Monday 18 August 2008

Plasticiteti shkencor i veprës së Palok Traboinit




Fatmir Terziu


Në një nga shkrimet-esse të tij, pikërisht në artikullin “Gjinia e Kombit Shqiptar”, botuar në gazetën “Bashkimi” në Shkodër më 17 dhe 24 Prill 1910, legjenda shqiptare Palok Traboini shkruan me gërma korsive: “ne shqiptarët tash katërmijë e ma shumë vjet kemi qëndrue mbi tokë, tuj mbajt përherë gjuhën, mendimin, karakterin, dokët, trimërinëm fisnikërinë, të dashtunit e lirisë që lumtunisht na rrjedh prej Pellazgëve të parëve tanë”. Dhe në këtë kontekst, në këtë teoremë empirike të mësuesit të lavdishëm shqiptar, që në shënimin e librit kushtuar atij gjejmë pretencën morfologjike të tingëllojë qartë, ngeshëm dhe qashtër për motivin e një rruge me emër domethënës, edhe pse ka një dimension total kriptik dhe optimistik. Është bagazhi që gjendet në gjuhën e përdorur, gjuha e përzgjedhur që krasitet nga njohuria dhe panorama e saj sintaksore. Një palsticitet artistik kumton tërë korektesën që dëshpërohet nga rrethimi natyral i një ndjesie që vjen nga shekujt si një fakt: “na shqiptarët pa fije vesvese jemi komb ma i njeter se greket e se te gjithe fiset e tjera që deri më sot njihen prej historisë në Europë”. (Traboini, 11 Prill 1910). Më tutje një një mesazh për “ata që flasin gjuhën shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë një gjaku me ne, ti duem e ti kemi në hatër, çdo feje e çdo bese që të mbahen…”
Duke u larguar paksa nga primarja apo parësorja e këtij mesazhi brilant, që zbërthet si poatulat Bible, ana tjetër e teorisë së mirëfilltë Traboniane është një lidhje detajore me elementin dhe fatin e gjuhës, dhe me njërëzit që e flasin atë. Shkencërisht e gatuar dhe e miratuar logjikisht gjithë kjo teori klasike e përçon detajin në një tingëllimë bashkëkohore që e bën veprën e Traboinit, një postulat ritmik dhe tepër domethënës për kohën. Le ta analizojmë më konkretisht atë. Kur analiza synon anën teorike, natyrshëm duhet referenca. Në këtë rast referenca është më shumë se një argument, më shumë se një fakt historik. Në aspektin e gjuhës shqetësimi i Palok Traboinit, nuk është vetëm simptomi gjuhëlidhës, kanonik apo shoqëror e fisnor, por është shkencërisht verbal dhe lidhet me fatin e saj në evolucion. Më konkretisht, ndërsa shkenca, teknologjia dhe përparimi i gjithë atyre tipareve që përmend Traboini kanë ecur, gjuha dhe anësimi i saj ushqyes ka mbetur aty ku ka qenë ose është fryrë e tejfryrë me gjuhën e tjetrit, apo edhe të gjeturën e gatshme, ku ka munguar koherenca dhe përkushtimi i linguistëve që ta bëjnë gjuhën e shqipatrëve një gjuhë në ecje e sipër. E ndërsa Palok Traboini mëshon më shumë tek fakti historic duke cituar “e vertëton vetë Heroti, historian ndër ma të moçmit; por mjerisht ma vonë filluene me u prishë e me rrzue atë besim e me adhurue gjithafarë kafshësh, diellin, hanën, yjt etj. e u trueshin (flijojshin) atyre me desh, lopë, kual, qingja, dhi e të tjera shtazë”. Sot është ndryshe, po ata rrjedhës të moçëm të një gjaku kanë përshtatur veten mbas teknologjisë, parasë, kompjuterit e rotullamave të ngjashme, duke bërë të njëjtën gjë që biblikisht i Madhi, Palok Traboini e ka parashikuar ndjeshëm.
Në këtë kontest mesazhi i Traboinit është alarmant për kohën dhe situatën që ne jetojmë, pasi na ka gllabëruar indiferenca dhe anësia materialistike, duke u pasuar me divorcing me gjakun për hir të meseleve katapultuese e dashakaeqe. Kështu leximi i eseve dhe mesazheve të Palok Traboinit, janë një shtysë e domosdoshme për të kapërcyer rrethnajën e mjegullt, ku dimensioni njërëzor është mundur nga simptomania paralizuese për tërë aspektin e komunikimit me të njëjtën gjuhë. Gërmimi i tij shkencor, atribohet në një element tipik që vjen nga nocioni perëndimor i mbartjes ose propozimit breznor, pra thirjes për përfshirjen e Palok Traboinit në mesin e domosdoshmërisë historike shqiptare, e pse jo edhe në atë që sot është tepër domethënëse në fushën kërkimore të nivelit më të lartë. Kjo në fakt nuk propozohet dhe as nuk diktohet. Si një rëndësi me argumentin dhe vlerën në brendësinë e saj, vepra e Traboinit, duhet të përfshihet dhe natyrshëm duhet të nderohet nga më shumë pena. Duke lexuar Palok Traboinin, dhe ndjerë këtë rëndësi historike, natyrshëm relacioni breznor nuk do të ndjehet robotik ose ngritës supesh në pyetje që sot i ka shmangur ose tejësuar politika dhe interesi koruptiv i sotëm, ngado në mesin shqiptar, por ndjeshëm në lëminë e penave historike, që kërkojnë eshtra nëpër historinë e pashkruar, apo diktuar për pasaportë politike e pse jo edhe për ndonjë tender apo post, për veten, djalin apo vajzën…
Palok Traboini nuk lexohet ndryshe. Ai vjen ndryshe në lëminë e letrare shqiptare, për tu lexuar pastër dhe qartë. Ne nuk duhet ta lëmë atë të na ikë nga duart, nuk duhet ta lëmë të zverdhet dhe të heshtë…
Përse ai etërohet në plasticitetin e tij artistik, ngjizet tek poema e veçantë e tij, “Lufta e Maleve”, që në aspektin letrar kumton një risk të tharmtë, për bagazhin tonë kombëtar në aspektin vlerësues. Në tërësinë e saj, poema epike e Traboinit është një shtojcë empirike në fushën krijuese të trashëguar shqiptare. Pa përmendur emra, pa bërë krahasime, dhe madje pa synuar spostime apo dhënë pak apo më shumë vlera për larminë dhe pasurinë letare shqiptare, natyrshëm pa krahasuar krijimtarinë e Palok traboinit me dikënd tjetër në llojin e vet, ajo që bie në sy është e qartë dhe e kuptueshme. Le të shohim vargjet hyrëse:

“duel Iradija e u ndrrue zakoni
n’kambë na u ngreh Konstitucjoni
na u shpall ky usull i ri
pikë ma s’pari n’Stambolli
e mandej edhe n’Shqipni…”

Këtu elementi krijues depërton aq fuqishëm me figurativen e zgjedhur, saqë të duket vetja se ke lënë në heshtje atë që ke mësuar në lidhje me faktin dhe fatin e cituar, apo nuk të pritet derisa të lexosh më tutje të tërë poemën epike. Rima e goditur, fjala e përzgjedhur dhe mesazhi poetik arijnë dimensione të vlerësueshme dhe tepër historike e mesazhiere:

“n’katër qoshet krisi topi
u ngreh shpata dhe konopi…”

Në anën tjetër trajtimi poetik i figurave historike shqiptare si Dedë Gjo Luli, Çun Mula i Hotit (1818-1896), Gjel Çaku, Deli Meta, Mirash Lucë Kastrati, Gjelosh Gjoka, etj natyrshëm rrëfejnë lirshëm se krijimtaria e Traboinit është e mirëfilltë dhe mbart vlera. Vlerat e veprës së Palok Traboinit ngjeshin skutat e historisë dhe ndjehen krenare, mbasi vitet sollën dritë mbi to dhe e vërteta sot flet ndryshe dhe qartë. Gjuhën që ata kanë sjellë në sonduqe severgjeni e meritojnë sot si një respekt dhe si një detyrim fisnik për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kombëtares që mbruhet dhe ushqehet në melosin dhe trshëgiminë e ardhur pastër dhe ndjeshëm në ditë tona.
Vetë fakti që Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj, kumtohet në lidhje me veprën e tij. Më tej edhe paraqitja reale e jetës duket si një mishërim i pashmangshëm. “Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në ShkollënTregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti ( i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, Motra Tone e Kolë Arsen Idromenos.”
“Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emrohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumej e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan. Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-11 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe më 24 mars 1911.”
Duke rrëfyer me penën dhe mendjen e palok Traboinit, mendoj se nuk ndjehesh i mangët në gjuhën tënde, nuk ndjehesh sakat në fjalinë dhe poezinë tëmde. Tek vepra e Traboinit mjafton të gëlltitësh një lugë të vogël nga hojet e saj dhe kurimi bëhet më i ndjeshëm se mjalti natyral, që miliona zgjoje e gatuajnë me polenin e dhuruar nga Zoti. Zoti deshi që ky mjalt të na mbërijë në duart tona.

No comments: