Fatmir Terziu
Librin që kisha në duar e lashë mbi raft. I kisha lexuar 10 a 15 faqe të tij. E ndërsa lexoja sytë më kishin mbetur nga ora. Mezi prisja atë takim. Ishte një takim që kishte kohë që projektohej. Djem dhe vajza të panjohura do të bënin shoqëri mes tyre vetëm për disa orë. Lidhja ishte nga Faceboock. Ishte një lidhje që nisi krejt papritur. Krejt papandehur. Dhe kur ora bashkoi akrepat në një pikë unë kisha vetëm këpucët për të lidhur. Ime shoqe ishte në punë dhe unë seç ndjeva në çast. Në vend të puthjes së saj të zakonshme ndërsa hapja derën, një puhizë e lehtë më flashtoi fytyrën time të butë e të saporruar. Fytyrëbutë! Sa do ti pëlqente kjo butësi sime shoqeje, - thashë me vete, dhe bëra hapin e parë nga dera kryesore. Pas një orë udhëtimi isha thuajse në vendin e takimit… Pashë orën. Ishte në kohën e duhur. Kisha mbëritur tamam në kohë. Prita dhe pak dhe prapë instikti me orën. Sytë dhe ora ishin më të dashuruarit e atij çasti. Ai çast i shumëpritur, ah ai çast. Ç’po ndodhte?
***
“Është një emocion që e kanë provuar të gjithë: presioni i gjakut rritet, rahjet e zemrës shpejtohen, dhe adrenalina lëshohet në trup. Xhelozia, është emocioni njerëzor më i fuqishëm dhe më i dhimbshëm. Është edhe emocioni që është më i vështirë për tu kontrolluar. Më tej, është verifikuar që femrat e kanë më të vështirë për të kontrolluar ‘kafshën me sy jeshile’”,- kujtoja fjalët që kisha lexuar në atë libër. Aty fliste një personazh i çuditshëm, Sibri.
Sibri fliste e shpjegonte në të tijën. ‘Therapy Louge’, ka vështruar një rritje të pesëfishtë në vitin e fundit për numrin e femrave që kërkojnë ndihmë me gjëndje të lidhura me xhelozinë dhe urrejtjen. ‘Ato janë të frikësuara se partnerët e tyre do ti lënë’,-shpjegonte ai në atë libër. ‘Teknologjija po shkakton shumë probleme, sidomos faqet ‘çatrooms’ në internet, kanë bërë mjaft prapësi në këtë drejtim, - ishte fjala e autorit të librit në gojën e tij. Unë isha mbështetur në njërën dorë dhe tjetrën gati-gati e kisha zhytur thellë e thellë mes flokëve të mija të dendura e me të më dukej sikur po mbaja krejt peshën e kokës.
Më tej vazhdimi i leximit të mendimeve të Sibrit më bëri të pozicionohesha duarkryq. “Xheni, hyri me pasuordin e të dashurit të saj në Facebook, kur ajo nuk mund të mbante më xhelozinë. ‘Ai shkoi me disa shokë diku për një fundjavë, dhe kur u kthyen, njëri prej shokëve të tij tha se kur ata ishin larg, ato takuan një grup vajzash.’ ajo më shpjegoi mua, thoshte Sibri dhe më pas sillte fjalën e saj që është rregjistruar e tëra në veshët e mi. ‘Ai dukesh sikur po mbante diçka sekret, ndoshta sepse e dinte çfarë do të thoja po të më tregonte. Isha shumë e inatosur, dhe kur ai ishte duke gatuar, unë kontrollova kompjuterin e tij dhe gjeta thirrje nga këto vajza për ‘miqësi’ në Facebook në email-in e tij. Unë i fshiva email-at dhe nuk i lashë për thirjen të përgjigjet. Mendoj se ai kujton se ato u zhdukën, sepse kompjuteri kishte ndonjë problem. Ai nuk më pyeti mua se çfarë ndodhi me to, kurë.’
***
Isha përhumbur nga tregimi i Sibrit për Xhenin. Kisha takuar femra që shpesh kontrollojnë detajet e bankave të partnerëve të tyre për të parë nëse ata kanë blerë lule ose kanë ndenjur në ndonjë hotel, por këtë kurrë se kisha menduar. Por e shumta e këtyre femrave kanë probleme me vetëvlerësimin,- kisha lexuar diku. Me Rudin tim, s’besoj të ketë qenë ndonjë arsye. S’besoj ajo të ketë patur ndonjë hije xhelozie. Dhe ndërsa mendoja në këtë mënyrë, sillja nëpër mend ditët kur u njoha me të.
Rudi më tha ‘po’ para kinoklubit “Metalurgu”. Ishte e djelë pasdite dhe rrugën nga Parku “Rinia” deri tek Qëndra Biblike e bëmë gati me gishtat që vlonin nga shtrëngimet. Faqet na ishin bërë prush të dyve. Aq sa kur i dhashë të puthurën e parë mu duk sikur më përpiu flaka të tërin. Që nga ajo kohë ajo ishte përhumbur mbas syve të mi të jeshiltë, ndërsa unë nuk rrija dot edhe një sekondë pa të. Puna dhe orët e saj më dukeshin muaj ndonjëherë, aq sa edhe isha bërë bezdi kur e vizitoja në orar të punës. Të tjerët më quanin xheloz. Edhe Rudi madje kishte filluar të mendonte kështu më vonë. E ndërsa kaluan disa vite, e kundërta po ndodhte. Rudi diçka shfaqte. Shpeshherë bëhej e bezdishme në pyetjet e saj. Por unë kur nuk mendoja se ajo tashmë kishte ndonjë xhelozi në mendjen e saj. Qëkur ndodhi që unë të punoja në Universitet, teksa dëgjonte lajme të ndryshme në media, kjo gjë u bë më e ndjeshme tek ajo. Rrinte dhe shpikte ndonjë arsye. Edhe kur unë duhej të isha pasditeve në ndonjë konferencë, apo referencë ajo do të lutej që të mos merja pjesë, duke më detyruar të bëhesha edhe gënjeshtar.
Atë ditë ndodhi ndryshe. Kisha për të ndjekur një sesion shkencor, por me thënë të drejtën edhe doja të shkoja, edhe s’doja. Doja se ishte një sesion shkencor me vlerë për letërsinë, por s’doja se përkiste pikërisht me ditëlindjen e Rudit.
“Ik”,- më tha, “ik i dashur”.
“Po, ti ke ditëlindjen, dhe ne kemi vendosur të …”
Ajo zgjati duart drejt meje, më mori ndër duar dhe më ngjeshi aq shumë në gjoksin e saj, sa gati donte të më përpinte të tërin. Pastaj ndjeva buzët e saj të buta e të nxehta që më lanë ashtu për minuta të tëra nën pushtetin e saj.
Ashtu u bë. Lashë shtëpinë menjëherë dhe u gjenda në universitet. Ndoqa sesionin shkencor, mbajta shënime dhe u ktheva në shtëpi. Kur u ktheva time shoqe e gjeta pranë tryezës. Çdo gjë ishte gati për festë. Festuam gjatë. Aty nga ora dymbëdhjetë e natës i thashë të kontrolloja emailin, por ajo nuk më la. Dhe kështu unë nuk arrita ta kontrolloj atë.
Ditës tjetër sytë e mi shihnin kuqëremtë. Pija kishte kryer misionin e saj. Ndjehesha i lodhur. I dërmuar. Ecja për tek takimi me kokën turbull. Ajo që ndodhi më bëri të kuptoja se ç’është xhelozia. Kuptova që ime shoqe kishte arsye që s’më la të mos e shihja emailin. Ndoshta kishte të drejtë. Unë i kisha fshehur asaj këtë takim pa lidhje.
***
Kur u ktheva ajo sapo kishte lënë vaskën. Ende me flokët e lagura ishte në cepin e paradhomës dhe shihte nga pasqyra. Unë me majat e gishtave hyra në paradhomë dhe sa bëra më tutje drejt saj, ajo u kthye menjëherë dhe ashtu fytyrëqeshur më pa drejt e në sy.
“Sytë ende të janë skuqur, duhet të pushosh”,- më tha.
Ndërsa unë bëra një sy andej nga kompjuteri dhe pastaj nga libri, para se t’ia ngulja sytë asaj. Se ç’ndjeva në çast. Aspak nuk mendoja për atë takim. Ishte thjesht një ëndërr, që s’duhej kujtuar.
No comments:
Post a Comment