Vahid Hyzoti
Më kujtohet nje karikature miqësore e Bujar Kapexhiut, botuar këtu dhe 25 vite më parë në gazetën e atëhershme “Drita”. Titulli ishte kuptimplotë:
”O burra, ta ngulim sa më thellë…”. Rreth pemës-laps të letërsisë së kultivuar mbështilleshin kritikët më në zë të kohës dhe nga detajet , mjetet e tyre jepej dhe fizionimia e çdo kritiku.Kështu , bie fjala ,me sëpatë rë madhe shfaqej Koço Bihiku , me peshqir, i qullosur nga mundimi ishte Razi Brahimi , me nje kreher në xhep-Dalan Shapllo , me një gomë dhe çantë shkolle vraponte Bashkim Kuçuku ,me nje brisk rroje të hollë Xhezair Abazi…
Thuajse çdo kritik kishte veçantinë e tij, të cilën lexuesi e haste në shkrimet, vlerësimet për veprat e botuara.
Tanimë që ka kaluar mëse një çerekshekulli nga botimi i asaj karikature,tashmë kur po bëhen thuajse 20 vite që talenti letrar i popullit tonë ka shpërthyer fuqishëm, në një kohë që veprat e botuara janë dhe më të shumta se buka në dyqane,kur po provohet e shijohet aq thelle demokracia e të shprehurit, kur së shpejti do të nisin revoltat për akademinë suedeze të Nobëlit ,e cila duhet të përqëndrojë vëmendjen nga Shqipërid he për çdo muaj(si fillim) të shpallë nga një nobelist…pra në këtë kohë të madhe kur në atdheun tonë të shtrenjtë po provohet se frytet e demokracisë nuk maten me prodhimin e patateve apo parafabrikateve, të fabrikave dhe kombinateve, pra vetëm nga numri i veprave letrare; tani gjithesekush del (sigurisht ndonje soc-komunist në thelb), sekush shkruan: KU ESHTE KRITIKA LETRARE?
Të tilla kërkesa janë krejt anormale, të vjetëruara dhe jashtë kohës. Pa më thoni:pse u dashka vlerësuar apo gjykuar vepra e krijuar nga kritikë profesionistë ? Kush na garanton se nje kritik i vetëquajtur i tillë nuk është xheloz , dashakeq i autorit? A duhet mbase procedura që kritiku ,para se të ulet të shkruajë për një vepër, të betohet se do të mbajë qëndrim të ndershë.Betimi mund të bëhet para presidentit të republicës, para kryeministrit ,para kryetares së parlamentit, para 10 kryetarëve të shoqatave të shkrimtarëve( të apo jo të vetëshpallura nga klasa punëtore apo intelegjencia) .Betimi duhet bërë dhe para autorëve të veprave, romanciereve , poetëve,dramaturgëve ,por kurrë para njerëzve jo seruiozë ,ku futen humoristet ,comedianët ,humoristët popullorë e të tjerë të këtij takëmi.Pas këtij kalvari betimesh(me shpenzimet përkatëse të ngarkohet kritiku dhe shkrimtari) kritiku duhet detyruar me pahir ta lexojë veprën,jo siç ka ndodhur së shumti ,kur jepen gjykime pa u lexuar fare krijimtaria.
Ka dhe një arësye dhe më të fortë që të shpie në konkluzionin e kotësisë së kritikës letrare.Kështu, në kohërat moderne letrare që kalojmë ne shqiptarët gazeta e revista të mirëfillta letrare nuk ka.Ndonjë supplement, sado I realizuar është fare pak të përballojë këtë begati krijuese.Por për novatorizmin e krijuesve tanë kjo nuk përbën aspak ndonjë shqetësim.Ashtu, me një kthesë të embël(e ashtuquajtura diplomacy letrare) ka ditur të depërtojë dhe ne gazeta e revista serioze politike.Shkrimtarë t e famshëm nëpërmjet intervistave të shumta ,pa shpenzime të mëdha dhe padyshim me competence te plote,përshfaqin saktazi vlerat e larta të krijimtarisë së tyre.Vetëm para pak ditësh lexova në një të përditshme serioze intervistën e një nobelisti të pashpallur që për dy vitet e fundit ka botuar 11500 faqe në prozë, 3873 faqe poezi dhe 34563 publicistikë. Po citoj në ligjëratë të drejtë një fragment:”Me krijimtarinë time kontemporane është e sigurtë që qëndroj mes Tokës dhe qiellit, pa përfillin ligjin e vjetëruar të Njutonit…”Thomëni, a ka kritikë, a ka Bielinski apo Finkelshtajn të arrijë në këtë silogjizëm letraro-filozofik? Paçka ngjan paksa si meshë ,por kjo shpreh ndihmën që japin shkrimtarët e mëdhenj , aq të shumtë në mëmëdheun tonë,që s’duan të lodhet populli të dielave të meshave, por ashtu shtrirë në divanet e rehatshme , të lexojë autorët e mëdhej faqe për faqe…
Me sa thame dhe plot arsye të tjera që mund të shtoj demokratikisht secili, a nuk vijme në konkluzionin që kritika letrare është një koncept i vjetëruar? Kritikë letrare të mirëfilltë? Harrojeni!
No comments:
Post a Comment