Sunday, 5 October 2008

Korelacioni objektiv i poezisë



Fatmir Terziu

Aty nga fillimi i vitit 2001 pata rastin të jetoj jo shumë larg banesës ku kishte jetuar poeti dhe njeriu i letrave britanike, Ted Hughes. Në Mexborugh të Jorkshires, madje arita të ulem edhe në bangën e shkollës ku më 1943 kishte ndjekur “Mexborough Grammar School”, pasi im bir kishte shancin të studionte aty. Dhe aty pashë, lexova dhe shënova një nga thëniet e tij që është marë si një postulat orientues për ndërtimin dhe regullimin e formës poetike. Ai thotë: “imagjinoni përse dhe për çfarë jeni duke shkruar. Shikojeni atë dhe përjetojeni atë”.
Kështu sipas tij “këtu është më shumë praktike se sa logjike në të shkruarin e poezisë”. Mbështetur në këtë ide dhe ngjashëm gjej se “gjetja e vetvetes në pritje për të përshkruar mimikën apo shprehinë që dikush e kryen, për ta kthyer në poezi të bën sikur ai është brenda një treni dhe nga dritarja të valëvit dorën për të të thënë lamtumirë.”- thotë poetja dhe novelistja e lindur në Londër, Lavinia Greenlaw. Më tej ajo këshillon, duke u mbështetur pikërisht në thënien dhe udhëzimet e cilësuara monumentale të Hughes: “mos u fokusoni tek fjalët që ju ndoshta përdorni për të përshkruar këtë mimikëri ose shprehi. Filloni duke imagjinuar këto gjeste, shikojini ato dhe përjetojini ato, se dora që u valëvit dhe treni kanë ikur, fluturuar larg mendimeve tuaja”. E thënë më saktë kjo duhet kuptuar, se sa më saktë ndërmeret çdo nuhatje gjesti, më shumë preçise do të jenë edhe fjalën që do të mbijnë në mendje për të përshkruar atë gjest, pra kështu poezia do të vijë në jetë e kuptueshme dhe e stolisur. A nuk na duken ende të paaritshme disa poezi të krijuara herët?
Sepse, siç e dimë, që nga fillimet e saj deri vonë letërsia është quajtur vetëm poezi. Kuptimi i saj përcaktohej nga forma e vargut (njësia poetike) ose metri, siç e quanin grekët e vjetër. Kështu kjo lloj poezie e ngjyer në damarët e rrjedhshëm të fjalës poetike dallohet dukshëm nga poezia e stisur, madje dhe nga proza se ajo ndryshon vetëm nga shkrimi i saj në një pjesë të faqes, zakonisht në mes, dhe përbërjes së saj nga vargje ose njësi poetike, që vijnë njëri nën tjetrin, duke patur pamjen e një kolone me vargje. Kështu mbetet në dyshim fati i poezisë së vërtetë, madje shumëkush që di këtë regullsi dalluese të lartcituar, shkruan dhe mendon se është poet, mendon se iu thanë dy fjalë të mira, sa për ‘kulturë’ dhe për të mos e ‘ofenduar’ publikisht, [se në postën private e ka marë mesazhin]. Poezia është një organizim i veçantë gjuhësor, ku futen në marrëdhënie shumë të ndërlikuara fjalët, tingujt, nganjëherë edhe forma e të shkruarit, pamja grafike etj, ku secili mbart një kuptim të caktuar. Pamundësia e ndarjes së këtyre elementëve, qofshin edhe më të voglat, është një veçori që e dallon poezinë nga vargëzimi i stisur, madje edhe nga proza, ku kuptimet formohen përmes rëfimit, dialogut e përshkrimit.
Kështu poezia ekziston gjithmonë, por ajo duhet që të krijohet me fjalë. Atëherë kjo nënkupton më mirë që të punosh diçka se sa ta krijosh atë. Më saktë të punosh elementët gjuhësorë në poezi. Përdorimi i elementëve gjuhësorë në poezi përcaktohet jo vetëm nga funksioni kuptimor, por edhe nga a ii ritmit të vargut, ku, përveç theksave, marrin pjesë edhe njësi më të mëdha siç janë njësitë sintaksore, të cilat, duke u përsëritur, krijojnë ritmin e poezisë.
Sipas Wendy Cope “Në këtë stad poezia është një material i balancës dhe koncentrimit, i aktives dhe passives”. Duke e lexuar këtë thënie ne kuptojmë se poezia kur skicohet, pra kur ajo ka zbritur në letër me dorën tonë, shkrimi ia saj duhet të shkojë në mendjen tonë, sidomos atëherë kur ajo duket tjetër gjë. Pra fillon testimi i fjalëve dhe i vargjeve. Dhe pastaj dalin fjalët e vërteta që janë strukur diku në kokë.
Në poezinë e sotme të botuar në libra me kapakë të hollë e madje edhe nga ato me kapakë të trashë, shpeshherë ka poezi në të cilat udhëtimi imagjinar paraqitet si i lënë në mes ose i këputur fare shkurt.kjo është një lloj emergjence që shpesh kuptohet se poeti ende nuk e ka idenë e saktë që çfarë ëhtë poezia dhe ku duhet të fillojë e mbarojë ajo. “Dikush ndoshta e sheh poezinë si një detyrë e pasdites,” – thotë Cope, por ajo duhet kuptuar si një punë e detyruar mendore që zgjat ditë, javë, muaj e vite disaherë. Poezia nuk duhet të jetë një shtatanike e nxituar nga çdo lloj arsye, qoftë edhe nga ato që sot në letërsinë shqipe mund të shihen si një paradë librash poetikë, të rrjeshtuar vit për vit, apo edhe dyherë në vit. Kjo lloj parade mund të quhet pa diskutim një lloj risku vargor që sakaton me plot gojën poezinë shqipe. Pastaj të mendosh për formën e kësaj poezie?! Forma e poezisë është më shumë dinamike se sa ajo e një rebusi. Këtu pak poetë e dinë dhe kuptojnë këtë. “Në botë, janë me gishta”,- thotë Sean O’Brian, një fitues i katërfishtë i çmimit “Forëard Poetry Prize”. Në letërsinë shqipe, mjaft poetë kanë dominuar hershëm dhe në një farë mënyre kanë shmangur këtë rebus-poezi, që sot shpeshherë stërmundohet në formën e saj moderne ku fjalët ‘pranverojnë surpriza’. “Ajo që kuptohet është se ekspresionet abstrakte nuk mund të konceptohen nga mjaft lexues, duhet të përdoren senset përsonale për të realizuar vëmendjen e tyre”- shton O’Brian. Ja se si duhet kuptuar kjo në një poezi të Fatos Arapit, që mjeshtërisht e përcakton me intuitën e sensit të tij dhe e bënë të thekshme për lexuesin. Poezia “COPRIFUOCO” edhe pse që në titull nëpërmjet një fjale që kërkon gërmime për ta njohur në brendësi të saj ‘shkul’ ekspresionet abstrakte dhe flet qartë:

“Hapat e patrullës godasin në trupin e metaltë të natës.
Gjer në tokë kërrusen e rrasen shtëpitë përdhese.
Mendmet lëvrijnë në kokat e njerëzve
dhe thërrrmohet pastai pëshpërima nga buzët e varura
rreth vatrës.
Kjo ore vjen e ngarkuar rne zjarre dhe hekur.
Si një xhandar i egër qëndron para dyerve të shtëpisë.

Pyet veten: "Përse të hapura"
dhe si përgjigje tund kokën, helmetën.
dhe si kërcënirn i metaltë patrullon errësirën.
dyert rnbeten të hapura:
mund të hyjë ndër to liria ilegale e Shqipërisë.”

Poeti shqiptar përdor ndjekjen e pamores (vizives), imazheve që përfitohen nga shqisa të ndryshme në poezinë e tij. Ai përdor një objekt, një pamje për të përshkruar gjendjen e brendshme. Përshembull ai shikon kokën, helmetën “dhe si kërcënim i metaltë patrullon errësirën”. Kjo është një mjeshtëri që në gjuhën e T.S. Elliot është quajtur “korelacioni objektiv”. Në një përafrim me shqipen kjo do të thotë se çfarëdolloj efektesh që krijon poeti, ndoshta nuk janë të pritshme, por janë në të njëjtën kohë prezente, ato pra duhet të bëhen me qëllim, që të shijohen nga lexuesi. Kjo ndoshta ka një lidhje me llojin më tradicional të poezisë, por kur mendon korelacionin poetik si një qëllim ku poezia krijon art, çdo poezi e tillë prek në gjëra të tilla fondamentale dhe qëndron e kuptueshme në krijesën e saj.
Në një plan tjetër është edhe një këndvështrim i ngjashëm poetik që vjen nga poetë të tillë si Kadare, Lleshanaku, Zekthi, Demirxhi, Ahmetaj, Zeqo, Agolli, Açka, Londo, Shamata, Zhusti që në mjaft poezi të tyre shikohen kundërshtitë e materies dhe ndjenjës. Përshembull, tek Moikom Zeqo, gjej vëllimin me poezi "Meduza" që ka përmbledhje me poezi të shkruara nga autori rreth viteve 1970 - 1975. Tre poezitë e mëposhtme flasin qartë për këtë:

Faqja e Parë

"Poezia"
"Pranvere"
"Nje pyetje Shekspirit"
"Dielli"
"Beso"


Faqja e Dyte
"Kater Vargje"
"Jo, Narcizi nuk qe"
"Ylberi"
"Kanun i shekujve"


Faqja e Trete
"Velat"
"Syri"
"Imazhi i lashte i balades"
"Ankth"
"Feminia".

Le të shohim më poshtë pjesërisht një nga poezitë e Lleshanakut: “NJË PALË SANDALE NËN PEMË”:

“Kaq ishte e gjitha.
Trupi, fryma dhe pema
Tashmë janë në sintoni të plotë.
Pema ? Cila pemë ?!! Nuk ka asnjë pemë përtej dritares
që të mund të lakmojë
paqen e trupave, si të nxjerrë nga deti
cep më cep.

Duhet pak guxim
për të hapur sytë e për t`u ndeshur
me atë gjë të frikshme, që na pret më pas
si të shohësh hënën, hënën në kupë të qiellit, në pikë të ditës
-tamam atë gjë që do të ishte kaq mahnitëse në kohën e vet.

Barku im kontrakton rrallë
si kokë kobre
me gjahun në grykë.
I yti, merr e jep, pa pauza, pa nënkuptime,
përmbyllës, si nje manifest.”

Në trefjaëshin “Trupi, fryma dhe pema” ne gjejmë imagjinatën e fenomenit të kolaracionit poetik. Pa e konsideruar vetëm poezinë si një progres fjalësh në mbushje të faqeve, ne diktojmë pushim, momente aktiviteti, shpërfillje, lëvizje të pabërë, një qetësi të shthurur, një rrethpërmbushje. Edhe pse këto nuk thuhen, këto imagjinohen dhe fiksohen në mendjen e lexuesit. Në këtë poezi këto efekte janë në një diferencë marëveshjesh midis metrit (njësisë poetike) dhe ritmit (si një çështje e poezisë). Një tjetër pikasje është kontributi i zërit, përsëritja e bashkëtingëlloreve dhe zanoreve, pesha e tyre e ndriçimit dhe gjatësia e tyre e mesazhdhënies. Dhe pastaj vjen fjalia në tërë lidhjen me koleracionin poetik.

No comments: