Roman
Fatmir Terziu
Në vend të hyrjes
Dyert e bibliotekës u mbyllën dhe në një tavolinë të vogël, që qëndronte anash të tjerave me një tufë lulesh në cepin e saj, mbeti libri “Nudo Zyrtare” i Faruk Myrtajt. Monda Huta, e bija e deputetit të zonës zuri vendin e saj në një anë të stolit të vetmuar të parkut “Rinia” dhe iu kthye me një ton të vrazhdë katër femrave të tjera. “Unë para së gjithash e quaj këtë mbledhje E Diela e Fjalës, aq sa për ti vënë një emër. A jemi dakord me këtë pikënisje, ju lutem aprovojeni duke ngritur duart”.
Elisa Torpe la filxhanin e saj të kafesë mënjanë dhe u afrua të ulej më pranë saj. Sytë e saj bojëqielli tikluan sa gati u duk sikur u zgjua në çast nga gjumi, ndërsa trupi i saj i hollë u duk sikur u ngjesh njësh me trupin e Suzi Çepës, të bijës së Prokurorit, që ndodhej bri Fridës dhe Mendës. “Berta dhe unë ndoqëm mbrëmë të gjitha lëvizjet e Shefit të Policisë, Subit. Ne e ndoqëm atë deri në brendësi të asaj godinës gjatë gjithë kohës”.
“Çfarë patë juve atje?”,- pyeti Menda Bogja, duke injoruar habitjet e të tjerave, që mbetën me gojë hapur. Sytë e saj të ullinjtë diktuan një admirim për habinë e tyre të shfaqur.
“Titi e organizoi këtë mision, së bashku me atë gruan që quhet Rita Alko, që të na shpjerë ne tek dhoma sekrete prapa rrapave buzë Shkumbinit, ku duket se vetëm ajo pikë karburanti punon në funksionin e saj. Në derën e pasme kishte disa vrima të vogla që kishin mbetur nga tejtharja e dërrasës me nyje e gunga pishe dhe ne me pak vështirësi kishim mundësi të shikonim mjaft gjëra që na vinin në kuadratin e hapësirës së lejuar nga këto vrima. Gati, çdo gjë!”
Rita aprovoi me një tundje të lehtë të kokës. “Subi u ul në banak, një penë në njërën dorë dhe me tjetrën u mbështet mbi një kolltuk që ndodhej në krahun e majtë të tij dhe mbeti për një çast me shikimin e menduar në drejtim të faqes së Malit që binte skarpatë mbi lum. Një femër, e veshur mirë, sorrollatej nëpër dhomë, pastaj u ul në kolltuk sa gati u duk se u fundos në të. Por, sa ajo u ul ai e urdhëroi atë që ti sillte një wiski, ndërsa ajo menjëherë u ngrit e u bë gati petë kur ai i foli asaj. Harbuti në çast buzëqeshi! Atij i pëlqeu frika e saj”.
Monda duke u ndjerë e vendosur foli, teksa flokët e saj të kuqërremtë zunë edhe atë pak hapësirë të pambushur rreth hundës dhe ballit. “Mjaft burra vizitojnë këtë vend dhe çudi askush nuk ndihet, askush nuk e thotë një fjalë. Thua se kjo është një punë e parënë në sy, shoqëria bën një sy qorr e një vesh shurdh aq sa ata janë bërë mospërfillës të gjërave kaq shqetësues. Si na ndihmon kjo ne, Rita?”
“Trego më mirë se çfarë tha ai pastaj, Monda”, - shtoi Rita.
Ai tha: “Unë e zotëroj këtë vend, dhe kjo nënkupton se unë ju zotëroj edhe juve. Ti do të më ndihmosh mua që të realizoj misionin tim.” Ajo priti që fjalët e saj të rregjistroheshin në mendjet e të tjerave.
Sidra Satku, një grua elegante, të cilës i kishte vdekur i shoqi, në të tridhjetat e saj, ishte e para që ndërhyri. “Oh Zot i Madh! Ju mendoni se Shefi i Policisë, Subi, është përfshirë në trafik? Çfarë poshtërsie!”
Rita drejtoi rrudhat e fustanit të saj në ngjyrë levando. “Më keq se trafik,” Sidra. Subi si një plesht në dërrasë pishe, e ka në mend vetëm gjakun që duhet tu thithë të tjerëve. Rita ka thënë se ai ka bërë diçka që nuk mund të injorohet, dhe këtë e bën sepse është e vendosur që të na ndihmojë ne. Unë iu përgjërova që të më tregonte, por ajo nuk më shpjegoi se çfarë ka bërë ai. Unë mendoj që ne mund ta supozojmë të njëjtën gjë me atë çfarë kanë bërë me ty të tjerët, Suzi.”
Monda mori frymë thellë. “Duhet që kjo të pëshpëritet përreth? Subi, do të ndërmarë masa që të mënjanojë bëmat e tij të këqija, dhe çdo gjë do të na shkojë dëm. Fare kot do të mundohemi të ndriçojmë ndonjë detaj, ndonjë gjë. Ne duhet të jemi të sigurta në fjalët që nxjerrim. Nuk duhet të flasim para kohe. Se pastaj ky rreth me femra në mes është…”.
Suzi Cepa, shfryu dhe kthue bishtalecin e flokëve ngjyrëgështenjë gati mbi majën e hundës së saj të vogël. Sytë e saj violetë u thelluan, kur ajo ndërpreu fjalën e Mondës. “Unë urrej atë që ka bërë ai me mua, urrej aq sa nuk mund ta them, por…”.
Monda iu afrua shumë me afër dhe me dhimbje ndër sy. “Nëse këtu është e mundur për ndonjërën nga të kërkojë drejtësi nëpërmjet gjyqit, ne me siguri duhet të diskutojmë Nudon Zyrtare këtë pasdite. Por ju e dini se çfarë mund të bëjë shoqëria me njohurinë që ka kur ju do të sulmoheni nga njërëz që ju mendoni se do ti sulmoni? Ata janë çdo gjë, ata janë zyra, ata janë ligji. Ju do të mbeteni vetëm viktima sociale, apo edhe ata që do ti vuani në forma të ndryshme. Pa punë. Pa familje. Me tytën e pistoletës tek koka. Sa vetë janë zhdukur gjatë kësaj kohe?! A nuk bëhen javë për javë emisione për të zhdukur? A thua se është kohë e mesjetës dhe nuk i gjendkan njerëzit? Një mace dhe një qen gjendet më shpejt, se sa një njeri.”
Subi është burri i tretë, nga ata të katër që ju kanë sulmuar juve në vjeshtën e kaluar të trazirave,”- i kujtoi asaj Menda. “Ju nuk gjetët vështirësi të denonconit dy të parët”.
“Por, ju duhet të vendosni Suzi,” – ndërhyri Elisa Torpe. “Mblidh veten, shtrëngo grushtat deri në dhimbje dhe plotëso dëshirën e syve të përlotur”.
“Po, do të përdor informacionin”, - foli Suzi me një vendosmëri dhe me një të cifluar nga emocionet. “Kur do të jetë në detyrë Subi, sigurisht që ai do të jetë në ndonjë mbledhje me shefat e tij së shpejti…”.
“Dhe ju do të jeni në gjendje të merni frymë lirisht përsëri.” Monda qeshi.
Por qeshja e saj u kthye në lotë në sytë e Suzit. Lotë që nën atë shkëlqim dielli u duk se diçka e kishte përfshirë në flakë fytyrën e saj, dhe aty nga gryka e hundës dukej sikur dilte një afsh i nxehtë vullkanor. Në këtë pamje të saj ata diç kuptuan dhe nisën të kërkonin më shumë prej saj.
“Është ai, është ai që dergjet përjetë aty në atë ngrehinë të zezë…Është ai…”,-foli ajo me lotë ndër e që i bini pikë-pikë mbi faqe e pastaj në fustanin e saj.
Ata shihnin njëra-tjetrën në sy. Pastaj Menda pyeti. “Kush është ai, kush?”
“Është im vëlla, është ai që e pësoi për të më shpëtuar mua. Ata e kapën dhe e kërcënuan. O në dhe, o…Por s’kishte derman. E mbyllën që të mos fliste. E mbyllën që të mos tregonte. Se këta janë po ata. Se këta janë ata që veç kostumin e kanë ndërruar dhe tani popullit ia kanë zënë sytë këto para që marin, duke futur dy e marë pesë.”
Menda nguli vështrimin e saj mbi filxhanin e saj të kafesë dhe me një frymë disi shfryrëse, inatçore dhe dramatike mënjanoi këtë shtrëngesë që iu krijua në gjoks nga fjalët prekëse të Suzit. Pastaj la filxhanin dhe foli. “Kur po lexoja gazetën në mëngjez, pashë edhe një njoftim që raportonte për një femër tjetër të humbur.”
“Çfarë moshe thuhej afërsisht”, - pyeti Frida.
“Unë nuk vura re moshën, por mu duk se ishte nga konviktet e Universitetit dhe punonte ne nje lokal pasditeve. Dhe kjo është femra e tretë që ka humbur në një muaj”,- sqaroi Menda.
“Ah, ishallah ajo ka ikur vetë...?”- mërmëriti Elisa.
“Çoroditje”,- ndërhyri Monda dhe shtoi një pyetje: “Kush e raportoi zhdukjen e saj? Pronari i punës së saj?”
“Po. Në gazetë thuhej se ishte një jetime. Tamam siç thuhet për mjaft të tilla…”- shtoi Monda. “Por tani na duhet të mendohemi dhe të vendosim.”
“Padiskutim! Vota është unanime”,- folën njëzëri, aq sa u duk se në atë cep parku, të gjithë të ulurit në stolat e kafenesë bri tyre i kthyen kokat pas zërit që u ngrit në çast.
“Ah kjo grykësi, është pamje sa personale aq edhe zyrtare, apo jo?” – bëri sikur pyeti Monda, që në fakt miratoi po vetë një përgjigje me të tundur kokën. Subi ka për ta paguar atë që ka bërë me Suzin tonë të shtrenjtë”.
KAPITULLI I PARË
“Ju pyetët se cila nga femrat e pranishme sonte ka një reputacion inteligjence, aftësi dhe besnikëri,”- tha Berti Dika, pedagogu i Universitetit, duke bërë me shenjë nga një femër bukuroshe që ndodhej në atë mbrëmje rinore. “Monda Huta e plotëson këtë përgjigje pa letër, deri në detaj”.
“Më lër pak”, - i tha Tritan Beku, vajzës flokëzezë që kaloi aty afër dhe e pickoi disi me qëllim në shpatullën e djathtë të tij”.
“Jo shumë është thënë e dëgjuar për të në Cërrik, nga është ajo, derisa erdhi këtu për studime. Për çdo gjë është përgjigjur i ati, madje edhe në kohën e rregjistrimeve në fakultet ai kreu gjithë procedurat”, - shtoi Berti.
“I pasur?!”- pyeti Tritani.
Berti e miratoi në heshtje duke tundur kokën dhe duke shtuar shenjën e dy gishtave që zakonisht shkon për paranë dhe vazhdoi, “ishte njeri i kamur me vakt, njeri që i dëgjohej fjala me kohë. Por ai është i ardhur në atë qytezë. Dikur ka qenë në Jug të vendit. Aty nuk zuri vend rehat. E spiunuan për gjëra kot dhe ia qepën pastaj mjaft broçkulla të asaj kohe, duke i qepur edhe kopilin me një grua që s’dihet ku gjendet sot. Edhe pse ai nuk pranoi, askush nuk e dëgjonte atë. Ai u dënua të punonte në kazëm. Dhe kështu si familje ata mbetën kokëulur ca kohë. Tani e ka rimarë veten. Thonë se ka patur florinj. Babain e tij ia kanë pushkatuar dhe ai është rritur jetim tek xhaxhai i tij. Thonë se…”
“E ç’më duhet se ç’thonë të tjerët. Të tjerët janë si tjerët…”, - ia preu Tritani, “mua më duhet ajo, ajo thuaj”.
“Interesant!”,- shtoi Tritani.
“E çuditshme, thuaj. Gjithë pasurinë e tyre pastaj e kundrisi xhaxhai i tij dhe më vonë ai mori frenat me marifet, sa kreu shkollën në Rusi në kohën e tij”, - ndërhyri Berti.
“Sa kohë e ndyrë, po kushedi sa kohë kanë qenë gjysëm ilegalë në këtë botë?”- ndërhyri Tritani.
“Epo kjo është arsyeja që nuk dihet shumë për Mondën dhe për ta…”
“Ajo ka qenë gati e izoluar nga shoqëria, thuaj, me sa kuptoj unë”.
“E izoluar, sa të mos njihesh fare…”, - vazhdoi Berti. “Ajo gati u vetëizolua pastaj në libra, art dhe politikë, duke kërkuar që jeta të bënte të sajën mbi fatin e saj.” – plotësoi sërrish Berti, ndërsa Tritani dukej sikur ndodhej në një botë tjetër, ku vetëm trupin kishte aty në atë sallë vallzimesh dhe sytë që i kishin mbetur andej nga dukej ajo.
Pastaj u duk sikur u vetëshkund nga ajo përhumbje. Tritani buzëqeshi lehtë si i zënë në faj dhe u qetësua. “Një femër me botën e saj, është vështirë të kaplojë ëndërrën e botës së tjetrit”, - mendoi pastaj me vete dhe sërrish buzëqeshi duke tokur gotën me Bertin.
“Unë ju admiroj qetësinë tuaj, Bert dhe sinqerisht ju falënderoj për këtë informacion të ëmbël. Ju më dhatë diçka që më bën të tjetërsohem. Më bëtë të fundosem në mendime”, - foli Tritani.
Berti shikonte herë Tritanin e herë objektet që rrethonin muret e sallës, duke tundur kokën në vend të fjalëve miratuese dhe falënderuese reciproke për mikun e tij. Ndërkohë ai po shihte se si krahët e saj të zbuluara gati krijonin një delikatesë në atë qoshe ku ndodhej ajo. Nuk e kuptonte as ai pse tashmë ajo ishte bërë një ndjenjë e çuditshme interesash mes dy meshkujve që kishin folur gjatë për të, jashtë njohurisë së saj. Dhe prapë si padashje rinisi bisedën për të atin e saj. “Do të ketë qenë e vështirë jeta e tij, tamam një jetë jetimi. Kushedi se ç’kanë bërë vitet?”- përfundoi ai.
“Aq më bën të di për të, mua më intereson ajo”, - shtoi Tritani.
“Në bazë të dhënave të mia di vetëm kaq më shumë. Ajo ka qenë dhe është shumë tërheqëse. Aspak nuk i ka prishur punë fati i të atit, që mesa duket nuk ka pranuar të rrëfejë vështirësitë e jetës së tij, por vetëm ka pranuar të edukojë një familje të mirë e të shëndoshë.”
Vazhdon … FJALA E LIRE
Del së shpejti në botim nga “Silver”.
No comments:
Post a Comment