Thursday, 28 August 2008

Poetët, ata që thurën vargjet e rrezikshme






Anëtarët e grupit ishin: Bedri Myftari, Suzana Selenica, Piro Kuqi, Bilal Xhaferri, Namik Mane, Zyhdi Morava, Kostandin Dhamo, Ahmet Golemi, Roland Gjoza, Sadri Ahmeti, Faik Ballanca.
Ecnin të shkujdesur në muzgun pranveror, ndjekur nga një lloj entuziazmi, krejt i çuditshëm. Secili i përhumbur në botën e tij. Ecnin e pas supeve linin kinema "Republika", ku kishin parë filmin gjerman "Tamanga". Askush nuk fliste, ndërsa ruante brenda vetes një ndjesi të paemër. Ishte maji i vitit 1956. Atëherë ata ishin gjimnazistë, me dëshira ende të pacënuara. Bedri Myftarit, Suzana Selenicës dhe Piro Kuqit u mjaftonte ajo mbrëmje pranverore tironase për të medituar, për të krijuar "strehën" ku më pas do shpëthente një pasion "kryengritës".
Në sytë e tyre, kishte mbetur e gjithë ajo që ishte shfaqur në ekranin gjigand të kinemasë. Të tre gjimnazistët ishin rrëmbyer nga revolta në anije e Tamangos dhe e shokëve të tij. Por asnjëri nuk gjente forcë të shprehtë diçka derisa Zana vendosi t'i vërë shkelmin asaj qetësie të rremë. "Çudi! -kish shqiptuar ajo -ndërsa shokët e saj prisnin se ç'po ndodhte me të- Ja si mundën ta shfaqin një film të tillë. Ky film të ngre peshë e të bën të hidhesh në flakë për liri"-zëri i saj këtë herë kumboi fare i sigurtë aq sa Pirrua kish mbetur i habitur. S'kishin folur kurrë për politikë, vetëm për poezi. Heshtja ishte kthyer sërish mes tyre, vetëm për pak, deri kur Bedriu si më i hedhuri ndërhyri për të shprehur si gjithmonë hapur urrejtjen kundër rregjimit komunist. " Ja kështu duhet të bëjmë edhe ne, unë, ti Zana, ti Pirro e të tjertë që janë moshatarët tanë". Zanës, sakaq i shkëlqyen sytë e shkruar. Ecnin pranë njëri-tjetrit, përgjatë rrugës së Kavajës. Në mes të bulevardit dëgjuan këngën e një kanerine. U dukej i trishtë ai zë dhe nuk po kuptonin nëse qante apo këndonte ai zog i mbërthyer në hekura kafazi. "Qan"- u tha Zana- Ja dëgjoni ç'tinguj të trishtë që nxjerr. Ajo ka qenë në gjumë dhe ka parë në ëndërr viset e saj tutje Amazonës, ka parë lulëzimin e pemëve dhe është zgjuar e llahtarisur dhe kur ka parë vehten të mbyllur në kafaz ja ka plasur vajit. Oh, sa të mallëngjen që këngë e trishtë në këtë natë të bukur maji. A e lirojmë kanerinën". Djemtë ishin në një mendje dhe iu afruan ballkonit. Pirrua mbështeti duart në mur, Bedriu hypi mbi shpatullat e Pirros, mori kafazin dhe e hapi. Kanerina, doli nga "burgu" përplasi dy a tre herë flatrat dhe fluturoi e lirë tutje hapësirave të pafund. Ndërsa ata e ndiqnin të mrekulluar, lirinë e saj. Ndoshta sepse në atë fluturim gjenin deri diku shpirtin e tyre të ç'lirët. "Poetë në Shqipëri si kanerinat të mbyllur në kafaz janë e këndojnë për ata që i kanë mbyllur"-prishi magjinë e atij medititmi Zana. Dhe vendosën ta linin të lirë mendimin e tyre. Vendosën të shkruanin si t'ju vinte, të shkruanin për çfarë të donin. Gjithçka nisi në atë mbrëmje të bukur maji, kur ata sapo kishin dalë nga kinema "Republika", kur sapo kishin liruar një zog të bukur nga kafazi i hekurt.
Aty ku "lajthitën" vargjet e para
Fillimi ishte si një lojë mes miqsh, si një konkurs i thjeshtë ku çdonjëri prej tyre do të paraqiste krijimet e tyre "me dorë të lirë". Ai që shkruante më bukur do t'i jepej çmim i parë. E çfarë do të fitonin… Bedriu dhe Pirrua, një kasatë ose një biletë për në tetaër e kinema. Kurse Zana një buqetat me lulet më të bukura, si kujtim nga miqtë e saj më të mirë. Këto ishin planet që thureshin nëpër flladin e lehtë pranveror, ndërsa e qeshura e tyre kumbonte anekënd. Shkuan në baçen me trëndafila, pas gjimnazit. "Ruajmë që të shohim kur shpërthejnë gonxhet e trëndafilave. S'ka gjë më të bukur. Veç kësaj ai që sheh një gonxhe trëndafili kur çel, ka fat në dashuri e jetë."-ketë herë ishte Bedriu që i shty drjet një tjetër aventure, nate. Rreth orës 24.00 të asaj nate u futën të tre në bahçen me trëndafila pas gjimnazit. Zana zuri gonxhen e një trëndafili të kuq, Bedriu gonxhen e një trëndafili të bardhë dhe Pirrua gonxhen e një trëndafili të verdhë. Në atë baçe ata panë dhe agimin e ditës së re. E kishin kaluar aty gjithë natën e magjishme, për të qenë sa më pranë ëndrrave. Dhe kur mengjesi erdhi gonxhja e Zanës kishte çelur e para. Bedriu dhe Pirrua iu afruan pranë vajzës që ndjentë në ato çaste lumturinë më të madhe në jetën e saj. E gjithë ajo natë ishte e saja dhe vetëm e saja. Nuk kaluan shumë ditë dhe tre shokët, u endën larg qytetit, atje ku kishte vetëm fusha të gjera. U ulën në një lëndinëz me lule e filluan të lexonin krijimet e tyre. Aty u rrëfyen me ditë e ditë të tëra gjithë mllefet ndaj realitetit që po i mbystë. Të tre kishin shkruar për gonxhen e trëndafilit. Ndërsa vetë Zana kishte bërë edhe një poezi për kanerinën. "Vaji i kanerinës" mori çmimin e parë dhe Bedriu me Pirron dolën fushave, kodrave dhe i bënë dy buqeta me lule të egra. Vajza ishte mrekulluar. Javën tjetër, në atë gjelbërim do kumbonte një tjetër poezi "Të poshtërit". Bedriu shkruante për komunistët. Në ato vargje ata dilnin më të poshtër se ujqet e hienat. Brenda asaj poezi ata ishin qenie që hanë edhe pjellat e tyre. Ndaj dhe shokët ia dhanë çmimin e parë, pa më të voglën mëdyshje. Zana preu bileta dhe shkuan panë filmin "Zëri në shtrëngata". Ditët kalonin dhe në letrat e bardha shkruheshin vargje pafund. Këtë herë do të fitonte Pirrua me poezinë "Trishtimi". Dhe Zana bleu sërish bileta për në teatër. Të tre sëbashku, shkuan e panë dramën "Ezopi". U mahnitën me forcën e dramës. Kuptuan më mirë se çdo herë tjetër se liria është më e bukur e më e shtrentjë se çdo gjë tjetër në këtë botë. Në mendje u kish mbetur hija Kadri Roshit dhe Margarita Xhepës. Hapat hidheshin mbi trotuar, larg lojës së Ezopit, por gjithçka e tyre kish mbetur atje, në atë dramë. Tre shokët heshtnin, për të mos u shkëputur nga ajo botë imagjinare, të cilnë nuk kishin se ku ta gjenin tjetër.
Kur ata nuk ishin më …tre
Nuk do të kalonte shumë kohë dhe në lëndinat e gjera do lexoheshin të tjera poeze, me të tjerë tituj, me të tjerë emra. Sepse ata nuk ishin më vetëm tre por shumë…

Në grupin e tyre të fshehtë u shënuan edhe emrat e Bilal Xhaferrit, Namik Mones, Zyhdi Moravës, Sadri Ahmetit, Kostandin Dhamos, Roland Gjozës, Ahmet Golemit, Faik Ballancës. Të gjithë së bashku mblidheshin të shtunave dhe të djelave, në një shtëpizë përdhese në periferi të Tiranës. Shtëpiza ishte në mes të një parcele me mollë në fermën "Gjergj Dimitrov" në Laprakë. Atje hanin e pinin verë të kuqe, recitonin poezi të klasikëve e modernëve. Fiknin dritat e ndiznin qirinj. Xhamat e dritareve i vishnin me letër. Pastaj lexonin krijimet e tyre. Mes miqsh ndaheshin dhe çmime "Nobel". Në fillim këtë shans e pati Bilal Xhaferri me poezinë "Balladë çame". Më pas Bedri Myftari me tregimin "Vjeshtrat qajnë" dhe Roland Gjoza me poezinë "Qyteti im kubik".
Ishin të rinj, të talentuar. Dashuronin të bukurën, lirinë dhe urrenin të shëmtuarën, dhunën, diktaturën dhe komunizmin. Ndjeheshin të qetë, në strehëzën e tyre. Aty, vetë,m aty ata mund të njihnin vetveten dhe shoku-shokun. Jashtë asaj shtëpie përdhezse jeta rridhte krej ndryshe. Dëshirat, mendimet, lëvizjet ndiqeshin dhe survejoheshin nga sigurimi i shtetit.
Nuk do të vononte shumë dhe dora e çeliktë e diktaturës do t'i qëllonte pa mëshirë. Ndërsa çizmja e kuqe do vinte shkelmin mbi egzistëncën e tyre. Mbi ta u derdhën si lokuni hienash, operativ, sigurimsa, hetues e gardian. Ëndërrat u vranë, gëzimet dhe liritë u tërhoqën zvarrë për t'u mbyllur në birucat e Spaçit e Qafë Barit.
Njerëz dhe fate
Ishte maji i 1971 kur në mbledhjen e Komitetit drejtues të Partisë së Tiranësu kumboi fort lajmi "i ditës" se ishtë zbuluar dhe eleminuar grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art e letërsi me kryetar Bedri Myftari. Aksioni kishte përfunduar me sukses Suzana Selenica ishte arrestuar. Më pas pësoi tronditje psiqike, pas ditëve të tmerrshme në hetuesi dhe përfundoi në çmendinë e Sigurimit të Shtetit. Bilal Xhaferri u arratis në Amerikë në gusht të vitit 1969. Në vitin 1970 u arrestua Sadri Ahmeti. Në vitin 1967 u internua Namik Mone në Hamallaj të Sukthit, u arrestua Piro Kuqi më 22 prill të vitit 1971 u arrestua kryetari i grupit Bedri Myftari. Konstandin Dhamon e çuan ushtar drejt e nga bankat e shkollës në Karaburun të Vlorës. Roland Gjoza u internua në Pukë. U arrestua Ahmet Golemi i cili nga torturat ç'njerëzore pati goditje psiqike. U arrestua Zyhdi Morava. Akuza ishte e njëjtë për të gjithë grupin -"Agjitacion e propogandë kund&euuml;r vijës së partisë në art e letërsi". Ky grup e pagoi me 35 vjet burg dhe 30 vjet internim. Pasojat nuk do të mbteshin me kaq. Në ditarin e historisë së tyre shënohet një i vrarë nga Sigurimi i fshehtë shqiptar, një i helmuar dhe një i vetëvrarë. Bilal Xhaferrin e vrau Sigurimi i Shtetit në Çikago të Amerikës në vitin 1987. Suzana Selenicën e helmuan në vitin 1991. Faik Balanca vrau veten në vitin 1978.

Zefina Hasani


Jeta dhe vepra e anëtarëve të grupit


- BEDRI MYFTARI ka lindur mbi brigjet e lumi Kolaina Çamëri më 21 Dhjetor 1938. Ka ardhur në Shqipëri në moshën 5-6 vjeç në vitin 1944 bashkë me familjen e gjithë popullsinë çame i përndjekur nga grekët me dhunë. Ka punuar si gazetar në gazetën "Zëri i rinisë" në vitet '60 deri sa u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1971 dhe u dënua për agjitacion e propagandë kundër vijës së partisë në art e letërsi. Eshtë pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë në vitin 1967. Në vitin 1967 ka botuar vëllimin me tregime "Fluturzat e borës" ku u prit mirë si nga lexuesi e kritikat e atëhershme. Në vitin 1966 ka marrë çmimin inkurajues në një konkurs kombëtar, me vëllimin me tregime "Si e lamë shtëpinë e vjetër". Në vitin 1969 në një konkurs tjetër kombëtar për letërsi ka marrë çmim të tretë me vëllimin me tregime "Mbrëmjet e qytetit tim". Me t'u arrestuar nga Sigurimi i Shtetit shkruan në Kavajë vëllimet me tregime "Si e lamë shtëpinë e vjetër dhe mbrëmjet e qytetit tim". U hoq nga qarkullimi vëllimi me tregime "Fluturzat e borës". Ju hoq e drejta e botimit deri në vitin 1991 kur fitoi demokracia. Pas vitit 1991 Bedri Myftari ka punuar si gazetar në gazetën "Kosova" dhe më vonë si kryeredaktor i gazetës "Tribuna Demokratike" deri në vitin 1998. Pas vitit 1998 ka filluar si gazetar në gazetën javore "Emigranti shqiptar" që shitet në Gjermani, Zvicër, Austri ku punon dhe sot aktualisht. Pas dhënies së drejtë së botimit më 1991 e deri më sot në 1999 ka botuar këto libra: "Kronikat e vdekjes" (Roman), "Rojtari i varrezës" (Roman), "Dashuria e parë" (vëllim me tregime), "Ti je Eva" (vëllim me poezi" "Pranverë që s'kthehet më" (vëllim me poezi) këto ditë ka çuar në botim "Bardh e zi" libër me satira, portrete e ese. "Vegimet e orakullit divan" (vëllim me tregime e novela" "Sirenat" (vëllim me përralla).
- BILAL XHAFERRI ka lindur më 1935 në Ninat të Konispolit. Ka punuar si punëtor në ndërmarrje të ndryshme ndërtimi, pasi ka pasur babanë të pushkatuar nga partia. Ka filluar të shkruajë e botojë që në vitet '60. Ka shkruar romane, tregime e poezi. Ka botuar në vitet 60 deri në 69 kur u arratis: "Njerëz të rinj tokë e lashtë" (vëllim me tregime); "Lirisht e kuqe" (vëllim me poezi" la dorëshkrim romanin historik. "Krasta Kraus". Iu hoq e drejta e botimit dhe u internua në vitin 1968, kur kritikoi romanin Ismail Kadares "Dasma". Pastaj Bilali u internua në Hamallaj të Sukthit. Iu hoq e drejta e botimit iu ndaluan librat e botuara. Në gusht të vitit 1969 u arratis në Amerikë, por nuk i shpëtoi dot dorës së zezë të sigurimit të Shtetit shqiptar. Ata shkuan dhe e vranë në Çikago në 1987. Bilali në Amerikë nxorri edhe revistën "Krahu i Shqiponjës" ku kryedaktor e botues ishte vetë. Eshtrat ju sollën në Shqipëri më 1995 dhe sot ndodhen pranë eshtrave të të parit të fisit të vet Hoxha Tasimit.
- PIRRO KUQI ka lindur në Rehovë të Kolonjës më 1939. Ka shkruar tërë jetën poezi. Tani në fund ka mundur të botojë një vëllim me peozi lirike. Ka për botim gati me dhjetra vëllime me poezi që po i dëshifron nga blloqet e vjetra, pasi i ka shkruar me një alfabet që vetëm ai i di. Këtë e ka bërë që po të binin poezitë e Pirros në duart e Sigurimit të mos lexoheshin. Ka punuar tërë jetën punëtor në punimin e drurit. Tani është pensionist.
- SUZANA SELENICA shkroi shumë poezi, por vdiq pa botuar as një vëllim. Veç përndjekjes nga sigurimi i Shtetit pati edhe mjaft peripeci personale në jetë. U helmua nga Sigurimi i Shtetit. Miqtë e saj, ndoshta shumë shpejti shokët do ti mbledhin poezitë dhe do t'i botojnë në një libër.
- ZYHDI MORAVA ka lindur në vitin 1946 në Devoll. Ka punuar tërë jetën si punëtor. Tani është zëdhënësi i shtypit në "Bashkinë e Tiranës" dhe sekretar i lidhjes së shkrimtarëve për letërsinë. Para se të burgosej në vitin 1970 ka botuar një vëllim me tregime "Në rrugë". U burgos për politikë dhe iu hoq e drejta e botimit për 30 vjet. Nga 1991 e deri më sot ka botuar 14 libra, romane, tregime dhe poezi.
- KOSTANDIN DHAMO ka lindur në Tiranë më 1951. Para se të persekutohej ka botuar poezi në faqet e shtypit të përditshëm e periodik. Nga 1991 e këtej ka botuar disa vëllime me tregime e poezi dhe disa romane e novela. Punon në RTVSH si kameraman.
- ROLAND GJOZA para se të persekutohej ka botuar një vëllim me poezi në moshën 16-17 vjeçare. Tani ka botuar disa vëllime me tregime e romane e skenar. Me skenarin "Të zhdukurit" ka fituar një çmim në një konkurs mbarëkombëtar. Tani punon në RTVSH si skenarist.
- AHMET GOLEMI ka lindur në vitin 1936 në Golem të Gjirokastrës. Ka punuar si mësues fizkulture dhe si gazetar në gazetën "Sporti. Para burgut ka botuar dy romane. Tani ka në botim një roman. Eshtë në pension dhe komenton një herë në javë boksin në RTVSH.
- NAMIK MANE ka punuar si elektriçist. Ka botuar dy vëllime me poezi dhe ka për botim një vëllim me tregime e një vëllim me poezi. Sot punon si teknik ekspresësh për kafe, jeton në Durrës. Ka lindur në vitin 1941 në Koskë të Çamërisë.
- SADRI AHMETI ka lindur më 1936 në Vuthaj të Gucisë. Para persekutimit ka botuar poemën "Kasollet kanë ftohtë". Sot ka botuar dy vëllime me poezi e një vëllim me poema. ka Hapur disa ekspozita me piktura në vend e jashtë se Sadriu është është edhe piktor. Tani është në pension.
- FAIK BALANCA ka punuar si gazetar në "Zëri i Rinisë" me Bedri Myftarin. Para se të vriste vehten ka botuar dy vëllime me tregime. Pas vdekjes i kanë botuar romanin "Mamaja e largët". Ishte talent i rrallë. Ka lindur në Tiranë në mars të vitit 1945.



No comments: