Tuesday 15 January 2008

DHOMA NUMËR 25


Tregim
Nga Fatmir Terziu

Gjuha m’u drithërua. Asgjë për t’u alarmuar, por jo e zakonshme. S’kisha kohë për më shumë shqetësim atë të hënë. Unë duhet të lëvizja duart më shpejt. Isha në ditët e shërbimit vullnetar tek shkolla e fëmijëve të mi, dhe kjo ditë përkonte pikërisht me këtë pikënisje detyruese.
Për sa kohë ime shoqe kreu ritualin e përditshëm para pasqyrës, unë pastrova mjekrën E gjitha kjo, para se mëngjesi të bëhej gati për në tryezë.

***
Ç’e bënte gjuhën time të dridhej? Në çast, asgjë për t’u bërë merak,- i dhashë kurajo vetes në heshtje.
Në guzhinë, përzieva një gotë me lëng portokalli për time shoqe dhe një për mua. Nga makina ftohëse nxorra një shishe qumështi dhe nga dollapi nxora një pako me kokrra mëngjesi. Pastaj vura bukën në thekëse. E gjitha kjo më dukej si një ritëm mëngjesor, në tërë këtë lëvizje gjërash, disi jo të zakonshme në të përditshmen time. Ktheva një gllënkë nga lëngu i portokallit dhe m’u duk sikur gjuha ishte në flakë, edhe buzët më ngjanin si të përcëlluara gjithashtu. Në çast buka kërceu nga makina ngrohëse dhe unë nisa t’a lyej me gjalpë.
Dhe përsëri mes ritmit të zakonshëm, mes ritmit të pak minutave më parë, teksa unë po çoja në tavolinë kokrat e mëngjesit, qumështin, bukën e lyer e të thekur dhe lëngun e portokallit. E ktheva edhe një gllënkë nga lëngu i portokallit. Dhe përsëri djegje. Ndoshta më duket mua, -thashë me vete, ndoshta për inerci të ndjesisë së parë. E vështrova time shoqe teksa gëlltiti lëngun e portokallit.
“Eshtë i mirë? – pyeta.
Ajo pa me një vështrim të shpejtë tek unë, pohoi me kokë, ndërsa unë shtova, duket sikur më përvëlon gjuhën dhe buzët.
-“Gota ime është fantastike,”- tha ajo.
-“Është e mirë”,- pohoi për së dyti.
Unë iu ktheva kokrrave të mëngjesit me qumësht. Ato më shijonin si zakonisht. Ime shoqe u përshëndet më pas dhe unë mbeta ende duke rrombollitur në dosjen e vendosur ngjitur me tryezën e mëngjesit.
Sot është një ditë ndryshe për vendin tim, një ditë që lidhet më shumë me një traditë pagane e që përfundon me ca rrite të çuditshme. Është në fakt një ditë që synon largimin total nga plogështia dhe të vjetërrit e moshuar dinë si të realizojnë këtë me metoda të trashëguara nga e kaluara… Kisha humbur një çast mbi shënime. Unë s’duhet të humbja kohë mes meditimeve.

***
Ishte fiks 7 e 5 minuta. Mblodha gotat dhe i lashë në lavaman, pastaj nxitova të vishem.
Aroma dhe flladi i mëngjesit më kishin bërë për vete, teksa unë udhëtoja të merrja makinën. Kur unë vura këmbën në makinë, drithërima e gjuhës m’u bë më e ndjeshme. Ndalova për karburant dhe bëra gati të pagoja, ndërsa e shihja s’e s’dukesha i përqëndruar. Ofshava padashje dhe vetvetiu, ndërsa motivi i brendshëm më shtyu të nisesha. Kërcëlleva gishtat si në korr, duke ndjerrë pak dhimbje e duke u sforcuar të largoja mendjen nga ai pushtet drithërimash që më kishte zaptuar tërë qenien time trupore. Pastaj kafshova gjuhën fort, ndërsa edhe ajo m’u duk më e trashë e drithërima gati po shtohej.
Tek shkolla eca drejt zyrës së shërbimit e pastaj ktheva në zyrën qendrore. Përgjatë ecjes, korridori më ngjante me një tub të errët, edhe pse dritat ishin ndezur si zakonisht. Ai më dukej i pafund, tepër i gjatë. U qetësova më në fund teksa kisha mbërritur në këndin e vullnetarëve, ku u ula dhe nisa të kërkoj për distinktivin me emrin tim, diku në një boks mes morisë së bokseve të pranishme aty në cep. Pastaj po përballeshin gishtat me kapësen metalike të distinktivit tim, edhe pse s’ishte aq e fortë për t’u mbërthyer. Në çast m’u duk se vetëm sa shtonte problematikën e gjërave që prishnin rregullin e të përditshmes time. Hodha një shikim shpotitës nga dritarja. Kishte filluar shiu. Dhe vetëm aq sa tendosa shikimin tim ndjeva lodhje, pamundësi. Ndoshta nga koha, - thashë me vete, disi më i vendosur në atë që mendoja dhe tentoja t’a zgjidhja në çast në atë betejë të brendshme mes qënies sime dhe rrethanave në të cilat ndodhej e tërë qënia ime.
Enkas kuptova se pushteti i drithërimave të gjuhës dhe gishtave po dominonte. Por, këtu s’kishte kohë të përkushtoheshe për t’a mundur atë. Puna ime ishte t’u përgjigjesha telefonatave që vinin nga jashtë në adresë të kësaj shkolle komunitare. Më saktë, të prisja telefonatat, të transferoja kërkesat dhe të mbaja mesazhet. E ndërsa po shkruaja mesazhet ndjeva dhe vështirësinë tjetër. Të shkruarit bëhej më i vështirë në fakt.

***
Deri në orën 10 qënia ime gati kishte ruajtur një rezultat pozitiv në këtë ndeshje të çuditshme e tepër të strukur në botën e fshehtë e të padukshme. Në atë botë ku më saktë pushteti i morive të këqia po fitonte terren. Unë po shpërfillja gjëndjen ku ndodhesha, teksa një telefonatë që mbërriti për një mësuese, e cila ndodhej në kohën e pushimit në dhomën e personelit pedagogjik më detyroi të ngrihesha, të lija telefonin hapur për pak çaste dhe të shkoja të lajmëroj atë. Aty kuptova s’e fuqitë më ishin shteruar. U ktheva pranë telefonit. Mendja po rendte pas emrit të doktorit. Mendova se emri i doktorit do të më vinte lehtë në kujtesë. I telefonova time shoqeje.
-“Unë ndjej se diçka nuk shkon mirë me mua. Nuk ndjehem mirë. Dua doktor.”
Pas ca minutash ime shoqe ia behu. Ajo kishte telefonuar doktorin, dhe ai kishte vendosur të vinte menjëherë.
Çdo gjë u duk normale. Doktori s’po arrinte të nxirrte një shkak. Pastaj ime shoqe i kujtoi atij virusin që më kish zënë para ca ditëve, ndoshta si për t’i dhënë një shans më shumë doktorit për të zgjidhur këtë enigmë në ndjesinë time.
-“E po, ndoshta është ai virus që ka ndikuar”, - shtoi pastaj doktori. Ai rekomandoi
pushim dhe pirje të më shumë lëngjeve.
“Dhe në qoftë se gjërat shkojnë më keq deri të enjten pasdite, do të bëjmë analizat e
gjakut.”- përfundoi ai.

***

Një miku im jeton afër. Unë vendosa të vizitoj atë. Vendosa të shpenzoj pasditen me të. Unë pushova ashtu siç doktori më këshilloi.

***

Atë natë vajza ime përgatiti darkën. Ç’do gjë ikte shpejt. Orari i gjumit na zuri në krevat. Ngjisja shkallët pa problem. Gjumi më zuri menjëherë. As vetë se kuptova se si, aty diku nga mesnata isha ndodhur në guzhinë me një gotë uji në duar. Duart m’u drodhën e drodhën dhe gota në dysheme zgjoi time shoqe. Ajo më çoi drejt e në spital. Doktori i urgjencës më pa menjëherë. Firmosa ca letra. Dora ime s’e mbante dot penën. Ç’po ndodhte me mua? Infermieret dhe stafi ndihmësmjek mbaruan gjithë proceduarat ligjore, matjet, peshimin, tensionin, presionin e gjakut, temperaturën, analizat dhe kontrollin e veshëve e grykëve po ashtu. Doktori u kthye sërrish aty. Ai kishte pritur rezultatet e analizave nga laboratori. Laboratori s’po nxirrte ndonjë konkluzion. Doktori vendosi të thërriste një doktor neurolog.

***

Përgjatë ditës infermieret e spitalit u munduan të më jepnin ushqim dhe për të pirë. S’përcillja dot asgjë poshtë në bark. Doktori neurolog arriti në orën 7 të mëngjesit. Tani, sigurisht, që do të gjejmë një përgjigje. Ai kontrolloi refleksest e mia, për të cilat pohoi menjëherë se ishin të mira, dhe bëri ca prova të mëtejshme, pa koment në fakt.
“Në këtë pikë,”- shtoi ai, “Unë mund të them se mundësitë janë për një nga tre gjëra që në gjuhën mjekësore quhen: sclerose, myasthenia gravis, ose një syndromë…” Ai
pushoi së foluri.
“Ne duhet të presim pasi të mbarojmë edhe një analizë tjetër nesër”, - përfundoi ai.

***

Ndërsa doktori përshëndeti dhe po largohej, unë përsërita emrat që ai përmendi. Të tre tingëllonin tronditëse. Dhoma e spitalit m’u errësua menjëherë dhe më mbërtheu një i ftohtë rrënqethës. Ktheva vështrimin nga dritarja të shihja diçka nga natyra. Ca pemë, teksa kishin zgjatur kokat në dritare, m’u duk se po më pëshpërisnin diçka në vesh. Pemët kishin mbërthyer degët dhe era i kish përfshirë në një vallzim përrallor. Edhe unë diku po vallëzoja në çast, po vallëzoja me vajzën time, dhe muzika s’kishte të pushuar.
O Zot, unë dua të kthehem në shtëpi! Ime shoqe ishte mbuluar në lot.
“T’i po flisje në ëndërr,”- më tha ajo. Pastaj të dy fshimë lotët.
“Ç’do gjë do të jetë mirë, do të shkoj mirë,” - tha ajo më pas, dhe tentoi të ndërronte
fytyrë.

***

Në orën 10 e 30 minuta erdhi miku im që e vizitova një ditë më parë. Fjalët e tij peshuan. Unë mendoj, se më mirë do të jetë të kujdesemi ne jashtë spitali për të. Do të
lehtësojmë edhe…
Por, ndërsa fjalët e tij më pëlqyen mua, stafit mjekësor i tingëlluan të pakonceptueshme. Por, s’pati debat. Vendimi ishte i prerë. Vetëm kryeinfermierja i foli diçka në vesh time shoqeje. Më pas ajo iu drejtua mikut tim me zë të lehtë:
“Ndoshta tani është kohë që ju të largoheni”- i tha ajo mikut tim, që u la të nënkuptohej se ai e kishte tepruar pak më parë.
Për çudi gjërat rrodhën ndryshe në orët më pas. Ishte edhe një vendim nga doktorët që unë të dilja nga spitali dhe të shkoja në një qendër me shërbim intensiv. Vendimi ishte
vendim dhe kështu u veprua.

***



Një lëmsh m’u mblodh në stomak, ndërsa ne po paketonim plaçkat. Një infermiere solli një karrike me rrota. Dhe ne nisëm rrugën përgjatë korridorit të gjatë e të qetë me dyer të sapolyera. Ime shoqe pa përreth dyerve, dhe unë pashë përreth. Këtu kishte dhjetra dhoma, që ngjanin në formë kubikësh, brenda një hapësire të tendosur nën perde. Ç’do kubik, pastaj racionohej në minikubikë të tjerë, që formohej kështu një parcelizim minidhomash. Prapa ç’do parcele kubike kishte një ofshamë, një rrënkim, një pikëllim, një dhimbje. Zhurma e një aspiratori të fuqishëm tentonte të prishte këtë alarm shpirtëror, këtë zhurmim therës të këtyre minidhomave të pushtuara nga njërëz. E gjitha dukej e strukur nën një glob të qelqtë loti varur në një kënd në fund të korridorit, ku një fëmijë qeshte ëmbëlsisht, ashtu fiksuar në atë skulpturë tipike. Unë lutesha të mos i përkisja këtyre skenave. Por, ja shpejt rrotat e karriges sime kishin ndaluar përballë numrit 25. Kjo ishte mirëseardhja ime në dhomën me numër 25.
“Unë do të jem infermieri juaj për turnin e pasdites,”- ishte një zë i ëmbël i një të riu me një përparëse tepër të pastër, ndërsa po më ndihmonte të ngjitesha në krevat.
Pastaj më sqaroi me detale se si duhet të lajmëroja për ndonjë emergjencë, se si ishte rregulli, dhe për shumë gjëra të tjera. Vetëm furçën e dhëmbëve duhet t’a keni tuajën, tha ai, se të gjitha të tjerat janë të spitalit, të kësaj qendre për shërbimin intensiv të pacientëve në nevojë.

***

Unë isha përhumbur. Kur infermieri u rikthye, më tha të hiqja unazën nga gishti.
“Oh, të lutem,” – iu përgjërova. “Jo unazën time të martesës. Unë kurrë s’e heq atë
nga dora”.
“Ajo duhet të hiqet nga gishti”, -foli ai qetësisht, por i vendosur në rregullore. Ca pika loti më tradhëtuan teksa po hiqja unazën nga gishti. Gishtat e mia gati s’funksiononin, por mërzitja i bëri të punonin. Unë gati sa s’doja të shihja nga time shoqe, kur ia dhashë unazën. Pasi ajo paketoi rrobat e mia dhe materialet e tjera, infermieri i dha asaj një thes prej letre për t’i futur brenda dhe i tha të largohej nga spitali. Unë isha frikësuar. Ajo e mbante veten dhe shtrëngonte dorën time. Unë mbaja dorën e saj gjithashtu. Më dha pastaj një të puthur. Një shikim tjetër dhe u largua.

***

Zbrazëti. Çdo gjë më dukej si e shkuar, e zvenitur, e mbaruar në atë kubik ku vetëm kryqëzime frenetike ndjesish shkriheshin njësh me qënien time fizike. Mendja më prodhonte çudira, tmerre, skena që ndoshta Hollivudi do t’i blente miliona. Mëngjesi erdhi. U mbarua dhe analiza e fundit. Infermierët vazhduan detyrat. Ushqimi. Lëngjet. Përkujdesja. Ç’do gjë sipas rregullit. Ime shoqe arriti aty nga ora 11 e 30 minuta afër drekës. U përpoqa të gjendesha më afër saj, por s’mundesha. Paraliza kishte marrë më shumë pushtet. Doja t’i thoja se e doja shumë. Ajo po shihte poshtë dhe dukej sikur po lexonte duart. Ndërkohë thirja e diagnozës nga doktori dhe përmendja e emrit tim prishi atë minirutinë. Unë, unë ende s’e kuptoj këtë dreq sëmundje. Por askush s’ka aktualisht diçka më shumë pë të thënë. Vetëm një gjë është kuptimplote, vazhdoi doktori. Ne e kuptojmë lodhjen dhe vuajtjen tuaj. Na besoni, ne do të mundohemi t’a lehtësojmë këtë gjendje në të cilën ju ndodheni.
Një “jo-o-o-o” e lehtë e tejzgjatur shpëtoi nga buzët e mia. Ime shoqe mbante dorën e
djathtë në faqen time. Pastaj ngulëm vështrimin aty ku doktori ishte përqëndruar mbi një libër mjekësor me kapak të trashë…
Mjeku brofi në këmbë. “Ja. Ja, ajo që më mundonte prej orësh. Është një këputje nervore, dhe zakonisht fillon me ca infeksione. Ajo shkakton paraliza, që shpeshherë fillojnë me këmbët dhe ngrihen pastaj lart me shpejtësi.”

***

Sipas rregullit në qëndrat e përkujdesit intensiv, vizitat zgjasin vetëm 15 minuta dhe vetëm tre herë në ditë. Ime shoqe më dha të puthurën e përshëndetjes dhe më tha se
do të vinte me fëmijët në vizitën tjetër në orën 5 e 30 minuta.
Si do të përballen fëmijët me një gjendje si kjo?, -pyeta në çast vetveten. Ime shoqe dhe unë kishim vendosur që të mos u shpjegonim fëmijëve për këtë ndodhi. Për djalin në universitet, dhe pikërisht vetëm një javë nga provimet, kjo nuk do të ishte një zgjidhje e mirë. Duhet të përqëndrohem. S’duhet të dukem tepër sëmurë. S’duhet t’i alarmojë fëmijët e mi, - i thashë vetes sime.

***

Kur vajza ime eci drejt e në dhomën time, ajo dukej konfidente. E qeshura e saj ishte e ngrohtë dhe natyrale kur më tha se do të ngrihesha e do të bëhesha më mirë. Por, sytë e djalit kurrë nuk prodhuan qetësi. Mes shkëlqimit rrezatues ai fshihte një tendosje të lehtë inatçore për atë që ai në heshtje kërkonte t’a vetëzbulonte në fakt. Ndryshe, krejt ndryshe me botën e tij. Gjithmonë me një tendencë burrërimi në rritje ai shihej nga ne të dy si një pasqyrim i ëndrrave tona rinore. Dhe kështu ishte në fakt.

***

Pasi familja u largua, dy infermire sollën ca paisje, ca tuba që në fakt të tmerronin që në shikimin e parë. Pastaj, pas këtyre tubave erdhi edhe lajmi në veshin tim. Unë duhet të përdorja respiratorin.
Provova zërin tim. Kishte ikur zëri. Më mbërtheu paniku. S’kisha më shans as të thërisja për ndihmë.
Papandehur ime shoqe u gjet te koka e krevatit tim. Një infermiere i kishte telefonuar se unë isha nën kontrollin e aparatit frymëmarrës. Vetëm tunda kokën. Ca pika loti, zbrisnin lehtë e lehtë nëpër faqe. Ime shoqe nxorri një pecetë dhe nisi t’i fshinte. Unë lëviza njërën dorë, pastaj tjetrën, disi pak më shpejt. Pastaj nuk më kujtohet ç’ndodhi. Respiratori kishte heshtur. Alarm. I tërë pavioni ndodhej përgjatë anës së dhomës 25, dhe diku në këmbët e krevatit tim. Isha përmendur sërrish. U mundova të bëjë me shenjë. S’mund të lëvizja as kokën, as duart as ndonjë pjesë të trupit. Sytë e mi jetonin botën e tmerit. Ime shoqe lexonte qënien time.
“Ti po tringëlon qerpikët. Mund të qetësohesh pak?
Unë shtrëngova veten të bëhem më i qetë. Pastaj një qetësim momental dhe vetëm
kaq. Ime shoqe buzëqeshi. Të lumtë! Ja pra kështu.

***

Dita tjetër ishte ditë ndryshe për mua. Fëmijët ishin nën pushtetin e krahëve të mi. Personeli ishte larguar. Gruaja buzëqeshte në këmbë. Përreth dhomës sime s’kishte vend ku të kalonte njeri. Kishin ardhur për vizitë gjithë sa më njihnin. Ishin gëzuar që tashmë unë e kisha kaluar të keqen. Në fakt, rikthimi në jetë sapo kish nisur për mua, që atë pasdite kur unë kisha kaluar provën me ato tuba të frikshëm, aty në dhomën numër 25.

No comments: