Friday 5 December 2008

Një fabul që vjen nga talenti për të treguar



Fatmir Terziu

Suzana Kuqi është një arsye më shumë për tu lexuar në fakt. Tregimet dhe krijimet e saj shfaqin anën ndryshe të të lexuarit. Dhe pse? Të lexuarit ndryshe të kësaj autore shqiptare lidhen me mënyra të shumta, por më e spikatura është ajo që lidhet me fabulën e tregimeve të saj që vjen nga talenti për të treguar në mënyrë të rrjedhshme, të çiltër. Tek tregimi “Daniela” është një intrigë përditësie, por jo e ngjashme me një rutinë. E dizajnuar nga Kuqi, kjo përditësi vjen në syrin tonë në fillim si një rëmujë gjërash, por të ndërtuara në sinkron me kohën, ngjarjen dhe vendin. Qenushi është një risk evenimental i kësaj intrige. Dhe më tutje jeta duket si në një detaj interesant. Gjuha është e larmishme dhe varion. Ne godasim pa fre në një stil anakroik dhe shpesh zgjedhim atë që ndjejmë. Këtu ndjenja e Kuqit duket e përballueshme dhe është një përballim krizash: “qetësuesi që i kish dhënë mjeku kur ishte në krizë nervash për atë të flamosur divorc…”. Sidoqoftë sinkroni i rrjedhës së ngjarjes na jep një pasqyrim efikas të tërë atij stili të vecantë deri sa na sjell këtë fakt ‘krize’ personale. Por tregimi ka një arsye të jetë paksa global. Është i tillë pasi ai preferon të rreket në një “Happy ending”, pra në një metodë shumë të njohur që tashmë njihet disi tejet nëpër zona krijuesish. Ky përfundim i tillë, i thënë në shqip, përfundim i gëzuar na krijon një arsye më shumë të themi se është zgjedhje autoriale, por në fakt duke qenë i gjithë tregimi një stil disi i vecantë edhe ky përfundim ndoshta do të duhej të shihej më tepër.
Përgjithësisht, kjo prozë e shkurtër është latuar mirë. Është e tillë dhe të rrëmben. Edhe diku ku gjuha duket paksa e nxituar si përshembull tek “...La hapur derën e ballkonit me shpresë se qenushi do t'i bënte aty nevojat e tij ,e doli me vrap nga shtëpia...”, (që do të preferohej më drejtë në shqip: …qenushi do të bënte nevojat e tij në atë dhomë… ose shtëpi… dhe jo do t’i bënte...) tregimi ka vlera të mirëfillta letrare dhe gjuhësore. Është më saktë një variant i bukur, ngjashëm me atë që tashmë është i vlerësuar, edhe pse skicues, tek “Burri, makina dhe gjobat”. Në këtë skicë-tregim Kuqi afron me një gjuhë poetike, të mirëformuar e tejet interesante, aq sa thënia e Samuel McChord Crothers, një universal unitarian Amerikan, “një shkrimtar që lëvron prozën e shkurtër, gjendet i lodhur dhe duket sikur dëshiron të bëhet poet. Kështu ai fillon të mbajë mend se cdo fjali fillon me germën e madhe dhe vazhdon të shkruajë prozë të lexueshme”, duket sa origjinale dhe komplekse edhe për talentin e prozatores Kuqi.
Në tregimet e Kuqit gjendet një mënyrë e vecantë komunikimi. “Burri, makina dhe gjobat” i Suzana Kuqit është një fabul e goditur. E shkruar thjesht, bukur dhe qartë. Është si një krijimtari që lexohet, mbahet mënd dhe komentohet lehtë. Një fabul proverbiale, shumë domethënëse e mjaft mesazhdhënëse. Autorja ndërhyn vetë gjerësisht në rolin e tregimtares, që shprehet me ligjëratë të zhdrejtë, teksti it ë cilit jepet në vetën e duhur. Fjalët përbëjnë monologun e tregimit dhe jepen në ligjëratë të drejtë. Ajo në fakt është një komunikim i lirë, dhe është vështirë ta klasifikosh atë. Është një ritëm poetik të cilin e ndeshim tek “Ura” e S. Hamitit, dhe që komunikon ndjeshëm duke dhënë rezultat. Një ‘antagonizëm’ i fiksuar në metoda patriarkale që shpesh dhe forcërisht ndikojnë e dominojnë edhe në shoqëritë më të kulturuara. Në këtë prurje krijuese Kuqi ka bërë të lexueshmen.

Po kush është Suzana

Suzana Petrit Kollaku (Kuqi) ka lindur më 13.10.1959 në Ostrava të Çekosllovakisë sot Republika Çeke. Babai i saj ka kryer studimet për inxhinieri minierash atje ku u martua me nënën e saj që është çeke. Pas studimeve u kthye në Shqipëri së bashku me gruan e vajzën dy vjeçe, qe ishte Suzana. U emërua në miniera të ndryshme larg qytetit të tij të dashur Durrësit duke filluar me Bulqizën, Pishkashin, Kurbneshin dhe në fund ishte kryeinxhinier në minierën e Manzës. Ne Kurbnesh u sëmur me silikozë, sëmundje që i mori jetën në moshë të re, sapo kish mbushur 41 vjeç. Kështu që Suzana, filloren e ka kryer në Kurbnesh, tetëvjeçaren në Manëz, shkollën e mesme në Shijak dhe në fund mbaroi fakultetin e Ekonomisë agrare në Kamëz, pasi bëri një vit stazh, vitin e parë ia mohuan të drejtën e studimit pasi kishte nënën e huaj. Ka punuar si ekonomiste në Durrës në ndërmarrje të ndryshme e në fund para se të shkonte në Itali ka punuar në Degën e tatim taksave të Durrësit. Të shkruarit ka qenë thjesht
një dëshirë e saj. Për të botuar shumë pak, një tregim të shkurtër tek gazeta Drita, disa poezi në një revistë për gruan, dhe më 1999 një libër të vogël që titullohet “Lumturi familjare”, shumë i vogël. Emigrimi qe një stres ashtu si për të gjithë. Por tani pas kaq vitesh gjërat sikur marrin rrugë, fëmijët rriten e kështu i mbetet pak kohë e lirë. Ëndrra e saj: të mësoj të shkruaj siç duhet që të jetë në gjendje të shkruaj një libër të denjë për babain e saj të dashur. Ka qenë për Suzanën njeriu më i mirë që ka njohur gjatë gjithë viteve të jetës së saj dhe ia ka borxh.

Krijimtaria e fundit

Tregimet e fundit të Suzanës që përmblidhen në vëllimin e saj gati për botim “Kam burrin sëmurë”, “Aborti”, “Menopauza”, “Respektomë dhimbjen...”, “Unë, mamaja dhe treni”, “Tuneli”, “Jetë pa dinjitet” etj janë një mesazh i qartë i penës së saj që mbetet tashmë jo vetëm ëndërr, por një realitet. Në këto tregime shihet qartë ideja e një “shoqërie informuese” që vjen në nota të sinqerta, sinqeritet, dhimbje dhe intuitë që përfshihet deri në grimcën e fundit të jetës. Duke lexuar krijimtarinë e Kuqit, ndjen atë që Frank Ëebster shpreh tek “Teoria e informimit të shoqërisë”, ku thekson se “ njërëzit e pranojnë këtë situatë [situatën e informimit] nëpërmjet efekteve të jetës që gjenden në metoda e stile të ndryshme të të treguarit. Pra është kjo situatë që ndjehet fuqishëm tek tregimi “Aborti”, dhe po aq fuqishëm tek “Menopauza”. Në këto tregime ndjehet fuqishëm jo vetëm situata informuese për lexuesin, por edhe pesha e fjalës që është e përzgjidhur për të treguar. Në tregimi “Respektojmë dhimbjen”, Suzana gjen më shumë hapësirë të diktojë situatën në sipare më të qarta për lexuesin dhe mesazhi siguron më shumë forcë. Të njëjtën gjë ne e shohim edhe tek “Unë, mamaja dhe treni”, “Tuneli”, “Jetë pa dinjitet” etj.
Domosdoshmëria jonë që të vijojmë tërë këtë krijimtari të Kuqit në lidhje me marëdhënien e heshtur të tregimit me lexuesin, që në këtë rast jemi ne, na kërkon largimin nga nocioni se një analizë apo kritikë letrare duhet patjetër të interpretojë e dëshmojë vija mesatare apo edhe dobësi, krahas arritjeve dhe ‘mirëkuptimit’ me tekstin. Duke menduar se leximi në këtë rast nuk është dukuri e tillë, kuptimi i mirëfilltë i asaj që thuhet rëndom ‘e lexuara’ përjashton të gjithë pyetjet kryesore rreth asaj se si duhet thënë e vlerësuar puna e krijuesit. Në këtë ide bashkohem me mendimin e Mark Pursehouse që tek fjala e tij sqaron aspektet e lartcituara të kritikës.
Ajo që shihet qartë në krijimtarinë e Kuqit është një fabul që vjen nga talenti për të treguar.

No comments: