Sunday 21 December 2008

Kur kërkojmë “Tjetrin” në letërsi dhe e kemi mes nesh



(Një bisedë që sjell Roland Gjozajn në bisedë)

Fatmir Terziu

Atë ditë binte shi. Me gazetarin e shquar shqiptar, Hasan M. Shahinaj, rrëkëllenim kafenë e mëngjesit. Ishte një mëngjes i rastësishëm. E rastësishme ishte edhe kafeja me njeriun e talentuar, autor i disa vëllimeve me tregime, poezi dhe publiçistikë. Autor i “Gurët e Skënderbeut’’, ’’Vajkali- vaji i kuajve”, ’’Pelë a dhi- peladhija”, ’’Sfetigradi, kryekështjella e paepur...” etj. I ratsësishëm ishte pastaj edhe muhabeti. Ai shkrumbohej nën risi gjethesh që mbushnin parmakët e oborrin e lokalit me aromë deti vjeshtak. Por çuditërisht gjethet ishin ndryshe në oborrin e lokalit në Shkozet. Ishin shumëngjyrëshe. Veprimi i tyre dukej monoton. Binin si me urdhër. Zhvishej pema nën syrin tonë! Stërkalat e shiut pastaj thyheshin si me dënesë nën qelq. Dhe pas qelqit, dihama jonë e shqipëruar nën fjalë lakonte kinemanë, letërsinë, publiçistikën e njerëzit e saj. Emra të shumtë zbrazeshin nga ky lakim dashamirës. E në këtë paradë fjalësh ndalesa të shumta mbi emra të ndryshëm bënin stacionime të nevojshme. Ishin stacione për Esat Musliun, pastaj disa ndalesa të arsyeshme për Roland Gjozën…
“Skenarist, prozator, poet, …”- shton njeriu i letrave.
Unë tund kokën dhe veshët i mpreh aq shumë sa më duhet të perfeksionoj në detaj ato fjalë që shpreh Shahinaj. Janë fjalë që më tërheqin. Më flet për emra konkretë, për emra që lidhen me këtë emër të mrekullueshëm të penave shqipe. A nuk kërkohet prej kohësh në letrat shqipe ‘Tjetri’? Dhe “Tjetri” ekziston. Është mes nesh! Është mes nesh dhe ne e harrojmë. Është në këtë listë të madhe që nis me dhjetra krijime të mëparshme në mjaft fusha e udhëton tek filmi “Rrethi i Kujtesës” (1987) mes emrave që lidhen në një rrjesht të gjatë arti, Esat Musliu, Roland Gjoza, Thimi Filipi, Ermira Gjata, Marieta Ljarja, Rikard Ljarja, Agim Qirjaqi, Stavri Shkurti , Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani. “Rrethi i Kujtesës” është vetëm sa për të zgjuar kujtesën se vargu është i madh…
“Por, Gjozaj është një emër i spikatur në të gjitha trevat shqiptare në mjaft lëmi të krijimtarisë”- shtohet në bisedë.
“Ai tashmë lexohet më lehtë edhe në hapësirën internetike, dhe vjen më i plotë. Unë e kam lexuar tek blogspoti i krijuar nga njeriu i letrave Kolec Traboini për të. Një ditë ma dërgoi djali i një miku tim nga Struga dhe pastaj në një darkë në Llabunisht të Strugës më treguan shkrimet e tij në internet…”- shtoi shkrimtari Hasan Shahinaj. “Ja”,- më thotë, - “shiko këto printime”. Ishin vërtet printime nga interneti. Nga blogspoti i krijuar me dashamirësi nga Traboini. Aty lexova: “ROLAND GJOZA - mjeshtër i fjalës e lirik i spikatur.” Dhe kjo nën siglën e talentit Traboini e bënte edhe më të bukur bisedën pas qelqit me simfoni stërkalash shiu dhe vallzim gjethesh vjeshtuke aty ndanë lokalit që sillte jodin e Adriatikut. E nga aty sillja ndërmend kokrizat digjitale të internetit që e sillni aq lehtë Gjozajn në çdo skaj. Traboini shkruan: “Roland Gjoza është mjaft i njohur në rrethet artistike në Tiranë e Prishtinë, nder lexuesit e letërsisë dhe amatoret e filmit. Ai është poet lirik, prozator me një stil të veçantë dhe skenarist filmi. Që në vitet e hershme te gjimnazit ai dallohej për talentin e rallë si poet. Në moshën 18 vjeçare botoi librin e parë“Mozaik”, një vëllim lirik që la mbresa në qarqet letrare të kohës për ndjenjat e holla e të brishta, si dhe imazhet e freskëta poetike që sillte. Pas mbarimit të Fakultetit Gjuhë-Letërsi, u emerua mësues në Pukë. Jeta si mësues në një rreth të vështirë të Veriut të Shqipërisë, ku ashpërsisë së natyrës i shtohej dhe varfëria e tejskajshme e malësorëve, e frymëzuan në krijimin e tregimeve dhe novelave mjaft realiste.
Pas disa vitesh në Veri, kaloi skenarist filmi artistik në Kinostudio, Tiranë, ku do të kishte një veprimtari të gjatë e të frytëshme. Disa nga filmat ku ai është skenarist, janë çmuar në festivalet dhe konkurset kombëtare. Filmi dokumentar “Të zhdukurit” me skenar të R.Gjozes, është nderuar me çmim të parë në Vashington. Eshtë autor i rreth 20 librave të gjinive të ndryshme, romane, tregime e novela dhe poezi. Në vitin 2006 ka botuar e në Tiranë vëllimin poetik “Bukë e verë” dhe në Prishtinë librin me tregime “Nord Mort”.
Proza në librin "Nord Mort" ka plot karaktere, situata e skena befasuese që të futin në një botë sa konkrete, aq surrealiste. Në terë tregimet ka një stil të veçantë dhe modern. Realiteti me fantazine nuk dihen ku fillojnë e ku mbarojnë, ku bashkohen e ku ndahen, ato janë emocionuese e tronditëse e të lenë mbresa të pashlyeshme. Nje tjetër dimension të shfaq poezia në librin"Bukë dhe Vere". Poezia e Roland Gjozes është perjetimi i thellë, shpirti i tij është pasqyra ku reflekton jeta me të tera dritë hijet e veta. Që nga mbresat intime në vite të shkuara kur jeta rridhte e qete deri ne mosdukje, e në vazhdim, në kohën e çmendur ku permbysjet sociale sollën shpërftyrimin e njeriut, koh kur dominoi dhuna, perversiteti dhe ligësitë njerëzore shperthyen duke krijuar panik e kaos. Mjerisht, koha jonë në shumë kuptime u shpërftyrua. Poetët që i përkasin një hapsire e një drite hyjnore, por që në ferrin e të gjalleve quhet mallkim, të shituar nga Zana pra, gjithësesi shpirtin nuk ua shiten djallit e as u ka vdekur kurrë, se fryma krijuese mbijeton, ketë e tregojnë edhe lirikat e thella, perjetimet emocionale e mendimet filosofike që e përshkojnë tej e mbanë librin e Roland Gjozes, ofruar për admiruesit e poezise, si në tryezë Krishti u ofronte dishepujve, “Bukë dhe verë”. Poeti e prozatori Roland Gjoza ka disa vite që jeton familjarisht në Nju Jork.”
Ndërsa lexoja letrën e printuar me siglën e Traboinit, sillja sërrish para syve të mi atë distancë gjeografike që zvogëlohej e zvogëlohej në bisedën tone duke e prurë Roland Gjozajn nga Nju Jorku në atë sallë të vogël klubi, në atë sallë që ka nevojë për fjalën rreth tij, për pozinë e tij, prozën e tij, se me thënë të vërtetën edhe ato salla të vogla janë fryrë nga bisedat për politikë e politikanë, për ata që mbinë si vemje për të harruar “Tjetrin” dhe e detyruan të marrë torbën e ‘shkretëtirave letrare’ ashtu siç vetë Gjozaj shprehet diku në shkrimet e tij.
Roland Gjoza ishte tashmë në tryezë me ne. Në bisedën tonë ai nuk ishte prezent, se edhe kur është ai është i tillë, fjalëpak, modest, i kursyer, dëgjues dhe vlerësues. A nuk është i tillë ai në fjalët e tij lapidare tek esetë e krijuara në vite? Ai e sjedh jetën e të tjerëve me tone të larta, me penelata të zjarrta. Shkruan për të gjithë që ai njeh, shkruan me zemër dhe mendje. Dora është një instrument në shërbim të filozofisë së tij. Këtë e kanë diktuar shkrimtarët Ismail Kadare, Pëllumb Kulla, Lazër Stani, Faruk Myrtaj, Ndue Lazri, Vahid Hyzoti e mjaft të tjerë teksa e kanë thënë hapur se ai është modeli i esesë së sotme shqiptare. Është i tillë, ashtu sic e thotë dhe e pikas edhe Dismondy si një eseist që sjedh jetiken dhe realen jashtë bezdisjeve historike.
Pra ja “Tjetri”. I kompletuar dhe model i letërsisë shqipe. Përse heshtet nga instancat përkatëse? Përse heshtin ata që ende shpresojnë se dosjet zyrtare janë profesioni i tyre? Përse hesht Kultura zyrtare shqiptare? Gjoza është një penë që duhet vlerësuar. Këtë duhet ta thotë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe gjithkush që e do pakëz krijimtarinë dhe jetesën e saj. Talentë si Gjoza vijnë nga skutat e severgjenta shqiptare për t’u dëshmuar brezave dhe historisë. Është dëshira dhe detyra jonë historike që ti vëmë në piedestalin e tyre. Detyrë apo detyrim?! Unë do të mjaftohesha se “Të tjerët” është mes nesh, e kemi ditur dhe kemi heshtur…

No comments: