Nuk firmosi
pushtimin e Shqipërisë, fashistët dhe kolabarcionistët
vranë më 28 nëntor
1941 kryegjyshin Botëror Bektashian
Nga Kujtim BORIÇI
Para patriotit
Sali Niazi Dedej, 74 vite më parë, vendosën dokumentin e pushtimit të Shqipërisë
nga Italia dhe në cilësitë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, i kërkojnë të
firmosë këtë akt, ku pushtimi, duhej të quhej ‘ftesë nga vetë shqiptarët’. Sali
Dedej refuzoi duke thënë: “Ky është pushtim dhe asgjë tjetër! Nuk mund të
firmos për robërinë e shqiptarëve, për pushtimin e vendit tim!”. Këto fjalë, të
fiksuara dhe në dokumentet e kohës, u pasuan menjëherë me vendimin për
ekzekutimin e tij nga pushtuesit e qeveria kuislinge. Kjo ndodhi më 28 nëntor të
vitit 1941, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në mjediset e Selisë së
Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. “Sali Niazi Dede, është krenaria e
bektashizmit dhe patriot i çështjes kombëtare shqiptare...”- pohon mes të
tjerave Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
KUSH ËSHTË
ATDHETARI SALI NJAZI DEDE
Sali Njazi Dede lindi
më 1876 në
fshatin Starje (Starja)
të Kolonjës.
Në moshë të re, me familjen e tij, emigroi në Turqi ku përfundoi studimet në
gjimnaz. Në moshën 20 vjeçare, filloi studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash
Veliut...Në postin e lartë të Kryegjyshit u zgjodh në vitin 1913 në Haxhi
Bektash. Me përkushtim, arriti cilësi të larta morali. Shumë shpejt u bë i njohur
në rrethin klerikal të Turqisë, Egjiptit, Sirisë, Iranit, Irakut, Greqisë,
Rumanisë Bullgarisë, Hungarisë, Jugosllavisë, Shqipërisë etj. Misioni i
ngarkuar i dha një përvojë të pasur si klerik, organizator dhe drejtues i aftë
i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Në vitin 1925, Ataturku me ligj,
ndaloi dhe mbylli teqet bektashiane në Turqi. Në vitin 1929, Kongresi i tretë
bektashian në Korçë vendosi që qendra e Kryegjyshatës Bektashiane të vendosej
në Shqipëri (mbasi ishin bërë bisedimet disa vjeçare me Sali Njazi Dede e
qeverinë shqiptare të Zogut dhe Turqisë). Kryegjysh u vendos të ish sërish Sali
Njazi Dede, i cili ka vlera të veçanta në privilegjin dhe në respektin e madh
që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve për vendosjen e Kryegjyshatës Botërore
Bektashiane në Tiranë. Ai bashkëpunoi me qeverinë e asaj kohe për ligjin mbi
fenë. I dha dimension të ri bektashizmit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e
bashkëpunimin me teqetë në rajon dhe në botë. Ishte krijues i talentuar me
mjaftë shkrime. Më 28 nëntor të vitit 1941, Sali Njazi Dede për
shkak të mos nënshkrimit prej tij të aktit të kapitullimit të Shqipërisë nga
Italia fashiste e vranë mizorisht bashkë me dervishin e tij, Azizin. Ai mbetet
një figurë e lartë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Albapost, në ciklin
e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Sali
Njazi Dedein. Sali Dede para se të vinte në Shqipëri si Kryegjysh Botëror, ka
një aktivitet të madh si klerik e atdhetar në Turqi, Greqi, Egjipt e vende të
tjera...
NATA E KRIMIT TË
RËNDË
Mbështetur në
dokumente arkivore, nata e 28 nëntorit e vitit 1941 kur u vra Sali Niazi Dede, është
parapri me një ditë debatesh të ashpra mes tij dhe përfaqësuesit të mbretit
italian në Shqipëri, për të pranuar pushtimin e italianëve si liri, nëpërmjet
një shkrimi që ai ta botonte të nesërmen (ditën e 28 nëntorit) në gazetë. Ja si
vjen kjo ngjarje në dokumentet e dëshmitë e kohës: “...Sali Niazi Dede ftohet
nga përfaqësuesi i mbretit italain i cili i tha: ‘...Edhe drejtuesit e tjerë
shpirtërorë kanë thurur lavde për italianët dhe mbretërinë, po ju nuk do të
shkruani!’. Sali Niazi Dede iu përgjigj: ‘Unë jam udhëheqës shpirtëror i
bektashinjve, nuk jam drejtues i një partie politike, nuk merrem me punë
politike’. Pas debatesh të shpra, refuzimit të Sali Dede, funksionari i lartë
italian i tha:’...Lëreni, mos flisni, do e shohësh këtë...!’”. Po çfarë ndodhi
pak orë më vonë? Pa u afruar mesnata, Sali Dede qe banonte në Selinë e
Kryegjyshatës, pasi ka qëndruar deri vonë me dervishët e punonjësit, ka shkuar
si zakonisht të flejë gjumë në dhomën e tij. Ndërkohë, sipas një skenari të
parapërgatitur, disa persona futen në dhomën e tij dhe e ekzekutojnë, bashkë
dhe me një dervish që dëgjoi zhurmë e vajti në ndihmë. Pastaj largohen. Vrasja
e Kryegjyshit Botëror Bektashian, bëri bujë të madhe. Menjëherë u arrestuan 17
persona, e zyrtarisht u tha se ‘vrasja ndodhi nga një grup vjedhësish që donin
të merrnin një orë shumë të shtrenjtë të Njazi Dede”. Por në fakt, kjo ishte
alibi, pasi ora, më voën u gjet. Atë e vranë pushtuesit dhe kuislingët vendas,
pasi nuk pranoi të firmosë pushtimin italian si ‘liri për vendin...
SOMARIU
Haxhi Baba
Edmond Brahimaj: Ishte klerik e atdhetar i shquar!
Kryegjyshi Botëror
i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj e vlerëson lart personalitetin e
ish-Kryegjyshit Botëror Sali Niazi Dedej, si njeriun që gjithë jetën punoi e luftoi
për bektashizmin dhe atdheun, për lirinë e demokracinë. “Kryegjyshi Botëror
Sali Niazi Dede, ishte dhe mbetet një klerik i shquar bektashi dhe një atdhetar
që punoi gjithë jetën për besimin, lirinë, demokracinë dhe përparimin e
atdheut. Ai u vra pabesisht në Selinë e Shenjtë më 28 nëntor të vitit 1941 nga pushtuesit
e kolabarcionistët vendas vetëm se nuk pranoi të firmoste dokumentin e
pushtimit të vendit nga fashizmi italian... Në dekadat e para të shekullit të
kaluar, ky bektashi e patriot i madh, ndiqte me vemendje ngjarjet kulmore të
vendit të tij, Shqipërisë, duke kontribuar maksimalisht në të mirë të kombit të
tij. Sali Njazi Dede erdhi në Shqipër me vizion të qartë për Kryeqendrën Botërore
të Begtashizmit, jo vetëm të jetonte në paqe e bashkëjetesë me besimet e tjerë
fetarë, por dhe të kontribuonte në harmoninë midis feve. Si klerik e atdhetar,
ai është shpallur dhe ‘Dëshmor i Atdheut’, duke mbetur një shembull i klerikur
tolerant e atdhetar në kohra”- pohon Baba Edmond Ibrahimaj për gazetën “Telegraf”.
SOM
VLERËSIMI
Pas proceseve
demoktarike në Shqipëri, ndër figurat e para të rivlerësuara si klerikë e
atdhetarë, është dhe ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Sali Niazi Dede.
Krahas vlerësimeve të tjera shtetërore dhe nga organizma jo qeveritarë, ai është
shpallur dhe ‘Dëshmor i Atdheut’”
No comments:
Post a Comment