kurriz të lirisë së Arbërisë, përveç ndonjë marrëveshje me leverdi reciproke për të drejtat e tyre. Prandaj siç thotë profesor dhe akademik Mark Tirta, “Mirdita është një nga krahinat më të unifikuara e më të njësuara në trojet shqiptare me një status tepër të përcaktuar, me doke e tradita dhe...me të drejtën popullore ...që filloi të duket...herët në mesjetë me emërtime të ndryshme, ndonëse është bërthamë e Dukagjinit mesjetar”. Studiuesi Luigj Martini e vën theksin te karakteristikat më të qenësishme të mirditorëve: te pushteti i popullit me unitet e besnikëri dhe vetëqeverisje e bashkim vëllazëror sipas dokeve pa dallim fisesh e bajraqesh në organizimin e kuvendeve popullore për të gjitha problemet, rreziqet dhe nevojat e domosdoshme që u dilnin ose u imponin situatat dhe koniukturat politike, ushtarake dhe ekonomike me qëllim që t’i përballonin ato me dinjitet dhe me sa më pak humbje ose me fitore të qëndrueshme. Kështu, Mirdita është ruajtur dhe u është shmangur duke i bërë të paefektshme dy metodat asimiluese të Sulltanatit, përveç rastit të Preng Bib Dodës: atë të komprometimit e mashtrimit me anë të dhënies së pronave në përdorim dhe të marrjes peng e të islamizimit të fëmijëve të vegjël të krerëve të pabindur vendas për t’i përgatitur në oborrin e Sulltanit si kuadra për shtetin Osman. Prandaj dalja në opinion, organizimi e drejtimi dhe fitimi i statusit të trashëgimisë u bë me luftë të pandërprerë të derës princërore të Gjonmarkajve si lidër udhëheqës me kompetenca maksimale drejtësie në zgjidhjen e problemeve kanunore në krye të mirditorëve që të ruanin vetëqeverisjen dhe autonominë tradicionale të trevës së tyre kundër synimeve grabitqare dhe perandorisë Otomane, pa u lidhur asnjë herë me armiqtë e saj. Rritja e popullaritetit princëror, fitimi i një pozite të veçantë, dëgjimi e pranimi i mençurisë e i ndihmesës së saj për zgjidhjen e shumë problemeve e përballimin e konflikteve të kohës ishin një kusht i domosdoshëm që buronte nga zhvillimet dhe konjukturat politike të çdo epoke historike. Kështu, dera e Gjonmarkajve me pinjollët e beznive të saja u kthye në lider udhërrëfyes e në simbol uniteti për Mirditën me një rol kryesor në organizimin e bashkimin krahinor të bajraqeve, të kuvendeve e besëlidhjeve popullore dhe religjioze për mbrojtjen e lirisë, të interesave autonome dhe të besimit katolik. Prandaj ka spikatur dallimi dhe bërja emër e Marka Gjonit të parë, e Lleshit të Zi, e Dodë Prengës, e Preng Markolës, e Bibë Dodës me banim në Orosh dhe e Gjon Pjetër Gjonmarkajt në Itali, ë Ndue Gjon Markut në SHBA, e vëllezërve Bardhok e Mark Bibës, e Prena Preng Kolës, e Pal Gjokës apo e mësueses së merituar Marie Biba me banim në Rrëshen dhe e martires Bardhe Gjonmarkaj, e murgeshës Marie dhe e dy infermiereve të spitalit të qytetit verior si bija të këtij oxhaku me banim në Shkodër, të cilët u dalluan për trimëri e mençuri, intelektualizëm e përparim, emancipim e humanizëm, besnikëri dhe unitet në dhënien e kontributit të tyre patriotik e atdhetar dhe kulturor e shoqëror që liria, pavarësia e shtetformimi të mos cënoheshin asnjëherë nga askush, duke ruajtuar lidhjet me lashtësinë etnokulturore e tradicionale mirditore e kombëtare. Në këto kushte e rrethana historike dolën dy pinjoll të vetëm të këtij oxhaku Bib Dodë Prenga dhe Gjon Mark Lleshi, si më të aftit që mund të udhëhiqnin mirditorët rreth viteve 1840-1868. Midis tyre, autori shquan personazhin kryesor të këtij libri, i cili që në moshën 13 vjeçare kishte mësuar artin e luftimit në stërvitjet e garnizonit turk të Shkodrës, sa 4 vjet më vonë me gradën e majorit kthehet e merr drejtimin e derës së Gjonmarkut dhe të krejt Mirditës, pas miratimit e besimit që i dha kuvendi i përgjithshëm tradicional i mirditorëve, si institucioni me aftësi të spikatura shtetformuese. Veprimtaria e tij karakterizohet nga fryma krenare e pavarësisë prej pushtetit Osman, nga organizimi i shpejtë i jetës shoqërore duke respektuar normat e traditat shekullore të vendlindjes së tij, nga pastrimi e mbrojtja e besimit katolik prej presionit e trysnisë së jashtme dhe të faktorëve shpërbërës të brendshëm duke ruajtur lidhjet e partneritetit me Portën e lartë. Po ashtu në atë veprimtari mishëroheshin zgjuarsia e dinakëria e tij me një politikë elastike me të krishterët e Mali të Zi me gjithë kontradiktat antishqiptare që zienin midis tyre, përgatitja e organizmi i luftërave kundër të njëjtit pushtues, përballja sakrifikuese me shumë probleme të varfërisë mirditore, me reformat e krizën copëtuese të perandorisë Otomane dhe me garën grindavece e qëllimkeqe të fuqive të mëdha që synonin copëzimin e Shqipërisë veriore e jugore, duke i dështuar përpjekjet dinake të Sulltanatit perandorak për centralizimin e politikës së tij. Me të drejtë autori konkludon, se në pjesën e parë të shek.19-të fuqitë e mëdha evropiane Rusia e Austria, Franca e Anglia në aleancë edhe me Portën e lartë ndihmuan me të gjitha mjetet për konfigurimin e shteteve ballkanike e të Malit të Zi në kurriz të gllabërimit të tokave shqiptare, duke penguar edhe bashkimin e kombit tonë brenda territoreve të veta. Pra, fundin e këtij shekulli e prekën ngjarje të rënda dramatike, si acarimi i kontradiktave midis fuqive të mëdha lidhur me përpjekjet e Rusisë për krijimin e mbretërisë sllave evropiane edhe brenda territoreve turke, përvetësimi i trashëgimisë së perandorisë Osmane gjithnjë në rënie, ashpërsimi i kryengritjeve shqiptare kundër politikës centralizuese të Sulltanatit dhe përpjekjet e shteteve të Ballkanit për t’i përdorur lëvizjet dhe qëndresën e shqiptarëve kundër të “sëmurës së Bosforit” që kishte marrë teposhten e pandalshme, për kënaqjen e interesave të tyre gllabëruese. Në qendër të kësaj politike qëndronte autonomia e Mirditës e udhëhequr nga Bibë Doda i kërcnuar në fshehtësi nga lakmitë e tendencat e rrymave politike shoviniste dhe nga konfliktet kufitare midis malsorëve shqiptar të kurdisura nga pushtuesi dhe fqinjët sllav, për evitimin e të cilave ra në marrëveshje me Malin e Zi (prapa të cilit qëndronte Serbia) që të luftonte Turqinë. Veçse ato nuk u zbatuan nga ana e tyre. Në të njëjtën kohë perandoria Osmane e zbuti qëndrimin, hoqi dorë përkohësisht nga reformat e tanzimatit dhe e ftoi Bibë Dodën që të komandonte një forcë të madhe ushtarake, duke e graduar atë “Pasha” (gjeneral brigade). Por ai ruajti pavarësinë dhe politikën e tij vetëmbrojtëse me aleanca të ndërsjellta në dobi të Mirditës. Kështu që Bibë Doda me trimat mirditorë luftoi në territorin malazez, duke mbajtur peshën kryesore në luftimet turko-sllave, për të ndaluar zgjërimin e pushtimeve të tyre në Mirditë e në Shqipëri dhe për të shpëtuar forcat e të dy palëve nga shkatërrimi, duke qenë nën presionin e fuqive të mëdha që nuk e dëshironin copëtimin e perandorisë Osmane dhe të Rusisë, e cila e përjashtonte mundësinë e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Por princi në fjalë në krye të trimave të tij luftuan me sukses edhe në luftën ruso-turke, duke korrur fitore si heronjë të vërtetë kundër ushtrive të Car Nikollës në betejën e Krimesë, të Sevastopolit e të ishullit Kama, emëri i të cilëve u lakua me respekt e mirënjohje nga kancelaritë diplomatike, duke u shpërblyer me stimuj trimërie nga Porta e Lartë. Megjithatë Bibë Doda u ftoh nga djallëzitë e Sulltanatit për nënshtrimin dhe pushtimin e Mirditës me forma nga më të kamufluarat. Përveç interesave ballkanike, u shfaq edhe interesi i diplomacisë franceze e austriake për këtë trevë dhe princin e saj që ta bënin atë principatë autonome, duke i dhënë atij titullin “Princi i Mirditës” nga Napoleoni i tretë me të cilin e njihte Mirditën krahinë të pavarur. Në këtë kohë pjekuria e tij arrin pikën kulminante me nuhatje të hollë politike, me zgjuarsi në shfrytëzimin e situatave politike, me shfaqjen atje ku duhej i heshtur e i matur, mjeshtër i fjalës me disa kuptime dhe një krenar i vëmendshëm, por edhe uragan i prerë e kapadai dhe gjithmonë origjinal. Kjo i tërhoqi vëmendjen Portës së lartë, e cila nuk kishte hequr dorë nga nënshtrimi e pushtimi i Mirditës dhe që të mos i dilte nga dora, djallëzia mendoi ta eliminonte nga skena politike e roli udhëheqës kapedanin trim Bibë Doda. Kështu Omer Pasha, i çarmatosi e u hoqi uniformën luftëtarëve mirditorë e shqiptarë dhe një pjesë i kthej në vendlindje, me qëllim që t’i ngrinte kundër princit udhëheqës e komandant të tyre, duke e konsideruar si rival të rrezikshëm me një popullaritet të madh brenda e jashtë vendit që ngrinte peshë gjithë Mirditën. Kjo alibi intriguese u keqkuptua dhe bëri efektin e duhur negativ te luftëtarët mirditorë, duke e shmangur kapedanin e tyre Bibë Dodën, i cili u ndje mjaft i tradhëtuar. Ndërhyrja e fuqive të mëdha i pajtoi mirditorët me Portën e Lartë dhe me princin e tyre me kusht që t’u ktheheshin armët një pjese të forcave ushtarake dhe atyre të painkuadruara, t’u paguheshin rrogat si trupa të luftës ruso-turke dhe të mos sulmoheshin banorët e fushës e të lejohej kalimi i lirë i banorëve të maleve, të Kthellës e Selitës. Pasojat e luftës ruso-turke i shfrytëzuan fuqitë evropiane dhe shetet ballkanike për interesat e tyre konçensionare territoriale kundër lindjes, të cilat filluan bisedimet dhe përgatitjet luftarake për të realizuar synimet pushtuese. Në këto kushte politike të mbarsura me konflikte të pabesa, nga mendimtarët e Rilindjes kombëtare shtrihej e forcohej edhe lëvizja çlirimtare shqiptare për sigurimin e autonomisë në kuadrin e mbrojtjes së perandorisë Osmane, si parakusht për arritjen e pavarësisë së plotë. Por Bibë Doda e nuhati erën e kësaj politike dhe nuk priti prej saj ndonjë gjë vendimtare për të drejtat e Mirditës dhe reagoi haptazi ndaj çdo vartësie nga guvernatorët turq të Shkodrës. Traktati i Parisit e ndezi më tepër gjendjen politike në rajonet Shqipëri-Mali i Zi-Bosje-Hercegovinë, duke krijuar pakënaqësi për vendimet e tija. Në atë kohë pashallëku i Shkodrës kishte mbetur në gjendjen e viteve të mëparëshme, pasi nga qeveria nuk ishin bërë reforma administrative, konfliktet midis mirditorëve e Portës së Lartë dhe Malit të Zi ishin gati të shpërthenin meqë marrëdhëniet midis tyre ishin heshtazi të acaruara me një urrejtje të dukshme kundër robërisë turke nga egoizmi e armiqësia, shpirtligësia e korrupsioni dhe pabarazitë e padrejtësitë që shfaqte qeverisja e administratës lokale të perandorisë. Bibë Doda mori pjesë në luftimet kundër Malit të Zi me 2000 luftëtarë mirditorë përkrah forcave të krahinave të tjera shqiptare bashkë me ato të Omer Pashës turk. Gjendja u qetësua nga fuqitë e mëdha dhe Rusia. Për shkaqet që e shtynin princin me luftëtarët mirditorë në këto konflikte rajonale, autori e ven theksin te prirja luftarake dhe fryma krenare për pavarësinë e krahinës së tyre, te qenia sojnike e perfeksionuar në artin e luftimit që të përballonin varfërinë, si mercenar për të siguruar burime të ardhurash për mbijetesë, duke pohuar ekzistencën e popullit heroik shqiptar që për disa shtete si Rusia nuk duhej të ekzistonte, por të copëtohej midis vendeve ballkanike. Gjendja e rëndë ekonomike e shpirtërore, shoqërore dhe administrative e Mirditës pas luftës së Krimesë u reflektua jo vetëm në personalitetin e Bibë Dodës, por edhe në atë të luftëtarëve mirditorë të faruar nga luftërat. Kjo situatë kishte krijuar një hendek e një largësi midis Mirditës e Portës së Lartë, pavarësisht se ajo me miratimin e princit paguante një tubë zaptishë nën urdhërat e gjeneralit mirditorë të varur nga Stambolli e jo nga Shkodra, të cilët me zgjuarsinë, nuhatjen e hollë dhe guximin e trimërinë e tyre kishin tërhequr vëmendjen e fuqive të mëdha evropiane e të shteteve ballkanike. Megjithatë gradimi i tij i lartë me përfitimet që merrte dhe qëndrimi në rehatinë e shtëpisë së tij për një kohë të gjatë në Shkodër, e larguan atë nga ndërgjegjeja e zemra e bashkëluftëtarëve mirditorë. “Ai sa mori vesh për tensionin e lartë midis Portës së Lartë dhe perandorisë franceze, me një letër shprehte pëlqimin që vihej në dispozicion të Francës me gjithë armët e mirditorëve të tij në luftë kundër Turqisë, duke i harruar nderet e mirënjohjet që i kishte bërë Sulltani”- thekson konsulli austriak në Shkodër drejtuar eprorëve të tij në Vjenë. Pra, Bibë Doda ishte gati t’i vinte pushkën Portës së Lartë. Mirëpo në rrethin e afërm të kapedan Bibë Dodës kishin ndodhur disa ndryshime nga sjellja e qëndrimi i tij që i nështrohej një kritike politike të pamëshirshme, për grindjet me sekretarin e tij dhe me Abatin e Oroshit në të cilat u përfshinë përkrahësit e kapedanit, pashallarët e Shkodrës dhe autoritetet e kishës e të Vatikanit. Ato grindje e përfolnin princin si i shitun te Stambolli që kishte tradhtuar vendin e kanunin e Mirditës që kur kishte pranuar pashallëkun dhe formimin e një grupi xhandarmërie nën urdhërat e Portës së Lartë për qeverisjen e kësaj treve autonome. Synimi ishte i qartë të ngrinin mirditorët kundër kapedanit dhe udhëheqësit të tyre. Në këtë gjendje të rëndë shpirtërore, të ftohur me Turqinë dhe të zemëruar nga brenda me bashkëluftëtarët, e gjeti lëvizja e Mirditës në pranverën e vitit 1862 e organizuar nga abati Gaspër Krasniqi, ipeshkëvi i Lezhës Pal Dodmasej, Zef Jubani sekretar i konsullatës franceze dhe Pashko Vasa sekretar i guvernatorit të Shkodrës, e cila u zhvillua në kuadrin e lëvizjeve për çlirimin kombëtar që zhvilloheshin në shumë vende fqinjë kundër pushtimit Osman. Megjithatë Bibë Doda qëndroi i tërhequr e nuk e përkrahu këtë nismë në kuvendin e Shpalit dhe nuk u deklarua për të marrë pjesë me pretekstin e kohës së papërshtatshme, të përgatitjes serioze të ushtrisë turke me mijëra forca, të pamundësisë së rezistencës të trevave të tjera shqiptare t’i përballonin sulmet osmane dhe për shkak të pengesave që nxirrnin fuqitë e mëdha përkrahëse të Portës së Lartë, në veçanti Austria. Prandaj zërat se ai i kishte premtuar Portës së Lartë që në rast të shpërthimit të luftës nga ana e saj me Malin e Zi, do të ndihmonte me disa mijëra ushtarë nga forcat e tija ushtarake, ishin bërë të ditur me kohë në marrëveshjet e para të Mirditës me këtë fuqi pushtuese. Pastaj disa forca të parregullta vepronin në ndihmë të cilitdo që i paguante më mirë në luftimet e kryera ndaj kujtdo qofshin ata. Në këto situata shpërtheu një konflikt i ashpër midis Bibë Dodës e luftëtarëve mirditorë, shumica e të cilëve doli kundër tij dhe e akuzoi për përfitime në kurriz të tyre e përvetësim të rrogave të vullnetarëve në luftimet e mëparëshme dhe i vunë zjarrin rezidencës së tij në Kallmet të Lezhës. Kapedani u tërhoq në shtëpinë e tij në Shkodër meqë ishte marrë vesh larg syve të njerëzisë me konsullin francez për të mos ndihmuar Turqinë kundër malazezëve. Meqë heshtja e tij synonte të mos komprometonte figurën si mbështetës i Turqisë as mos të privonte përfitimet që merrte nga ajo, pasi ishte akuzuar nga konsulli austriak dhe ai anglez si “autor i të gjitha intrigave revolucionare”. Por edhe malsorët heshtën në krahinën e tyre, duke mos dërguar forca në ndihmë të Portës për të luftuar me Malin e Zi, sepse abat Krasniqi me konsullin francez bënë një propagandë të madhe që mirditorët të mos merrnin pjesë në këto luftime. Situatën e ndezën flakë intrigat e kurtheve diplomatike të fuqive të mëdha për interesat e tyre dhe për mbrojtjen e Portës e të Malit të Zi, acarimi i marrëdhënieve të organeve lokale të qeverisjes turke të Shkodrës me konsujt e fuqive të mëdha, ashpërsimi i skajshëm i qëndrimit të papajtueshëm luftarak dhe i pakënaqësive të klerit katolik për arrestimin e Abat Krasniqit nga forcat turke e më pas strehimi i tij politik në konsullatën franceze, përzënien në Vatikan të ipeshkëvit Pal Dodmasej, mbylljen e abacisë e të kishës së Zadrimës nga autoritetet turke dhe dalja dëshmitar i kapedanit Bibë Doda kundër abatit të Oroshit Gaspër Kraniqi si shkaktar i organizimit të lëvizjes së Mirditës. Qeveria Otomane e zhbllokon situatën duke pushuar Bibë Dodën si pasha për shpifjen ndaj abat Krasniqit e mos dërgimin e ushtarëve në ndihmë të luftimeve turke-malazeze e zëvendësimin e tij me Mark Dodën, kthimin e abatit në Orosh e të priftërinjve të tjerë në kishat e tyre, pagimin e një dëmshpërblimi për cënimin e nderit të tij e të gjithë klerikëve katolik, pezullimin e çdo procesi kundër priftërinjve dhe të ngrihej e përshëndetej flamuri i Francës e të fillonin marrëdhëniet diplomatike rregullisht midis organeve lokale të Shkodrës e konsullit francez. Mirditorët nuk ishin dakort me këto masa bashkë me princin e tyre, i cili nuk i pranoi e nuk i përfilli masat e qeverisë lokale dhe shkruan letra e merr takime me konsujt e fuqive të mëdha, kryesisht me atë austriak e të Portës së lartë që t’i krijonin mundësinë të shkonte në Stamboll për të sqaruar pozitën e tij. Rrokullisja e ngjarjeve në favorin e tij solli nga Sulltanati ndyshimin e balancës dhe zbutjen e qëndrimit ndaj kapedanit edhe me ndërhyrjen e diplomacisë austriake, duke e riabilituar pricin e mirditorëve me të gjitha atributet që kishte patur, i cili kthehet në Orosh në krye të Mirditës dhe pritet për vizitë me solemnitet nga autoritetet turke të Shkodrës dhe nga konsujt diplomatik, përveç atij të Francës, duke i caktuar edhe rezidencën në Shkodër dhe shërbëtorin enigmatik Finzo, i cili gëzonte përkrahjen e konsullit francez e të Sardenjës. Porta e lartë, fuqitë e mëdha dhe shtetet fqinjë e kishin kuptuar se pavarësia e Mirditës ishte në rritje dhe jo e largët me këtë prijs trim e të pabindur. Pasi Bibë Doda ishte afirmuar si pashà dhe si sundimtar i plotë i padiskutueshëm i mirditorëve, i cili me vendimet që merrte po e kthente Mirditën në një krahinë të lirë e të pavarur që vetëqeverisej nga kuvendet popullore dhe nga dera e tij në bazë të kanunit të Lek Dukagjinit me besimin Katolik të patjetërsueshëm. Prandaj, sipas abat Prend Doçit, armiqtë dhe kundërshtarët e tij (ndër më të përfolurit ishte shqiptari nga Podgorica, mudiri i Lezhës Sali Pasha), të cilët me anën e beut të Varoshit në një drekë të shtruar për nder të tij në kalanë e vjetër të Lezhës e helmuan. Dhe papritmas, pas dy muajve, vdes në Shkodër në rezidencën e tij, duke e mbyllur kalvarin e përplasjeve e të luftimeve, të kundërshtive e intrigave të huaja e të brendshme dhe të pakënaqësive që u krijuan rreth personit të tij. Arkivolin e tij e mbuloi flamuri francez, si shenjë paqeje e mbrojtje të mëtejshme. Disa ditë pas varrimit në një vorbull kobzi, nga lukunia e njerëzve që “hidhnin gurin e fshihnin dorën” me në krye shërbëtorët besnik të perandorisë thuret një sakrilegj i rëndë, ku shpërthyen mllefet e urrejtjes me një lëngatë shumë të keqe përgojimesh e thashethemesh, stigmatizimesh e denigrimesh, poshtërimesh e përbuzjesh, duke dhunuar varrin dhe trupin e princit të derës së Gjonmarkut. Ndonëse erdhi nga Stambolli urdhëri i rivlerësimit edhe një herë të këtij princi të njohur e të përmendur jo vetëm në Mirditë, për ta rivarrosur në mënyrë solemne me të gjitha nderimet që i takonin dhe duke i ngritur një memorial me fjalët më të zgjedhura për bëmat heroike 31 vjeçare si pashà mirditor dhe themelues i principatës autonome të Mirditës krejtësisht të pavarur. Me rënien e këtij princi trim, Mirdita u shpall nën prefekturë e vilajetit të Shkodrës nën sundimin e ligjeve të perandorisë Otomane, djalin e tij 9 vjeçar Prengë Bibë Doda e morën peng në oborrin e Sulltanit për 8 vjet dhe në krye të Mirditës emruan kapedan Markun i njohur si Gjoni i Mark Lleshit. Kështu, taktikat dhe strategjitë hileqare e të paragjykuara, makinacionet përplasëse dhe kombinacionet nën rrogozë, kurthet intriguese e aventurat e dhunëshme dhe komprometimet e propaganda dashakeqe, ishin mjetet më të ashpëra që perandoria Osmane organizoi e zhvilloi kundër Mirditës e popullit të saj, me anën e të cilave pas 400 vjetësh mundi t’i nështronte përkohësisht duke vendosur mbikëqyrjen e administratës së pushtetit perandorak mbi autonominë e kësaj krahine të pa mposhtur në luftërat për liri e pavarësi. Prandaj edhe unë po i mbyll këto radhë për këto dy vepra cilësore historike me një përcaktim shumë të drejtë e cilësim mjaft të spikatur dhe me shumë vend, të shprehur nga Kolë Ndreka në parathënien e tij për këtë studiues erudit, se “...Mirditasit e kanë pranuar varfërinë me kusht...të mos u mungonte liria. Dhe mirë se na erdhe me këtë epos të Mirditës sonë! T’u rrit ndera, or Luigj Martini!”.

II.Proza letrare e Shpendi Topollajt është një homazh për
   elitarizmin  e  LANÇl  dhe për të përndjekurit e diktaturës...

            Janë vijimësi e pasqyrimit të shpirtit e heroizmit të asaj epopeje legjendare katër romane e disa tregime e novela të shkrimtarit Shpendi Topollaj, jehona e së cilës duhet të vijë përherë e freskët deri në ditët tona, duke ndërtuar një realitet sa heroik, aq patriotik e liridashës për një epokë plot ëndrra idealiste. Në këto vepra rrëfehet edhe konflikti politiko-ideologjik i diktaturës me atë brez luftëtarësh që e sollën atë në pushtet me sakrifica të mëdha, duke pranuar në heshtje viktimizimin e një pjese jo të vogël të shoqërisë shqiptare. Përmbajtja e tyre është e mbrujtur me alkiminë e këndellur, ku ngjizen fort realja me irealen, e kaluara me zulmën e saj dhe aktualja me brutalitetin e poshtërimin burokratik që tentuan të sakrifikojnë e shlyejnë nga memoria e kombit një pjesë të mirë të elitarizmit që pati ai brez luftëtarësh.
            Natyrshmëria e rrëfimit artistik na sjellë jehonën e rrjedhës së lumit të kohës, ku filli i fabulës estetike e detyron lexuesin të jetë i pranishëm në njohjen e asaj periudhe me gjithçka ajo pati, por edhe me përplasjen e pamëshirëshme të personazheve të kundërta gjatë diktaturës. Dhe shfaqjet e atij realiteti me idetë, rezultatet dhe ndëshkimet që praktikonte ajo ndaj atyre që e kundërshtonin sado pak, janë shprehur në një mënyrë të tillë bindëse në tregimet “Brikena, Kali i gjeneralit, Komisari del privat, Ai që shpërtheu burgun, Arratisja, Burri i fisit Kaloshi, Vëllezërit Agaraj, Rruga e Fllakës, në novelën Pietata” dhe në romanet “Lotët e zambakut, Mashtruesi, Zhgënjimi i partizanit të Gramozit e Luani i kafazit”, sa nuk duken hijet e hamendësimit që të dyzojnë se mund të jetë një trill i sajuar enkas apo i rastësishëm. Pra, kemi një lidhje ose ngjeshje harmonike midis formës së jashtme dhe përmbajtjes së brendshme që zhvillohet në subkoshiencën e personazheve realistë të ravijëzuar grafikisht në kohë e hapësirë nga frymëzimi i vetëdijshëm i këtij prozatori të kujdesshëm, ku del qartë fakti që sakrificat e përgjakshme të lirisë e të përkushtimit atdhetar tentoi t’i hidhte në honet e ekstremitetit të skajshëm klasor absurdi i humbjes së arësyes me shkeljet ekstremisht të dhunëshme të lirive e të drejtave njerëzore nga burokracia totalitare.
            Retrospektiva historike transmetohet në kohë e hapësirë me lidhjen mes bëmave të së shkuarës me fijet e së tashmes, si një proces bashkimi të perceptimeve e konceptimeve ideoartistike të autorit me shfaqjet e përjetuara të realitetit jetësor. Kjo lëvizje, duke dhënë formën e jashtme tekstuale të këtyre krijimeve që t’i shijojnë lexuesit, mban të fiksuar në terrinën artistike përmbajtjen e brendshme të tyre si një arkitekturë me copëza të ndritura të asaj epopeje, por edhe të hidhura për jetën në diktaturë, ku brengat njerëzore shfryjnë ende dhimbjet e torturat e tragjizmit që mbollën dënimet vdekjeprurëse. Prandaj themi që kujtesa artistike e krijuesit në trajtimin e temave të tilla duhet të këmbëngulë më shumë deri në fund që t’u japë lexuesëve kuptimin e shkaqeve të së vërtetës relative për thelbin e prejardhjes së kësaj dukurie kriminale, e cila edhe sot i lemeris ndjenjat njerëzore me shfaqjen në mendjen e një kategorie të shoqërisë aktuale, të atavizmit primitiv “gjak e hak-marrje” midis njëri-tjetrit në forma nga më të ndryshmet.
            Në çdo kohë fenomenologjia i ka mësuar përherë krijuesit që nuk mund ta kuptojnë një epokë të caktuar historike, pa njohur veprimtarinë e gjithanëshme jetësore të realitetit të asaj epoke duke gërmuar nëpër arkiva, medituar e jetuar me erudicionin shkencor brenda botës njerëzore se si ka jetuar, punuar e luftuar shqiptari për të mbijetuar në përballje me vështirësitë e përparësitë, me pengesat e mundësitë, me kërcnimet e së keqes dhe me favorizimet e së mirës rrethanore, për të qëmtuar cilësitë më thelbësore të asaj shoqërie që ka ekzistuar në kohën e hapësirën për të cilën ata duan të shkruajnë. Këtu bie në sy një punë e kujdesshme dhe e lodhshme e autorit për të akumuluar shumë të dhëna, vëzhguar mjaft skena dhe analizuar disa operacione luftarake e konsumuar një literaturë të gjërë e cilësore nga fusha e historisë, veçanërisht të luftës për çlirim, duke ndërtuar një realitet të prekshëm, ku kanë jetuar e luftuar dhe punuar personazhet për të cilat po flasim. Kjo i ka dhënë mundësi që me një gjuhë të thjeshtë, figura të zakonëshme dhe forma stilistike të ndjeshme të shprehë dukuritë e jetës me larushinë, dritëhijet dhe anët kontradiktore të botës shpirtërore të personazheve që hyjnë e dalin nëpër këto vepra letrare. Dhe ky pohim ideoartistik i domosdoshëm u ka dhënë atyre një karakter realist ekzistencial për emocionet e forta që përcjellin, një tingëllim aktual për idetë bashkohore dhe një frymë përgjithësuese të dramacitetit artistik për atë realitet zulmëmadh të historisë sonë kombëtare që diktatura u përpoq ta përbaltëte, pa ia arritur qëllimit.
            Gjatë periudhës njëzet vjeçare krijuesi në fjalë ka shkruar 3 vëllime letrare në prozë “Rrëfimet e Kapitenit, Arratisja dhe Autograf” me rreth 33 tregime, një pjesë e mirë e të cilëve anojnë nga zhanri i skicës letrare dhe tematika e tyre sillet rreth atyre problemeve që e kanë shqetësuar më shumë autorin. Konkretisht 6 janë me temë për lirinë e atdheut e dashurinë për vendlindjen, si “Carina, Kali i gjeneralit, Ushtari i dekoruar, Gjenerali i UÇK-së dhe Karafili”; 5 për luftën e klasave ku veçojmë “Brikenën, Komisarin që del privat, Burrin e fisit Kaloshi, Rrugën për në Fllakë dhe Jakovin që duhet ta falin”; 4 për terrorin e organeve të censurës së diktaturës në shkeljen e lirive e të drejtave të njerëzve, si “Ai që shpërtheu burgun, Arratisja, Vëllezërit Agaraj dhe novela Pietata”; 3 për korrupsionin, si bie fjala “Bërxollat e plazhit, Dy pleqtë dhe Bojaxhiu”. Madje 10 prej tyre trajtojnë tema sociale: për kurbetin “Zhgënjmi i Borës”, për gjakmarrjen “Punë fëmijësh dhe Mençuria e Binak Alisë”, për ndihmën humane, mikpritjen e dhimbjen njerëzore, ku shquhen “Ahu në mes të pyllit, Ndërgjegje oficeri, Mikpritja shkodrane, Grerëza dhe Shpërndarësi i picave”; ndërsa 6 janë për erotizmin e dashurinë bashkëshortore, si bie fjala “Meditim për  një profil të bukur, Rrëfimet e Kapitenit, A më ke falur, Dashuri e vonuar, Hungarezja, E bukura Kejti dhe Pengu i një gruaje”.
            Tematika e problematika e këtyre tregimeve tërheq vëmendjen për frymën aktuale dhe realiste, për njohjen e shqetësimeve e të dukurive të ndryshme që preokupojnë jetën e shoqërisë sonë. Praktikisht pena e autorit ravijëzon ide të rëndësishme koherente, se thundra e pushtuesit jo vetëm që na grabiti lirinë dhe na ndau nga trojet e nga njëri-tjetri, por mbolli gjëmë, tragjedi e varfëri. Prandaj mesazhi na vjen i fuqishëm që dashurinë për atdheun, vendlindjen e për shokun nuk e zëvendëson asgjë, si te tregimi “Karafili” që përshkruan rastin e flijimit të shqiptarit në vend të polakut për lirinë e njerëzimit. Apo te tregimet “Carina, Ushtari i dekoruar” e tjerë. Ndonëse krimi i grabitjes është një veprim antinjerëzor që i rrëmben njeriut jetën me gjithë lirinë e virtualitetit shpirtëror. Megjithëse rrallë herë niset nga qëllime të mira dhe në jo pak raste përfundon paqësisht duke sjellur mirësi e harmoni, si bie fjala te “Carina”, veçse jo si te malsori gjakovar që mos t’i shitemi tjetrit sa nuk jemi dhe të tregohemi të arsyeshëm për të dëgjuar e mirëpritur këshillat e të tjerëve. Në këto kushte, thekson autori, rritja e vigjilencës për të qenë kurdoherë i gatshëm të përballosh të papriturat e jetës është domosdoshmëri jetike dhe detyrë parësore që duhet kryer përherë me përkushtim të veçantë.
            Me qenë se në një masë të caktuar i ka vuajtur edhe vetë pasojat e egërsisë të luftës së klasave, nervi i këndellur i talentit të tij i është kthyer disa herë këtij fenomeni shqiptar që diktatura e çoi në infinit zhvillimin e tij. Faktikisht ai na njeh me format e dukurisë së jashtme të ekstremitetit të dhunës represive që u përdor mbi një pjesë të shqiptarëve pa dallim shtrese a hierarkie shoqërore, pa u futur në analiza të thella të shkaqeve ideopolitike e filozofike, ekonomiko-shoqërore dhe psikologjiko-juridike, të cilat i prodhuan parimet, rregullat e ligjet, taktikat dhe strategjia që ai sistem i përdori për një gjysmë shekulli në Shqipëri. Me këto fragmente të vërtetash jetësore të trajtuara në shumë raste bukur artistikisht, tregimet japin një pamje të egër të fytyrës së dhunës që shkilte hapur liritë e të drejtat dhe kufijtë e trajtimit të kategorive të ndryshme njerëzore. Kjo del qartë te figura e personazheve episodike, si te Brikena që prapaskenat e djallëzisë së censurës i godasin lirinë e dinjitetin vetëm se kritikoi veprimet e saja të paligjshme; te djaloshi i Kaloshëve ku lufta e klasave me diferencimet e saja të skajshme i ndau njerëzit për së gjalli; te sakrifikimi i vëllezërve Agaraj me sebe e montime të sajuara nga monstruoziteti i mediokritetit profesional, ndonëse ishin oficerë dhe bij të ish partizanit të vjetër që nuk kurseu asgjë për lirinë e vendit. Kjo shfaqet me një theks të veçantë te vajza dibrane që i shpëtoi të atit jetën me qumështin e gjirit sa herë e takonte në qeli duke dhënë shpirt nga uria, si dikur princesha e mëshirës “Pietata”. Pasi represionet dhe torturat e censurës për rekrutimin e b.p. nuk e thyen e as nuk e mposhtën qëndresën e njerëzve patriotë, se i mbajti gjallë e të pathyeshëm ndjenja e patriotizmit dhe e dashurisë njerëzore, në këtë rast e fëmijës për prindërin e saj. Ndërsa keqtrajtimet dhe torturat ndaj ish të përndjekurve jashtë normave ligjore, përshkruhen me një kujtesë vizuale te pjesa që lidhet me veprimtarinë e ish të burgosurve politik në tregimet “Ai që shpërtheu burgun dhe Arratisja”. Autori është përpjekur të rrëfejë kushtet e kufizuara e të shtrënguara të regjimit të vuajtjes së dënimit të asaj kohe me aq sa ka mundur të kapë vizioni, intuita e përceptimi i tij prej kallëzimit të tjerëve, të cilat kur shoqëroheshin me keqtrajtime fizike, dhunë të ashpër psikologjike e shpirtërore dhe juridike me shkeljen e të drejtave të tyre, ato bëheshin tepër të vështira e shumë herë të padurueshme e të pa përballueshme. Këtu spikat ideja reale, se ata që mendonin të dyzuar për humbjen e perspektivave të së ardhmes së tyre (të cilët ishin shumicë) nuk e njohën frikën dhe as nuk e pranuan poshtërimin e dinjitetit, por u kthyen në simbole rezistence të guximshme, trimërie e burrërie shqiptare për të mbetur një legjendë e gjallë kundër një të keqeje të pakufishme që e mbolli diktatura moniste në shpirtërat e tyre, të cilët vuanin për më shumë liri, për më shumë drejtësi e mirëqenie shoqërore.
            Autorit nuk i shpëtojnë as temat sociale, trajtimit të të cilave u kushton një kujdes të vazhdueshëm. Konkretisht te tregimi “Ahu në mes të pyllit” del ideja, se në rrezik e në nevojë, shoku-shokun ta ndihmojë, duke mos i bërë tjetrit atë që të dëmton, që nuk e don dhe që nuk e pranon për veten tënde me rrënjosjen e virtytit të besnikërisë jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, siç ishte rasti i mos mbrojtjes së ariut që humbi jetën nga agresiviteti i ujqërve. Me nerv të veçantë na jep në tregimet “Zhgënjimi i Borës, Komisari që del privat, Bërxollat e plazhit e Bojaxhiu” edhe denatyrimin e personalitetit të mërgimtarit nga plagët e kurbetit që e çuan në një përfundim tragjik nga krimi familjar brenda llojit, të ish komisarit nga marrëdhëniet hipokrite që krijonte me vartësit, të pedagogut nga raportet korruptive me studentët e tij, të drejtuesit të një universiteti që shet diploma false për të paguar djersën e fukarasë apo të dy pleqve të rrjedhur që meken deri në frymën e fundit të nxjerrin mbijetesën nga fatkeqësia e shokëve të tyre, fenomene korruptive këto mjaft shqetësuese për aktualitetin që po jetojmë. Me problemet e erotizmit dhe të dashurisë duket se krijuesi jeton në çdo çast, madje edhe në gjumë, të cilave përpiqet t’u japë atë shijen e ëmbël që na dhurojnë ato të dy nocione kaq të nevojshme e të domosdoshme, pa të cilat nuk mund të mbijetojë asnjë qenie e gjallë, kryesisht bëhet fjalë për ato me vetëdije njerëzore. Duke qenë se këtë përparësi e ka prirje debuluese të zemrës së tij, ai dallon në zgjedhjen e tematikës, edhe në shtjellimin e fabulës me kënaqësitë estetike që i rrisin vlerat e tyre artistike. Praktikisht te tregimi “Meditim për një profil të bukur” jepet peizazhi natyror dhe bukuria femërore si dukuri të domosdoshme jetësore me efektshmëri të ndjeshme estetike. Te “rrëfimet e Kapitenit” kemi përshkrimet bardhë e zi të realitetit më një ekzaltim euforik ndjenjash dhe me ekstremitet e pezmatim pesimist, ku mendjelehtësisë fluturake ia ndërpret vrapin përkujdesja e ndershmërisë. Ndërsa te “Dashuri e vonuar, Hungarezja, Pengu i një gruaje dhe A më ke falur” dalin në pah dashuria platonike e vonuar që gërryente ndërgjegjen, moralin dhe dashurinë bashkëshortore. Pasi, kur burri gabon në cënimin e dashurisë e të marrëdhënieve midis çiftit, gruaja duhet ta shohë shkakun te disniveli arsimor dhe te cilësitë e dallimet e karakterit në fushën kulturale e shoqërore. Me qëllim që të njohë e mësojë se si konceptohen e trajtohen me durim e pjekuri, logjikë të ftohtë e kulturë qytetare e juridike veprimet arrogande e të dhunëshme dhe çarja e prishja e unitetit nga secili bashkëshort. Kjo domosdoshmëri vjen nga nevoja parësore që të luftohet në zanafillë nxitimi për krijimin e një lidhje pa patur kohën e nevojshme të njohjes së gjithanëshme për të gjitha karakteristikat dhe kushtet e cilitdo partneri me qëllim të mos bëhen zgjedhje të gabuara, por të ngjizura me brumin dhe logjikën e dashurisë së pastër familjare. Kjo do të sjellë një bashkëjetesë të qëndrueshme, në harmoni të kënaqshme dhe me lumturi të përherëshme.
            Bashkëjetesa me diversitete të ndryshme, larmishmëria kulturore-letrare dhe ajo gjuhësore janë prirje të përgjithshme të kohës e të botës ku jetojmë. Prandaj në procesin krijues ndjehet nevoja e ridimensionimit të disa treguesëve profesional gjatë shkrimit të një vepre në cilindo zhanër qoftë, duke ruajtur linjat e specifikave që duhen ndjekur për të dalur krijimi gjithnjë i mirëpritur. Mirëpo kjo kërkon që puna krijuese të shihet si bashkëbisedim letrar me kohën e shkuar, atë aktuale dhe me të ardhmen. Ky kusht i jep mundësi çdo autori t’i futet një pune të lodhshme për të njohur e rivlerësuar të shkuarën me problematikat e saja që të krijojë lidhjet e nevojshme me proceset e sotme letrare, të cilat na ndihmojnë në interpretimin e drejtë të realitetit aktual. Këtu po ndalemi në analizën e shkurtër të tre tregimeve, ku mbrujtja e shtjellimi i lëndës së tyre letrare flet qartë për një domosdoshmëri dhe nevojë të tillë që të mbahen para sysh në krijimtarinë e ardhme. Në tregimin “Ushtari i dekoruar”, veç anëve të mira që theksuam më lart, vihet rè që mesazhi kuptimplotë i vigjilencës e i gatishmërisë për të kryer detyrën me përkushtim injorohet dhe ironizohet me një ilaritet nënvlerësues nga fjalët, dyshimi e qëndrimi mosbesues i komandantëve, i banorëve dhe i të afërmeve të tij. Nuk kuptohet pse i serviret lexuesit kjo mënyrë të konceptuari e të vepruari, duke dashur të kritikojë organizmat e shtetit monist për praktikën e dhënies së stimujve moral personave “merhumë e të mefshët”, të cilët sipas nëntekstit që del nuk e meritokan një shans të tillë edhe kur u bjen rasti të kryejnë akte trimërie?!. Kur vetë krijuesi na jep informacionin më të rëndësishëm pse i ishte dhënë dekorata çobanit skraparlli me çiltërsinë e sinqeritetin e virgjër të një të riu të pa zhvilluar si duhet nga kushtet e mundësitë e kohës që nuk vareshin prej tij. Megjithatë ishte vigjilenca, gatishmëria e përkushtimi i tij i lartë për detyrën shkaku që goditi veprimtarinë kriminale, duke sjellur si pasojë jo vetëm mos prekjen e objektit, por edhe zbulimin e “armikut” që vepronte aso kohe në atë rajon. Këndshmërisë ideoestetike nuk i pëlqejnë hijet e errëta që ndjellin një dyshim të pamotivuar ndaj cilësive të shëndosha morale që prodhojnë vlera të bukura artistike edhe me një tregim të tillë të shprehur me një gjuhë të zakonshme dhe me mjete të thjeshta semantike. Përkushtimi krijues ishte mirë të djersinte më shumë për të na e dhënë këtë përmbajtje të mbrujtur me ide të bukura që dialogjet të përjetoheshin artistikisht nga fakti që tani më ka fituar qytetarinë kombëtare, se rrënjët e heroizmit e të patriotizmit mbijnë kudo në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Êshtë mirë të mbahet parasysh ndërtimi i një logjike më të shëndoshë artistike në raportet midis anëve të jashtme dhe cilësive të brendshme të personalitetit të personazhit që niveli ideokulturor dhe psikologjik i figurës së tij të dalin në harmoni më të plotë, më të besueshëm dhe më të pëlqyeshëm estetikisht. Ndërsa në tregimin “Jakovin duhet ta falin njerëzit...”, problematika na jepet me dritëhije të tjera me një kuptim të ndryshëm e semplist të farseve të kontradiktave në gjirin e masave. Zotërimi i  një profesioni, i një detyre ose i një funksioni nuk është mëkat, sepse ndryshe nuk mund të funksionojë një shoqëri e arsimuar dhe e emancipuar. Për rrjedhojë nuk mund të kemi as shtet dinjitoz ligjor. Por bëmat antiligjore e antihumane dhe antinjerëzore që i kryen mbartësi i këtyre atributeve të ligjshme, përbëjnë një faj të rëndë kriminal kur vërtetohet kryerja e tyre. Autori, si vëzhgues i hollë i realitetit dhe me ndihmën e aftësive të tija profesionale juridike, zbulon pak nga pak fajet e Jakovit të konsumuara në diktaturë kur ai shalonte ekstremitetin e alergjisë klasore me hetimin dhe ekspertimin e shkeljeve të ndryshme që vinin nga masat shtrënguese dhe represive të keqqeverisjes së monizmit. Kështu na jepet natyrshëm me nota bindëse metamorfoza e karakterit të këtij personazhi që dritëhijet e koncepteve dhe të veprimeve që shfaq ky “ish” i dikurshëm me mashtrimet, tjetërsimin dhe denatyrimin e artikulimeve e të marifeteve mafioze për ta shndërruar fytyrën e tij prej fajtori, në imazhin e një “engjëlli” gjoja të pafajshëm. Dhe për t’i shpëtuar llogaridhënies juridike për mëkatet e kryera përpiqet të krijojë iluzionin e pafajsisë dhe shanset e riabilitimit të mundshëm të portretit të vruguar me bëma ndaj të pambrojturve, pa shfaqur asnjë fije pendese dhe pa i kërkuar asnjëherë falje askujt. Prandaj arsyetimet dhe veprimet absurde do t’ ia djegin tërë shpresat iluzive bashkë me avenirin e zymtë për një kategori të tillë. Megjithatë mos përfillja e mos mirënjohja e heshtur e ndershmërisë dhe e sinqeritetit kanë një cak kufiri të lejueshëm, të cilit po ia sfumonin personalitetin çdo ditë pa ia hedhur sytë e vëmendjes se ç’ bënte rrufjanllëku i prototipit që i kishte sosur ditët e karrierës së mëtejshme. Pra, kemi të bëjmë me një prototip, ku mashtrimi përpiqet ta paraqesë veten si model suksesi. Por kur nisën t’i bienë pendët, filloi të vuante nga zilia e panegjerizmit, nga humbja e ekuilibrit psikik, nga dalja jashtë kontrollit të logjikës dhe nga dëshpërimi se po i mohonin aftësitë dhe të drejtat për të bërë karrierë. Nga kjo rezumè e shkurtër dalin idetë e përmbajtja, dalin problemet për pastrimin e ndërgjegjes nga fajet e mbeturinat e së shkuarës dhe kumtohen mesazhet koherente për vendosjen e drejtësisë pa u vonuar ndaj shkaqeve të padrejtësive të diktaturës që njerëzit të çlirohen për të mos mbetur pengje të së ardhmes. Dhe gënjeshtrat e kamuflimi i të vërtetës mos të prishin unitetin e mos të cënojnë marrëdhëniet e reja shoqërore. Ky është personazh real dhe jo i vetëm që po vegjeton në mjegullnajën e këtyre dekadave pluraliste pa marrë atë që meriton, ndonëse narracioni rrëfehet me një gjuhë të thjeshtë e të zakonëshme pa një figuracion të spikatur. Kurse në tregimin “Punë fëmijësh” që në fillim të bie në sy nxitimi i një konceptimi fluturak, se titulli i duhur i krijimit nuk është gjetur ende për idetë, problemet e përmbajtjen e rëndësishme që ai shtjellon. Ndonëse ajo ishte një nismë e nevojshme që të aftësoheshin njerëzit për t’u vetëmbrojtur, pakujdesia rastësore e kthen në një aksident fatal që nuk duhej të ndodhte për një njeri të pa përtuar dhe me një përkushtim patriotik. Boshti ideor i krijimit është virtyti tradicional i faljes që kthehet në një farsë lidhëse me të shkuarën konservatore të kanunit të prapambetur, të cilin shekujt e kanë lënë prapa si relike arkivore. Nga mënyra e sipërfaqshme si shtjellohet dhe argumentohet kjo lidhje me “nyjen” e tjetërsimit të karakterit të djalit të viktimës, të len përshtypjen e gjetjes artificialisht të këtij mjeti artistik vetëm për hir të nevojës së ekspozimit të shfaqjeve negative në personalitetin e disa të rinjëve ose adoleshentëve në mjedise të ndryshme pas ’90-tës. Dhe për të kënaqur kërshërinë e zgjatjes së fillit të intrigës letrare përpjekja synon të bëjë një lidhje të paqenë midis vdekjes aksidentale të ushtarakut të rënë në krye të detyrës me gjakmarrjen që nuk ekziston midis kësaj familje dhe oficerit që drejtonte stërvitjen. Vërshimi i mbeturinave agresive me karakter të theksuar ordiner bëhet shkak për të përgatitur terrenin (kushtet) e një krimi të ri fare të paarsyeshëm jashtë çdo logjike njerëzore, kanunore e juridike. Dhe për të justifikuar pamundësinë e kryerjes së kësaj gjëme, papritmas djaloshi vritet si grabitës. Mosbesueshmërinë e kësaj farse trilluese larg të vërtetës e mbështet ardhja dhe deklarimi i këtij lajmi tragjik nga motra e viktimës. Pasi nuk kishte asnjë arësye apo faktor nxitës që ta detyronte të vinte në shtëpinë e ish oficerit, për ta siguruar që nuk do ta shqetësonte njeri, meqë nuk kishte borxh për të larë se kjo dihej shumë vjet më parë nga vendimi i drejtësisë. Për sa sipër, fabula ngrihet në fantazinë e krijuesit e të lexuesit me një rrëfim të vakët e detaje të rëndomta të panevojshme me ndonjë pasaktësi të tepërt lidhur me keqsjelljet e ndonjë personi juridik në trajtimin e paligjshëm të fëmijës së tij dhe lidhur me porositë imagjinare të gjyshes për të “ripërtërirë” një miqësi që nuk kishte ekzistuar as para dhe as pas aksidentit të ndodhur në atë fshat malor. Të gjitha këto kulmojnë me fjalët e fundit të tregimit për mos asgjësimin e “armikut” imagjinar, të humbjes fatalisht të jetës së fakirit dhe me tjetërsimin e personalitetit të jetimit të paedukuar apo të sjelljeve të të miturit, të cilat përpiqen ta justifikojnë titullin e tregimit si një krijim i zakonshëm me shije të vakëta estetike. Pasi nuk mund të quhet “punë fëmijësh” aksidentimi i një të pafajshmi dhe as përgatitja e një krimi të ri që të justifikojnë e mbështesin idetë dhe problemet e rëndësishme që ngërthen përmbajtja e krijimit, duke qenë se syri e veshi i njerëzisë është mësuar me dukuri të tilla në këto dy dekada. Prandaj kujdesi duhet të jetë i përhershëm në përzgjedhjen e shtjellimin bindës të tematikës së krijimtarisë letrare. Meqë jemi në përmbyllje të prozës tregimtare të këtij autori të talentuar, në mirëkuptim me intelektualizmin e profesionalizmin e tij të dukshëm, sinqeriteti i ndihmesës dhe jetëgjatësia e përvojës mendojnë që është e nevojshme t’u ruhemi dhe t’u shmangemi ekzaltimeve panegjiriste të shkujdesjes në rreshtimin e përmbajtjes së disa skicave në zhanrin e tregimit dhe të ndonjë artikulli reçensional në llojin e hulumtimit shkencor të kritikës letrare për botimet e ardhshme, se këto të botuarat e kanë mbyllur ciklin e publikimit të tyre ashtu siç janë. Pasi te ndonjë krijim,  zbërthimi e shtjellimi i mesazheve dhe niveli e funksioni i tyre nuk e justifikojnë një pagëzim të tillë as nga tematika e problematika, as nga struktura kompozicionale e semantika stilistiko-estetike dhe as nga volumi i lëndës që trajtojnë. Nuk është e mjaftueshme të kujdesemi vetëm për zgjedhjen e tematikës problemore që prek shqetësimet e çdo kohe historike, por edhe ta mbrujmë e ngjizim tharmin e frymëzimit duke i ndërtuar e shtjelluar gjerësisht me një arkitekturë të bukur ideore nga ana estetike dhe artistike në kufirin e zhanrit përkatës dhe duke i qëndruar sa më larg skematizmit shabllonist. Përmendja me emra konkret është evidencuar si fakt ekzistues që priret drejt sasisë numerike se sa cilësisë artistike, por meqë ato kanë shkuar te lexuesi me të mirat që kanë, për anën tjetër të medaljes na duket i panevojshëm komentimi i mëtejshëm.
            Megjithatë te ky krijues prirja e shikimit dhe e trajtimit të problemit në mënyrë dialektike me shfaqjet e jashtme dhe me thelbin e përmbajtjes, në vijimësi e ka nxitur përgjegjësinë e detyrimit t’i pohojë opinionit letrar nevojën e domosdoshme, se ngarkesat emocionale të frymëzimit e ligjërimit të tij poetik në gjininë e prozës na kanë dhënë krijime të tjera me vlera të arrira artistike që dëshmojnë për një talent premtues edhe në këtë fushë, si një autor punëtor e këmbëngulës që e kërkon kudo në çdo fushë të jetës e në çdo cep të atdheut fabulën e shqetësimeve të jetës për krijimtarinë e tij letrare. Duhet theksuar se talenti nuk përton të gërmojë, meditojë e hulumtojë për tema më interesante e më të rëndësishme, duke ndërtuar një arkitekturë kompozicionale më të gjërë e më të ndërlikuar artistike në përmasat e zhanrit të romanit. Rezultante e këtij konstatimi është fakti që gjatë kësaj periudhe na ka dhënë 4 romane dhe 5 vëllime me artikuj publicistik e recensione për libra të autorëve të tjerë, ku spikat dëshira altruiste dhe përkushtimi njerëzor për afishimin e dallimeve pozitive të krijimtarisë letrare në përgjithësi, veçanërisht për talentet e reja. Tingujt e ligjërimit dhe format e stilizimit rendin nga sipërfaqja narrative e thjeshtë pa afinitetin e përshkrimeve eseistike në thellsinë e brendësisë ideoartistike të dialogjeve e monologjeve që zhvillohen midis personazheve, duke u përhapur në formën e valëve të një liqeni malor me ujë të kristaltë. Ku shpaloset prania e dukurisë konkrete të përjetimit të atij realiteti ashpërsisht të hidhur që shpërbëhet para syve të lexuesit. Këtu autori bën një lidhje konkrete e domethënëse midis formës arkitekturore të konceptimit të lëndës letrare dhe mesazhit që përcjellë nëpërmjet episodeve të hidhura për atë skajshmëri dramatike që përdornin strukturat mbikëqyrëse dhe ato të drejtësisë, të cilat luftonin të mbanin më këmbë atë regjim që u përmbys nga vetë shqiptarët, se ishte kalbur e gangrenizuar që në themele.
            Në këto romane që janë si binjakët “siamez”, se trajtojnë paralelisht të njëjtën temë e të njëjtat probleme të atyre periudhave historike veç me emra të tjerë dhe kompozicion e ngjarje të ndryshme të të njejtit sfond historik, Shpendi Topallaj shpjegon konkretisht metamorfozën e një ideje të rëndësishme filozofike. Atë të gërshetimit të ëndrrave me zhgjëndrrat, do me thënë të simbolikës sinjifikative të idealeve me prirjen e theksuar të zhgënjimit të papritur me pasoja të dëmshme, nëpërmjet përshkrimeve të thjeshta dhe kuptimeve shtresore të lidhura estetikisht midis tyre. Këtu nuk kemi të bëjmë me përmbajtje të njëjta që mbulojnë e as përsërisin njëra-tjetrën, por me vepra që paraqesin anë të thelluara sa më të ndryshme të dy proceseve historike: të luftës nacional çlirimtare dhe të sundimit të diktaturës moniste, nga të cilat del fytyra e plotë e heroizmit vital të idealeve e heronjve të lirisë dhe  ajo e egërsisë e skajshmërisë të luftës së klasave. Kjo i ka dhënë kuptim të qartë logjik ideor dhe një miratim të pranueshëm artistik zhvillimit të personalitetit të personazheve kryesorë të këtyre romaneve, “Partizanit” të Gramozit dhe “Luanit” të kafazit, të cilët veprojnë me bashkëkohësinë konkrete në vorbullën e ngjarjeve të ndryshme e tensionale të asaj periudhe para e pas diktatoriale. Prandaj fabulat e veprave ravijëzojnë dukshëm ironinë e fatit të heronjve të lirisë e të qindra të tjerëve dhe zbulon qartë fytyrën e egër të alegorisë së ngjitjes së diktaturës të glorifikuar në mënyrë pompoze sikur vetëm ajo ishte shpëtimtaria e gjithçkaje njerëzore, duke i matur hapat e delireve të veta edhe me hyjnoren e pakapshme e të paarritshme asnjëherë. Këtu del në pah alternativa e asaj kohe: po ta kishe mirë e t’i bindeshe diktatit të partisë e të sistemit në fuqi do të gëzoje të gjitha privilegjet dhe atributet që t’i jepte me thërrime, ose ndryshe kritika e kundërshtimi sado i vogël apo i paqëllimshëm të ishin, do të çonin në humnerat e ferrit të atij regjimi. Kjo është një vlerë e dukshme ideoartistike e këtyre veprave si një mësim për të ardhmen e çdo klase politike, pasi reminishencat e atyre koncepteve dhe praktikave tejet burokratike duken edhe sot në lider apo klane të vogla monopartiake që parimet demokratike dhe zëri i popullit të varfër u janë bërë barrikadë me përpjekjet për t’ ua frenuar dufin dhe kufizuar dëmet e shfaqjes së tyre në praktikën pluraliste të jetës politike e sociale të popullit tonë. Në jo pak raste vihet rè që po të jeshë militant i thekur, po të mbashë anën ose t’i gjendesh vazhdimisht pranë lidershipit partiak je më i mbrojturi, më i përkrahuri dhe më i përkëdheluri i froneve të karrierës nga përkujdesjet dhe ndihma e politikës së partisë që drejton. Pasi në jo pak herë parimet paraqiten të zverdhura diku në qoshet e strukturave të administratës dhe jo vazhdimisht ua hedhin sytë me çiltërsinë e ndershmërinë e domosdoshme të drejtësisë demokratike.
            Êshtë e nevojshme që këtu të theksojmë një veçori të krijimtarisë së shkrimtarit në fjalë, pasi vetë ai nuk mund të ndahet e shkëputet nga vepra e tij, siç mund të dëshirojë ndokush. Sepse jeta e krijimtaria e tij janë produkt i një realiteti të parcelizuar i “këmishave të gjelbërta”, ku ka milituar pothuajse tërë jetën i mbështjellur në lëvozhgën e lirisë së përgjithshme fizike duke pritur i molisur e me ankth pikat e vogla të lirisë mendore e shpirtërore aty te pozicioni i tij luftarak nën armë. Ky ndikim i gjithanshëm ishte një pengesë e veçantë jo vetëm për ‘të, por edhe për krijues të tjerë të këtij profili, pasi nuk mund të shkruanin pa mbajtur para sysh kontekstin politiko-censurues në vartësi me rrethanat dhe me keqkuptimet e opinionit të kohës që të ndjeheshin të mbrojtur nga diktatura. Mbasi në shoqëritë e paemancipuara plotësisht nga ana politike e kulturore ka qenë dhe është gjithnjë më e vështirë dhe më e rrezikshme të merresh me të sotmen. Prandaj lirinë e krijimit ai e ka fituar, si shumë të tjerë nga goditjet dhe persekutimet familjare që ka përjetuar, pas proceseve demokratike të viteve ’90-të, duke e lidhur atë me problemet e para e pas luftës çlirimtare të popullit tonë, me konflikte e drama sociale, morale dhe ekzistenciale të personazheve të shoqërisë e ushtrisë sonë. Në shtatë tregime, në një novelë e në tre romane të shkruara prej tij me temë problemet ushtarake, theksohet qartë një karakteristikë kryesore, madje shumë heroike dhe patriotike e shqiptarëve (kuptohet në radhë të parë e efektivave ushtarake), e cila ka të bëjë me gatishmërinë për të sakrifikuar gjithçka për mbrojtjen e interesave dhe idealeve të vendit e të popullit të tyre. Ashtu siç theksonte dikur ideologu italian Gjuzepe Macini, se “Gadishmëria për sakrificë...sipas qëllimeve të larta njerëzore, është cilësi e popujve të pjekur historikisht”. Për këtë arësye, ligjërimi i tij poetik në prozë e në poezi në veprat e shkruara gjatë kësaj periudhe njëzet vjeçare, shfaqet si një risi e veçantë me një kuptueshmëri të ndjeshme popullore dhe me larmishmëri stilistike që reflektojnë vlera estetike, duke refuzuar artistikisht politikën e djeshme moniste në fushën e trajtimit të kuadrit ushtarak dhe për disa probleme të mbrojtjes, siç ishte ajo për bunkerizimin e vendit, që i masakroi pa mëshirë shumë prej kuadrave të saj për absurditete të paligjshme. Akademiku i nderuar Rexhep Qosja na sjellë në kujtesë një porosi të mençur për t’u mbajtur para sysh, se “Lirinë e meriton vetëm ai njeri që di të nderojë edhe lirinë e të tjerëve”. Megjithatë, si te shumë të tjerë, kujdesi është e nevojshme të rrisë intensitetin e vëmendjes dhe cilësinë artistike gjatë mbrujtjes së krijimit letrar që ngjizja e arkitekturës së ligjërimit mos të dobësojë kufirin e kalimit të tij prej një forme në tjetrën. Do me thënë prej monologut a dialogut në narracion e anasjelltas, ose prej tregimit në novelë apo në roman, deri te larmia e figurshmërisë estetike dhe e intonacionit artistik me ndërhyrje e përshkrime të stërzgjatura nga meraku për t’i thënë të tëra. Pasi rritja e dimensioneve semantike rrit artikulimin figurativ: metaforik e simbolik, krahasimor dhe alegorik ose realist e mitik, të cilët në mënyrë të pashmangshme të çojnë në zhvillimin dinamik të procesit krijues të një vepre, duke sintetizuar artistikisht retrospektivën e periudhës dramatike të terrorit monist, pa kaluar në personalizime vetjake apo në teprime hiperbolike sipas stigmatizimeve të urrejtjes: “hajde t’i biemë, se përbindshi i ngordhur ka shumë borxhe për të larë!” Ky ekuilibër ideoartistik është i domosdoshëm të perfeksionohet e forcohet kurdoherë nga secili krijues që ta ruajmë të pastër filozofinë e qëndresës dinjitoze në përmasat e mbrujtjes dhe të shtjellimit të lëndës artistike për çdo zhanër letrar.
            Domosdoshmëria e një krijimtarie vlerësuese na e çukit kujtesën që çdo shkrimtar gjatë procesit krijues të ruhet shumë nga euforia kapriçioze e aftësive të zotërimit të procesit konsumues të lëndës së grumbulluar dhe nga zagushia e panegjirizmit artistik, sëmundje këto profesionale që vijnë veç të tjerave edhe nga dashuria e pasioni që ka autori për personazhet e tij që të dalin sa më dinjitoz e të besueshëm në arenën letrare. Pasi këtu përkitazi vihen rè shfaqje sado të vogla të njerëzores në artikulimin e bëmave të këtyre personazheve shumë të respektuar nga cilido për t’i paraqitur me një shkëlqim të fortë e ndonjë herë edhe verbues, duke mos i marrë parasysh edhe gjërat që oreksi asimilues i krijuesit i ka quajtur si të parëndësishme. Fjala është për një analizë të hollë filtruese të anëve të ndryshme të çdo karakteri që të dalë në pah figura e gjithanëshme e tij me ato që ka mbartur gjatë tërë jetës. Finiteti estetik nuk ka të bëjë me ato që pëlqimi nuk don t’i ekspozojë, por vetëm me paraqitjen sa më bukur të çdo dukurie me “pilulat e sheqerosura apo të hidhura” qofshin, siç i përcaktojnë kriteret e artit tonë popullor. Këtu është fjala për dhënien e informacioneve të gjithanëshme lidhur me marrëdhëniet kolektive që zhvilloheshin përreth, që të dilnin nga goja e të tjerëve në mënyrë të natyrshme përmes dialogjeve më të përpunuara e dinamike cilësitë e karakteristikat, problemet dhe bëmat e personazheve kryesore. Pasi ata kanë jetuar e punuar dhe bërë qëndresë të shkrirë mes pranisë dhe opinionit të një mase të vetëdijshme njerëzish, kujtesa e të cilëve regjistron gjithçka përcilindo, jo më për këta që ishin kuadra elitare të hierarkisë ushtarake të mbarë vendit. Dhënia e rrëfimit vetëm nëpërmjet monologut narrativ në mënyrë përshkruese ka paraqitur më shumë anën e jashtme të ndodhisë së ngjarjeve, se sa atë dinamike të brendshme me shkaqet e saja që e kanë përjetuar vetë personazhet, si bie fjala: ballafaqimet e rrokatat logjike e ideore, ndëshkimet e vuajtjet prej dhunës juridike e hetimore që ka ushtruar mbi ‘ta qelia dhe qëndresën e pamposhtur heroike për t’u bërë ballë keqtrajtimeve e veprimeve makabre të ushtruara ndaj tyre. Ky abstragim shkencor estetik do ta këndellte e çelikoste qëndresën patriotike të idealeve dhe të pafajësisë së tyre dhe do të ndizte flakë emocionet, qëndrimin dhe mirënjohjen e masave për të mos u shuar lehtë zërat e tyre në kujtesën e kombit. Sa bukur e domethënës tingëllojnë ato pak ndërhyrje anësore pohuese e mbështetëse të personazheve kalimtare të mjedisit rrethues në komunikim me “Partizanin” e Gramozit dhe me “Luanin” e kafazit. Por pamjaftueshmëria nuk e davarit në përmasat e mundësive ekzistuese agoninë, monotoninë e zymtësinë shpirtërore të tyre që inkurajimi i guximit heroik të bënte një revoltë e kundërshtim më të gjallë e më patriotik siç ka qenë në të vërtetë në ato kushte, ku i kishte katandisur dhuna antiligjore. Manovrimi më i vëmendshëm kompozicional gjatë ngritjes së arkitekturës së këtyre veprave për ta ndërtuar në këtë linjë zbulimin e botës së brendshme të personazheve, do të shmangëte ndonjë hamendësim te ndonjë lexues i zakonëshëm për zhanrin monografik të këtyre veprave. Mirëpo pavarësisht nga kjo dukuri tekniko-profesionale që ka rrëshqitur gjatë procesit krijues, nga idetë dhe problemet e rëndësishme të kohës në fushën e mbrojtjes dhe nga lënda e mjaftueshme letrare e shtjelluar mirë me cilësi të dukshme artistike, autori me të drejtë i ka quajtur romane, sepse të tilla janë dhe plotësojnë një boshllëk të ndjeshëm si kontribut i vyer letrar në gjininë e romanit historik për këtë periudhë njëzet vjeçare pas diktatoriale. Ana tjetër pozitive e këtij narracioni  artistik është përshkrimi me vërtetësi i shumë veprimeve luftarake të forcave të ndryshme partizane (apo pluraliste siç mund t’i quajmë sot) gjatë luftës nacional-çlirimtare të bazuara në arkivat e shtetit. Ato, ashtu siç i përshkruan ndonjë vepër historiko-letrare për atë periudhë kohore, ndonëse ishin shkëputur nga formacionet e rregullta të ushtrisë partizane prej drejtimit të keq e trajtimit hakmarrës të ndonjë drejtuesi të luftës antifashiste, megjithatë nuk e kishin humbur busullën e orientimit: luftën kundër të njëjtit armik për çlirimin e vendit, siç ishin ato që komandonin nacionalistët patriotë, si trimi i Skraparit Xhelal Staravecka, heroj i Malsisë së Madhe Prek Cali, ish komandanti i brigadës së Kukësit, Hysni Lepenica në jug kundër forcave pushtuese italo-gjermane e ndonjë tjetër. Hulumtimi i kujdesshëm i autorit ka hedhur dritë mbi mundësitë reale të shfrytëzimit arkivor për ngjarjet që janë zhvilluar në atë kohë në teatrin e luftës antifashiste, të cilat nga historiografia e mëparëshme janë paragjykuar e anashkaluar pa u dokumentuar e përshkruar si të vërteta objektive të asaj epopeje historike që përballoi populli ynë me ato mundësi, resurse dhe mjete luftarake që dispononte. Pasi ato i kanë fiksuar, shënuar e dokumentuar në arkivat e tyre komandat aleate që morën pjesë në luftën e dytë botërore dhe për studiuesit tanë mbetet vetëm të hyjnë në ‘to e të gërmojnë me kujdes për të gjetur dëshmi autentike për vërtetësinë e këtyre ngjarjeve. Këtu nuk është fjala të ngrihet tani berihaj militant dhe të glorifikojë të vërtetat e asaj kohe, duke tentuar ta bëjë të “pa qenën” si të “vërtetë” kohore pa ekzistuar fare. Rëndësi vendimtare ka fakti që hulumtimi i paanëshëm i historianëve apo i kriuesëve tanë erudit, domosdoshmërish ta centrojë e kundrojë sa më shkencërisht peshoren e fenomenologjisë e të faktologjisë, për t’i trajtuar sa më shkencërisht dhe interpretuar drejt parimisht e realisht ngjarjet e asaj periudhe zulmëmadhe të popullit e vendit tonë.
            Dy personazhet kryesore të këtyre romaneve, “Partizani” i Gramozit dhe “Luani” i kafazit me gjeneralët Gjin Marku e Petrit Dume, Sadik Bekteshi e Dilaver Radëshi, Rrahman Parllaku e Halim Ramohito, Lym Keta e Atnand Qatipi, Gjule Çiraku e Gjeli Argjiri, Asim Aliko e Mark Dodani, Alfred Moisiu e Ferit Zeneli e shumë të tjerë, janë simboli i së vërtetës historike për lirinë e vendit nga pushtuesit nazifashist dhe për rindërtimin, zhvillimin e mbrojtjen e tij me dinjitet. Por edhe martir të fjalës së lirë dhe të mendimit ndryshe që të forcohej mbrojtja kombëtare nga çdo rrezik i mundshëm, duke rezistuar ndaj dhunës makabre të regjimit totalitar që tentonte të mbyste zërin e së vërtetës me absurditetet e luftës së klasave edhe në gjirin e partisë e të forcave tona të armatosura. Të dy romanet shuajnë paqësisht kufijtë kohorë dhe i kthejnë në një fushë të kapshme filozofike për jetën aktuale. Prandaj këto janë një homazh për elitarizmin e trimërisë, të patriotizmit e të humanizmit të asaj pjese të shoqërisë shqiptare që u flijua për idealet jetike të lirisë e pavarësisë së vendit në luftë me pushtuesit dhe me diktaturën, të cilat sot u japin legjitimitet dashirave sublime që kujtesa njerëzore mos të harrojë asnjë herë, por të luftojë për triumfin e virtyteve më të mira në mbrojtje të interesave të vendit e të popullit që na ka lindur e rritur për t’i shërbyer deri në fund çeshtjes kombëtare.

Durrës, Mars-Prill 2013.                                                          Pjetër  Cara

No comments: