Friday 29 August 2008

Kur shkruan prozë jeta e shkrimtarit



Mbi romanin e ri të shkrimtarit Agim Shehu “Udha për te Vdekja”



Fatmir Terziu


Një nga emrat më të shquar në fushën e medias dhe analizës së saj, Marshall McLuhan shkruan se “fjala e folur është Lulja e Djallit”, ndërsa shton se “fjala e shkruar është një sy për një veshë”. Supozo këto dy thënie në kohë, vend dhe hapësirë tjetër. Imagjino fjalën e folur në ‘kohë satanike’ dhe përkufizo fjalën e shkruar në kohë tejet të lodhur. Në këtë supozim dhe në këtë imagjinatë vjen fjala e folur [dikur dhe sot], në vargun e poetit shqiptar, Agim Shehu dhe fjala e shkruar nga vetë jeta e shkrimtarit Agim Shehu, tashmë në një prozë me damarë të gjallë jetikë dhe me vlerë të jashtëzakonshme. Në rrjedhën e postulatit të McLuhan, kjo duket disi anatemë e kronologjisë së shkruar prej tij në “Kuptimin e Medias”, por në rrjedhën e jetës së Agim Shehut vjen si një leksion i një kohe ku jeta ka magazinuar sfilatën e saj, për tu dëshmuar ashtu në aspekte jetike brezave. Është pikërisht romani i ri i shkrimtarit Agim Shehu, “Udha për te Vdekja”, që vjen në moshën e thinjave dhe duarve të lodhura, për të risjellë atë cast, kur nën ofshamë dhe afijellëk, gatuhej prapaskenëria antinjerëzore, mbi shqiptarin, shkrimtarin dhe mbi të gjitha, njeriun e mirë. Fyroma e prurë nga afshi i nxehtë i “Çelikut të Partisë”, ku digjeshin armiqtë e Partisë siç digjeshin skorjet, sillet në romanin e Shehut, ashtu si një shportë ku struken nën kashtë e mbi kashtë ato vezë që prodhonte koha e “Pulës”, koha e diktimit. Vetë kjo kohë është një çast ndalese në roman. Është një stacion jete aty në fushë të Bradasheshit, aty në krahë të Elbasanit. Dhe ashtu siç vetë autori shprehet “Elbasani është një pikë e përbashkët që na bashkon më kuptueshëm të dyve.” Na bashkon se në fakt autori, atje vuajti nga diktatura dhjetë vjet dënim internimi me kazmë. Dhe atje frymëmarja e jetës, rinisë së tij shkruajti me një frymë perlën në prozë “Udha për te Vdekja”, në fillim me gjak e me djersë e tani me gërma zemre dhe memorjeje. Natyrshëm Shehu sqaron: “Frymëmarja e rinisë m'u trazua sa me shërbyesit cinikë të dhunës aq dhe me njerëzit e mirë të qytetit.” Por “Kumria e Elbasanit këndon nga larg duke iu trazuar zëri me vërshëllimat e plumbave dhe në 'demokraci'.”
Këtë roman Agim Shehu e ka shkruar me një frymë; gati është shkruar vetë, ai vetëm sa lëvizte dorën. Kjo ngaqë është shkruar prej vuajtjeve dikur, e vuajtja është ushqimi më i mirë për artin. “Kujtojmë të kaluarën, e duke pasur mall për vitet e shkuara, kemi mall dhe për vuajtjet tona dikur!”,- shkruan Agim Shehu. Duket e çuditëshme, por dialektika më e çuditshme plot të kundërta, thotë Hegeli, është dialektika e shpirtit të njeriut. Nuk e kupton nga të vjen dhe si të largohet e mira apo e keqja! Agim shehu, shkrimtari i mençur shqiptar, në një shkëmbim mesazhi na thotë: “Kohët e fundit vizitova Metalurgjinë ku kisha vuajtur aq shumë, dhe ndjeva tok me dhimbjen, dhe një mall të pakuptueshëm, si një shtresë e butë hëne sipër reve me shi! Filloi skicimin, tepër natyrshëm, ky roman kujtimesh me dhimbjet si materje.”
Para fillimit, m'u kujtua ngjarja e pianistit brilant polak, Shopen: nisi pa kuptuar një dashuri befasuese me shkrimtaren aristokrate Xhorxh Sand. I lumturuar, e la pianon. Shokët e pyetën: mjeshtër, pse s'po punon tani!? Ai u përgjegj: 'Më jepni një dhimbje, t'ju jap një kryevepër'! Lumtëria e tepërt, artistin e vret, siç vrasin pemën apo kallirin kokrat e tepërta duke e përkulur.
Dhe po natyrshëm ai pikëlidh në dy kohë dhe në vetë të dytë. Ai në fakt është një. Është po ai shpirt poeti, shkrimtari, po ai shpirt njeriu, edhe pse afijet e panë dhe ia thurën në ndërgjegje kallmin e kalbësisë së asaj kohe që gjithmonë të dukej dyshe, të dukej sikur je në vetë të dytë. Ti, pra njeriu dhe hija që të ndiqte pas, hija që edhe në hidhërim të kërkonte konjakun si për borxh, hija që të tregonte dajakun dhe mugëtirën si në një drekë, si në një kafshatë buke. Në këtë dyfytyrësi sistemi, dyanësi shpirtrash, kalbëzimi ngjitet tek material, tek natyra dhe sfidat e saj. Dhe natyra është si një sistem dixhital kokrizash që fikson stemat, dekoratat, supën dhe madje edhe menzën e punëtorëve, është si një tablo ku vetë natyralja herë vjen si në një festë furnalte e herë si një dremitje të shthurur e tejet të haruar… Diku është edhe një shpres, një shkëndijë. Është Zana…


Imazhi, proza dhe modeli i Shehut


Është në fakt, Zana, ‘fisnikja e vuajtjeve të autorit’. Por në këtë Zanë të bukur, natyrshëm, është edhe elementi i prozës që depërton fuqishëm si një lehtë-lexim-artkonfigurativ. Në mendje kemi tërë imazhin e saj, pasi fuqishëm proza e Shehut mbart atë melos lehtësues deri në detaje. Që në fillimet e saj proza ka qenë e organizuar në mënyrë më të clirët gjuhësore se poezia. Dhe këtë në fakt në krijimtarinë e Shehut e shohim dualisht të kapërcyeshme dhe njësuese. Gjuha e romanit të Agim Shehut është shumë afër komunikimit të përditshëm. Fjalia nuk fillon me rend të ri, por vazhdon aty ku ka përfunduar fjalia e mëparshme.. në romanin e tij kuptimi shprehet i racionuar dhe me një logjikë filozofike në shumë fjali, fraza të tëra, madje edhe me tekste të plota, që japin njësi të caktuara të prozës së tij. Si poezia edhe proza e Agim Shehut, mbështetet në zgjedhjen dhe përdorimin e figurshëm të fjalëve, në shumëllojshmërinë e tyre, të frazelogjisë e të gjuhës tipike elbasanase, krahinorizmit të Shqipërisë së mesme, përdor spektrin e gjerë të karakterizimit të gjuhës së personazheve etj. Organizimi gjuhësor i romanit “Udha për te Vdekja”, për shkak të disa qëllimeve që arin autori të sfumojë mbi realitetin dhe që arihen vetëm në njësitë e ngjshme me pjesët, kapitujt, vëllimet etj, u kushton më pak rëndësi njësive të vogla, fjalës e organizimit tingullor, prandaj dhe proza e shkrimtarit Agim Shehu vjen në mesin e lexuesit e përkthyer më lehtë se poezia. Poezinë në fakt është vështirë ta themi me fjalët tona sepse kuptimi i saj del vetëm në trajtën që është dhënë, kurse proza kuptohet dhe tregohet më lehtë.
Në romanin e tij të ri Agim Shehu ndërhyn vetë gjerësisht në rolin e një rrëfyesi, tregimtari bashkëkohor, që shprehet me ligjëratë të zhdrejtë, teksti it ë cilit zakonisht jepet në vetën e tretë dhe në disa raste edhe në vetën e parë. Fjalët e personazheve, me emër e pa emër, me thirje pas profesioneve dhe detyrave, pas dekoratave politike të kohës, pas nofkave dhe natyrshmërisë së tyre, apo edhe me detaje, përbëjnë monologun dhe dialogun e romanit dhe jepen në ligjëratë të zhdrejtë. Edhe pse dallimet e mësipërme janë të dukshme, roman ii Shehut vjen si një shkollë më vete në tërësinë e tij. Në disa pjesë të tij madje është vështirë madje të dallosh prozën me poezinë e tij, si një vepër jo që ka thyer rregullat e organizimit të saj, por si një model i vecantë proze në letërsinë shqiptare, deri në detajin e saj aplikues si e tillë. Kjo ngjashmëri e prozës së autorit vjen në momentin e duhur, teksa ne jemi joshur nga “Ura” e S. Hamitit, në letërsinë e shqiptarëve, apo edhe me prozën e mirënjohur bashkëkohore, të cilën Dryden e quan “harmonia e prozës”. Në fakt në gjuhën e Dryden ne gjejmë elementët jetikë të kësaj proze tek romani i Shehut. Të gjithë elementët e prozës më të lexuar në kohë, hapësirë dhe shtrirje.
Në ktë mënyrë ndarja e Shehut me poezinë nuk parashihet. Në prozën e tij ne gjejmë tërë elementin poetik, i cili këndon në korr me elementet e prozës së tij. Një tekst i tillë proze nuk i prish shenjat që e paracaktojnë, duke e nominizuar atë që nga parësorja në detajin artistik dhe figurative, po aq edhe në hapësirën e imazhin në mendjen tonë.
Imazhi është ai element që krijon natyralen, të konceptueshmen, plasticitetin e prozës në imagjinatën tonë. A mun të mendosh se autori ka krijuar pa patur një harmoni imagjinare në mendjen e tij për ngjarjet e jetuara apo edhe të medituara? A mund të ketë plasticitet fals të imazheve të tij? Me plasticitet, natyrshëm ne kuptojmë sensin imazhkrijues dhe nivelin konstatues të tij në lezueshmërinë e prozës së tij. Pra për të mos gabuar në përcaktimin konkret ne duhet të nisemi gjithnjë nga thelbi, nga natyra e shkrimit në prozë, që në këtë rast është kombinimi i 26 normave të lejueshme të saj, duke mos harruar materien që gatuhet gjerë e gjatë nga Shehu.


Vazhdon…

No comments: