Saturday 13 December 2008

Përse shkruajmë?



Fatmir Terziu

Imagjinoni se gjithkush nga ne ka responsibilitetin e vet tek pyetja “përse dhe për cfarë shkruan?”. Secili ka një predispozicion, rrethana, kushte, arsye dhe shtysa. Frymëzime gjithashtu. Nëse ne shkruajmë, nënkupton se ne nuk aktrojmë. Pra ne e gjejmë vetveten në vështirësi kur ballafaqohemi me relitetin. Prandaj, ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër të kundërveprojmë. Rrugë tjetër të komunikojmë. Distanca të ndryshme. Kohë për të reflektuar. Pra, shkurt ne, secili prej nesh tenton të jetë ndryshe, tenton të jetë vetvetja.
Prej shumë kohësh shkrimtarët, poetët, njerëzit e letrave, kanë lënë pas atë që mendohej me kohë se ata janë leva që mund të ndryshojnë botën, ata mund ta bënin këtë me tregimet dhe shkrimet e tyre, me faktet dhe imagjinaren e tyre, me vargun dhe poezinë e tyre. Ata, pra ishin njerëz që i jepnin lindje me një shembull të mjaftueshëm se si jeta duhet të jetë. Thjesht, ata ishin dhe janë fiksues të dëshmisë. Janë dëshmitarë historikë.
Shkrimtari dhe njeriu i letrave nuk dëshiron të jetë dëshmitar në fakt, por ai papëlqyeshëm është një i tillë, automatikisht. Paradoksale është se ai nuk luan rolin e një dëshmitari për asgjë që ai ka parë, apo edhe për asgjë që ai përkushtohet të shkruajë. Kjo bëhet më konkrete kur është fakt se ai s’mund të quhet i pranishëm i ngjarjes, faktit apo rrethanës, edhe pse ajo që shkruhet lexohet si e tillë.
Tolstoi, ndoshta na solli ne vuajtjen që ushtria e Napolonit pësoi në Rusi, por akoma nuk ka ndryshuar gjë në kursin e historisë. Në letërsinë shqiptare, Sabri Godo na solli faktet historike tek “Skënderbeu”, na solli një roman historic, një roman ndryshe nga të tjerët, që tregon historinë e heroit tonë kombëtar. Një roman që përshkruan trimëritë e luftës 25-vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë ai mendon, mënyrën e të dialoguarit me të afërmit, me ushtarët, me trimat shqiptarë, dashurinë e tij për Shqipërinë. Një roman që këtë figurë kaq të lartë kombëtare e afron më shumë me ne, e bën më njerëzore dhe më të afërt. Ismail Kadare na solli “Këshjellën” në një funksion historik, pa ndryshuar rrjedhat e historisë. Këto janë shkruar, por s’janë pjesë e jetës së tyre. Në letërsinë shqiptare ka mjaft të tilla, por pak janë shërbyese të ndryshimeve në rrjedhat e jetës. Mjaft shkrimtarë në botë kanë shkruar për gjëra që kanë qenë pjesë e tyre dhe që kanë ndryshuar rrjedhat e jetës. Claire de Duras ka shkruar të famshmen “Ourika”. Harriet Beecher Stoëe shkroi “Kabina e Dajës Tom”, por ata qenë njerëz-skllevër në vetvete, që ndryshuan rrjedhën e vet të jetës, që rebeluan dhe luftuan kundër padrejtësive duke krijuar rezistencën në Brazil, Guinenë franceze etj.

Vazhdon…

No comments: