Thursday 7 April 2016

Kur shpërfillet Elita, krenaria kombëtare

Vilhelme Vrana Haxhiraj

                                                         Fragment nga dorëshkrimi i librit “Elitat...krenari kombëtare”
   
                                 “Nuk ka këshillë më të keqe se ajo që të shtyn të mohosh kombin tënd!” 
                                                                                                                           Naum Veqilharxhi

Ky libër është si një kapitull tejet i veçantë i historisë sonë kombëtare. Është kapitull i krenarisë shqiptare të gjymtuar,  i inteligjencës së mohuar të lënë në harresë. Kalojnë dekada e shekuj dhe ngjarjet vjetërohen, moshohet kombi, rrudhet koha, plaken e ndryshken mendjet e freskëta dhe vlerat harrohen. Syrit vrojtues të cilit nuk i shpëton gjë, sheh me dhembje e lotë një lloj shpërfilljeje ndaj tyre. Diçka e tillë ka ndodhur si mungesë vlerësimi për arsye politike, kundërshti ideore apo mos vallë i ka dënuar koha e vrazhdët? Mëse e bindur them se ky libër është kapitull i së vërtetës për vlerat e krenarisë kombëtare, shumica dërmuese e të cilëve janë mohuar apo janë lënë në harresë nga politika e mbrapsht.

Më lind e drejta të pyes: Sa duhej të krenohej Shqipëria kur bota e kulturuar mburret me Elitat e saj?!

  “Eh Bota e kulturuar...!Bota nuk i ka heronjtë dhe i krijon, kurse ne i kemi dhe i varrosim. Kultura botërore i  vlerëson pa ditur se kujt kombësie i përkasin dhe i ngre në piedestal, sepse ata janë produkt i kohës që vepruan, pra të së shkuarës, janë ecuri e të sotmes dhe përparësi zhvillimi për të nesërmen.Ata janë Elita që udhëheq njerëzimin në rrugën e bukur të mirësisë dhe të drejtësisë, të jetës së bukur, përmes zhvillimeve të reja shkencore dhe me besimin te Zoti!”Vivra                                                                                           
    Duke marrë në konsideratë  thënien lapidar të Naum Veqilharxhit, lidhur me shtysën për mohimin e kombit, theksoj se kombi nuk është një nocion ideal. Kombi është konkret, i prekshëm, i dhembshur pasi është toka ku lindën të parët tanë, tabani ku lindëm ne dhe do të lindin sa e sa breza të tjerë, i vetmi identitet që do të ngelet në pafundësi...Janë bashkëkombasit ata që ia rrisin vlerat dhe dinjitetin atdheut të tyre. Puna dhe mendja e njerëzve e shndërrojnë atë në një shtet të zhvilluar, janë njerëzit ata, që duke u mbështetur në trashëgiminë kulturore, duke shfrytëzuar pasuritë mbi e nëntokësore, e çojnë vendin drejt progresit. Veçse cilido e ka të qartë se vetëm ai komb që rrezaton kulturë të admirueshme, integron më shpejt drejt botës së zhvilluar. Njerëzit që ia rrisin vlerat kombit, largohen nga kjo botë duke lënë pas mendjet dhe duart e tyre. Brezat ikin, kurse kombi ngelet aty dhe rigjenerohet bashkë me brezat që vijnë.
  Shqipëria e vogël, Dekania e racave, por shumë e re në arenën politike botërore dhe e njohur pak, ose aspak për botën e zhvilluar, kombi 103 vjeçar, me një histori sa të lashtë dhe po aq të mohuar, sa të pasur dhe po aq të tjetërsuar, ka vënë në dilemë shumë mendje të ndritura. Duke marrë sipërfaqen e tij dhe numrin e popullsisë, vendi ynë është kombi që i ka dhënë botës më shumë intelektualë se çdo komb tjetër në të gjitha fushat e jetës. Duke filluar nga perandorë, papë, kryeministra, gjeneralë ushtarakë, diplomatë, arkitekt, mjekë, artistë të skenës, të penelit apo të daltës, shkrimtarë, filozofë, gjuhëtarë, kanë qenë bijë të kësaj toke, personalitete shqiptare, të cilët e kanë gjetur veten jashtë kufijëve të atdheut, ku kanë shpalosur dhuntitë dhe vlerat e tyre. Dhe bota pa marrë parasysh se ç’kombësi kishin, nga vinin apo prej ç’race ishin e ç’gjuhë flisnin, i ka shpërblyer maksimalisht sipas vlerave që kanë dhënë në shkenca të ndryshme. Personalitete të shquara të të gjitha kohërave dhe në fusha të dryshme, nga Shqipëria kanë dalë shumë. Po marrë një dy shembuj vlerash. Vetëm Himara përrallore, Perla e Rivierës shqiptare, ku nga shtatë fshatrat e saj kanë dalë dhjetëra kapedanë. Pas vdekjes së Skënderbeut në histori ka mbetur akti heroik i Damjan Himariotit që më 1537 në fushën e Qeparoit sulmoi me thikë në çadrën e vet sulltanin Sulejman Kanuniun(Ligjvënsin). Kapedanët e Himarës, të diplomuar në shkolla ushtarake (Napol e Venecia) nuk mbronin vetëm bregdetin e Jonit por kanë shërbyer si gjeneralë ushtarak në Itali, Spanjë, Rusi. Mërkur Bua nga Dhërmiu, me gradën e gjeneralit ka luftuar në ushtrinë venetikase në vitin 1500 dhe në Milano. Përmendim Kiço Buçin, ndërtues anijesh në Himarë në shek. XVII. Bregdeti veç trimave,ka pasur edhe kapedanë të mendjes e diplomatë deri në Mbretërinë Spanjolle si Zhanopulli nga Qeparoi e Pano Bixhili nga Dhërmiu që shërbeu si ambasador i Rusisë në Shqipëri dhe në Greqinë Veriore me qendër në Artë më 1767, i cili punoi për zhvillimin e arsimit në Bregdet. Polo Prifti e Jorgo Prifti, kapedanë nga Qeparoi, në luftën ruso- turke të vitit 1771 morën pjesë në anën e Rusisë dhe janë heronjë të saj.
  *Bota e kulturuar evropiane qysh herët ka folur për amazonat shqiptare. Nga qyteti Kafa, ish Theodozia e lashtë pranë Detit të Zi, princi belg Charles-Joseph, figurë e ndritur ushtarake dhe letrare e kohës, i shkruante një letër Markezës së Coigny-së : “një batalion prej dyqind vajzash të reja shqiptare marshon me hap krenar në qytetin Kafa”- skenë prej së cilës Princi mahnitet. “Pashë dyqind gra apo vajza bukuroshe, me fytyrë zbuluar,me dyfekë, kama e heshta, me gjokse amazonash dhe me flokë të gjata gërshetuar hijshëm, kishin ardhur me rastin e vizitës sonë për të na nderuar, dhe aspak nga kërshëria.” (Letra VII, 1787). Dhe ka pasur të drejtë. Ishte koha kur fanatizmi fetar oriental ia ndalonte rreptësisht një vajze të re apo një gruaje të shfaqej publikisht me fytyrën të zbuluar. E megjithatë, ja ku po i shfaqeshin para syve bukuroshe të armatosura, amazona të vërteta shqiptare.
 * Amazonat ishin vajza të reja që visheshin si burra, të armatosura për të mbrojtur truallin nga pushtuesi i huaj ose ishin ngritur kundër fejesës në djep apo martesave të detyruara.A nuk ishin Amazona Nora e Kelmendit, Tring Smailja, Shote Galica etje?    
   Në këtë libër për elitat e mohura apo të harruara e të pavlerësuara, kam përzgjedhur 40 figura të shquara, ku në një numër të papërfillshëm janë të vlerësuarit nga shteti shqiptar, por edhe ata ende nuk kanë vendin e merituar. Jam përqëndruar kryesisht tek:

* Gjergj Kastrioti Heroi kombëtar, i cili me të drejtë është vlerësuar nga Diktatura,si prijësi arbëror që për 25 vite i largoi ushtritë osmane nga Shqipëria si dhe ka meritën e madhe që pengoi asimilimin e krishtërimit në Evropë nga myslimanizmi.

* Ismail Qemali, arkitekti i Pavarësisë Kombëtare, diplomati që gjeti kohën e duhur për  të shpallur mëvetësinë, ishte lënë në harresë. Plaku i urtë e flokëbardhë vlerësohet pas 100 vjetësh me titullin “Nderi i kombit” A nuk është turp për politikën shqiptare që mburrej me aktin e Pavarësisë, por babanë e kombit e la në harresë? Kurse familja e tij u denigrua dhe u përndoq.

*Ded Gjon Luli është dekoruar me titullin Hero i Popullit. Ishte një e drejtë e pamohueshme  se ngritja e flamurit më 3 prill 1911 në Deçiç nga Ded Gjo Luli, ishte preludi i Pavarësisë kombëtare që udhëtoi drejt Vlorës, ku u shpall Shqipëria shtet më vehte, i pavarur nga Turqia nga plaku i mençur diplomati Ismail Bej Vlora më 28 nëntor 1912.

* Ibrahim Rugova, Intelektual,politikan, akademik dhe shkrimtar shqiptar cili mbante titullin Doktor. Është Presidenti i parë i Kosovës, bashkëthmelues i partisë Demokratike. Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi,  i cili ndoqi një rezistencë paqësore ndaj sundimit jugosllav e pati mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa. Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur "Ati i Kombit" dhe "Gandi i Ballkanit”.Pas vdekjes u shpall “Hero i Kosovës.

* Adem Jashari,është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikal në historinë e luftërave. Ai mban titullin "Komandanti Legjendar i UÇK-së", kurse "Hero i Kosovës" iu dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës.

* Nora e Kelmendit , e cila e vrau pashanë në çadrën e tij. Së pari mbrojti dinjitetin e saj si bijë e malësisë dhe i tregoi të huajit se vajzat shqiptare nuk u dorëzohen të huajve me aq lehtësi.Ishte viti 1638 kur trimëresha Norë, ishte e para femër që mori hak. Ndaj meritonte të vlerësohej si individ dhe  jo si Malësi e Kelmendit, pasi ishte gruaja e parë që theu çdo zakon.Malësia ka meritat e saj, kurse Nora apo Tring Smailja janë shembuj virtyti në gistorinë kombëtare. A nuk e meriton Nora një bust që të lartohet në Malësinë e Madhe

*Shote Galica, heroina  pa dekoratë, sepse iu dha titulli heroinë dy herë,( çudia më e madhe), se titulli jepet vetëm një herë. Serioziteti i këtij titulli që kur është dhënë  vetëm me fjalë. Të afërmit e saj nuk kanë marrë asnjë dëshmi.
  
*Fan Noli, themelues i Kishës Autoqefale shqiptare
  Fan Noli ishte prift, përkthyes, shtetar, diplomat, poet e historian shqiptar.
Noli së bashku me Visarion Xhuvanin themeluan Kishën Autoqefale Shqiptare. Fan  Noli  ishte i pari klerik që e mbajti meshën në gjuhën shqipe në 25 vjetorin e Pavarësisë  kombëtare.
Në botimet zyrtare të Qeverisë  Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kultures, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli”
 Dështimi i revolucionit demokratiko -borgjes i vitit 1924, e detyroi Nolin të mërgonte.Gjithsesi, megjithë gabimet lidhur me reformat e parakohëshme, ai edhe në emigracion vazhdoi punën për një Shqipëri demokratike.
***
Shumë personalitete të ndritura të fushave të ndryshme duke qenë në emigracion, u kanë shërbyer të tjerëve, të cilët edhe i ngritën në piedestal sikur të ishin bijtë e tyre. Shkrimtari dhe publicisti shqiptar Kim Mehmeti, thotë “ne jemi një popull i vetmuar”dhe mund të shtoj pa frikë se ne jemi një “popull i grabitur”. Dhe ka të drejtë se çuditërisht dhe historia na ka grabitur dhe mohuar ata që janë bijë dhe gjak i gjakut tonë. Shumë prej këtyre korifenjëve u është vjedhur identiteti. Na janë vjedhur, Arkitekt Sinani,Mehmet Sedefqari, Papa Klementi XI, Elena Gjika, Karl Gega, Naum Veqilharxhi, Marko Boçari ,Kostandin e Athanas Zografi, Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Bilal Golemi, Aleksandër Moisiu, Laskarina Bubulina, Ibrahim Kodra etje
Është për të ardhur keq se, sa e sa figura emblema të kombit, janë lënë në harresë të qëllimshme për arsye klasore, politike, idesh dhe besimi fetar, ku kam marë vetëm disa: At Gjergj Fishta, At Martin Gjoka, De Rada, Hasan Prishtina, Faik Konica, Pater Anton Harapi, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi, Nënë Tereza, Dhimitër Pilika, Ernest Koliqi, Josif Bageri, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Musine Kokalari, Isuf Luzaj, Jusuf Vrioni e shumë e shumë të tjerë
  Cilitdo që i dhemb dhe shqetësohet për cungimin dhe tjetërsimin e historisë së kombit, me të drejtë pyet: Përse shumë personalitete, ajka e elitës shqiptare janë njohur dhe i ka vlerësuar bota, kurse atdheu i tyre jo?!
  
Le të shohim disa prej këtyre personaliteteve që i nxori koha, edukimi dhe kultura e gjerë por i mohoi politikae mbrapsht.

*Nënë Tereza e mohuara dhe e denigruara nga diktatura
Është krenari kombëtare që e mohuara nga diktatura komuniste, Nobelistja për Paqen Nënë Tereza, (Gonxhe Bojaxhi) ishte shqiptare, por është turp që ajo u mohua nga diktatura. Pavarësisht se ku lindi, ajo kishte gjak shqiptari. Këtë e pohoi kur mori çmimin “Nobel Për Paqen”, ku e gjithë Bota mësoi origjinën e saj, bijë e një fisi të lashtë, prej të cilit trashëgoi bujarinë, besën, mikpritjen, durimin, dashurinë për jetën dhe mirësinë, që janë cilësi virtyti të shqiptarit. Sa bukur, sa thjesht, sa natyrshëm dhe po aq i madhërishm ka qenë pohimi i saj:  “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit jam murgeshë katolike.Sipas thirrjes së Zotit, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.
***
  *Aleksandër Moisiu, aktori me fame botërore që luajti role të paarritura më parë
Aktori i famshëm, Aleksandër Moisiu që për madhështinë e tij në skenë duke realizuar role të paarritura më parë të kryeveprave botërore, e kishte për nder që ishte shqiptar. Artisti me famë që bëri evolucion në artin skenik, që u ngrit kundër artit dekadent e mondan ,sot renditet mes 10 personave më të shquar të Austrisë. Shtetet e mëdha donin t’i jepnin pasaportën dhe kombësinë e tyre, por ai kërkoi shtetësinë shqiptare. Shpesh ai shprehej:” Babai im ishte shqiptar, nëna ime ishte arbëreshe...unë nisa të shkoja në shkollë në Durrës, në Dyrrakjumin antik...Madje atje në Shqipëri ende jeton një pjesë e familjes sime Moisiu. Ose thoshte: kam  lindur në Trieste, por nuk dua të jetoj atje...” Artistit që ishte lidhur shpirtërisht me atdheun e të parëve, Ahmet Zogu nuk ia dha këtë të drejtë legjitime, pasaportën shqiptare. Përse Zogu u tregua aq kurrnac ndaj një personaliteti botëror?
 ***
 “Mikelanxhelo i Orientit”Arkitekt Sinani,  shqiptari i hapërdarë mes Ballkanit e Azisë
   Koha dhe politika kanë qenë të egra dhe të padrejta me shqiptarët në tërësi dhe me njerëzit  e vlerave kombëtare në veçanti. Karriera e lavdishme e Arkitekt Sinanit numëron rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e në Vjenë. Ishte njeriu që i ndryshoi faqen Stambollit me ndërtime teologjike, urbane dhe ushtarake... Është ndërtues i xhamisë në qendër në Vlorë dhe i Kalasë së Aulonës së lashtë, rrënojaat e së cilës janë nën pallatin para stadiumit Flamurtari.Ndër veprat e tij vlen të përmenden 40 çesmat që i çuan ujë gjithë Stambollit dhe kryearkitekt Sinani vdiq i etur për një pikë ujë.
Nxënësi i tij Mehmet Sedefqari nga Elbasani bashkë me ndihmësin e tij Ahmetin nga Opari ishte projektuesi dhe ndërtuesi i xhamisë Blu dhe Taxh Mahallit në Agra të Indisë, një nga shtatë mrekullitë e botës. Edhe sot në Stamboll thuhet “Kalldrëmet shqiptare”, se ishin arkitektët shqiptarë që shtruan me pllaka guri rrugët e Stambollit.
***
 *Gjergj Fishta, i pari shqiptar i kandiduar për çmimin“Nobel”
   Homeri Shqiptar i vlerësuar me “Medalje e Artë e Lidhjes së Prizrenit- Kosovë”-1911,“Kurorë Argjendi”-Shkodër-1911;“Dekorata Mearif”-Turqia-1912, “Dekorata Ritterkreuz”;Austria-1912, “Penë floriri”- Berati-1913; “Medaglia di Benemerenza”-Papa Piu XI -1925) ; “Lector Jubilatus”- Urdhri françeskan -1929; “Dekorata Phoenix”-Greqia -1931;
Gjergj Fishtën e nderuan në kohën e duhur shtetet e huaj, kurse Shqipëria, vetëm më 2002 e vlerësoi  me Urdhrin “ Nderi i Kombit"
***
  *Shqiptari Papa Klementi XI-Albani,iniciator i Kuvendit të Arbërit.
   Me thirrjen e  Kuvendi të Arbërit më 1703, është i lidhur ngushtë emri i Gjon Françesk Albanit që njihet në historiografinë shqiptare, si dhe në fushat e tjera albanologjike, pasi është “me origjinë shqiptare”. Është nismëtar për thirrjen e Kuvendit të Arbërit. Ai kishte merita të veçanta për çështjen shqiptare”. Por mjerisht në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) nuk figuron as Papa KlementiXI dhe as familja Albani që kanë lënë gjurmë të thella në jetën kulturore e politike në Itali “…Në të vërtetë, Papa Klementi XI nuk është as i pari e as i fundit shqiptar i vlerësuar botërisht. E kaluara tashmë e varrosur romake-bizantine njeh emra shqiptarësh të mëdhenj si perandorët Justiniani, Diokleciani, Anastasi apo Kostandini, ky i fundit i njohur si njeriu që e futi përfundimisht Krishtërimin, dikur monoteist , në trajtën e tij të sotme.
***
  *Elena Gjika ose Dora d’Istria, një nga 10 femrat intelektuale më të dëgjuara të shek.XIX.
  Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Familja Gjika, si shumë shqiptarë të tjerë, kishte emigruar nga Përmeti dhe ishte vendosur në Rumani. Ajo mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave intelektuale më të shquara në botën e shek.XIX. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, siJeronim de RadaDhimitër KamardaZef JubaniZef SerembeThimi Mitko etj, me të cilët diskutonin për problemet që shqetësonin kombin. Në 110 letërkëmbimet e saj me De Radën,problemi më madhor ishte gjuha dhe letërsia shqipe. Elena Gjika kërkoi barazinë gjinore dhe shprehej: “Pa Rilindje letrare, nuk ka Rilindje Kombëtare, duhet rritur ndërgjegjja kombëtare”.
***
* Sami Frashëri, ideologu i madh shqiptar ,autor i manifestit të Rilindjes Kombëtare shqiptare
 Vepra e Rilindasve shqiptarë ,vëllezërve Frashëri është e pandarë.  Unë po përqëndrohem tek njëri... Sami Frashëri i pajisur me kulturë të gjerë, zotërues i 8 gjuhëve është ndër themeluesit e "Komitetit Qëndror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare" dhe themelues e  kryetar i  "Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip" (1879). Drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe  "Drita", "Dituria" (Stamboll, 1884-85),hartoi librat "Abetare e gjuhës shqipe" (1886), "Shkronjtore e gjuhës shqipe" (gramatika, 1886) dhe "Shkronjë" (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Vepra më e shquar e tij është "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet",1899 që u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
***
  *Karl Gega projektuesi i hekurudhës së parë në botë 
  Për projektin e hekurudhës malore të Semmeringut u shpall një konkurs  për ndërtimin e një lokomotive më të fuqishme, e cila duhej të përballonte udhëtimin në lartësitë malore të Semeringut. Suksesi varej nga forca tërheqëse e lokomotivës. Në vitin 1860 përfundoi kjo linjë që është hekurudha e parë malore në botë, projektues dhe zbatues i së cilës ishte inxhinieri dhe matematicieni shqiptar Karl Gega. Gjatë linjës së kësaj hekurudhe u ndërtuan 16 ujësjellësa, me gjatësi të përgjithshme prej 1502 metra, dhe 15 tunele, me gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra, të projektuara nga ai. Karl Gega radhitet ndër 100 emrat më të mëdhenj” të të gjithë historisë së kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Terezës, Franz Josefit, Kafkës etj
***
*Prof.Dr.Isuf Luzi, i pari që ka kërkuar bashkimin e Shqipërisë etnike në Mukje, gusht 1943  Prof.Dr.Isuf Luzi, linguisti, profesori i filozofisë dhe i gjuhës franceze dhe spanjolle, një nga 7 filozofët më të mëdhenj të shek XX, i cili u dha diplomat disa presidentëve,si: Reganit, Fidel Kastros dhe Çe Guevarës etje, i vlerësuar nga De Gol, nga Presidenti i Argjentinës, nga Regani dhe Bill Klinton, kurse atdheu i tij, të cilit i ka kushtuar 120 vepra filozofike letrare e historiogarfike, e la në harresë. Isuf Luzaj u dënua nga Ahmet Zogu, nga Musolini, i shumëkërkuar nga Hitleri, nga Stalini dhe nga Enveri. I mohuari nga diktatura komuniste  jep obsione mbi Lirinë, duke filluar që nga mendimtarët e filozofët e antikitetit e deri në ata të kohëve moderne
Vlerësimet
-Më 1984 Presidenti Regan i jep titullin “Profesor i Amerikës” dhe Medalje Ari ,i cili  e falenderon për gjithë sa ka mësuar prej tij.Ai burrë i mençur i përgjigjet: “Zoti President, vetëm atë nuk e dimë. Më duket se kam mësuar më shumë unë nga ju Shkëlqesi, se sa ju nga unë…Nëse gaboj, Zoti më faltë!”
*Profesior i Filozofisë në Universitetin e New Hampshire.
*Në Argjentinë i jepet Medalia Ari për Paqen më 1956
*Profesor i letërsisë spanjolle e frënge dhe Estetikës në Departamentin e gjuhëve moderne në Universitetet: Bert (Barat), Leik Forest, (Lake Forest) dhe Ilions (Illinois) të Sh.B.A.
*Profesor i letërsisë franceze në Universitetin Jozef në Indiana.
*I është dhënë çmimi “Akademik i Shquar për Përgatitje të Përkryer në Harward dhe për Bibliografinë” nga Presidenti Bill Klinton.
*Profesor i Merituar me çertifikatën e përmasave botërore nga presidenti Klinton më 1996.
* Shef i Katedrës së Filozofisë i 93 prof-dok-ve në Universitetin në Iliona.
*Vetëm 12 vite pas vdekjes, nga Presidenti Bamir Topi i jepet Urdhri” Mjeshtër i Madh”-2012
***
* At Martin Gjoka, kompozitori i simfonoisë dhe operës së parës shqiptare.
Martin Gjoka është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare, e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë.  Me të fillon muzika profesioniste shqiptare.  Dy kompozimet e para të At Martin Gjokës të vitit 1910 për pianoforte “Liria” dhe “Atdhe dhe gjuhë shqiptare”.  Disa tituj të veprave vokale: “O ata t’lumtë që dhanë jetën”, “Shqyptarja e qytetnueme, “Atmes”, “T’falem Shqypni..; “Lamtumirë, o vendet e mia”; “Grueja shqyptare”, “Porsi shqipe n’hove t’veta”, “Ushtari i vogël”, “Juda Makabe” (opera, 1917), etj. Në muzikën instrumentale, simfonike e operistike: “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut”(simfoni, 1922), etje.Mjafton të kujtojmë  që kanë një emër në kompozicicion: Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daia, Tonin Harapi, Tonin Rrota, Pjetër Dungu, Abdulla Grimci, Simon Gjoni, Zef Gruda, Llukë Kaçi, Gjon Kujxhi,sepse  kanë qenë nxënës të At Martin Gjokës.
 *** 
*Josif Bageri një shekull shqiptarizëm, aktual edhe sot
  Një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Josif Bageri ishte prej Dibrës. Ai ishte poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime (sidomos për fëmijë), gazetar dhe publicist. Njihet si atdhetar i flakët, i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare. Ka bashkëpunuar me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetarë të tjerë. Në vitin 1913 në Vlorë themeloi shoqatën atdhetare kundër Dorës së Zezë (shoviniste greko-serbe), e cila kishte 13 anëtarë të këshillit nga familjet fisnike të Vlorë. Si qendër u bë shtëpia e Ibrahimn Shytit në Skelë . Josifin e zgjodhën kryetar. Ai ndihmoi shumë në përhapjen e arsimit shqip. Në formimin e tij si  Rilindas ndikoi takimi me Naim Frashërin në Stamboll më 1899.Në shtator të vitit 1908 hapi në fshatin e lindjes Nestrovë, një shkollë në gjuhën shqipe, kurse në maj të vitit 1910, në Sofje fillon të botojë gazetën me titull “Shqypeja e Shqypnisë “
.Nderimi më i madh që mund t’i bëhet Josif Bagerit aktualisht është rikthimi i identitetit të gjithë atyre që në periudhën e komunizmit harruan amanetin e bashkëkombësit të tij nga Nestrova, për ta ruajtur dhe kultivuar me xhelozi gjuhën dhe përkatësinë kombëtare shqiptare.
***
Musine Kokalari, e varrosura me pranga pas 42 vjet mohim lirie
Musineja, e arsimuara në Institutin femëror “Nëna Mbretëreshë “ dhe më pas kreu studimet universitare  në Romë, ishte vajza shqiptare përparimtare, e cila vlerësonte lirinë vetjake , pa të cilën nuk ka liri kombëtare dhe nuk mund të ketë demokraci. Femra kurajoze që me Isuf Luzin, prof. Bego Gjonzenelin, më 1943 bashkëthemeloi Partinë Social demokrate. Ajo ka botuar librat : “Seç më thotë nëna plakë” më 1939, “Rreth vatrës” (1944), “Sa u tund jeta”-1945 dhe ka lënë qindra faqe dorëshkrim.  Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua e u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, dhe vdes më 1983 nga kanceri. Në vitin 1993, Presidenti Sali Berisha i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.
***
*Dhimitër Pilika, albanologu që ende gërthet: Pellazgët, origjina jonë e mohuar…
Studimet dhe tezat që kanë parashtruar lidhur me origjinën iliro-pellazge të mohuar, tre korifejtë e Albanologjisë: Dhimitër Pilika, Gjergj Zheji  dhe Aristidh Kola, Akademia e Shqkencave në Tiranë nuk i ka marrë në konsideratë.  Albanologu Dhimitër Pilika thekson: në librin e tij studimor me titull “Pellazgët, Origjina jonë e Mohuar”, rezulton:“Shkenca historiografike botërore e pranon njëzëri që trualli ynë, ka qenë i banuar të paktën qysh prej 30 000 vjetësh (nga filimi i i paleolitit). Së këtejmi rrjedh pa një pa dy, se te ne kan gjalluar njerëz shumë mijë vjet para ilirëve , parailiret-Pellazgët. Gjurmimet më të reja të shkencës ekzakte të antropologjisë dokumentojnë qartazi gjithashtu rrembat parailire, parahelene, pellazge, të shqiptarve të sotëm. Prej një karvani kumtimesh nga më të stërlashtat, parailirët autokton, pellazgët, cilësohen shprehimisht si bijë të tokës, të mbirë prej dheut, madje si “para-hënor”, si të gdhirë në Evropë që përpara  shfaqjes së hënës në hapsirat qiellore.”Cili ka qenë vlerësimi i shtetit për Dhimitër Pilikën?”- heshtje, se qeveria shqiptare nuk mund ta fyejë “Akademinë e Nderuar të Shkencave” 
***
*Pater Anton Harapi, atdhetari i vrar nga komunizmi më 1946, që nuk i dihet varri
  At Anton Harapi ishte frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Pasi kreu kolegjin e françeskanëve në Shkodër, një nga kolegjet më të mira të Evropës, vazhdoi studimet e larta në Salzburg,  Schwaz e Villach të Tirolit në Austri. Më vonë kreu studimet teologjike në Romë.  Për bisedimet mes Berthold dhe Ismail Qemalit, për Pavarësinë shqiptare. Ministria e jashtme Austro-hungareze kërkoi Patër Anton Harapin si përkthyes. Në bashkëpunim me L. Gurakuqin dhe Gjergj Fishtën,më 1918 hartoi peticionin (një memorandum)në emër të 200 përfaqësuesve të bajrakëve të Hotit, Grudës dhe Triepsh, drejtuar Konferencës së Paqes  Paris, ministrave të Jashtëm të ShBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. U burgos në lëvizjet e qershorit të vititi 1924.  U emërua drejtor në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në vitet 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”, Me 13 shtator 1943 . me lejën e Papatit, emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, P. Antoni i shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen. Nuk i dihet as varri.
*Faik Konica, erudit, gjeniu dhe themelues i kritikës letrare shqiptare
Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Faik Konica me rastin 140 vjetorit të lindjes vlerësohet me titullin “Nder i Kombit” më 15 mars 2015
***
*Ernest Koliqi hapi katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë,mësuesi poeti, romacieri, dramaturgu që parashikoi rënien e komunizmit
Ernest Koliqi  ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog. Bashkë me Mitrush Kutelin, njihet  si themelues i tregimit modern shqiptar, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritën e dërgimit e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Liruar
Mirënjohje dhe vlerësime                                            
* Medalje ari nga Shoqria “Dante Aligheri”.
*Ylli i artë për Meritë të Shkollës.
*Akademik ordinar i Akademisë Tiberiane.
*Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për Shkencat.
*Antar i Akademisë së Abrucit për Shkencat dhe Artet.
*Antar efektiv i Akademisë së Mesdheut.
*Antar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare.
***
*Hasan Prishtina, politikani , jurisrti që luftoi për çlirimin dhe bashkimin  e trojeve shqiptare
Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. Më 14 gusht 1933 u vra në Selanik me atentat. Hasan Prishtina ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për kryengritjen antiosmane të 1912 që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike.Më 4 maj 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Niashani vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”
***
Mit’hat Frashëri ,figurë poliedrike e intelektit shqiptar, bibliofili i parë shqiptar

 Mit’hat Frashëri (Lumo Skendo apo Mali Kokojka),  ishte nëpunës i lartë në Perandorinë Osmane, e më pas publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare, kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit "Shqipëria e Lirë"."Ç’kam pasuri të tundshme e të patundshme, libra, mobilje, karta, plaçka etj. i lë për krijimin' e një "Instituti Albanologjie” si qëndër e studimevet shqipëtare”- ishte testamenti i tij, më 4 prill 1929. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e Mid'hat bej Frashërit. Sot rreth 40,000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë  dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosën që çmimi për bibliofilinë të emërtohet Bibliofili Lumo Skëndo,më 23 prill 2006. , nga Ministri i Kulturës i Rinisë dhe sporteve aktual, Bujar Leskaj në bashkëpunim me Binbliotekën Kombëtare.Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit.
***
Personalitetet e shquara të kombit i ka vlerësuar dhe i nderon bota, kurse ne i mohuam duke i hedhur në humnerat e harresës..., sepse komunizmi i varfëroi kombet  materialisht mendërisht. Ndërtimi i një sistemi politik të paprovuar më parë në Shqipëri, komunizmi i huajtur nga sllavët e Moskës dhe Beogradit, ishte vetëvrasja e kombit.
 Askush nuk e sqaron më bukur se filozofi i madh,Prof.dr. Isuf Luzaj, i cili thotë:...”dëmet që u sjell popujve komunizmi, nuk janë vetëm krimet, terrori, genocidi, verbimi nga deklaratat ateiste, tradhtia ndaj historisë së imponuar nga të huajt, por shkatërrimi që sjell komunizmi, është demoralizimi, degjenerimi, pluhurizmi dhe çoroditja në tru dhe në nerva të individit dhe gjithë shoqërisë, duke sjellë një seri brezash me vlera morale të vdekura... Komunizmi nuk është filozofi, por ideologji anti-natyrale, kundër ligjeve të natyrës, e destinuar të falimentojë sepse mbartet prej imagjinatës së sëmurë…” I.Luzaj
 Pothuajse të gjitha vlerësimet e elitave shqiptare janë bërë në këto vite tranzicioni demokratik.
Me të drejtë Mit’hat Frashëri ka thënë :“ Është punë e të gjithë njerëzve të shkencës që të bëjnë rivlerësimin e historisë së tyre, sepse vetëm kështu një popull mund të ecë përpara. Me sentimentalizma, eufori dhe rrahagjokse nuk zhvillohet një komb. Ai vetëm zhytet në ëndërr dhe humb ndjenjën për realitetin”


No comments: