Këto kohë lexova në shtyp rreth debatit të “rishikimit të historisë, nën
mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke”.
Personalitete të shquar nga e
gjithë hapësira shqiptare kanë nënshkruar një peticion për këtë problem.
Si specialiste me përvojë e
historisë shkollore, me anë të këtij shkrimi dëshiroj të marrë pjesë në debat.
Qëllimi është të ndihmojë në zhvillimin e vetndërgjegjësimit, e
reflektimit mbi pozicionin qytetar mbi historinë, që historia të jetë nën
kontrollin e meditimit të përdoruesve, interesave dhe fuqisë tyre për të. Debati
konstruktiv për këtë problem është i nevojshëm.
Qëndrimet e mija në këtë debat mund të mbështesin apo të kundërshtojnë
qëndrimet e ndryshme për këtë problem, por ato përsëri ngelen qëndrimet e mija.
Në këtë kuptim ato mund të shërbejnë si material kritikë, të cilat mund të
përdoren më tej nga të tjerët për zhvillimin e debatit.
Së pari ndjehem mirë, që në
debat marrin pjesë personalitete të shquara shqiptare, e aq më tepër që
debatojnë për fushën e historisë për të cilën kam studiuar dhe punuar.
Ndryshe nga shumica e
personaliteteve, unë kam punuar në “klasa dhe auditorë të historisë” si
mësimdhënëse dhe pedagoge, por jo vetëm. Këshilli i Europës, në bashkëpunim me
shoqatën paneuropiane të mësuesve të historisë, EUROCLIO, si dhe organizma të
tjerë europianë, më kanë përfshirë në një sërë konferencash dhe veprimtarish
për mësimdhënien e historisë shkollore, për vite me radhë.
Ndjehem mirë kur diskutohet për
historinë shkollore, pasi ajo është një fushë që ju përket gjithë qytetarëve.
Fëmijët e tyre mësojnë në shkolla dhe besoj se ata nuk duan që ata të mësojnë
“falsifikimin”, “mashtrimin”, “dogmat”, të paragjykojnë të “tjerët”, etj., etj.
Robert
Stradling, një ndër ekspertët e shquar të Këshillit të Europës shkruan:
“Historia që mësohet në shkolla nuk është material
vetëm i historianëve, mësuesve, i autorëve të librave dhe i botuesve. Ajo është pronë publike.
Politikanët,
minoritetet etnike dhe gjuhësore dhe prindërit në përgjithësi shpesh ndjejnë,
se kanë të drejtë të ndikojnë në histori
dhe në mënyrën se si mësohet ajo, më tepër se sa ndikojnë në matematikë, dituri
apo gjeografi.
Të
parë në këtë këndvështrim, tekstet e historisë
janë pronë publike dhe se të gjitha grupet e njerëzve brenda një vendi
dhe vendeve fqinje mund të kenë ndikime me vlerë në përmbajtjen e këtyre
librave, në ilustrimin e tyre, në atë çfarë është hequr dhe është përfshirë, në
korrektësinë e mënyrave të mësimdhënies dhe të të mësuarit të ndjekur nga
autorët dhe nga praktika lidhur me çmimin, përshtatshmërinë e vlerën në para”.
“ Teaching 20th
–century European history” të autorit Robert Stradling( botim i Këshillit të
Europës)
Përgjigja pse duhet
debatuar për historinë shkollore është brenda thënies së cituar. Debati, mbi rishikimin e historisë, ka qenë e
do të jetë përsa kohë do të ekzistojë shoqëria njerëzore. Ai është i natyrshëm,
pasi historia dhe e shkuara, nuk janë e njëjta gjë. Historia është një debat
për të shkuarën, por nuk është e shkuara vet.
E
shkuara ka ndodhur dhe historia e shkruar është puna e historianëve për atë që
ka ndodhur. Historianët apo edhe specialistët e fushave të tjera, duke shkruar
për të shkuarën, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e interpretojnë atë në mënyra të
ndryshme, përmes debateve, të cilat janë gjithmonë në lëvizje. Në këtë kuptim
historia si një debat për të kaluarën do të ekzistojë. Debati nuk bënë gjë
tjetër veçse kërkon të hedh dritë mbi atë që ka ndodhur në të shkuarën, dhe kjo
natyrisht i bënë mirë shoqërisë.
Historia
thërret që të rivlerësohet, me qëllim që të shmangen keqkuptimet.
Ajo duhet rishikuar, rishkruar, aq herë sa të
vërtetat historike të dalin në dritë, për probleme të caktuara historike.
Por thelbi i debatit mendoj se nuk qëndron këtu.
Deri këtu jemi të gjithë dakord. Personalitetet shqiptare janë kundër “rishikimit të historisë, nën mbikëqyrjen e
autoriteteve shtetërore turke”. Unë mund të shtoja...autoriteteve shtetërore
greke, serbe, italiane etj., etj.
Pra, personalitetet nuk janë
kundër rishikimit të historisë, pasurimit të saj nën dritën e fakteve të reja,
por kundër “mbikëqyrjes” së autoriteteve të shteteve të tjera, në problemet e
trajtimit të historisë, në dy shtetet shqiptare.
Është e natyrshme, çdo qytetar shqiptar kur e lexon se tekstet e
historisë shkollore po rishikohen nën mbikëqyrjen e një shteti tjetër, e kupton
këtë si një cenim të rëndë të pavarësisë kombëtare, por jo vetëm. Me të drejtë,
qytetari duhet të “ulëras” e të thotë “qeveri tradhtare”, për cilëndo qeveri që
bënë një gjë të tillë. Ju e shihni vet se përdorimi i fjalës “mbikëqyrje” preku
ndërgjegjen kombëtare shqiptare, që nxori në pah debatin për këtë problem.
Kur shkruajmë në shtyp apo flasim në një debat duhet të jemi
të kujdesshëm në përdorimin e termave dhe koncepteve, nga njëra anë, dhe nga
ana tjetër nuk duhet të jemi sipërfaqësor në gjykimet tona. Në një debat të
shkruar apo të folur nevojitet kompetencë profesionale, informacion i saktë, i analizuar
thellë. Ju vet po shihni se termi “mbikëqyrje” solli një pështjellim mbarë kombëtar,
po sa terma apo koncepte të gabuara mund të ketë në tekstet e historisë
shkollore, të cilat paragjykojnë “të tjerët”, brenda apo jashtë vendit?
Unë mund të pohoj për publikun, se njëjta
gjë ndodhi në media me komisionin e përbashkët Shqipëri-Greqi, për rishikimin e
teksteve të historisë shkollore të të dy vendeve, në vitin 2004. Nuk ishte
peticion, por në shtyp pati dy qëndrime: njëri që e shihte këtë bashkëpunim për
të kontribuar për paqen në Ballkan dhe tjetri që e shihte si një komision “tradhtarësh”.
Në përbërje të këtyre komisioneve, janë
personalitete, që në një mënyrë apo në një tjetër kanë një kontribut të paçmuar
jo vetëm në shërbim të kombit shqiptar, por edhe në krijimin e klimës së paqes
rajonale edhe më gjerë.
Por, cila është e vërteta e këtyre
komisioneve? Pse Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë,
në 2004, dhe së fundmi ajo e Republikës së Kosovës, kanë krijuar grupet e
ekspertëve për të rishikuar tekstet e historisë shkollore?
Pas rënies së komunizmit,
në kuadrin e reformimit tërësor të sistemit arsimor edhe mësimdhënia e
historisë pësoi ndryshime. Ndryshimet filluan që nga synimet dhe objektivat e
lëndës krahasuar këto me ato të para viteve 1990 dhe në përqasje me kushtet e
vendit dhe zhvillimet europiane.
Kështu, para v. 1990 synimi final i mësimdhënies së historisë ishte
edukimi i të rinjve me ideologjinë marksiste –leniniste. Ky synim zinte vend në
kurrikulën shkollore të asaj kohe dhe gjente zbatim në mësimdhënie dhe në
tekstet e historisë.
Pas vitit 1990, synimi kryesor i mësimdhënies së historisë u bë edukimi
i të rinjve me qëndrime, të cilat kontribuojnë në krijimin e klimës së paqes,
mirëkuptimit, bashkëpunimit si në nivel kombëtar, ashtu edhe atë rajonal edhe
më gjerë.
Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës dhe e organizmave të
tjerë ndërkombëtar që punojnë për bashkëpunim dhe integrim edhe nëpërmjet mësimdhënies
së historisë. Për rrjedhojë, ajo ka detyrimin të bashkëpunojë me vendet anëtare
për probleme të paqes e mirëkuptimit midis popujve.
Edhe krijimi i komisionit të ekspertëve për
rishikimin e teksteve të historisë, është bërë në këtë kuadër. Po citoj dy
paragrafë, të këtyre rekomandimeve:
“... Konventa Europiane e Kulturës, e
nënshkruar në Paris në 19 Dhjetor 1954, i bëri thirrje shteteve nënshkruese të
inkurajonin studimin e historisë dhe të qytetërimit të njëri -tjetrit dhe të
t’i zgjeronte studimet e tilla edhe për pjesë të tjera të Europë”.
“...Zëvendës
ministrat e Komitetit të Ministrave(është fjala për Komitetin e Ministrave të Këshillit
të Europës, shënimi im), rekomanduan në tetor të v. 2001, që qeveritë e
shteteve anëtare, ndërsa respektojnë strukturat e tyre kushtetuese, situatat
kombëtare e lokale dhe sistemet arsimore, duhet të hartojnë parimet të
mbështetura mbi rekomandimet e dhëna në Appendix, së bashku me reformat e më të
fundit dhe ato të perspektivës në të dyja fushat atë të mësimdhënies së
historisë dhe atë të trajnimit të mësuesve të historisë”.
Pra, çdo
shtet anëtar i Këshillit të Europës, duke respektuar kushtetutën e vendit të
vet, mund të bashkëpunojë me shtetet anëtare në fushën e mësimdhënies së
historisë apo lëndëve të përafërta me të.
Në këtë
kuadër, me nismën e qeverisë së Republikës së Greqisë, në 4 nëntor 1998, në
Tiranë – u nënshkrua Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së
Republikës së Greqisë për bashkëpunim në fushat e Arsimit dhe Kulturës
mbështetur në:
Nenet e Konventës Europiane për kulturën.
Aktin Final të Konferencës për Sigurimin dhe
Bashkëpunimin në Europë.
Kartën e Parisit për Europën e re.
Marrëveshjen e Miqësisë, Bashkëpunimit, të
fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet dy vendeve, firmosur në Tiranë, më 21
mars 1996.
Në
vijim të marrëveshjes, në 3 prill 2004 - nënshkruhet në Athinë, Programi mbi
Bashkëpunimin Kulturor midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë
së Republikës së Greqisë për vitet 2003-2005, mbështetur në “Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushat e
arsimit, shkencës dhe kulturës, të nëntorit 1998, me synimin për të forcuar dhe
thelluar bashkëpunimin arsimor, shkencor dhe kulturor midis vendeve”.
Po kështu, mbështetur në:
Nenin 102 të Kushtetutës së Republikës së
Shqipërisë.
Marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë
dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë
për bashkëpunim në fushat e Arsimit dhe Kulturës.
Programi mbi bashkëpunimin kulturor midis
Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për
vitet 2003-2005,
në 2 dhjetor 2004, Ministria e Arsimit dhe
Shkencës, me Urdhër Nr. 377, ngre grupin e ekspertëve që do të merrnin pjesë në
Komitetin e Përbashkët, Shqipëri -Greqi për të studiuar mënyrën e paraqitjes së
historisë, gjeografisë, kulturës dhe ekonomisë në tekstet shkollore.
Në
fakt, Ministritë e Arsimit të vendeve respektive, e filluan bashkëpunimin me
tekstet e historisë. Komiteti i përbashkët Shqipëri-Greqi ka bërë vetëm një
takim, për këtë problem, në Athinë, në qershor të vitit 2007.
Problemet që u trajtuan aty ishin: filozofia
dhe qëllimi i arsimimit në të dy vendet; procedurat e hartimit të programeve
analitike mësimore dhe i teksteve shkollore të historisë; mënyra dhe metoda e
funksionimit të Komitetit të Përbashkët; parimet e përgjithshme që duhet të
përshkojnë mësimdhënien e historisë. Për takimin e radhës u la detyrë grupit të
ekspertëve të secilit vend që të studionin tekstet e historisë për arsimin bazë.
Grupit
të ekspertëve ju kërkohej të analizonin tekstet për të parë në se ka terma,
koncepte, paragjykime apo trajtime të ngjarjeve historike, të cilat prishin
klimën e paqes midis dy vendeve dhe më gjerë.
Ja
përse Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ngriti grupin e ekspertëve. Unë nuk
dëshiroj të bëj avokatin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, por duke bërë një
paralelizëm me debatin e ngritur rreth bashkëpunimit Shqipëri-Greqi, në fushën
e mësimdhënies së historisë shkollore, në kuadrin e integrimit kombëtar,
rajonal e më gjerë, nuk shoh asgjë të keqe në këtë bashkëpunim.
Bashkëpunim
nuk është në “mbikëqyrjen” e asnjërit shtet, secili shtet është i pavarur. A
mund të ketë synime të fshehta në këto bashkëpunime, meqenëse nisma për
rishikimin e teksteve vjen nga politika? Edhe mundet, por ne nuk duhet të
merremi me këtë anë. Publiku duhet të shikojë rezultatet e grupit të
ekspertëve. Në se këto rezultate janë jashtë objektivitetit historik, pra
jashtë profesionalizmit e kundër interesave kombëtare, atëherë, natyrisht, që
publiku ka gjithë fuqinë e mundshme të mos lejojë shtrembërimet historike,
dogmat dhe propagandën politike.
Historia
nuk shkruhet nga politikanët, sado që të përpiqen ata. Politikanët janë
përdoruesit të mirë apo të keq të
historisë.
Mendoj
se mënyra se si po trajtohet debati për këtë problem është e gabuar.
Mua
nuk më shqetësojnë bashkëpunimet, sepse përsa kohë ato funksionojnë është mirë.
Mua më shqetëson përgatitja e të rinjve për jetën nëpërmjet mësimdhënies në
shkolla.
Zhvillimet arsimore të çdo kohe, por sidomos të kohëve
të sotme, kanë ngritur shqetësimin se shkollat kanë nevojë të bëjnë më shumë
për të përgatitur të rinjtë për jetën, në një botë të karakterizuar nga diversiteti etnik,
kulturor, gjuhësor dhe fetar.
Përgatitja e të rinjve për
jetën, bëhet përmes lëndëve të ndryshme shkollore. Historia është një prej lëndëve
që mund të krijojë vlera qytetare, në se trajton me objektivitet ngjarjet dhe
dukuritë historike, dhe të kundërtën, mund të shkaktoj konflikte, kur mësimdhënia
orientohet drejt paragjykimeve për të “tjerët”.
Mësimdhënia e historisë në
shkollë, pra është një çështje delikate, se nuk ka të bëjë vetëm me historinë e
së kaluarës, por me proceset e integrimit brenda Republikës së Shqipërisë,
Republikës së Kosovës, integrimin rajonal e atij europian.
Është bërë shumë në fushën e
historisë shkollore, me programet dhe tekstet, trajnimin e mësuesve, historianëve
e pedagogëve.
Pavarësisht qeverive që kanë ardhur dhe ikur, e majtë
apo e djathtë, Ministria e Arsimit dhe e
Shkencës, ka bashkëpunuar me organizma kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e mësimdhënies
së historisë si, me Këshillin e Europës, UNESKO, EUROCLIO, CDRSEE, OSBE, UNDP, UNICEF etj.,
etj. që punojnë për integrim, nëpërmjet kurrikulave shkollore.
Edhe
brenda vendit punojnë shoqata apo qendra të ndryshme për proceset e integrimit,
nëpërmjet lëndës së historisë si Shoqata e Mësuesve të Historisë “Rinia dhe
Historia”, shoqatën e Historianëve, etj., të cilat kanë bashkëpunuar me
Ministrinë e Arsimit dhe organizmat europianë në fushën e mësimdhënies së historisë shkollore.
Kështu, mund të përmend se në bashkëpunim me Këshillin e Europës janë
zhvilluar në vendin tonë 3 konferenca ndërkombëtare, ku kanë referuar
historianë, specialistë të historisë, mësues të historisë, jo vetëm nga vendi
ynë, por edhe nga vendet ballkanike dhe europiane. Këto konferenca kanë pasur
në qendër të vëmendjes situatën e mësimdhënies së historisë në Shqipëri,
krahasuar kjo me realizimin e standardeve europiane të pranuara edhe nga
Shqipëria. Këtu nuk mund të mos përmend, kontributin e paçmuar të znj. Alison
Cardwell, ish Drejtoren e Drejtorisë për mësimin e historisë në Këshillin e
Europës(Strasburg), e cila me konferencat ndërkombëtare që organizoi në Shqipëri,
solli përvojat më të përparuara të kësaj fushe, trajnoi mësues të historisë dhe
historianë për trajtimin e çështjeve të ndjeshme dhe kontraversale në klasa dhe
auditore.
Shoqata paneuropiane e mësuesve të historisë, EUROCLIO, në bashkëpunim
me MASH dhe shoqatën e mësuesve të historisë “Rinia dhe historia”, zbatoi
projektin e Paktit të Stabilitetit, për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë “Të kuptojmë të kaluarën, për të ndërtuar të
ardhmen e përbashkët”.
Drejtorja ekzekutive e kësaj shoqate, Joke van Der Leew,
së bashku me stafin e saj ka ardhur disa herë në Shqipëri, në zbatim të
projektit të sipërpërmendur, dhe pati një bashkëpunim mjaft të frytshëm me
Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe shoqatën e mësuesve të historisë së
Shqipërisë.
Hyrja e librit me burime historike për periudhën komuniste dhe
post-komuniste, “Të kuptojmë të kaluarën,
për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët”( që gjendet në bibliotekat e
shkollave) është shkruar prej saj. Hyrja është me mjaft interes, pasi jep
parimet se si mund të shkruajmë historinë, si mund ta trajtojmë atë në klasa
dhe auditore edhe kur trajtojmë periudha historike mjaft të ndjeshme dhe
kontraversale.
Rezultatet e projektit ishte botimi në shqip, anglisht, maqedonisht dhe
bullgarisht i librit me burime historike për periudhën komuniste e
post-komuniste “Të kuptojmë të kaluarën,
për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët”.
Projekti trajnoi mbi 70% të mësuesve të historisë në Shqipëri, përgatiti
ekspertë të shkrimit të historisë për çështje të ndjeshme historike, pajisi
mësuesit shqiptarë në Shqipëri, Kososvë, Maqedoni me këtë libër ndihmës për ta.
Po kështu,
qendra për Demokraci dhe Pajtim në vendet e Europës Juglindore, më qendër në
Selanik, ka zbatuar në vendet e Ballkanit, edhe në Shqipëri projektin e përbashkët
të historisë, si rezultat i të cilit u hartuan katër libra pune me dokumente
historike (jo tekst shkollor) për periudhat: Perandoria Osmane, Kombet dhe shtetet në EJL, Luftërat Ballkanike, Lufta e
Dytë Botërore.
Në kuadër të këtij projekti u zhvilluan një sërë trajnimesh me mësuesit
e historisë për përdorimin e tyre si libra ndihmës në procesin e mësimdhënies
së historisë.
Në
qendër të punës së MASH, ka qenë edhe përgatitja e mësuesve të historisë në
universitet, me kompetenca të larta akademike, psiko-pedagogjike, sociale dhe
menaxheriale.
Për
këtë u mbajt në Tiranë, një konferencë ndërkombëtare, bashkëpunim i MASH-it,
universiteteve shqiptare që përgatisin mësues historie, universitetit të Vjenës,
Këshillit të Europës etj. Këtu referuan, profesorë të fakultetit
histori-filologji, të universitetit të Tiranës,
të universitetit të Elbasanit, Shkodrës dhe Gjirokastrës që përgatisin mësues
të historisë. Profesori i universitetit të Vjenës, Prof. Dr. Alois Ecker,
mbajti kumtesën, “Profili profesional i
mësuesit të historisë, që u vlerësua
shumë nga pjesëmarrësit.
Gjithashtu,
Prof. Falk Pingel, ish drejtor i
Institutit George Eckert( Gjermani), institut, i cili zhvillon projekte
krahasuese në fushën e teksteve, me mbështetje të organizmave europiane, që
kanë në qendër mësimdhënien e historisë shkollore, nëpërmjet zyrës së UNESKO-s në Shqipëri, ka
kontribuar në mënyrën se si shkruhen tekstet e historisë, duke bërë studime
krahasuese në këtë drejtim.
Në
studimin e këtij instituti “Udhëzime të Uneskos
për analizën dhe përmirësimin e teksteve”, faqja 6, shkruan konkludohet: “Politikanët dhe specialistët e arsimit janë të shqetësuar se kishin
vërejtur që tekstet, veçanërisht ato të historisë, transmetojnë jo vetëm fakte,
por edhe ideologji të përhapura, ndjekin tendencat politike dhe përpiqen të
justifikojnë ato duke i veshur me legjitimitet historik.”
Nga ana tjetër, është mbajtur në Shqipëri,
në vijim të punës për përmirësimin e kurrikulës së historisë dhe gjeografisë,
një konferencë kombëtare, për këto dy lëndë. Mësues të historisë dhe gjeografisë,
historianë e gjeografë, specialistë të edukimit, në kumtesat e tyre treguan
situatën e këtyre lëndëve dhe sugjeruan përmirësimin e tyre.
Këto
veprimtari që përmenda janë një pjesë e vogël e atyre që janë zhvilluar. Por
rezultatet e tyre janë të mëdha. Ato krijuan klimën e bashkëpunimit, ndryshuan mendësi
rreth rishikimit dhe rishkrimit të historisë, jo pse politika e do atë, por se
duhen ndjekur proceset e integrimit kombëtar dhe ndërkombëtar, se paqja dhe vetëm
paqja është rruga e vetme e bashkëjetesës.
Rezultatet
qenë se historianët, të cilët ende ishin
ata që u përgatitën në kohën e komunizmit, kuptuan tendencat historike,
proceset integruese, filluan që të trajtojnë periudhat historike nën dritën e
fakteve, të cilat i nxorën nga thellësitë ku ishin zhytur të arkivave,
kurrikula e historisë shkollore nxori në pah qytetërimet, zbuti raportet nga
histori vetëm politike, në histori të qytetërimit etj., etj.
Si edhe e theksova në hyrje të këtij debati,
historia ka objekt të kaluarën por nuk është vet e kaluara. Si e tillë ajo
vazhdimisht është në proces reflektimi, rishikimi, e rishkrimi.
Mësimdhënia
e historisë shkollore, ka ende shumë rrugë për të bërë. Do të desha të përmend
një shembull që e përjetova në një orë mësimi historie në arsimin bazë, ndërsa
isha në klasë për të vlerësuar atë. Mësuesja kishte zgjedhur atë ditë metodën e
lojës së rolit, një nga metodat efektive të mësimit të historisë. Ajo ju kërkoi
dy nxënësve( klasa e katër fillore) që njëri të luante rolin e partizanit dhe
tjetri rolin e ballistit. Pasi i ndau rolet, po prisnim që dy nxënësit të
fillonin interpretimin. Pa pritur nxënësi që do të luante rolin e ballistit,
filloi të qajë, e më pas duke qarë tha: “ Jo, jo unë nuk dua të luaj këtë rol”.
Mesazhi ishte i qartë. Besoj edhe për ju lexues.
Por
gjithashtu, më duhet të them se pavarësisht se tekstet e historisë ende kanë
probleme të trajtimit të ngjarjeve, të paargumentuara objektivisht, falë punës
së mësuesve të historisë, në klasat e mësimit të historisë mbizotëron toleranca
e mirëkuptimi. “Të jesh mësues në kohën e sotme, do të thotë të jesh sa i
shqetësuar, po aq dhe sfidues” (P.H.Hirst dhe
R.S.Peters, “The logic of Education”, London, 1971).
Në
këndvështrimin tim, tekstet e historisë kanë probleme të përmbajtjes. Pothuajse
të gjitha periudhat kërkojnë më shumë dritë shkencore, por periudha si ajo luftës kundër fashizmit
italian e nazizmit gjerman, periudha e komunizmit, qëndrimi ndaj figurave
historike si ndaj Mbretit Zog, udhëheqësit komunist Enver Hoxha etj., etj. kërkojnë
një trajtim më objektiv.
Përsëri
do t’ju sjell një shembull nga gjimnazi i Bajzës, në Malësinë e Madhe. Kur unë
i pyeta nxënësit e kësaj shkolle se a kanë vërejtje për tekstet e historisë,
ata pa hezitim më thanë se po. Vërejtjen kryesore e kishin për tekstin e
historisë së popullit shqiptar. Sipas tyre, aty nuk kishte një temë ku të
trajtonte shtypjen e egër që regjimi komunist i bëri kësaj krahine dhe qëndresën
e tyre ndaj këtij regjimi.
Në fakt, shumë punime janë bërë për të
trajtuar luftën e popullit shqiptar kundër fashizmit dhe nazizmit. Kjo është
trajtuar gjerë si në punime të mirëfillta shkencore, ashtu dhe në gjini të
tjera, si në letërsi, pikturë, skulpturë, kinematografi etj. Të gjitha këto
punime kanë plotësuar kryesisht aspektin politik e ushtarak të Luftës.
Natyrisht, punimet që trajtojnë këtë ngjarje
historike, janë të rëndësishme, por trajtimi i ngjarjes vetëm për këto aspekte
nuk është i plotë.
Gjithashtu, botimet, debatet e pas vitit 1990
na lënë të kuptojmë se edhe për aspektin politik e ushtarak të luftës ka mjaft
probleme të pandriçuara, madje edhe të falsifikuara. Për rrjedhojë, kjo ngjarje
historike, në rrënjët e së cilës marrin jetë dhe probleme të sotme të shoqërisë
shqiptare, duhet të vihet në fokusin e projekteve kombëtare e rajonale, me
qëllimin e mirë për ta plotësuar e shkruar sa më drejtë atë.
Të
rralla janë punimet e mirëfillta që trajtojnë atë që kanë ndjerë e përjetuar
shqiptarët dhe të tjerët që kanë jetuar në Shqipëri në atë periudhë të
historisë së kombit tonë. Punimet e plota e të mirëfillta do të plotësonin
aspektin social, ekonomik e psikologjik të ngjarjes.
Në
tekstet e historisë shkollore kjo periudhë në përgjithësi trajtohet në mënyrë
të tillë që të jep përshtypjen e të krijon imazhin se njerëzit vetëm kanë
luftuar (si me armikun fashist e nazist, ashtu edhe me njëri-tjetrin, partizanë
e ballistë), sikur ata kanë ndërprerë çdo aspekt tjetër të veprimtarisë së tyre
(sikur ata nuk prodhonin, nuk zhvillonin tregtinë, nuk punonin arat etj.),
sikur ata nuk kishin dilema dhe qëndrime kontradiktore.
Për
më tepër, trajtimi i kësaj ngjarjeje në tekstet e historisë shkollore,
letërsisë, edukatës qytetare etj., nuk i mëshon më tepër fakteve ku shqiptarët
kanë bashkëpunuar, ku minoritetet, individët, grupe individësh, apo familje të
pasura kanë kontribuar.
Teksteve të historisë shkollore u mungojnë
burimet që vijnë nga historia ekonomike dhe ajo sociale. Me sa duket dhe studimet
në këto fusha janë të vakta. Rekomandimet e Këshillit të Europës dhe
organizmave të tjera ndërkombëtare, kërkojnë raporte të drejta midis historisë
politike e ushtarake, historisë ekonomike, historisë sociale dhe kulturore.
Qeveritë
e dy vendeve shqiptare, duhet të jenë të ndjeshme për problemet e përmbajtjes së
teksteve të historisë, duke bërë projekte në fushën e kërkimeve historike, në
fushën e botimit të librave me burime dokumentare për historinë kombëtare nga
arkiva të ndryshme të vendeve europiane e vendeve të tjera.
Kjo do
t’i ndihmonte shumë autorët, por edhe publiku do të ishte më shumë i informuar
për punën e historianëve, larg falsifikimeve, dogmave dhe paragjykimeve.
Qeverive shqiptare ju duhet të hartojnë projekte në mbrojtje të dëshmive
historike kombëtare dhe në përdorimin masiv të tyre nga shkollat. Më kujtohet
mbesa ime Entela, e cila ishte duke bërë doktoraturën në Greqi, në kohën kur u
zhvillua Lufta e Kosovës, e cila më mori në telefon dhe më pyeti:
bashkëstudentët e mi më thonë që ju shqiptarët jeni të ardhur, nuk jeni në
trojet tuaja, a mund të më tregosh disa dokumente historike që t’ua tregoj
atyre që t’i lexojnë? Formimi qytetar i të rinjve, nëpërmjet lëndës së
historisë kombëtare bëhet vetëm kur burimet historike janë origjinale.
Ngjarja
e 11 shtatorit në SHBA, vuri në “pikëpyetje” identitetin e amerikanëve. Mësuesit
e historisë atje, patën probleme në trajtimin e vlerave të amerikanëve, që njihen
si banorë të tokës së lirive.
Qeveria
amerikane hartoi projekte me vlera të mëdha monetare në fushën e mësimdhënies së
historisë shkollore, në promovimin e vlerave të qytetarëve amerikanë.
Dëshmitë historike, të shkruara apo materiale janë pjesë e identitetit
tonë kombëtar. Kur isha studente e historisë punova gjatë verës 4 vjet me radhë
në gërmimet arkeologjike të bazilikës së Ballshit, në funksion të temës sime
universitare “Vazhdimësia iliro-shqiptare në trevën e Mallakastrës”. Bazilika e
shek. VI pas Krishtit, u zbulua, u zbuluan afreske sikur të ishin bërë në kohët
tona, por a është një vend i vizitueshëm nga banorët e vendit tonë apo turistët
kjo dëshmi historike? Bazilika e Ballshit, po ta krahasosh me dëshmitë
arkeologjike të tjera të trevës së Mallakastrës, si qyteti ilir Bylisi, qyteti
më i madh i Ilirisë Jugore, është disi e “vogël”, por kur hynë në biseda edhe
me njerëz që kanë mbaruar studimet universitare nuk e njohin Bylisin, qytetin e “pastër ilir” do të thoja.
Ende nuk është gjetur mënyra profesionale për
zbulimin, ruajtjen dhe përdorimin e dëshmive historike në mënyrë që të rinjtë
të dinë të identifikojnë kombin që i përket, po në mënyrë profesionale.
Muzetë në Shqipëri, janë ende “magazina” të dëshmive historike. Edhe kur
mësuesit e talentuar të historisë i çojnë nxënësit në muze, ata bëjnë një
“parakalim” të dëshmive, pa u përqendruar në vlerat e tyre. Duhet që në muze të
ketë një sektor të didaktikës, i cili të punojë me shkollat në mënyrë të
organizuar, që nxënësit të njohin thellë historinë kombëtare, jo për t’u
lavdëruar apo ndjerë keq, por për të kuptuar identitetin e vet.
Gjithsesi, proceset e sotme, si në nivel kombëtar dhe atë europian,
kërkojnë: një mënyrë ndryshe të trajtimit të historisë shkollore; një mënyrë
ndryshe të të shkruarit të historisë, mënyrën
ku merret parasysh multiperspektiviteti i grupeve të ndryshme që përbëjnë një
shoqëri.
Historinë s’duhet ta shohim vetëm nga njëri
apo tjetri “kamp”, por me syzet e multiperspektivitetit.
Në
qoftë se ne duam të “modernizojmë” historinë, kjo do të thotë se ajo duhet
“axhustuar” në mënyrë që t’i shërbejë ndërtimit të paqes dhe demokracisë. Në
qoftë se duam “të bëjmë histori”, atëherë duhet të përpiqemi t’ju japim çelësin
përdoruesve, nxënësve, studentëve edhe gjithë të tjerëve, që të lexojnë të
kaluarën, në mënyrë, që të jetojnë të tashmen e të ndërtojnë të ardhmen.
Politikbërësve
të arsimit do t’ju sugjeroja që lënda e historisë kombëtare të jetë provim i
detyrueshëm i maturës shtetërore. Pse?
Një
qytetar i Republikës së Shqipërisë apo i Republikës së Kosovës, që nuk njeh në
gjerësi dhe thellësi historinë e vendit të vet, nuk mund të respektojë as veten
e as të tjerët; nuk mund të ndërtoj shtetin ligjor; nuk mund të pretendoj për
të qenë i pavarur.
Dëshiroj
të shtoj, se gjithçka që parashtrova në këtë shkrim, e bëra jo për të treguar
se idetë e mia janë domosdoshmërisht të nevojshme dhe të rëndësishme, por për
të treguar se ato nuk janë ngritur në një vakum, dhe me besimin se edhe në
qoftë se ato bien ndesh me të “tjera”, do të shërbejnë si bazë për të zhvilluar
më tej debatin rreth rishikimit e rishkrimit të historisë.
Fatmiroshe Xhemalaj
Specialiste e historisë shkollore
Tiranë, më 03.04. 2013
No comments:
Post a Comment