Vlera antologjike
Shtatë poetë shqiptarë nga Kosova dhe shtatë nga Rumania e shpalojnë shpirtin e tyre në një libër të përbashkët me një tutull sugjestiv: “Bukuria e bukurive”. Nga poetët shqiptarë i kemi dhënë prioritet Kosovës në vitin e Pavarësisë. Poetët dhe eseistët rumunë kanë botuar në revista të tirazhit të lartë dhjetra recensione me vlerësime të larta për forcën magjike të poezisë shqipe në Kosovë, gjë që dëshmon se poetika e mund politikën, sidomos pilitkanët e disa vendeve fqinje që ende s’e kanë kuptuar të vërtetën se fati i botës varet nga Kosova.
Baki Ymeri
(Bukuresht)
Këto dirë doli në Bukuresht një antologji e përbashkët rumuno/shqiptare: Frumusetea frumusetilor / Bukuria e bukurive (Editura Do-Minor, 2008). Ideja e realizimit të një vepre të këtillë i përket poetit kosovar Jeton Kelmendi. Autor i pasthënies („Kroi i ilaçit me poezi, apo për historinë dhe poezinë e tjetrit”) është eseisti Marius Chelaru, redaktor Mihai Antonescu, korektorë për gjuhën rumune Marilena Lica, ndërsa seleksionimin dhe përkthimin e lëndës poetike e ka realizuar autori i këtij shënimi (B.Y.). Në kuadrin e medalionit me titull „Në vend të përqafimit” (fq. 4), jepet në të dy gjuhët qëllimi i botimit. Në këtë vëllim defilon shpirti poetik i disa poetëve të mirënjohur për vlera të veçanta, të rikënduara në gjuhët në të cilat poezia konsiderohet si një instrument magjik për harmonizimin e botës. Qëllimi kryesor është promovimi i diversitetit të vlerave të përbashkëta. Nga poetët shqiptarë i kemi dhënë prioritet Kosovës në vitin e Pavarësisë. Faktikisht, pjesa e parë e kësaj vepre (Dardania poetike), është kontinuitet i afirmimit të vlerave kosovare pas antologjisë së parë (Insula nemuririi / Ishulli i pavdekësisë) me pesë autorë: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Basri Çapriqi (Editura Muzeul Literaturii Romane, 2005). Për antologjinë e dytë, jo rastësisht kemi zgjedhur një modalitet të këtillë, të cilën mund ta thërrasim 7 me 7-të. Shtatë poetë shqiptarë nga Kosova (Edi Shukriu, Ibrahim Kadriu, Flora Brovina, Ramadan Musliu, Miradije Ramiqi, Ndue Ukaj, Jeton Kelmendi), dhe shtatë nga Rumania (Cassian Maria Spiridon, Varujan Vosganian, Victoria Milescu, Mihai Antonescu, Corina Gherman, Florentin Popescu, Marius Chelaru), e shpalojnë shpirtin e tyre në një libër të përbashkët me një tutull sugjestiv: “Bukuria e bukurive”.
Dhe jo rastësisht kemi vendosur që për çdo vit t’i inkorporojmë poetët më të mirë të të dy popujve në nga një antologji të ngjashme, duke i përfshirë edhe poetët e trojeve tjera shqiptare, si dhe ata të diasporës. Dikush mund të preket pse s’e kemi futur në libër, edhepse mund të jetë më i njohur përnga vlerat, botimet dhe shpërblimet. Kriteriumet tona nuk bazohen vetëm në vlera, por edhe te bukuria e vargut, si dhe te shpirti dhe dashamirësia e autorëve për të bashkëvepruar me Bukureshtin. Fjala është për rëndësinë historike të momentit për të trasuar një rrugë letrare ndërmjet Prishtinës dhe Bukureshtit, rrugë të cilën e kemi nisur para 30 vitesh (me botime vlerash shqiptare në revistat rumune), dhe para katër vitesh (me botime veprash autorësh kosovarë). Disa autorë nga Shqipëria (Visar Zhiti etj.) e kanë parë dritën e botimit në gjuhën rumune në sajë të përkthimeve brilante të dr. Luan Topçiut. Pa konotacione vetëlavdërimi, konsiderojmë se është një ndërmarje fisnike e cila ka efekte pozitive: përveç dy lansimeve të suksesshme në Bukuresht (Sali Bashota, 2005, dhe Jeton Kelmendi, 2008), poetët dhe eseistët rumunë kanë botuar në revista të tirazhit të lartë dhjetra recensione vlerësimesh të larta për forcën magjike të poezisë shqipe, gjë që dëshmon se poetika e mund politikën, sidomos politikanët e disa vendeve fqinje që ende nuk e kanë kuptuar të vërtetën se fati i botës varet nga Kosova. Kosova sipas një autori shqiptar të përfshirë në antologji, konsiderohet si „teatri antik i përbuzjes së një populli”. Zëri i Kosovës përmes, kësaj vepre, dëgjohet deri në Bukuresht e Moldovë.
No comments:
Post a Comment