"...kolegë me emër në art patën dinjitetin të flijoheshin pa i bërë qejfin diktaturës. Për mbijetesë, shumë prej nesh, (secili në shpjegimin e vet), tigrit, për t’i larguar dhëmbët i lëmuam lëkurën. Mbetet i hapur gjykimi nëse s’kish rrugë tjetër! Megjithatë lexuesit i duhet kërkuar ndjesë për çdo shkrim që ledhatonte shtetin vrasës. Bukuria e artit harmonizon më hijshëm me bukurinë e karakterit...” (Agim Shehu).
Njeriu i ‘pushtetëzuar’ nga pena thotë Marshall McLuhan tek libri i tij “Kuptimi i Medias” është i kostumëzuar me natyrën dhe ambientin, me shoqërinë dhe dimensionin e saj rrethues, madje edhe me dritëhijet e tjera që e rrethojnë hapësirën e tij, nëse i mbetet hapësirë (McLuhan, 2002:344). Ky njeri me këtë ‘pushtet’, shpeshherë është preh e një rudimenti, e një atavizme dhe e një klauzole që vret e pret nën hijen e saj groteske artin, krijimtarinë dhe tërë shpirtin e tij. Ky njeri është ai njeri në në kohë e vend tjetër por me një shpirt të rrëmbyer, me një shpirt të grabitur. Duke komunikuar me Michael Argyle, që vjen në ndihmë në këtë rast të argumentojë njeriun si ‘qenie sociale’ në rrëmujën kritike, natyrshëm vjen në ndihmë edhe ajo që poeti Agim Shehu i kërkon qënies së tij sociale: “nëse i kërkon t’i ruhesh prishjes si njeri nga shteti çnjerëzor, duhet t’i paguash shpërblim atij, ose të pranosh shkatërrimin prej tij. Te krijuesi diktatura s’kërkon ‘harraç’ më të mirë se artin e tij” (Argyle, 1974:13 & Shehu, 2008:4). Këtu njeriu i Argyles, ngryset në shërbimin mëkatar, të cilin e grahmon nën një vegje shtirrëse duke nënkuptuar ‘njeriun komunitar’ nën darë që happen e mbyllen duke luajtur rolin a arrathyeses moderne ku lëvozhgat skrëmiten nën dhëmbë të padukshme dhe lënë të dalin në skenë frutet e kokrrës së vogël me proteina dhe yndyrë të nevojshme. Por thelbi i njeriut të penës lidhet me frutin e saj, dhe jo me këto ingranazhe, të cilave koha herë u bën ‘hosana baraba’ e herë u hedh ca gurë zalli si akreditim me inatin e shpirtit. Por ndërsa shpirti e kupton në një kohë tjetër haraçin e penës së tij, postulati ‘autokritika publike’ e Shehut “kolegë me emër në art patën dinjitetin të flijoheshin pa i bërë qejfin diktaturës. Për mbijetesë, shumë prej nesh, (secili në shpjegimin e vet), tigrit, për t’i larguar dhëmbët i lëmuam lëkurën. Mbetet i hapur gjykimi nëse s’kish rrugë tjetër! Megjithatë lexuesit i duhet kërkuar ndjesë për çdo shkrim që ledhatonte shtetin vrasës. Bukuria e artit harmonizon më hijshëm me bukurinë e karakterit”, natyrshëm i jep disi një rrugë të hapur kritikës të thotë pak fjalë për të, dhe të udhëheq mendimin në poezinë e tij. Karakteri, pikërisht ky karakter që shpreh Shehu, duhet kapur e gjetur tek krijimtaria e tij ndër vite. Dhe pikërisht tek një varg poetik që nis me “Horizont i kaltër” (1959), “Vite pa thinja” (1970), “Vallja e kalldrëmeve” (1977), “Gurra e fjalës” (1980), “Zërri i gjakut” (1984), “Ujvarat e diellit” (1988), “Arkitektura e zemrës” (1995), “Mëngjes Kosove” (1998), “Mbrëmje” (2002) dhe mbaron tek “Loti Alpin” (2003).
NATYRA E KARAKTERIT NE POEZI
Dy poezi në një kënd ndryshe. Dy poezi që kanë një kuadraturë karakteresh. “Gruas” dhe “Këpucët e mia të grisura”, të vendosura në faqet 108 dhe 109 të vëllimit poetik të Agim Shehut “E zgjedhura ime” (2008), botuar nga “Albin”, janë dy poezi që jo aq për kontrastin e natyrës së karaktereve në poezi, as edhe për pozicionin e vendosjes së tyre në rradhën e rreth 180 poezive të zgjedhura nga autori, se sa në lidhjen e natyrës së karakterit me detajin figurativ të pjekur që Shehu e sheh tek veprimi ledhatues it ë dashurve të tij të shpirtit, vajzës, birit dhe lidhjeve të së përditshmes me ‘pazarin’, thinjat dhe zjarrin e shkuar rinor. Një shëtitje e thjeshtë metaforike që gatuhet nën një pushtet njëstrofësh, por që thotë më shumë. Një grua e dashur, një vajzë dhe një djalë, dy simbole të jetës së një çifti me rrudha e me thinja, nën një sforcim artistik ku ‘tethinjat rri të lëmoj hirin’, dukshëm dhe fuqishëm prodhohet një imagjinatë që e pikturon natyrën e karakterit të përzgjedhur, natyrën e karakterin që lidhet me thjeshtësinë, familjen, hallet, problemet, por tek e përgjithshmja; detyrimet e një jete me fëmijë, e një jete familjare. Si në kontrast pastaj “Këpucët e mia të grisura” sjellin një varg që moleps një situatë ndryshe nën një pushtetësi karakteresh ndryshe. Simbolikja dhe frazeologjikja e shkurtuar, madje e riprodhuar nga autori këtu gjejnë ngjashmërinë më njërëzores, alegorinë që prodhon mesazhin për të goditur dhe çoroditur një situatë, për prodhuar Migjenianen e hershme e për të bërë që prurja figurative të ushqejë një varg të tillë tepër domethënës për të njohur karakterin:
“nën ca dërrsa te ballkoni
strehë të qetë keni gjetur.
Me majë gojëhapur, në sy më shikoni
Thua, diçka pa thënë ju ka mbetur!
S’di më qortoni, vallë përdita
Që dot s’ju lidha me pritje të shtune,
Që te një shkallë avioni kurrë s’iu ngjita,
Që kurrë s’ju kapardisa presidiumeve.”
Dhe për të kuptuar më tej natyrën e karakterit të tij, të gatuar edhe në një format tjetër, që fuqishëm gjen një arsye të fuqishme. Le të huazojmë atë që Aleko Likaj ka pikasur herët tek karakteri ndryshe i Shehut: “Dikur isha në vitin e parë në gjimnazin e Cërrikut e një shok më dha një libër lirikash me ballinë blu. Me të në çantë shkova në shtëpi, dhe pa e kuptuar e përpiva si me një frymë. Qe njohja e parë me poetin e ri. Më pëlqeu veçanërisht, si gjithë rinisë së kohës, lirika me humor "Dashuria e një matematikani" ku ne gjenim veten. Isha në moshën kur niste ngacmimi i vajzave. Më tej, na vinte turp më tepër se vajzave. Në fund të orëve i drejtohem si budalla naiv shoqes së bangës me një varg të vjershës:
"Ty po të drejtohem, vajzë, moj syzezë,
Më do a s’më do, kjo është hipotezë"!,
dhe po vazhdoja pa pyetur pikë a presje. Ajo në fillim heshti e habitur, pastaj befas më flaku një pëllëmbë që m’u bënë faqet më të kuqe nga ç’i kisha! Më shkrepën sytë. Vargjet i kish marrë si propozim për të! S’qe aq e pashme, e me atë pëllëmbë i shtonte dhe rëndësi vetes (Likaj, 2008: Fjala e Lirë).
Vazhdon…
No comments:
Post a Comment