Lojërat Olimpike të Pekinit janë mbyllur të dielën me një ceremoni spektakolare.
Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Jacques Rogge, tha se olimpiada kineze kishte qenë të jashtëzakonshme dhe kishte demonstruar fuqinë e sportit për të bashkuar. Në sytë e mijëra atletëve dhe 90 mijë spektatorëve, ai i dorëzoi flamurin olimpik kryetarit të Bashkisë së Londrës, që do të jetë organizatorja e Lojërave Olimpike të 2012-ës. Flaka olimpike që ka qenë e ndezur gjatë lojërave mbi stadium, tani është shuar. Lojërat e Pekinit konsiderohen si sukses i madh për Kinën që u përgatit për to për shtatë vjet rresht dhe shpenzoi mbi 40 miliardë dollarë.
Londra merr stafetën
Ceremoninë finale në stadiumin kryesor të Pekinit e ndoqën mbi 90 mijë spektatorë. Gjatë ceremonisë, kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, mori në dorëzim flamurin olimpik. Mbretëresha Elizabeth ka përgëzuar me një mesazh ekipin olimpik të Britanisë së Madhe, që në Lojërat e Pekinit fitoi 19 medalje ari, paraqitja më e mirë për Britaninë në olimpiada për një shekull. "Triumfet e arta të ekipit aktual britanik mund të shërbejnë vetëm si një frymëzim i mëtejshëm për të gjithë ata që do të punojnë shumë gjatë katër viteve të ardhshme për t'i bërë Lojërat e Londrës një shembull të ndritshëm të suksesit olimpik", - thuhet në mesazhin e Mbretëreshës.
Lojërat Olimpike dhe demokratizimi i Kinës
DW
Lojërat e 29-a Olimpike të Pekinit ka gjasë që do të hynë në histori si lojërat e “bëjmë sikur”: Komiteti Ndërkombëtar Olimpik bëri sikur dhënia e lojërave Kinës mund të shërbente edhe si një mësim suplementar në çështjen e demokratizimit. Qeveria kineze bëri sikur në kontekstin e lojërave do të garantonte më shumë të drejta lirie. Kina bëri pra sikur të ishte vendi modern, i hapur ndaj botës, pra një vend që e prezanton veten. Organizatorët e olimpiadës bënë sikur i lejuan demonstratat, edhe pse asnjë proteste nuk iu dha leje dhe ata që paraqitën kërkesat përfunduan nëpër burgje. Në ceremoninë e hapjes një vajzë e bukur bëri sikur këndonte, ndërkohë që zëri i incizuar i përkiste një vajze tjetër. Kinezët e vegjël bënë sikur ata ishin fëmijët e njërit prej 55 minoriteteve, por në fakt ata ishin mbuluar prej kostumeve shumëngjyrëshe. Atletët bënë sikur prej forcës së tyre ishin në gjendje të thyenin rekord pas rekordi. Kalorësit gjermanë madje ushqyen me doping edhe kuajt e tyre! Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, sponsorët dhe mediet së bashku bënë sikur lojërat ishin një “festë e rinisë botërore”, kur ka kohë që është komercialiteti ai që mbizotëron. Bota bëri sikur kjo ishte një “olimpiadë e paqes”. Por pikërisht në hapje të saj nisi konflikti i armatosur në Gjeorgji kundër provincës separatiste të Osetisë Jugore.
Për qeverinë kineze Lojërat Olimpike janë megjithatë një sukses, ndoshta jo aq shumë me efektin e shpresuar në botën e jashtme. Por brenda vendit qëllimi u arrit. Moria e medaljeve, spektakli i hapjes me pjesëmarrjen e kryeministrave më shumë se çdo herë tjetër, ecuria e organizuar perfekt e garave sportive, të gjitha këto u përçuan në çdo vatër kineze. Një gjë e tillë përforcon vetëdijen kombëtare. Në këtë mënyrë sigurohet një kapital i vlefshëm politik për legjitimimin e sundimit të një partie, e cila është rrënuar në aspektin ideologjik.
I humburi është Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. Me shumë naivitet ky organizëm besoi se impulsi i demokratizimit që u ndie në Seulin koreano-jugor në vitin 1988 do të realizohej edhe në Pekin. Por Koreja e Jugut është një vend i vogël, që në aspektin e politikës së sigurisë ndodhet në varësinë e SHBA-së. Ndërsa Kina është një vend gjigand, që funksionon sipas ligjeve të veta.
Megjithatë, një filiz shprese mbetet. Ajo ushqehet nga anë të ndryshme. Nën presionin ndërkombëtar gjatë periudhës së Lojërave Olimpike u zbut censura në internet. Ndonëse ajo nuk u shfuqizua, u çlirua më shumë se asnjëherë më parë. Ky lëshim mund të shtrihet në vitet e ardhshme edhe ndaj sferave të tjera të shoqërisë. Ndryshime të mëdha në Kinë po përgatiten prej kohësh nën rrogoz. Ndaj vetëm e ardhmja do ta tregojë se si dhe nëse Lojërat Olimpike e kanë ndryshuar Kinën.
No comments:
Post a Comment