Thursday 17 January 2008

Një pikë ujë

Nga Fatmir Terziu

Aty pikoi një pikë ujë
Krijoi ca rrathë mbi liqen
Pastaj u bë zhurmë e bujë
Zgjoi me mace e me qen.

Vetëm ajo pikë uji
Pushtoi për një çast një det
“Alarm! Ka ardhur i huaji”
mirëqenien tonë po na e vret.

Për atë të shkujdesur pikë uji
Gati u shua gjithë ai milet
Kazma e pushkë në duar
Ndërtoi bunkerë me forcën e vet!

E gjitha nga goja në gojë
Ajo pikë uji, u bë kiamet
Edhe pse njeriu e dinte që ishte lojë
Edhe pse njeriu eksperimentonte jetën e vet.

Aty pikoi një pikë uji
Dhe futi në rrathë dhjetra vetë
Vigjilencën ua kish ngrënë i huaji
Dhe këtë “Partia” s’e falte, medet!

Sa pika uji ranë dhe bien akoma në liqen
Nga ajo kohë e marrë gjer më sot
Askush nuk trazoi më mace e qen
As përdori bunkerat që dremisin kot.

Një grusht njërëz gjithmonë bëjnë bujë
Të ruajnë marrëzisht pushtetin e vet
Dhe pa dhimbje mbysin me një pikë ujë
kundërshtarët, qindra e mijëra vetë.

No comments: