Thursday, 6 March 2008

PJESA E DYTË: JANI DHE POEZIA


Nga Fatmir Terziu

“Poeti
ka lindur para Adamit
dhe vdes në lotin e fluturës
dhe tretet në botën
e së padukurës...”

Janë vargjet hyrëse në vëllimin poetik “Jetë e Hutuar” të Nase Janit që të transferojnë qetësisht e menjëherë në një botë të cilën kërkon enkas ta njohësh. Në një botë që lidhet sa me krijuesin aq edhe me krijimtarinë e tij. Në një botë që peshohet nga parntesa hyrëse. Dhe jo vetëm një parantesë hyrëse thotë Heminguej është celësi i hyrjes, por edhe një biografi letrare është një ndihmesë në këtë sukses, që mund të përkthehet në gjuhën e kritikës si ‘diagrama e shkrimtarit të madh’.


Biografia letrare

Thanas (Nase) Jani e ka nisur jetën në Stegopul të Lunxhërisë, Gjirokastër, më 25 maj 1947. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj në Kuçovë e Vlorë, ku mbaroi parashkollën e mesme.
Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare nisi studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, për të vazhduar më tej në Shkollën e Lartë Detare në qytetin e Vlorës dhe shkollën e Lartë të Oficerëve në Tiranë. Ka studiuar edhe për Letërsi, Dramë-Regjisurë, Filozofi, në hapësirat që i krijonte detyra ushtarake.
Prej vitit 1969 deri në vitin 1973 ka shërbyer në garnizonet e Durrësit, Kuçovës e të Beratit, oficer në A. K. A. dhe Shef i Kulturës së Divizionit të VI, Shef i Shtëpisë të Kulturës së Ushtarakëve, Berat.
Prej vitit 1997 jeton familjarisht në Athinë.

Veprimtaria Letrare:
Është autor i 15 librave në poezi e në prozë.

Në poezi:

“Po nesër”
“Unë dhe ti”
“Humbas udhët nëpër udhë” (në greqisht),
“Lotët e hënës” (poemë për fëmijë),
“Lirika”
“Sa vjeç është ky shekull?”
“Dashuria e Anës”-roman në vargje
“Jetë e hutuar” (Toena, 2007)

Në prozë:
“Unaza”-novelë,
“Çmendina”- roman
“Sulmuesi fluturues”-monografi
“Gruaja në Kafaz” tregime e novela (libri fitues i Çmimit të Parë në Konkursin e vitit 2002 nga Lidhja e Botuesve të Shqipërisë)
“Pavli dhe Vasiliqia”-novelë.
“Artistja e madhe Violeta Manushi”-monografi, 2007

Antologji & Revista Letrare

Ka përgatitur dy Antologj të Klubit të Shkrimtarëve “Drita”:
“Portat e harresës” dhe “Shtëpia mbi rrota” (Botimet “TOENA”, 2001)
Ka përgatitur dhe botuar Albumin Letrar-Arkivor :
“Me Dritën, për Dritën” (2000-2002)
Është themeluesi dhe botuesi i Revistës Letrare-Kulturore “Pelegrin”, (për shkrimtarët e kudondodhur jashtë Shqipërisë). Reviste stinore, që botohet prej vitit 2004. Kjo Reviste ka Fituar Çmimin e vitit 2004, dhënë nga Kryetari i UNESCO-S në Athinë: Janis Maronitis dhe nga Klubi letrar “Kafeneja e ideve”. Kjo revistë shpërndahet në të gjithë kontinentet ku ndodhen krijuesit e ikur nga Shqipëria.
Është përgatitës dhe botues i revistës letrare-historike: “Stegopuli” (2005)
Përgatitës dhe botues i Antologjisë poetike “Atika e fjalës” (2007) me poetë të kudondodhur jashtë Shqipërisë.
Krijimtaria e Nase Janit është përfshirë në disa Antologji brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Veprimtaria Shoqërore-atdhetare

Thanas (Nase) Jani është nismëtar i krijimit të Klubit të Shkrimtarëve shqiptarë në Greqi “Drita”.
Klubi “Drita”, është i pari bashkim shkrimtarësh shqiptarë në Greqi. U themelua më 27 maj 2000, në shtëpinë e z. Thanas (Nase) Jani, ku edhe pas shtatë vjetësh, shtëpia e tij është njëherësh edhe “zyrë” e këtij Klubi (ku ndodhet Biblioteka, Dokumentacioni, Arkiva, etj).
Klubi i Shkrimtarëve “Drita” është i ligjëruar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Athinës me Nr. Vendimi: 3856/2004, ka mbi 60 anëtarë e kandidatë, me degë në Selanik dhe shtrirje në gjithë qendrat qytetare të Greqisë si dhe ka anëtarë në Shqipëri, Itali, Zvicër, Gjermani, etj. Në nëntor 2006 Klubi “Drita” krijoi Degën e vet në SHBA.
Ka bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Greqisë dhe organizon veprimtari letrare e kulturore në shërbim të krijuesve dhe kryesisht të Talenteve të Reja.
Në Pesëvjetorin e Krijimit, me propozim të shkrimtarit Dritëro Agolli (Kryetar Nderi i këtij Klubi) Klubi “Drita” u Dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu me “Medalien e Mirënjohjes”.
Klubi “Drita” ka faqen e vet në Internet dhe lidhet me gjithë krijuesit e kudondodhur me adresat elektronike: http://pelegrin1.blogspot.com/
thanasg@otenet.gr dhe dritaklub@yahoo.gr

Nase Jani është i rizgjedhur Kryetar i këtij Klubi, me votim të fshehtë, në dy Mbledhjet e përgjithëshme të Shkrimtarëve. Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Anëtar-mik i Lidhjes së Shkrimtarëve të Greqisë.

Dekorime:
Është dekoruar me:
Medalien “Naim Frashëri”
Urdhrin “Ylli i kuq”
Urdhri “Naim Frashëri i Artë”.

DUKE RRËMUAR NË ARKIVËN DHE ‘LIRIZMIN E HOLLË’ TË POEZISË SË JANIT
Kur shkruajta për prozën e Nase Janit, Luan Xhuli qe i pari që ‘kundërshtoi’. Në fakt si një mik i autorit Jani, Xhuli paratha atë që ndjente më shumë, jo të tërën, kur pikasi poezinë e Janit si një medalje më vete, në lëminë e tij krijuese. Xhuli theksoi: “e vleresoj në shkallën sipërore, si poet të ndjenjës e të lirizmit të hollë. Ndoshta ndihem në "pozicion jashtë loje" për të gjykuar për prozën e tij (s’jam dakort me ty Fatmir) dhe situatat dhe përshkrimet në prozën e tij, sikur s’kanë për motër të madhe poezinë e tij, për të cilën jam fanatik i "ashpër" (Xhuli: Fjala e Lire, 2008). Ky ‘dëshpërim’ i mirë i Xhulit më detyroi të rrëmojë më shumë e më thellë në të dy anët e krijimtarisë së Nase Janit. Dhe natyrshëm më fokusoi të njoh më shumë këtë autor të madh që krijimtarinë e tjerr në një fushë neutrale, dhe po aq me vlera në të dy depërtimet e tij artistiko-letrare. Krijimtaria e tij udhëton në këtë udhë të piketuar më parë nga Ëilliam Blake, një shkrimtar dhe poet, artist mistik, që shpesh është konsideruar një nga liristët më të mëdhenj të letërsisë angleze. E thënë me plot gojën gjatë kërkimeve të mia duke parë dhe lexuar krijimtarinë e Janit, pashë edhe një ndërlidhje tjetër,, që mund të shihet në një plejadë shkrimtarësh e poetësh që lëvruan dhe u shquan në të dy drejtimet. Anne Bradstreet, që ishte një nga poetet më të mira të shekullit të 17-të, Elizabeth Barrett Broëning, një komplekse e poetes historiane dhe prozës së dominuar me një stil poetik tek “Sonetë nga Portugalishtja”, Anton Pavlovic Cehov, shkrimtari rus që u bë i famshëm me krijimtarinë e tij jashtë tregimit të shkurtër “Tre Motrat” (1901), dhe “Qershija Orkard”, por po aq mjeshtër mbeti në fushën e tregimit të shkurtër. Pastaj janë me rradhë, kate Chopin, Taylor Samuel Coleridge, Emily Dickinson, Ernest Heminguej, Ëilliam Shekspir dhe qindra të tjerë, që lëvruan në të dy fushat dhe u shquan thuajse në të dyja. Por këtu nuk pashë vetëm rrugën. Aty pikasa ndjesië, ngjashmërinë, njohjen që përkitazi kalon në njohurinë e autorit, përshkrimin, konvergjencën, pasqyrimin, situatën, kohën dhe vendin. Pashë vargun dhe forcën e tij. Më në fund u ndala tek libri më i fundit poetik i Janit, jo aq sa të përgjigjesha për merakun e lartpërmendurt, por për të plotësuar atë që ndoshta Jani’t i kisha hyrë në hak me poezinë. Unë pashë një Nase Jani të njëjtë, në përgjithësi, por një poezi që jo më kot ishte ‘dashuruar’ me Xhulin. Në poezinë “Sytë e nënës” esenca Eseniane rrëshqet ngadalë e depërton në veshin tënd lehtë e lehtë si në një kantautoriadë gjeniale, ku tingujt e prodhuar mbushin një hapësirë emocianale që është totalisht nën pushtetin e rrahjeve të zemrës, frymëmarjes, lotëve dhe mallit. Një vjershë që krijon një imazh qetësues trupor, por ngacmues shpirtëror. Një këngë malli më vete. A nuk synon këtë poezia? A nuk e krijon këtë edhe proza kur ajo ka dhe lëshon kodin e saj të vecantë? Të dyja, pra flasin qartë me gjuhën dhe stilin Jani:

“Sytë e nënës
më kanë mbet’ tek sytë,
shohin njëri-tjetrin e nuk çmallen..
e shoh çdo mëngjes e i them prit,
më sheh çdo mëngjes e më thotë dale...”

Në labirinthet e ushqyera mirë nga njohuria për folklorin, traditën, populloren, vendin dhe kohën, moshën dhe traditën, doket dhe zakonet, del një varg i shëndetshëm, një varg që nuk është sa për të shtuar renditjen, por një varg që ushqen gjuhën, pasurimin e saj dhe filozofinë e gjuhës në anën tjetër. Përdorimi i fjalëve të përditshme që gjenden në moshën e nënës, apo nënave simbol, natyrshëm karakterizon një anësi, por edhe një përkitshmëri delikate e tepër joshëse. Në vargjet e mëposhtme Jani e gjen këtë si një model për të shtrrirë e paraqitur forcën e poezisë së tij:

“Prit i them
të mbush fllaskën në krua,
ku dhe Perënditë freskojnë ballin,
të mbledh vezë thëllëze ndenë ftua,
të shkul ca salep, të mbledh çaj-mali...”

Dhe kush nuk e provoi përkëdheljen e nënës, kush nuk e shijoi prehrin e saj mund ta ketë pak të vështirë të kuptojë një humbje të madhe në sprovat e ecurisë jetësore, por si një ‘fëmijë’ i rritur ai e ndjen dhe e parandjen njësoj si të gjithë uljen në prehrin e nënës, ashtu duke përhumbur në vargje të tilla:

“Prit i them
të ulem ca në prehër,
të thith nga gjiri im ca qumësht gjiri...
mbase s’m’ë dridhet dora përmbi letër,
të mos më rrijë fshehur frymëzimi...”

Më tej është portreti i nënës që sjell në retinën tonë kristale simbolesh që piketohen me sytë, atë simbolikë të dritës, nohurisë, mallit, udhërrëfimit, largpamësisë, dashurisë që shfaqet tek loti i syrit, madje edhe të një gravitacioni pamor që tendoset nën linja rrezesh të padukshme të logjikës së poetit që pastaj i depërton deri në detajin më elementar në një botë plot halle:

“Sytë e nënës
më kanë mbet’ tek sytë,
shohin njëri-tjetrin e nuk çmallen...
e shoh çdo mëngjes e i them prit...
çdo mëngjes më sheh e më thotë, dale...

Prit i them,
por nëna më thotë dale,
bota dhe këtu, është plot me halle....”

Dhe kështu mes këtyre halleve fuqia e poezisë së Janit gjen vlerat e veta teksa na sjell si në një ekran komplekset e ditës të lidhura me jetën. “Jeta është shpikja më e vjetër” është një nga poezitë e Janit:

“Nga njëra ditë
tek dita tjetër,
vazhdojmë të ecim
pambarim...

Jeta është shpikja më e vjetër,
nga jeta nis,
tek vdekja mbërrin...

Jeta gjithmonë nis nga një jetë
dhe vdekja,
po nga jeta nis... Nga njëri vit,
tek viti tjetër
vazhdojmë të ecim
pambarim...”

Kështu në këtë sinkronizim matematikor të morisë kohore që nis me ditët, muajt e vitet, sinkronizohet thuajse e tërë krijimtaria e Janit, dhe jo vetëm poezia e tij, për të cilën ne u ndalëm, e gjithë vepra e tij. E thënë më qartë vepra e Janit është një kërkim i vazhduehëm shkencor-historik në amplitudat e hershme kohore dhe një gërshetim i mrekullueshëm artistik i arritjeve të sotme bashkëkohore.

No comments: