Sunday 24 August 2008

Udhëtoj brenda vetes...

(Shtojcë në maketin e një libri)



GRIGOR JOVANI



“E pamundur të them ato që dua…”

TOMAS ELIOT



Zotat



Ditët e mia të pafundme,

më lejo t’i rroj në paqen tënde.

Kaq e kaq Zota u munduan

të më linin jashtë

nga këto vënde.

Ç’fat i mbrapshtë, imzot,

ç’fat i keq!

Unë i besoj të gjitha Zotat,

asnjë s’më beson,

për dreq!



Vallja me pirueta



Ka ca kohë

që jam partner

me Vdekjen.



Përditë e shtyj,

ajo më thith

në vete.

E gjitha kjo i ngjan

një valle fine,

afrim-largimi ynë

një piruete.


I them: “Pak më ngadalë,

nuk mund…”

Ajo pranon. S’humb gjë:

vallja ka fund.


Galerat


Dashuri të hershme,

të gjithëkoh’shme,

ju galera të mëdha përrallash,

ku s’di me ç’djallëzi femërore

në barqet tuaja të errëta

si pirat dashurie

më futët.



I vetmi fitim: miqësia

me Ali Babanë

dhe Dyzetë Hajdutët.



Alter Ego



Në tryezën time të punës:

kompjuteri në faqen internetike,

mali me gazeta dhe revista

dhe poshtë tij

poezitë e mia të pambaruara,

rakitike.


Të mjerat vjershat e mia,

të shtypura

nën peshën e botës

plot lajme të tmerrshme,

si cunamë deti.



Asfikson

brenda identitetit tim gazetaresk,

Poeti.



Ndjeshmëri



Duke pritur shiun,

dallgët u shuan.



Xham u bë deti.



I ndjeshëm,

sa të thyhet në mes.



Ashtu si unë,

kur pas dushit të mbrëmjes,



të pres.



Ditëdasma



Ishte gjithshka

siç e kishte ëndërruar.



Trupi i saj i fildishtë në duart e tij,

shtërnguar rreth qafës krahët e hollë,

gishtërinjtë plot gurë të praruar.



Vetëm shkallët i ngjanin pak më shumë

dhe ndriçimin dikush kishte shuar.



Arriti.



Ngaqë duart i kishte të zëna me trupin e saj,

shtyu me gju portën e rëndë të shtëpisë

dhe mbeti për një çast i hutuar.



O Zot! Shtëpia e tij kish ndryshuar!



Bëri të thoshte: “Më falni! Këtu ka njeri?”

Por e ndërpreu nga errësira, në thellësi,

një zë krejt i huaj:



“Në portën tjetër, ju lutem, zotëri!

Këtu nuk është morgu juaj!”



Kthimi



Dakord… Të vij…

Po si të vij?...

S’është kaq i lehtë

kthimi.

Tani s’ka vënd

në shpirtin tënd,

e di.

Banon aty

trishtimi.



Zemra



I humba të gjitha betejat,

ku mora pjesë.



Veçse askush s’ma shkuli zemrën,

për besë.



Poetët



Ç’ju desh Zotit të bënte dallime

mes racës që krijoi në Tokë?

Shpalli “të veçantë” nga gjithë të tjerët

Poetët

dhe vuri një bela mbi kokë.



Krijoi një Diell për gjithë Rruzullimin,

siç krijoi për çdo njeri Nënën.

“Për ne ç’krijove?”

- u ankuan poetët. -



Posaçërisht për ta krijoi Hënën.



Idiotësirat



Djemtë e rinj në hyrjen e një shtypshkronje,

duke ngarkuar dëngjet me librat e reja

shajnë nëpër dhëmbë fatin e poshtër:



të ngarkojnë, - siç thonë, - “idiotësirat”,

qysh në pikë të mëngjesit.



Dëngjet kishin përkthimin e një vepre

të Sartrit

dhe romanin e fundit të Markezit.



Parajsa



Gjithë jetën

u mundova të mbart në Parajsë

një kufomë:



Vetveten.



“Këtu pranohen Shpirtrat,

- kur mbërrita më thanë, -

kufomat atje poshtë mbeten…”



Kohë e keqe



Moti u prish. Ndër re

me sytë e çakërdisur

nxori kokën Djalli.



Pas pak

do të pështyjë gjarpërinj

mbi plazhet e shkreta.



Deti ngre dallgë

që të mbrojë në thellësi

sarajet e veta.



Greket



“Si merren vesh?!”, ankohen greket

për burrat vendas ,

që gjuajnë të huajat.



Mos u çuditni, të dashura zonja!

Ka fjalë të tjera,

nga tuajat…



Shtëpia e vjetër



Dyer dhe dritare të gozhduara,

si të donin të mbyllnin përgjithmonë

gojët e të vdekurve.



Fytyrat ngjyrë hiri të prindërve të mi

skalitur mbi mur,

me gurët e tretur.



Brenda qetësisë mortore të shtëpisë,

nga thellësitë

vjen e qara e një fëmije.



Luan kukamshefti me prindërit e mi,

i ndjeri im bir,

mes errësirës së kësaj shtëpije.



Hamza Kastrioti



Mbi Albulenë,

trishtimi ynë

pesëshekullor,

tani, princi im,

ngjan i kotë.



Legjenda e Arbërit

pa ty,

nuk do të ishte e plotë!



Mbrëmë



Isha kaq i mërzitur

mbrëmë.



Ndërkohë erdhe ti.

M’u mbush shtëpia

pranverë.



Hapa dritaren.

Hëna zgjati dorën,

më fluturoi në eter.



Ç’kujtove ti? Shpirt jam

dhe erë.



Në kohën tonë



Kur nuk më del mendimi e rima,

shkruaj ç’të dua. I lë të tjerët

të mundohen.



Në kohën tonë, poetët e pakuptuar

është më e lehtë

të kuptohen.



Mars



Erdhën dallëndyshet

dhe kthyen fletët

e kalendarëve.



Zambakët hapën

flatrat e bardha,

t’u ngjajnë engjëjve.



Pemët përkulen

nga modestia.

Tregojnë sythet.



Qershitë mbrëmjeve

ndezin qirinjtë,

ndriçojnë kopshtet.



Njeriu i pasur



Ndaloni, o ëngjëj,

transportimin në qiej

të atij njeriu të pasur.



Ka harruar këtu poshtë

paratë që ka pasur.



Prova



Do të të lë në duar vjershat e mia të reja,

si zogjtë që dridhen,

porsa kanë rënë nga foleja.



Nëqoftëse nuk i struk në gjirin tënd

për t’i mbrojtur,

nëqoftëse nuk i përkëdhel si fëmijët e tu

për t’i ngrohur,

nëqoftëse gjoksi yt nuk mbushet prej tyre

melodira,



atëhere harromë,



besomë,

është më e mira.



(Monemvasia – Laç – Gjirokastër,

Gusht, 2008)

No comments: