Friday, 27 November 2015

Dëshira e fshehtë e Bubulinos


                                                -tregim-



Takim me lexues të vegjël: Hässlehus bibliotek, Boros, Suedi, maj 2011.
 Foto Sokol Demaku

Shkruar  nga Viron Kona


-Kam edhe një pyetje,-tha gazetari, i cili kishte ardhur në qejf nga përgjigjet e vogëlushit.-Desha të di, Bubulino, nëse ti ke ndonjë dëshirë të veçantë?
-Po,-u përgjigj Bubulinoja, dhe, kushedi pse ngurroi që të vazhdoj më tej.
-Fol, Bubulino, mos u druaj, shprehe dëshirën tënde! - e nxiti mësuesja.
-Fol Bubulino! - dukej sikur thoshin të gjithë në klasë. Ata i kishin përqendruar vështrimet te shoku i tyre dhe prisnin me frymën pezull.
Vogëlushi rroku me një vështrim klasën dhe u përgjigj:
-Dëshira ime më e madhe është që të jem njeriu i parë që do të shkojë në planetin Mars.
Të gjithë sa ishin në klasë, madje edhe mësuesja dhe gazetari mbetën gojëhapur. Disa çaste asnjeri s’foli. Pastaj, befas, dikush duartrokiti dhe, menjëherë, e gjithë klasa u përfshi nga duartrokitjet. Ngado vinin zëra: “Të lumtë, Bubulino!”, “Je i madh, Bubulino!”, “Je më i miri, Bubulino!”, “Je fantastik Bubulino!”, “T`i do të bëhesh i famshëm, Bubulino!” “Jemi krenar me ty, Bubulino!”
Vogëlushi ndihej i emocionuar dhe i gëzuar nga përgëzimet e shokëve.
-Përse të tërheqë kaq shumë planeti Mars? - e pyeti mësuesja.
-Nuk  di ta shpreh qartë këtë dëshirë mësuese por kam lexuar se Marsi, që quhet "Planeti i Kuq", është planeti që i ngjan më tepër Tokës sonë. Unë kam një hartë të madhe me ngjyra të Marsit, që e kam gjetur në një revistë shkencore. Kam dhe disa fotografi të bukura, të bëra nga anijet kozmike dhe robotët, që janë ulur në Mars.
-Bubulino, ka njerëz në Mars? - e pyeti Vini, shoku i bankës.
Vogëlushi e pa shokun në sy me buzë në gaz.
-Për Marsin janë shkruar shumë libra fantastik-shkencor, por janë shfaqur edhe filma. Edhe ne kemi lexuar libra dhe kemi parë filma që tregojnë për marsianët. Kohët e fundit sondat kanë zbuluar shenja se në Mars ka ujë. Kjo ka ngjallur shpresat se në Mars mund të ketë jetë, por, jo ashtu si e mendojmë dhe e përfytyrojmë ne, - u përgjigj Bubulinoja.
-Megjithatë, - vijoi ai pas një heshtje të shkurtër, - këto që thashë, nuk më pengojnë mua që, kur të rritem të shkoj në Mars.
Përsëri, në klasë u dëgjuan duartrokitje.




Viz. Eni Jakupi

-Bubulino, - u hodh e pyeti Erioni. Ta zëmë se, kur të vesh ti në Mars, do të të dalin përpara marsianët, çfarë do të bësh?
Bubulinoja heshti një çast.
-Kam menduar edhe për këtë. Me vete do të marrë një tufë me lule shumëngjyrëshe dhe do t’ua japë atyre. Me anë të luleve, do t’u tregoj se unë nuk do t’u bëj keq, por dua vetëm të njihem dhe të miqësohem me ta.
-Bubulino! Ku i di ti, gjithë ato gjëra të bukura që na tregove për Hënën? - e pyeti një vogëlushe topolake me bishtaleca të gjata.
Bubulinoja sepse qeshi lehtë. Diçka kujtoi.
-Kur unë isha në klasë të parë dhe të dytë, blija vetëm libra ku shkruhej për fëmijë që i donin shumë akulloret dhe ëmbëlsirat, sepse, edhe unë i pëlqeja shumë ato. Por, tani, që jam më i rritur, në bibliotekën time kam libra dhe revista me tregime fantastike-shkencore me figura tërheqëse. Ato i lexoj çdo ditë, sepse më pëlqejnë shumë. Shoh edhe emisionet shkencore në televizor. Më tërheqin fluturimet kozmike dhe emisionet për Ufot. Veç këtyre, kur netët janë të kthjellëta, unë bashkë me babin, ngjitemi në tarracën e pallatit dhe shikojmë qiellin e mbushur plot me yje. Kohët e fundit, më ka dhuruar një dylbi daja im, që është kapiten vapori dhe, me atë, përpiqem të shikoj Hënën. Dylbia nuk është e përshtatshme, por në të ardhmen do të gjej një tjetër më të mirë.
Bubulinoja heshti pak dhe vijoi:
-Unë e di që Hëna dhe yjet shikohen me teleskopë, por tani që jam i vogël, mua më mbeten vetëm dylbitë e dajës, - qeshi ai.
-Po, përse e shikon me kaq shumë vëmendje Hënën, kur ti do të shkosh në Mars? - e pyeti Tedi.
Fytyra e Bubulinos mori një pamje ëndërruese.
-Sepse, Hëna, është fqinja jonë, dhe, në të ardhmen, ajo do të jetë stacioni i parë për të shkuar në planetët e tjerë. Do të vijë koha që ne të shkojmë me anije kozmike nga njëri planet në tjetrin, kaq lehtë, sa shkohet  në Tokë  nga njëri kontinent në tjetrin... Veçse, për të udhëtuar për në planetë, përdoren mjete fluturimi të ndryshme nga ato që përdoren në Tokë dhe në qiellin tonë. Për shembull, në Hënë, aeroplani dhe helikopteri nuk fluturojnë dot, sepse mungon ajri. Sot në planetë, mund të shkohet vetëm me raketa.
Mësuesja dhe gazetari u panë sy më sy dhe këmbyen buzëqeshje. Pastaj, mësuesja, tha:
-Asgjë nuk është e pamundur për njeriun sot. Gjithçka mund të arrihet me dëshirë dhe vullnet. Por, në radhë të parë duhen dije dhe njohuri të thella shkencore. Unë besoj se, Bubulinoja, që di aq shumë për Hënën dhe për Marsin, në të ardhmen do të mësojë edhe më mirë për Tokën tonë, që është shtëpia e njerëzimit. Ai do të mësojë më mirë matematikën, gjuhën, diturinë, historinë, gjeografinë... Ai, me siguri do t’i shtoj më tej dijet për kozmosin, për planetët dhe yjet ...
Kur mësuesja mbaroi, gazetari mbylli magnetofonin dhe tha:
-Intervistën do ta gjeni në numrin e ardhshëm të revistës, me titullin: “Astronauti i vogël, Bubulino!” Dhe tani, i dashur Bubulino, dhe, ju të dashur vogëlushë, dëshiroj që t’ju bëj një fotografi për ta vënë në krye të intervistës.

Në klasë u ndjen lëvizje e gjallëri. Të gjithë donin që të dilnin në fotografi sa më afër Bubulinos...

No comments: