Sunday 14 December 2008

Një saksi me lule të freskëta



Tregim

Fatmir Terziu

“Ç’është ajo?”- pyeti Menda.
“Një saksi me lule shumëngjyrëshe. Një saksi me lule të freskëta”, - u përgjigj Lili.
“E ku do të vendoset ajo?”
“Aty, tek…”
“Jo! Këtë saksi me lule do ta vendosim këtu. Ja këtu në këtë hapësirë, para këtij busti që simbolizon unitetin dhe frymën e të gjallëve, dashurinë e të afërmve për bijtë e tyre që kanë ardhur parakohe në këtë hapësirë…, në këtë hapësirë ku prehen shpirtrat e tyre, ku prehet shpirti i engjëllit tim…”.
Lili ngriti supet dhe ngeli. Nuk foli. Të dyja në fakt kishin shtangur në çast. Dy gjallesa qiellore e prishën këtë rutinë. Dy zogj të vegjël që fluturuan tinëz mbi kokat e tyre. Cicërimat e tyre përhumbën mes asaj qetësie në fushën e varrezave. Në atë kënd ku ndodheshin varret e mjaft shqiptarëve nuk kishte hierarki. Të paktën atje ishin të gjithë njëlloj. Të gjithë! Kështu mendoi Lili. Ajo ende nuk dinte se ç’mendonte Menda në atë moment.
“Mos vallë bëra gabim me atë saksinë?”- pastaj ajo mendoi me vete. Ishte mikesha e heshtur e asaj familjeje dhe s’mund të rrinte pa i prurë një lule të freskët engjëllit të tyre që u shua shumë shpejt. E dinte dhimbjen dhe ndaj mendonte kaq shumë, se nuk donte të prodhonte akoma dhimbje. E ndërsa ishte mbytur në mendime dhe djersë në atë dimër të ftohtë ndjeu dorën e Mendës mbi krahët e saj. Pastaj u panë sy më sy.
“E dashur, Lili! E di që nënat janë barkmëdhaja? Barku i tyre mban një botë të tërë. Atë hapësirë që nuk e zë mendja, fap ua krijon stomaku. Aty nuk bluhet vetëm ushqim, por edhe stress, edhe dhimbje, edhe ….Ndaj unë dua që ato lule të jenë për të gjithë. Se këtu, e sheh të gjithë janë njësoj. Se po ti lëmë lule vetëm Valonës, engjëllit tim, ne bëjmë gabimin e madh. Nuk duhet ta ndajmë atë nga të tjerët. Të jesh i barabartë do të thotë shumë, apo jo mikja ime?”
Lili kishte ngulur sytë tek sytë e saj. Vetëm lëvizjen e buzëve ia diktonte me qetësi dhe zërin ia fiksonte deri në detaj.
“Bukur! Mjaft bukur, mikja ime. Unë kujtova se …”
“Jo mike e dashur, jo! Ne duhet të jemi të forta, të durueshme, të sinqerta. Xhelozitë na kanë bërë që të ndjehemi ndryshe, dhe ato na sjedhin probleme…”
Pastaj punë adetesh. Punë traditash. Atje tej nga vendi ku ndodhej varri i Valonës vërtet dhe çuditshëm ajo vazo me lule dukej më këndshëm, dukej më e pranishme. Ajo ishte në çdo kënd e shikueshme. Kur biseda nisi rreth asaj dite, natyrshëm lotët bënë të vetën. Këtë herë duhej ndërhyrja e Lilit të bënte detyrën…

***
Flokëtharësen e la mbi tavolinë. Çantën e dorës mbi komodinë. Pastaj iu kthye pasqyrës. Përdori një gllancë kremi mbi fytyrë dhe pastaj sytë e kishin rradhën nën rimel. Si e shkujdesur në çast vuri dorezat e meshinta në duar, pastaj i hoqi, teksa ata e pengonin të vishej. E veshi trikon e purpurt. Pallton e ngjeshi mirë pas vetes. Një mori minutash që kalonin si pa u ndier i mernin kohën. Që nga larja, tharja e flokëve, krehja, permanenti dhe e gjithë ajo që lidhej me veshjen dukej si një kohë e pallogaritur mirë. Pastaj i hodhi një vështrim orës së madhe të murit. Pa palësimin e akrepave mbi 12-të dhe veshët i dëgjuan si në korr 12 të rrahurat që timbronin si në një kishë. Lavjerësi miklohej sa majtas aq edhe djathtas dhe në retinën e syve të saj fshikëllohej një lëvizje kryqëzuese. Nga një hapësirë e dritares përballë, hynin disa rreze drite dhe thyheshin mbi tryezë. Në përplasje e sipër formonin një kryqësi tjetër me shkëlqimin e xhamit dhe trupit plastik të tharëses së flokëve. Në çast sytë i shkuan andej nga dhoma e gjumit. Sipër kokës së krevatit ku flinte, në murin kryesor të dhomës një peisazh me pamjen e qytetit ku ajo jetonte prej vitesh, prej aty dukej si një dalje direkte. Aty përhumbi një çast. Pastaj iu duk sikur veçonte me detaje çdo skutë të qytetit të bukur e të mbingarkuar me banesa. “Ja, - tha me vete, ku është Universiteti…Ah, sikur të ishte aq afër?”
Pastaj buzëqeshi sërrish me vete dhe iu drejtua në fillim çantës në komedinë, pastaj një pakoje me çimçakiza, ku mori një dhe ashtu ngadalë duke u përtypur lehtë u gjend në derë. Dy sytë e saj si dy vishnjëza të vockla gllabëruan çdo gjë mes tyre. Në fillim u pasqyruan sipërfaqet e gjelbërta që rrethonin banesën, pastaj larmia shumëngjyrëshe e pemëve u miksua me telajon e natyrës së Dhjetorit. Grija që dominonte në këtë çast gati përhumbej mes jeshilllëkut që prodhohej aty në retinën e saj. Një tis i hollë i ngjyrës së kuqe të palltos i ngiste gjithë ato ngjyra që pasqyroheshin në sy dhe pastaj e kuqja e ndezur gati mbetej vetëm si një zjarr i largët që fokusohej e fokusohej pazgjithshmërisht. Vetëm kur u gjend mes pallateve të larta pushteti i së kuqes dukej kryeneç. Aty, në retinën e saj pastaj dukej e gjitha si nën zjarr…
Rrugën nga shtëpia deri tek këndi ku takoheshin gjithmonë, që ti jepnin të puthurën e parë si shenjë e mbarë e ditës e përshkoi gati me një frymë. Ai si zakonisht me çantën në krahëqafë e priste ndanë trotuarit. Ajo afrohej e afrohej dhe atij në çast i dukej sikur ajo ende kishte shumë rrugë për të bërë. Pastaj teksa e shikonte atë, ashtu të buzëqeshur, kaloi dorën e djathtë mbi flokë dhe të majtën e zhyti në zhepin e xhinsave të tij. Ajo e shihte gati e përqëndruar tërësisht në veprimet e tij. Sa u afrua i dha të puthurën e zakonshme dhe i foli.
“Qenke nervoz sot?”
“Nga e kuptove?
“Dje kisha leksion Frojdin, dhe …”
“Dhe mësove për shkencën e tij?”
“Ah, Berti, ah… Frojdi nuk ka bërë shkencë, këtë e di edhe bufi, se nuk është vërtetuar ende sot shkencërisht teoria e tij, por ama disa gjëra janë të vërteta apo jo?”
“Cilat përshembull, cilat Valonë e dashur?”
“Ja përshembull, kur dikush e vë dorën mbi flokë dhe zhubros padashje rradhësinë e tyre…”
“Një leksion, por dy teori… Ah, Valonë, ah…”
Dhe ashtu duke qeshur ai e mori akoma më pranë vetes. I ngjajti si një pupël. E lehtë, e bukur, e pastër, dy sy që i shkëlqenin si margaritarë. Në bisedën e tyre pastaj zuri vend fejesa. Kishin kohë që kishin rënë dakord. Kishin disa javë që vetëm fejesa ishte kryefjala e bisedës së tyre. Dhe teksa ajo nisi ti shpjegohej për bisedën e një nate më parë në shtëpi, ai vetëm ia kaloi dorën mbi faqe, pastaj mbi buzët e saj të njoma dhe ashtu me atë lëvizje të ndjeshme nuk e la të fliste.
“Ditën e Vitit të Ri… ajo do të jetë dita jonë. Kështu kemi vendosur në shtëpi”. – shpjegoi Berti.
Ajo gati shtangu. Nuk fliste dhe vetëm buzëqeshte. Një nur i veçantë i pushtoi tërë ndjesinë e saj. Fytyra e bardhë dhe e mbushur iu çel akoma më tepër. Rrezatonte e tëra. Sy, buzë e faqe ishin një facetë diamantesh që transformonte atë rrezatim në kënde të ndryshme. Dhe pastaj gjithë ky rrezatim mbyllej në një pikë, aty ku gropësia e syve të tij formonte një pikëtakim retinor të larmshëm.
Ajo i preku majat e gishtave të duarve të tij dhe pastaj iu ngjesh në gjoks. Kalimtarët kthyen kokat. Në çast ajo ishte e tëra nën pushtetin e rrahjeve të zemrës së tij. Vetëm ato dëgjonte dhe vetëm sytë e tij shikonte. Ishte dita që kishte pritur me muaj, me javë…
I ati dhe e ëma dy emigrantë të ikur nga Atdheu herët, kurrë s’kishin ndërruar në sjedhjen dhe traditat e tyre. Fanatikë të thekur. Kështu ata donin siç kishin vetë vite të lumtura jete dhe kishin rritur e edukuar pesë fëmijë, të pestë pjesët e trupit të tyre dëshironin që tu ngjanin me çdo gjë, me çdo mënyrë. Kështu ata e dinin dashurinë e Valonës me Bertin, por nuk donin të besonin se dashuria e tyre do të zgjaste pa fejesë. Dhe gati çdo natë kjo ishte ajo që e mërziste më shumë Valonën. Preteksti i parë ishte diplomimi i Bertit. Pastaj punësimi. Pastaj problemi i shtëpisë. Pastaj një arsye famljare… Dhe i ati i Valonës, sidomos ai, ishte bërë i padurueshëm. I padurueshëm deri në mërzitje për të bijën, që ishte e qartë në veprimet e saj…
Dhe ashtu pas disa minutash ata u ndanë duke shtrënguar duart fort e fort me njëri tjetrin. E puthura e saj në buzë seç i kishte lënë atij një zjarmth …

***

Kur u kthye në shtëpi fjalën e parë e kishte atë përgjigje të shumëpritur. Fejesa tashmë ishte në prag. Ishte shumë afër ajo ditë. Ishte aq afër, sa ishin pak ditët që duheshin të ktheje gjithë atë shtëpi nën peshën e pamjes festive. Dhe menjëherë filluan planet. U shkrua në letër dhe çdo gjë fliste në rregull.
“Lulet, lulet do ti blejë unë”, - tha Valona.
Të gjithë miratuan dhe kaq u desh. Nga e shkruara në letër filluan realizimet. Shtëpia u lye. Orenditë u ndërruan. Kopshti para shtëpisë u transformua në pak ditë. Çdo gjë gati.

***

Dita e fundit e vitit ishte një arsye tjetër për të lëvizur të gjithë. Duhesh lëvizur që të kryhej më mirë festa e ndërrimit të viteve. Aty asgjë nuk mungonte dhe ndaj edhe tryeza duhej mbushur. Ora ikte shpejt. Kur fap një e rënë e nxituar në derë. Pastaj një trokitje tjetër pak më e fortë. Një tjetër. Menda e pa të shoqin në sy. Edhe ai e pa atë me një habi të tmerrshme. Iu drejtuan derës. Në derë ishin dy policë, burrë e grua.
“Familja…”- folën ata.
“Po, ç’ka ngjarë?”
“Ju jeni prindërit e Valonës?”
“Po, po ç’ka ngjarë…?”
“Duke u kthyer me një saksi me lule…”
“Mos, mos …mos ma thoni atë fjalë, mos ma thoni atë fjalë…Engjëlli im, … Engjëlli im…”.
Policët pastaj lanë atë saksi me lule në parmakun e djathtë të shtëpisë…

No comments: