Resmi Osmani
Tregim
Kujtimit të patrotit çam Musa Demi
“Nderi
i Kombit”
Oficeri i zyrës së pritjes të kryeministrisë zuri vend
pas tryezës, mori një formular dhe ngjyeu penen ne kallamar, pastaj i vëmendshëm,
serioz, me maskën e autoritetit në fytyrë, ngriti kokën dhe iu drejtua pritësit,
që qëndronte më këmbë përballë tij.
-Ju lutem, përgjigjuni pyetjeve që do t’u bëhen.
-Mirë.
A mund të ulem?
-Si jo, lutem më falni për harresën.
Ai që do
të pyetej, rënkoi lehtë, mosha i rëndonte mbi supe dhe u ul ngadalë përballë, pasi
la bastunin në një cep të zyrës.
-Emëri?
-Musa.
-Atësia?
-Hamit.
-Mbiemëri?
-Demi.
-Viti I
lindjes?
-Njëmijë
e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë.
Oficeri pushoi
së pyeturi dhe i hodhi një vështrim të habitur bashkëfolësit. Në zyrën e tij, në
vitin 1961 në shekullin e njëzetë, kishte trokitur një personazh që vinte nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, me personin e këtij
plaku, që mosha ende nuk e kishte kthyer në gërmadhë. Flokë e mustaqe bardhë,
me sytë e lodhur por vështrimdashur e të mençur, me shtatin e drejtë si fidan,
i veshur me sqimë, qëndrim të qetë, prej tij shpërndahej mirësi e fisnikëri. Plakun
siç duket e kishte harruar vdekja, ishte si rilindas i gjallë dhe s’po dinte ç’të bënte më me jetën e tij, veç të
trokiste zyrave! Këto mendoi oficeri dhe vazhdoi pyetjet:
-Vendlindja?
-Filat, në
Shqipërinë e Poshtëme.
Oficeri shkroi vetëm Filat dhe, pyeti disi
me habi: Ç’është kjo Shqipëri e Poshtëme, hera e parë që e dëgjoj.
-Eh mor bir, nuk ke faj. Këto gjëra tani
nuk ua mësojnë më në shkollë. Kështu quhej Shqipëria e Jugut që përfshihej në
Vilajetin e Janinës,në kohë të turkut. Aty bënte pjesë edhe Çamëria.
-Profesioni?
-Politikan
Oficeri mbeti ndërdyshas:
-E si ta shkruaj këtë?
Musai e
rroku kuptimin e pyetjes dhe ngurrimin , por bëri të paditurin.
-Thjesht:
Po-li-ti-kan- e rrokëzoi ai shkoqur e me zë të qartë.
-Ju lutem, nuk
dua mësime drejtshkrimore. Besoj se nuk ekziston një profesion i tillë.
Politika është një lloj veprimtarie.
-Është më
shumë se aq. Shkruaje ashtu si ta thashë.
-Arësyeja
e takimit me kryeministrin?- vijoi oficeri pyetjet e ndërprera.
-Kërkesë për pension patriotik.
Oficeri vuri penen në vend, i dha formularin e
plotësuar sekretares për ta ngjitur në kabinet dhe i tha xha Musait:
-Bashkë mbaruam. Mund të uleni në kolltukun e
sallonit dhe të prisni. Do të vijë t’u shoqërojë për te kryeministri oficeri i
shërbimit. Paç fat!
* * *
Zotëronte
një qetësi e një lloj shurdhërie ndrydhëse në atë hapësirë të lartë. Nga perdet
e rënda ngjyrë alle, pak të hapura, depërtonte drita si e përflakur, por nuk
arrinte ta ndriçonte bollshëm tërë hapësirën e sallonit të madh. Rrallë lëviznin
nëpunësit, por megjithëse me çape të shpejta, ecnin me kujdes e si mbi vezë që
hapat e tyre të mos dëgjoheshin. Musai u fundos në kolltukun e madh, të rëndë e të rehatshëm, të veshur me lëkurë të zezë.
“Kushedi se kujt ja kanë sekuestruar,”-
i shkoi në mendje vetiu. Në pritje që ta thërrisnin, i përsilleshin në
mendje një mori pandehmash dhe pyetjesh.
“Paç
fat,” i tha oficeri. Musait nuk i shpëtoi toni
ironik i urimit. Para se t’a merrte këtë
rrugë, i kërkoi mëndje një miku, se a do ta priste dhe nëse do t’ia pranonte kërkesën
kryeministri.”Varet se me ç’damar do të jetë, por ti provoje, s’ke çtë humbasësh.”
Miku gabohej. Kishte se çfarë të humbiste.Nderin dhe krenarinë që mund t’ia nëpërkëmbnin.
Mendimet dhe kujtesa e shpunë larg, në burgun e Janinës, kur e kishte burgosur
hyqymeti i turkut pas kontrollit të shtëpisë në Filat, ku kishin gjetur librat
e shqipes që i kishin Sjellë Themistokli Gërmenji dhe Spiro Bellkameni për
shkollën shqipe të Filatit. Në kaush, ishte bashkë me një çifut disi të çuditshëm,
e quanin Ben David. Mbante në kokë një takie të vogël dhe flokët gërshet. Gjith
kohës atij i kullonin sytë mbi bibël.Atje e kërkonte shpëtimin. Ai bëri shaka,
i tha se e kishte emrin si Moisiu biblik, që nxori popullin e zgjedhur të Zotit
nga skllavëria në Egjipt. Edhe ti përpiqesh ta nxjerrish popullin tënd nga errësia
dhe skllavëria. Pastaj ai për ti dhënë zemër, i kishte lexuar një verset nga
bibla që thoshte:” Lypni dhe do tju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni
dhe do t’ju çelet; sepse kush lyp-merr, kush kërkon – gjen dhe do t’i çelet
dera atij që troket”. Ai tashmë kishte trokitur, dera ishte çelur, do të kërkonte,
por a do ti jepej? “Varet se me ç’damar do të jetë,”- i kishte thënë miku.
Brenda tij janë edhe ujku edhe qengji!
* * *
Me çap të
lehtë, si të ishte hije , me kartelë në dorë, në tryezën e kryeministrit u
afrua oficeri i paradhomës dhe në heshtje, priti të kishte vëmëndjen e shefit.
-Folë,- i
tha ai, - i bezdisur që po e ndërprisnin nga shqyrtimi i dokumentave. Përgatitej
për mbledhjen e qeverisë.
- Në ora
dymbëdhjetë i keni lënë takim qytetarit Musa Demi. Prura formularin me të dhënat,-
tha, - dhe ia uli mbi tryezë dhe doli ashtu si kishte hyrë, si hije.
Kryeministri pa orën e madhe të murit, donte dhjetë minuta të shkonte
dymbëdhjetë. Mori formularin dhe e përsolli
nëpër duar. Nënqeshi përbuzshëm kur lexoi profesionin politikan. Emëri i kërkuesit
ishte i njohur për të dhe vetë familja e madhe e Dematëve të Filatit në Çamëri,
ishte disi e ndërlikuar: kishte nxjerë pashallarë turkoshakë, por edhe patriotë,
heronj e dëshmorë, por edhe tradhëtarë. I fundit ishte Tahiri, i sapo dënuar me
grupin tradhëtar të Teme Sejkos. Eh, këta çamët, i ishin bërë si ferrat nëpër këmbë!
Të çuditshëm, krenarë e fodullë, kishte vënë re se nuk e pëlqenin punën, por u
pëlqente të komandonin. Nuk e kuptonin se hpësira për ta ishte e ngushtë si
vrima e gjilpërës. Ja, edhe ky
“Politikani” që vinte të kërkonte pension patriotik, pikërisht në këtë kohë, kur
ky komunitet kishte ngrënë shkelma bythës dhe shuplaka fytyrës në gjyqin që
ishte zhvilluar. Dhelpëra plakë me këtë kërkesë synonte larg. Me siguri ishte
provokim, për të nuhatur sjelljen e qeverisë ndaj popullatës së kësaj krahine,
por do të merrte një përgjigje që të mos kujtohej më për të shkelur pragun e kësaj
ndërtese.
I ra ziles.
-Silleni Musa
Demin!
* * *
-Xha Musa, kryeministri po ju pret. Ejani me mua.
Musai u shkëput nga kujtimet dhe e ndoqi pas. Kishte
shumë shkallare, të mbuluara me tapet të kuq. Oficeri ecte shpejt.
-Ngadalë
o bir,se nuk të ndjek dot,- i tha. Oficeri u ndal dhe
e priti .
Kur doli në krye të shkallëve gjunjët e rënduar nga pleqëria
i dhembnin, zemra kishte shtuar rrahjet, frymëmarrja i ishte shpeshtuar. Qëndroi
një çast, duhet të qetësohej. Koridori ishte i gjatë, llapste nga dritat dhe
pastërtia, nën këmbë ndjehej butësia e tapetit. Hynë në fund, djathtas. Oficeri
i paradhomës u ngrit, e përshëndeti ftohtë, sa për të bërë zakonin, mendoi xha
Musai- dhe i priu për në zyrën e madhe të kryeministrit.
Mehmet Shehu
ishte ulur dhe as e ngriti kokën të shihte vizitorin. Mbi tryezën e gjatë e të
rëndë, kishte disa telefona dhe dosje të hapura, një pirg me gazeta ku
shquheshin rreshta të nënvizuar me laps të kuq.
Në fund të tavolinës ishte një sekretare me një regjistër të hapur, e
gatshme të regjistronte takimin. Në një kënd, ishte një tryezë e ulët e
rrumbullakët dhe disa kolltukë. Në krye të murit, dukej portreti i madh i
komandantit.
Xha Musai, instiktivisht
e kuptoi se kishte ardhur kot. Në atë zyrë nuk ishte i mirëpritur. Dukej
sheshit. Gjithsesi i tha vetes: Mbahu e mos u ligështo, Musa!
Pa i dhënë dorën
dhe pa e përshëndetur, i pa mirësjellshëm, pa i thënë ulu, e pyeti me arrogancë
:
-Thuamë shpejt
e shpejt dhe shkurt përse ke ardhur, se nuk kam kohë për të humbur. - I tha këto
pa e parë në sy.
Musai e
kuptoi që kryeministrin e kishte gjetur në damar të keq, në atë të marrëzisë.
Sido qoftë , e meritonte t’i jepte një mësim:
-Biri im! Të
them bir, se babai yt është moshatar me mua. Para se të të them pse kam ardhur,
e ç’nevojë më ka sjellë në këtë moshë të thyer, pres të më thuash: “Ulu se të
kanë lodhur këto shkallë!”
Që kur kishte
hyrë Musai, ishte e para herë që ai e pa në sy. Dukej i nxehur e tërë mllef, në
fytyrë i ra një hije e rëndë, e frikshme, hakërruese. Por xha musai kishte parë
në jetën e tij të gjatë, në vende dhe raste të tjerë, edhe burra të pushtetshëm e të frikshëm dhe
nuk ishte trembur. Nuk u tremb as prej këtij. Frikë duhet patur vetëm nga Zoti.
Burrat një here lindin dhe një here vdesin. Frikacakët vdesin e ngjallen
përditë!
-Pa shih!
Paske ardhur të na mësosh si të sillemi! Lëri fjalët e tepërta dhe folë shpejt,
s’kemi nevojë për mendtë e tua! Na mjaftojnë e teprojnë tonat!
Nga t’ia
niste? Ai ishte pjesmarrës i historisë, kishte bërë histori dhe kishte hyrë në
histori. Kishte punuar, jetuar e luftuar me burra të shquar të këtij kombi që bënë
Shqipërinë. Por tjetëri, nuk donte,ose më keq: s’kishte veshë të dëgjonte, sy që
të shikonte dhe mënt që të arsyetonte. I donte gjërat me dy fjalë. I tha se që në të ritë e tij e kishte vënë
jetën dhe punën në dobi të atdheut, kishte luftuar kundër turqve, kundër
shovinistëve grekë. Ishte burgosur, kish luftuar e marrë plagë, ishte bërë zëdhënës
i halleve, vuajtjeve dhe padrejtësive që i bëheshin popullit dhe krahinës së
tij. luftës Nacional Çlirimtare i kishte
dhënë djalin dhe vajzën. E bija kishte rënë dëshmore për Atdheun, por ai, i përfshirë
në agazhimet patriotike, dhe për shkak të moshës, çlirimi i vendit e kishte zënë
68 vjeç, nuk kishte plotësuar vite pune për të përfituar sipas ligjit pension
pleqërie. Meqënse qëlloi jetëgjatë, se edhe mund të kishte vdekur, që të
jetonte si njeri, këta vite që i kishin mbetur, mendonte se i takonte dhe, kërkonte
që t’i jepej një pension patriotik. Besonte,përsëriti ai, se i takonte. Kaq.
Kryeministri
u nxi më keq nga fytyra, sytë i lëshonin një dritë të keqe si të verdhëreme dhe
ju drejtua Musait me hakërrim:
-Zotrote
dashke pension patriotik! Pension
patriotik! Ç‘e pandeh ti more, pushtetin
popullor, një kazan të mbushur plot,
që t’u japë pension edhe tradhëtarëve, atyre që u kanë shërbyer shtatë
mbretërive dhe kush e di se ç’farë flamur tjetër mbajnë të fshehur në sepete?!
Mos! Kjo
ligjëratë ishte si e shtënë pushke, çdo fjalë një plumb, edhe fjala vret si
plumbi, në mos më keq. Ishte si një goditje rrufeje që e përshkoi të tërin.
Askush deri sot nuk kishte guxuar t’ia kishte thënë ato fjalë, por ruajti qetësinë
dhe dinjitetin. Nuk kishte pse të binte në gropën e batakut të harbutërisë që kishte
hapur tjetëri. Ishte Musa Demi dhe ai e kishte nderuar këtë emër në çdo vend e
rast të vështirë. I erdhi në ndihmë mençuria e politikanit dhe takti i
diplomatit.
-Të kërkoj falje,- i tha,- se të harxhova kohën e çmuar dhe të prisha gjakun!
Por, të lutem,- shtoi ai, - Më thuaj disa nga ato mbretërira, që unë u paskam
shërbyer në dëm të Shqipërisë.
- Ç’të të them, ti i di më mirë se unë. Ja, le
të fillojmë nga turku, pastaj greku, më pas italiani, më tutje gjermani. Nuk të
mjaftojnë këto?
-Këto më
mjaftojnë e teprojnë,- i tha,- Faleminderit që mi rrëfeve se unë plaku i kisha
harruar. Sapo e kuptova se kam trokitur gabim në këtë derë. Do të dal këtej dhe
do të vete të trokas në Ambasadën Turke,
në atë italiane, pastaj te ajo gjermane, për fat të keq nuk kemi ende ambasadë
greke, dhe do të kërkoj të më japin pension patriotik. O zot,sa budalla jam
treguar! Pse nuk vajta që sefte atje, se
do të kasha marrë jo një, por tre
pensione!
Kryeministri
mbeti i hutuar dhe i habitur e nuk po ia shqiste sytë.
Xha Musai
doli menjëherë, pa pritur tjetër fjalë. Nuk e përcolli njeri. Po ecte me çap të
ngadaltë por me trupin drejt dhe pamje krenare nëpër koridorin e gjatë dhe në
mendje i buisnin mendimet: ”Ky ishte kryeministri, burri i shtetit, që i ishin
besuar fatet e shqiptarëve! Burri ishte
i shtetit, por shteti nuk ishte i burrit, se këta lloj burrash, vinin e
shkonin, qëllonte që më së shumti i hanin kokën njeri-tjetrit. Edhe shteti nuk
ishte i atyre burrave, se edhe shteti binte, rrëzohej, merrte rrokullimën. Ishin
rrënuar perandoria Romake,ajo Bizantine e sa e sa të tjera. Ai kishte jetuar
dhe kishte parë sesi ishin rrënuar Perandoria Turke, ajo Austro-Hungareze, Ruse
etj. Kishte vetëm një vlerë që nuk zhbëhej kurrë dhe s’të tradhëtonte: ishte
Atdheu. Ishte ai pragu i dashur i shtëpisë në Filat, vendi ku hidhen hapat e
parë, ku i thuhet nënës nënë e babës babë, atje ku janë varret e të parëve, si
rrënjë të future thellë në tokë, ku flitet shqipja e bukur. Për këtë Atdhe, për
Shqipërinë, që të ishte një dhe e pandarë, për flamurin, për gjuhën dhe
shkronjat shqipe , ai kishte shkrirë jetën. Mëmëdheu asnjëherë nuk të bëhet
njerkë edhe kur një kryeministër tregon dhëmbët, sikur do të të shqyejë, apo
zgjat kthetrat e bishës që të të çjerrë zemrën. Ata janë si ferrat e
djerrinave, pjella dështake, që kanë në
zemër vrer dhe jo mirësi e dashuri. Jeta është e shkurtër, por atdheu s’ka
vdekje. Brezi përcjell brezin dhe nuk i harron ata që luftuan e punuan për Atdheun.
Puna, mendja, dituria, djersa dhe gjaku i tyre, janë në themelet e kombit. Prandaj
nuk duhet menduar se çfarë bëri Atdheu për mua, por çfarë kam bërë dhe do të bëj
unë për Atdheun, që i jemi borxhli, qoftë edhe me jettën tonë. Varfëria
durohet, por turpi dhe tradhëtia as falen as durohen. Ai ”Burri i shtetit”, i
papërgjegjshëm, e kishte vënë në radhën e tradhëtarëve!
Kishte
arritur pranë derës. Aty ja behën dy oficerë:
-Zotëri! Ti
ishe te kryeministri?
- Po,-u tha.
-Kryeministri të kërkon sërish të vesh në zyrë.
- Nuk
mundem,- u tha,- nuk i ngjit për herë të dytë ato shkallë dhe atë zyrë që më
damkosën me turp.
Oficerët ishin djem të rinj dhe gazmorë:
-Mos u mërzit, xhaxho, se të marrim ne hopa. Po s’të
shpum në zyrën e tij, t’i bëjmë derman kokës se na tha: “Ma sillni atë plakun
flokëbardhë patjetër në zyrë!”
U
kthye, i ngjiti ato shkallë si të kishte një gur mbi shpinë.
Por
çfarë kishte ndodhur?
Kryeministri, pasi kishte dalë plaku, u habit nga përgjgigjia e tij e
mençur dhe qëndrimi burrëror. Atëhere u bë politikan. Musa Demi do të shkonte
te njerëzit e vet dhe do tu tregonte, duke u thënë se shteti dhe Partia nuk i
duan çamët. Me siguri që do ta bënte se ishte trim dhe i hapur. Lajmi
do të përhapej gojë më gojë. Ishte me dëm, bile me shumë dëm të krijohej kjo
psikozë në popullatën e një krahine të tërë. Në dreq të shkonte një pension
varfanjaku! Me të do t’i mbyllej goja, atij dhe llapaqenve të tjerë. Pastaj
plaku ishte me një këmbë në varr, një gërmadhë dhe s’kishte për ta ngrënë për
shumë kohë atë pension.
E priti xha Musain
i buzëqeshur. I ofroi cigare. Maska ishte ndërruar. E ftoi të ulej. U kollit
lehtë dhe i foli me të butë:
-Dëgjo, xha Musa.
Mos na e vërë re, ne nxehemi se na bën puna dhe hallet tona, që janë më të mëdha nga sa e mendon ti. Qëpar nuk u solla mirë.
Mos ma vërë re. Tani shko në shtëpi. Do të jap urdhër që të vijë vetë Komiteti
Ekzekutiv në shtëpinë tënde me makinën time, që të lidhë pensionin dhe thuaj
falë me shëndet plakës .
Xha Musai doli.
Nuk shfaqi kënaqësi, asnjë gëzim, asnjë
falnderim. Nuk po i jepnin lëmoshë, por atë që i takonte, bile më pak ngasa i
takonte! Kryeministri, mendoi ai, me atë ndjesë, kishte dashur ta lante m….. me
shurrë. Burri i shtetit kishte hequr maskën e arrogantit dhe kishte vënë atë të
komedianit.Ujku ishte strukur,kishte dale qengji. Ashtu ja donte mendja, apo ndofta puna.
* *
*
Ndryshe nga sa e mendonte kryeministri, Xha
Musai, plaku i Çamërisë, jetoi gjatë , i nderuar dhe i respektuar dhe ndërroi
jetë më 1971, në moshën nëntëdhjetë e tre vjeç. la prapa një emër dhe një vepër
të paharruar.
Tiranë,mars
2013.
*Motivi i këtij
tregimi është marrë nga monografia “Musa Demi” e historianit Hajredin Isufi.
No comments:
Post a Comment