(Fiction)
Fatmir Terziu
Emrin e kishte Septimus. Por shkurt e quanin Septi. Ishte i predispozuar të ushtronte autoritetin e vet, si i pasur që ishte një herë në vit. Dhe vetëm një herë. Kështu ai lejoi gruan e tij të bukur e të re që të bënte rimobilimin e shtëpisë në një qytet të bukur bregdetar anglez. Ajo me këtë liri veprimi që mori prej tij u mundua dhe u mendua të tregonte se ç’ishte për të kuptimi i jetës dhe jo vetëm ardhja nga ai vend i vogël ballkanas. Dhe ia nisi asaj që kishte në kokë. Nisi nga ultramodernja, mobiljet diagramatike, koleksionoi punime të artistëve me emër dhe u vesh në mënyrë tepër ektstravagante, ashtu siç ajo dëshironte. Ai e vështronte dhe insistonte në një veshje tradicionale ballkanase, por ajo ngulte në të sajën. Ai thiri shërbëtorët e tij që të vepronin nën urdhërat e saj dhe të sillnin nëpër vende të ndryshme të shtëpisë, paisje zbukuruese elektrike me forma kubike, duke krijuar kështu një dramë diskoje tejet të jashtëzakonshme. Madje edhe mbi radiator vendosi ca xhibla që të mernin sytë edhe në errësirë. Më tej në njërën nga dhomat krijoi një elegancë moderniste me shndërimin e oxhakut të druve në një pjesë ku dominonte flaka e instaluar e druve fiktive.
Ai pastaj ftoi familjen dhe miqtë rreth vetes. I ngulçoi atyre një pamje Dikensiane dhe u afroi një darkë model, tepër përrrallore. Dukej si një lojë e panisur kukamfshehtas nën atë ikje dhe ardhje emergjente të dritave në atë shtëpi model, në atë shtëpi që kryqëzohej nën dy mendje. Të gjithë e dinin pasurinë e tij, por askush nuk dinte më për autoritetin dhe forcën e tij. Ata herë shikonin njëri-tjetrin dhe herë shikonin nga paisjet dhe modelimet nëpër shtëpi. Askush nuk shihte dy protagonistët e kësaj darke, dy të zotët e shtëpisë.
Por një ndërhyrje e Septit, disi në kohë largoi shushurimat e nisura. Nga një qese me pika shndritëse nxorri një perlë dhe ia dhuroi vajzës së tij, Margaritës, në këtë darkë, që rastësisht përkonte me ditëlindjen e saj. Këtë ai e kishte bërë edhe katër herë të tjera, dhe kjo hera e pestë për të dukej si një rast ndryshe. Dhe dukej ndryshe se ishte një darkë miqsh, por miqsh që kishin lidhje me njëri-tjetrin.
***
Teksa nxirte perlën nga qesja e shndritshme, një vezullim dritash mbushi hapësirën matanë tavolinës së gjerë e të gjatë, ku ishin ulur të gjithë. Në këtë vezullim një tështimë e zonjës Mosi dhe më pas një gallatë dhe një sërë të qeshurash u duk sikur largoi kureshtjen. Ishin shakatë e rradhës. Por të qeshurave ua preu hovin një lëvizje e shpejtë dhe e zhurmshme e karrigeve dhe njërëzve bri zonjës Mosi. Ajo, një grua e njohur e fisit, shquhej për shumat e parave që derdheshin për diamante dhe perla të shtrenjta, me rast e pa rast. Si grua e një Lordi anglez, ajo binte gjithëfarëlloj rastesh në shenjë dhe gjithëfarëlloj mënyrash në sy.
“Gjerdani, oh gjerdani… im”, - oshëtiu zëri i saj gjysëmburëror dhe shtoi disi me një zë tulatës, - “ku iku gjerdani im, kush ma mori…”.
Në sallën e madhe dritat filluan të kërcenin rrok me trupat e njerëzve që pikturoheshin herë nëpër mure e herë në tapetin e butë dhe të murmë. Pastaj hijet shpupurisnin heshtjen dhe dukej sikur askush s’pati kohë të uronte vajzën e vogël, pesëvjecaren e Septit.
Prapë një zë gjysëmburëror goditi si një vetëtimë në sallë.
“A e dini se ai gjerdan ka një histori? Ai gjerdan ka pesë vjet në qafën time? Ai…”- deshi të vazhdonte më tej, por Septi urdhëroi të heshtte.
“Ashtu ë, ashtu?” – më bën të heshtë, të harrojë pesë vitet e mia të zhubravitura të jetës.”
“Mjaft! Sonte është festë, sonte kemi…”, - shtoi ai.
“Pse s’thua se sonte kemi ditëlindjen e dashurisë sonë, përvjetorin tonë të pestë të dashurisë. Pse si tregon asaj që ke në krah se vajza e kujt është ajo që sot feston pesëvjetorin e saj? Pse, pse?”, -foli duke u dridhur.
Septit herë i vinte një fytyrë e herë i ikte. Ai ishte gozhduar në karrige. Pastaj aty rra qetësia. Ndihej ne interval kohe zhurma e paisjeve elektronike, nje zhurme si ajo e kercitjes se gishtave. Vetëm sytë e të pranishmëve vallzonin nga një cep në tjetrin dhe dukej në atë qetesi sikur kërcenin vallëzime të shpejta klasike ku dama ishin mobilimet moderne të sajuara nga shija e femrës ballkanase.
***
“Atë ditë binte shi. Në qytezë ndihej një lloj zbrazëtie. Dukej sikur askush nuk frymonte. Madje kishte pak shenja jete. Kur në cast dritat erdhën, pas asaj bubullime dhe gjithë qyteza dukej e ringjallur. Në prehrin tim ishte koka e tij. Ai ashtu me dihamën largndjedhëse gërriste duke më trembur në cast. Gërrimat e tij më ngjanin me një ndjesi të dikurshme, që ende s’më hiqet nga mendja. Nejse, mesele e gjatë. Punë ujqish, dua të them. Ujku i asaj meseleje kishte grabitur atë që gjeti, dhe jo ndoshta atë që donte. Por, ndërsa ishte grabitje ujqish, dihet se shqetësimi ishte popullor. Gjithkush që nga ajo kohë e përmend grabitjen e ujkut. Në mendjen time tashmë ajo grabitje vjen dhe lexohet ndryshe. Unë nuk e dija se ujku njëherë të jep mësim dhe herë tjetër duhet të mësosh nga ai pësim…”.
Kaq ishin fjalët e Sebit. Të tjerët kthyen kokat dhe panë përreth. Në vendin e saj kishte mbetur një pecetë buzësh, ndërsa dritat binin si me forcë. Aty ku ishte ulur Septi, boshllëku dukej ende më i madh nga dritat shumëngjyrëshe që binin pingul. Aty herë drita zverdhej më shumë e herë e kuqëremta vazhdonte ndikimin dhe dominimin e saj. Aty çdo gjë fliste në moment ndryshe. Madje edhe rimobilimi i ri në stilin e tjetrit tashmë po dukej ndryshe.
No comments:
Post a Comment