Friday, 10 October 2008

Hidhe vallen me brezat ..Nënëzo....!

Raimonda Moisiu



Sa të shëndrisin sytë ,

Nënokja ime !

Si e kërcen këtë valle ,

shtruar -shtruar .

Si një lundërtare zemërbutë,

Që mbledh rrjetat,

Ti thërret me duar nipin, stërnipin,djalin, mua !

Sa të don stërnipi, moj zemëra ime ,

Që më mungon kaq shumë tej oqeanit!

Ja një sekret , moj nënë:

Unë e vë harakatin tonë të bukur,

cdo mbrëmje,

Të flerë me fotografinë tënde!

Nipin tim,stërnipin tënd !

Është më i bukuri I botës,

Dhe kur ma puthin zonjushat,

U thotë në gjuhën tënde,

Se është shqiptar i kulluar.

Më beso, për kokën tënde!

Kur mua më merr malli shumë për atdheun,

Vështroj me ngulm fotografinë tënde të nusërisë,

Ajo!

Rri vetëm te koka e stërnipit tënd!

Je kaq e bukur, shumë e bukur, pafundësisht e bukur,

Nuk i kishe këto rrudha që ke tani,

Po….e di që më pëlqejnë shumë këto rrudhat e tua?

E di pse?

Ja....

Ti ...

Sapo qesh!

Rrudhat mërgojnë …ikin laaaaaarg ...

Aq larg...

Sa ti bëhesh e bukur,

Si ai jargavani i shtëpisë sonë

Ai moj ,

Që celë i pari,ngjyrë të bardhë apo lila,

Kur lulet e tjera ndruajnë ,të celin!

Nënë !

Të lutem vështro një cast nga qielli,

Mendo cfar të duash,

Por asgjë që ka lidhje me dhomën,

Mendo gjithcka tjetër ,

Që lidhet me qiell, me det, me ajër, me eternitet!

Sepse

Unë dua të kundroj strehën e qerpikëve të tu,

Atje ,ku ndrijnë sytë tënd ,

Më të bukurit ,më të kaltërit

Si deti e si qielli!

Kur isha ende vajzë....poshtë atyre qerpikëve,

Unë shihja se si bëje dashuri me babanë!

Hidh valle nënëzo,

Shpejto - shpejto,

Hidhe si një lundërtare,

Që po niset plot hare nëpër parajsën e detit .

Hidhe vallen nënoke,

Nuk i shikon sytë e tërë botës që ,

po gëzon si e cmëndur?

Po yjet lart?

Po po ndrijnë si në asnjë natë ,moj nënë,

Po ndrijnë sikur të ishin,

Sy të burrave të rënë në dashuri me ty,

Kurse ti....

U hedh nga një vështrim të dhëmbshur,

Dhe ikën te krevati I babait....

Hidh vallen nënoke!

Dhe mos më pyet përse ,

Kur të gjithë këndojnë e hidhen,

Mua më janë mbushur sytë me lotë.

Po unë jam e lumtur, moj nënëzo,

Po lotët më rrjedhin e nuk i ndal dot,

Po kur të më ikësh ti...??!

Kush do të më qortojë në telefon?

Kush do të qajë për mua në telefon ?

Kush...Kush...do i këndojë ninullën nipit?

Brënda një nate!

Kur të më ikësh ti...

Kush do të më përkëdhelë flokët ?

Kush do të më qortojë të mos rri ,

gjysëm e cveshur nëpër dhomë?

Se mos vijë dikush?

Ti kështu bën gjithmonë,

Megjithëse u bëra gjyshe dhe unë, nënokja ime e bukur !

Po sot , përse nuk më qorton për asgjë?

Qortomë!

….Mua më ngjan vetja vajzë shtëpie kur më qorton…,

Nënokja ime

Kur të më ikësh ti

Mua do të më ikë edhe vëndi ku më linde,

Vëndlindja ime ,

Ai vënd i bukur me emrin tënd

Mëmëdhe!!







Hartford CT USA.

Tetor 2008

No comments: