VIJOJNË PJESË NGA LIBRI " KADARE I
DENONCUAR" I GAZETARIT DHE PUBLICISTIT TE NJOHUR DASHNOR KALOCI
Si u përndoq poeti Faslli Haliti nga Sigurimi
i shtetit dhe u denoncua nga kolegët
“Çuditemi
me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një
të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka
një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia
Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk
qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të
vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit”?
Arkivi Qëndror i
Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308.
Viti 1973
……………………………………………………………………………………………………..
Kapitulli i XXI-të
-Ne dhe shumë
pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e
qytetit tonë për librin “Sot”, të Faslli Halitit, s’pajtohemi as me mendimet
subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i
dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25
vjetorit të çlirimit të Atdheut tone...?!
Kapllan Resuli,
shkrimtar
Spiro Dinaku, nënpunës
Hysen Kurti, punëtor
Dokumenti që po
botojmë në këtë pjesë të librit, është një informacion që shefi i kabinetit të
Ramiz Alisë, Ilo Kodra, i bën eprorit të tij, lidhur me një problem që ka
ndodhur në rrethin letrar të Lushnjes, në mes drejtuesit të atij rrethi Hasan
Çobani dhe poetit e letrarit të ri, Faslli Haliti. Po kështu pjesë e kësaj
dosje, janë edhe dy tre letra të tjera: Një kërkesë e Faslli Halitit për një
takim me sekretarin e Komitetit Qëndror, letra e një “grupi shokësh” nga
Lushnja, dhe një artikulli i gazetës lokale “Shkëndia” të atij qyteti, me
titull “Dielli dhe një poemë që
spekullon me të”. Të gjitha këto janë dërguar në adresë të Komitetit Qëndror,
ku sekretari Ilo Kodra, pasi ka bërë një përmbledhje të tyre, ku ka shënuar si
pretendimet e Halitit dhe të Çobanit, ia ka dorzuar shefit të tij, Ramiz Alia.
Sipas të gjitha letrave që ndodhen në atë dosje, dhe asaj ç’ka ka shkruar Ilo
Kodra në përmbledhjen e këtyre letrave, debati në mes drejtuesit të rrethit
letrar të Lushnjes dhe poetit Faslli Haliti, ka ardhur pasi Faslliu ka
paraqitur një poemë për botim në ALMANAK-un e Lushnjes dhe Çobani jo vetëm që
nuk ja ka botuar, por i ka thënë atij se atë do ta dërgonte në Degën e
Brendëshme, pasi ishte poemë armiqësore. Pas kësaj, Faslliu e ripunon poemën
(“Dielli dhe rrëkerat”) dhe e dërgon në gazetën “Zëri i Rinisë”, e cila e boton
menjëherë. I nxehur tej mase nga kjo gjë, Hasan Çobani mbledh rrethin letrar
dhe i nxit një grup të rinjsh që të shkruajnë një shkrim kritik kundër poemës
së Halitit. Dhe ky shkrim me titull “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”,
u botua në gazetën lokale “Shkëndia” të atij qyteti. Por ngjarja nuk mbaron
këtu. Pas artikullit tejet kritik në “Shkëndia”, rrethi letrar i Lushnjes
organizon një tjetër diskutim krijues duke marrë në analizë poemën e Halitit
“Dielli dhe rrëkerat”, në të cilën merr pjesë dhe Sekretari i Parë i Komitetit
të Partisë Rrapi Gjermeni. Në atë takim letrarësh, Faslli Haliti është vënë në
bankon e të akuzuarëve, njësoj si në një gjyq politik dhe kjo gjë duket qartë
edhe nga shënimet që ka mbajtur Sekretari i Parë Rrapi Gjermeni. Por ky
demaskim publik dhe këto sulme ndaj letrarit të ri Faslli Haliti, nuk ishin të
vetmet, pasi dy tre vjet më parë, shkrimtari Kapallan Resuli (emigrant politik,
i ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia, në atë kohë mësues në fshatrat e
Lushnjes), kishte shkruar një artikull të gjatë kundër tij si person
(Faslliut), dhe gjithë krijimtarisë letrare, të cilin e dërgon për botim në
gazetën “Zëri i Popullit”. Bashkë me Resulin, në atë artikull që nuk dihet se
përse nuk u botua kurrë, kanë firmosur si bashkëautorë dhe Spiro Dinaku,
(nënpunës), Hysen Kurti, (punëtor). Në
atë artikull, apo më saktë “pretëncë prokurori”, Resuli dhe dy firmëtarët e
tjerë të shkrimit, e kanë nxirë të gjithë punën dhe krijimtarinë e Halitit,
duke e akuzuar hapur, si “armik i partisë
dhe i popullit”. Po ashtu në atë artikull, ata kanë akuzuar edhe shkrimtarin Ismail Kadare që ka vlerësuar atë në
shtyp, ku midis të tjerash shprehen:
“Çuditemi me
autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në
gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më
interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim
Frashëri”. Ndërsa diku më poshtë lidhur me vlersimin që Kadare, i ka bërë një
poeme të Halitit, Resuli dhe dy bashkëautorët e shkrimit, janë shprehur: “Na
vjen të qeshim me autorin e shkrimit kritik të Faslli Halitit”?!
Po
të shohim me vëmëndje si artikullin e Resulit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij,
ashtu dhe se si janë zhvilluar ngjarjet, disa vjet para dhe pas asaj përplasje
në mes Faslli Halitit dhe rrethit letrar të Lushnjes, do vëmë re se problemi nuk
është aq i
thjeshtë. Apo më saktë, gjithë ajo furi
sulmesh nuk drejtoheshin kundër Faslli Halitit, por direkt ndaj shkrimtarit Ismail Kadare.
I cili
ishte personi që nga pozicioni i redaktorit, i kishte botuar Halitit, vëllimin
e parë me poezi, edhe pse nuk kishte asnjë njohje me poetin e ri lushnjar, por
për faktin e thjeshtë, se poezitë e tij i kishin pëlqyer. Gjë e cila kishte
sjellë sa gëzim e lumturi tek Haliti e rrethi i tij miqësor, aq dhe shumë
xhelozi dhe zili tek letrarët e tjerë të aij qyteti të vogël në zemër të
Myzeqesë. Kjo pasi asokohe jo vetëm botimi i një libri, por dhe i një poezie
apo vjershe të vetme me dy tre strofa rradhitur diku në një cep gazete, bënte
të njohur dhe me shumë emër e autoritet autorin e saj. Dhe kjo gjë ndodhte, kur
poezitë apo vëllimi poetik vlersohej nga kritika, ndërsa e kundërta, kur ajo
sulmohej, siç ndodhi në rastin konkret ndaj Halitit, jeta e autorit merrte
tjetër drejtim dhe nuk dihet se si shkonte fati i tij?! Kështu ndodhi dhe me
Halitin, i cili vetëm për ato sulme që u bënë ndaj tij, u hoq nga arsimi dhe
përfundoi për gati dhjetë vjet me rradhë si punëtor i thjeshtë me kazëm e
lopatë në bujqësi dhe ndërrmarjen komunale të qytetit të Lushnjes. Tre vjet më
vonë, (viti 1970), ndërsa Haliti vazhdonte punën në bujqësi, Kapllan Resuli
arrestohet dhe dënohet me dhjetë vite burg politik, duke u akuzuar për
agjitacion e propagandë, përgatitje për terror etj etj. Të gjitha akuza të
montuara nga Sigurimi i Shtetit, ashtu siç janë dënuar një pjesë e madhe e
emigrantëve politik kosovarë që vinin në Shqipëri. Dhe gjatë “grumbullimit të
provave” nga hetuesia, iu kërkua dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë
(ku Resuli ishte anëtar), si dhe organeve të tjera të shtypit, që të dërgonin
pranë sektorit përkatës në Komitetin Qëndror të PPSH-së, çdo dorëshkrim apo
letër që kishte të bënte me Kapllan Resulin. Kështu artikulli i Resulit me
shënimin përkatës të Ibrahim Uruçit, (sekretar i organizatës bazë të partisë të
Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve), si dhe me një shënim vlerësues e
dashamirës qe kishte bërë kritiku Muzafer Xhaxhiu për Halitin, u dërgua në
Komitetin Qëndror të PPSH-së. Kjo gjë e duket edhe nga shënimi që ka bërë Uruçi
në shkresën përcjellëse të këtyre dokumenteve dërguar Pirro Kondit. Por nuk
është kjo gjëja kryesore që u zgjatëm në këto shpjegime, por për të dalë te
arsyeja e vërtetë sepse Kapllan Resuli sulmonte Kadarenë? Lidhur me këtë apo
dhe më përplasjet e tjera që Kapllan Resuli ka pasur me Kadarenë që nga viti
1966, ai ka dhënë shpjegimet dhe versionet e tija, madje duke bërë edhe një
libër, të gjithin kundër Kadaresë me titull “Fytyra e vërtetë e Kadaresë”,
botuar në Gjenevë në vitin 1992. Ndërsa Kadareja nuk është ndalur fare te
sulmet që i vinin prej kolegut shkrimtar, dhe nuk i është përgjigjur kurrë,
ndonëse në disa nga librat e tij (“Ftesë në studio”, Tiranë, 1990), kur ka
trajtuar fatin e veprës së tij, “Përbindëshi”, ka folur shkurt dhe për sulmet
që i vinin nga Resuli, por pa ja përmëndur emrin. Por në fillimet e viteve
’90-të, në intervista të ndryshme iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve
lidhur më këtë çështje, ku mes të tjerash ka thënë se; përkulej para vuajtjeve të
Resulit. Në librin e tij kundër Kadaresë, (botimi i vitit 1992, në Gjenevë,
Resuli akuzon Kadarenë si shkrimtar i përkëdhelur i regjimit dhe gjithashtu
ndalet gjatë tek sulmet dhe kritikat që ai (Kapllani), ka bërë ndaj Kadaresë
dhe veprave të tij, si “Gjenerali”, dhe “Dasma”. Madje duke e thënë me mburrje
se ai (Kapllani), e ka sulmuar Kadarenë që në vitin 1966, përpara Bilal
Xhaferrit. Dhe atë gjë e kishte bërë publikisht në ato vite, si në shtyp, ashtu
dhe në diskutimet krijuese të Lidhjes etj. Ndërsa më tej ai mohon të ketë bërë
ndonjë shkrim kundër Kadaresë dhe në mes të tjerash, ka shkruar: “Jo unë nuk
jam autori i atij artikulli dhe as i ndonjë artikulli tjetër kundra Kadaresë në
përgjithësi, e kundra “Përbindëshit” në veçanëti. Apsolutisht asnji artikull unë nuk kam botue deri më sot kundra
Kadaresë. Bile as fjala ime në
Plenium nuk asht botue, se as për atë gjë s’kam pas kopetenca!”. (“Fytyra e
vërtetë e Kadaresë”, Botuar në Gjenëvë, fq. 77), Kështu Resuli e ka mohuar autorësinë e shkrimit ndaj Faslli Halitit, i
cili në fakt është sulm i hapur mbi
Kadarenë, ndoshta duke kujtuar se ai
shkrim që nuk u botua kurrë, kishte humbur përgjithmonë në dëngjet me letra e
shkrime të pabotuara të koshave të redaksive. Dhe për këtë, Resuli ndoshta
është nisur më shumë dhe nga fakti se, për
atë artikull, Faslli Haliti nuk ka folur kurrë. Dhe po ashtu, as Kadareja.
Të cilët vërtet nuk e kanë pohuar
asnjëherë ekzistencën e atij
artikulli-pretencë, pasi edhe sot e
kësaj dite ata nuk kanë dijeni për të. Kjo është dhe arsyeja kryesore që shkrimin e Kapllan Resulit kundër Faslli Halitit dhe Kadaresë, po e botojmë të plotë në këtë pjesë të
këtij libri, bashkë me letrat e tjera që gjenden në atë dosje, të cilat u
përgatitën në atë kohë për dënimin e Halitit.
Fondi:
KOMITETI QENDROR I PARTISE PUNES SE SHQIPERISE
SEKTORI
I ARSIMIT
Përmbajtja:
Letër e një grupi shokësh nga Lushnja, kërkese e Faslli Halitit, artikull i
gazetës “Shkëndia” drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së;
-Mbi vëllimin
poetik “Sot” të Faslli Halitit si poezi që s’pasqyron tipiken.
-Mbi artikullin
“Dielli dhe një poemë që spekullon me të”
Mbi kërkesën për
takim të Faslli Halitit
Eshtë shkrimtar.
Para ca kohësh përgatiti një poemë me titull “Dielli dhe rrëkerat” dhe e
paraqiti në redaksinë e Almanakut të Lushnjës. Njëri nga shokët e redaksisë,
Hasan Çobani, ngriti çështjen se poema
ishte e keqe politikisht dhe mbasi kërkoi që të largohej nga mbledhja
Faslliu (edhe Faslliu është anëtar i redaksisë së Almanakut), u tha shokëve të
tjerë se këtë poezi duhet ta
dorëzonte në Degën e Punëve të
Brendëshme si material armiqësor.
Më vonë unë e
dërgova poezinë për botim në gazetën “Zëri i Rinisë”, mbasi e ripunova sipas
vërejtjeve që më bënë dhe ajo e botoi.
Disa ditë më
vonë doli edhe gazeta “Drita” me një artikull për poezinë tonë dhe aty thuhet
se poezia e Faslli Halitit karakterizohet
nga vargu i ngjeshur dhe shkrin në një personalen me të përgjithshëmen”.
Kjo gjë nuk i
pëlqeu me sa duket shokut Hasan: prandaj ky përgatiti një shkrim kundër, jo
vetëm ndaj poezisë në fjalë, por ndaj tërë krijimtarisë time dhe e botoi në
gazetën lokale “Shkëndia” datë 25 Janar 1973. Artikulli ka firmën e 10 të
rinjëve të grupit letrar të shkollës ku është pedagog dhe drejtonjës i grupit
vetë shoku Hasan.
Në këtë artikull
ka për mua akuza tepër të rënda dhe krejt të padrejta dhe jepet mendimi se unë nuk mund të japë poezi pa u çliruar sa
s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez.
Dua
të vë në dukje se rrethi letrar përbëhet nga 30 të rinj, por në mbledhjen ku u
diskutua për poezinë time ishin vetëm 10. Një nga të
rinjtë që ishin në atë mbledhje tha se ata ishin mbledhur me ngut dhe aty shoku
Hasan u kishte thënë se do të diskutonin për poemën e Faslliut e cila është e
keqe dhe ne duhet ta kundërshtojmë. Ai kishte nxjerrë pastaj nga xhepi
artikullin në fjalë dhe si e lexoi e u bë ndonjë vërejtje kërkuan që ta
firmosnin atë: kurse ai vetë nuk e ka shënuar emrin e tij.
Kur ndonjëri nga
të rinjtë shfaqi ngurrim, ai ju tha këtë gjë e din edhe sekretari i Partisë.
Lutet të shihet
çështja nga ana jonë.
27.10.1973 Ilo
Kodra
Arkivi Qëndror i
Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308.
Viti 1973
……………………………………………………………………………………………………..
Kapitulli i XXII-të
Kjo pjesë e
dosjes është marrë nga një shkrim i shkrimtarit dhe kritikut letrar Muzafer
Xhaxhiu, i cili ka vlersuar me nota pozitive poezinë e poetit të ri, Faslli
Haliti, të botuar në revistën “Nëntori” si dhe vjershën e gjatë pamflet ”Dielli
dhe rrëkerat”, e cila është kritikuar ashpër nga Kapllan Resuli dhe dy personat
e tjerë. Nuk diuhet
me saktësi se si ka përfunduar ky vlersim i Muzafer Xhaxhiut bashkë me
dokumentet e mësipërme, por nga praktika të tilla dhe qënia e saj në këtë
dosje, duket se ajo është grumbulluar si “provë
materiale” për të fajsuar poetin Faslli Haliti dhe i është dërguar Komitetit Qëndror nga ana e Ibrahim Uruçit, pas kërkesës që është bërë nga sektori I
arsim-kulturës pranë atij aparati.
“Drita”
21 Janar, në një shkrim për poezinë tonë shkruar
nga Muzafer Xhaxhiu thotë:
“Për një frazë
poetike të ngjeshur dallohet edhe vjersha e Fazlli Halitit, i cili sjell në
vargje mbresa të gjalla nga jeta duke krijuar kështu akuarele me ngjyra të
mbrujtura herë me lirizëm dhe herë me një humor të lehtë që godet diku hapur
dhe diku tërthorazi. Në një cikël vjershash
botuar në “Nëntori” si dhe vjershën e gjatë pamflet “Dielli dhe rrëkerat” poeti duket se po e çon më tej prirjen për t’u
shkrirë në një personalen me të përgjithshmen”
Ibrahim Uruçi
Arkivi Qëndror i
Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja
308. Viti 1973
…………………………………………………………………………………………………………………
Kapitulli i XXIII-të
Ashtu si dhe
dokumentet e mësipërme, edhe këto shënime që duket se janë mbajtur nga Rrapi Gjermeni, (Sekretar i Parë i Komitetit të
Partisë së rrethit të Lushnjes), gjatë diskutimit krijues në atë qytet ku u
morr në analizë poeti Faslli Haliti, tregojnë dhe hedhin dritë mbi ato çka janë
thënë aty në atë diskutim, i cili më tepër i ngjan një gjyqi public. Mbetet
disi e paqartë nëse këto shënime janë mendime të vetë Rrapit Gjermenit, apo ai ka shënuar se ç’kanë thënë
diskutantët e rrethit letrar të Lushnjes që kanë marrë pjesë në atë mbledhje.
Ashtu si edhe dokumenet e tjerë dhe këto shënime të Gjermenit, botohen të
plota.
Me
Rr. Gjermenin, (në vërtet janë pikat që
Ramiz Alia i ka formuluar për sekretarin e pare, pas takimit tim me të për
kritikën e poems
nga 10 gjimnazistët, për botimin e saj, për të cilën më than ë mënyrën
implicite: Poema, më tha është e gabur ideologjikisht, por ne nuk jemi dakord
me kritikën që të bëhet ty në plan personal e politik. Ne do t’u heqim vërejta
shokëve të gazette «Shkëndija» dhe instruktorit të komitetit të partisë që
përgjigjet për gazetën.Pastaj ç’duan të thonë:
pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez, domethënë,
pa të future në burg.(FH)
Poezia ngre probleme për diskutim dhe për
qëndrim ndaj zgjedhjes së tyre. (problemeve)
Është pozitive që janë nuhatur këto probleme
(në një kohë kur lexuesi fare vetëm para dhe pas botimit, si dhe kritiku M. Xhaxhiu, nuk kanë kapur gjë).
Mund
të kritikohej dhe në
gazetë, por që në këtë mënyrë, aq më tepër kur kishim një reagim nga “Zëri i Rinisë”?
4. Cilat
janë difektet e artikullit?
E trajton poemën
si një paragoditje politike dhe ideologjike me pozicione të caktuara.
E sjerdizon kritikën me një demonstrim e diskretitim politik të anëtarit. (autorit)
Pa e analizuar vë në dyshim gjithë krijimtarinë e tij.(autorit)
Një poezi lidhet
për (fermën? FH). dhe e diskretiton atë.
Në fund bën aluzion për fatin e autorit.
Me një fjalë nuk
është një kritikë ideologjike, sado e pakët që mund të ishte, por një demostrim politik shoqëror i krijimtarisë
dhe e personit.(autorit)
Meriton të
shikohet si e e ka vetëvlerësuar
artikullin dhe si është aprovuar
botimi i tij.
Pjesa
e parë e artikullit është tepër me forma solide
Për pjesën e
dytë (personale) ku mund të jenë në
dijeni nxënësit?
Siç duket në
këto punë gjetën të tjerët dhe për të
shprehur mendimet e tyre përdorën
rininë (mos ngjan kështu edhe me letrën
për festivalin)
Ata që kanë
mendime ta thonë vetë hapur
Në këtë mes sa
rol losin Hasan Çobani, Gazmend Kongoli
dhe Razi Brahimi? Kjo do parë me shumë kujdes
A ka gjëra
subjektive në marrëdhëniet e tyre me Faslli Halitin?
Për të ka qenë
shkruar dhe një artikull denigrues
1969-’70 nga Kapllan Resuli, Gjergj
Pinderi dhe Hysen Kurti
…………………………………………………………………………………………..
Poezia
e Faslli Halitit
1. Tablloja e zymtë – kundër gjësë së
verdhë (Historia e Partisë – portreti i
Enverit), pse kjo kundërvënie?
2. Ka dy pole:
a) Partia, Enver. b) Shefi i strehimit, kryetari i Këshillit
3. Vetëm Partia, Enveri, kanë vënë duart.
Ideja
e një martirizimi të parëndësishëm për Partinë dhe për shokun Enver.
4. Asnjë nga ata
që meritojnë strehim nuk merr (as Qazimi,
as Meti, as Llazi, as Koçua). Marrin të
gjithë ata që nuk e meritojnë?!
5. Partia dhe Enveri nuk flasin, të tjerët,
(Lili, Koli flenë)
6. Gjithshka….zgjidhet me hatër – hartim pesimist për gjëndjen-
7.
Kujt i duhen nxjerrë dhëmbët, cilës burokraci?
1.
Kush është në mes të Partisë dhe të Enverit dhe masave e puntorisë që ndikojnë
të zgjidhen këto probleme?
Sa
rol lot ky mekanizëm shtetëror?
2. Ç’është kjo atmosferë mjerimi, verdhësie,
gjerdan, lotësh frikash,
sentimentalizimi
3. Çdo të thotë të koleksionosh tmerre?
4. Në fund të
fundit, ose nuk kemi këtu një deformim
të realitetit
Arkivi Qëndror i
Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja
308. Viti 1973
…………………………………………………………………………………………………..
Kapitulli i XXIV-të
-Çuditemi me Ismail
Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët
e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është
shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një
nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia
Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai
është brenda vargjeve, brenda
subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i
artikullit?
Kapllan Resuli
Dokumenti që
publikohet në këtë pjesë të librit është shkrimi i Kapllan Resulit (dhe dy
personave të tjerë) që u dërgua për botim te “Zëri i Popullit”, diku nga viti 1970, në të cilin merrej në
analizë dhe kritikohej ashpër poeti Faslli Haliti për poemën “Dielli dhe rrëkerat”, e cila ishte vlerësuar si e arrirrë dhe me
nota mjaft pozitive nga shkrimtari Ismail Kadare. Ky shkrim i cili nuk u
botua te “Zëri i Popullit”, tre vjet më vonë, (në kohën që goditej e kritikohej
Faslli Haliti dhe Resuli ndodhej në burg), i
është dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe përkatësisht Pirro Kondit, nga ana e Ibrahim Uruçit, sekretar I Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve në atë kohë, në kuadrin e grumbullimit “të provave
materiale” për fajësimin e goditjen e poetit të ri myzeqar, Halite. Si shkrimi
i Resulit, ashtu dhe shkresa përcjellëse e Uruçit, botohet e plotë.
Shoku
Pirro
Ky artikull
është dërguar në “Zëri i Popullit” dy tre vjet më parë. Një nga autorët është Kapllan Resuli, sot i burgosur politik.
Është dënuar nga
gjyqi jonë si anti pushtetit.
Ky njeri ka
ardhur para disa vjetësh nga Jugosllavia si emigrant politik.
Të gjitha shënimet (anash) për këtë artikull janë vënë nga redaksia e Zërit të Popullit
Ibrahim Uruçi
…………………………………………………………………………………………………………………..
POEZI
QË S’PASQYRON TIPIKEN
Lidhur
me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit
Ca kohë më parë
Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nxorri në dritë vëllimin “Sot” të letrarit
lushnjar, Faslli Haliti.
Libri përmbledh
47 vjersha, shumica të botuar në organet e shtypit këto tre-katër vjetët e
fundit. Bien në sy menjëherë se vjersht e Faslli Halitit janë të shkurtëra e
kryesisht me varg të lirë; dromca të vogla që lexohen shpejt e poashtu shpejt
edhe harrohen se kalojnë pa lënë ndonjë mbresë më të thellë. Ka mes tyre edhe krijime më të mira,
por shumica porsa janë të dala nga djepi diletantesk e pa ndonjë vlerë, ashtu
siç e ka konstatuar edhe Ismail Kadareja, që thotë: “Shpesh herë vjerasht e tij
(të Faslli Halitit), janë të parealizuara. Shpesh herë një vjershë e tij
qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. (“Ditët e sotme në poezinë e
një të riu”, gazeta “Drita” Nr. 42, datë 12.X.1969).
Një
numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo vetëm që
janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë
denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e partisë.
Ndër krijimet më
të mira të këtij vëllimi, duken “Mbas mbledhjes”, “Panoramë myzeqare”, “Kish
ujë në shpatull Myzeqeja”, “Kur vinin pranverat”, “Dhurim gjaku”, “Bisedë me
babanë”, “Ai lulëzon”, dhe “Deri diku mund të këndoja i pari, e di”.
Kur themi se
këto janë krijimet më të mira të Faslli Halitit, kjo s’do të thotë se këto
krijime janë të përsosura e pa të meta. Edhe këto krijime kush më shumë dhe
kush më pak, kush në përmbajtje dhe kush në formë, çalojnë aty këtu dhe hapin
shteg për diskutime, duke i lënë kështu lexuesit shumë për të dëshiruar. Fjala
vjen vjersha “Dhurim gjaku”, është e mirë por në katër vargjet e fundit, janë
të tepërta dhe s’mund të thonë asgjë të re, kështu që s’i kanë mujtë redaktorët e vëllimit lirisht t’i hjekin vargjet që
paraprijnë;
“Gjaku
im Vietnam,
Eshtë
i një grupi me tëndin”
E kanë thënë
njëherë atë që pa ndonjë nevojë na e përsërit Faslli Haliti në vargjet
“Shqiptarët gjakun e tyre, një grupi me tëndin e kanë”
Përsëritje të
tilla të panevojshme që e dëmtojnë poezinë ka shumë në krijimet e Faslli
Halitit. Në vjershën “Kullimi”, ai thotë: “Në ndërgjegjien time ka këneta,
pellgje, moçale”. Fjalët ‘keneta’ dhe ‘moçale’, kanë të njëtën kuptim. E dyta
është dhe fjalin e huaj, sllave (moçvara), në kuptimin ad literum të fjalës
kënetë, kështu që kemi jo vetëm një përsëritje që s’thotë asgjë të re, një
përsëritje që e dëmton poezinë, por kemi dhe futjen e panevojshme dhe të padëshiruar të një fjale të huaj.
Tek poezija
“Duhet të këndoja i pari, e di”, përsëritjen e fjalës ndërsa, në fillim të
vargut të parë dhe të tetë, jo vetem që s’ja kanë arrijtë qëllimit, efektit
artistik, por edhe e dëmton shumëm ritmin e poezisë dhe rrjedhën e mendimit,
duke krijuar kështu një frazë në kundërshtim me sintaksën e shqipes. Për këtë poezi, me që thamë se është e mirë, duhet të shtojmë
se ajo është e mirë vetëm në qoftë se e
shikojmë si një autokritikë personale.
Mirpo po ta
shikojmë në planin e përgjithshëm, ashtu siç duhet shikuar një vepër artistike,
ku uni i poetit duhet të shkrihet me unin e përgjithshëm, atëhere na duhet të themi se kjo poezi, jo vetëm që
s’është e mirë, por edhe shtrembëron realitetin, se s’është e vërtetë se
rinia e Myzeqësë qëndroi “Si dhëndrri që pret dhe përcjell”, ndërsa të tjerët
po ja shtronin “hekurudhën te dera e shtëpisë”. Rinia e Myzeqesë hodhi kazmat e
para dhe të fundit krah për krah me rininë e krahinave të tjera që vërshoi në
Myzeqe. Rinia e Myzeqesë i priti dhe I përcolli vëllezërit dhe motrat e
krahinave të tjera, jo e “mpirë” dhe “e
hutuar” siç thotë F. Haliti, por me këngë dhe valle duke kënduar dhe duke
kërcyer. Ndaj edhe themi se për këtë poezi, Faslli Halitin është për t’u përgëzuar për rrëfimin dhe autokritikën e
sinqertë të ngritur në art, por ama ai duhet të dijën se çështja personale
që nuk shkrihen në çështjet e përgjithshme, lexuesit pak ose aspak i
interesojnë. E kur këto çështjet lënë shteg edhe për interpretime të
padëshiruara, atëhere është më mirë që të mos ngrihen fare, në qoftë se s’kemi
aftësitë dhe forcat për të ngritur në art ashtu siç duhet duke i shikuar përmes kuadrit të
përgjithshëm, përmes asaj që është tipike.
Ndër krijimet që
posa kanë dalë nga djepi diletantesk mund të përmëndim “Kullimi”, “Veç kujdes”,
“Kthimi i Skënderbeut”, “Rruga”, “Kolegu”, “Rini”, “lulzimi dhe ne”, dhe
“Zhurmë”.
Mendimi ynë si
lexues është që vëllimi duhet të kishte dalë vetëm me këto vjersha. Sa u përket
31 vjershave të tjera ne rezervojmë mendimin tonë. Pejsazhet “Pranverë”, “Shi
maji”,
“Ardhja e
vjeshtës”, “Unë nuhas pranverë”, “Marsi në Sarandë”, dhe “Shije të reja”, ne na
duken tepër të përgjithshëme, pa jetë pa ngjyrëv kombëtare.
“Marsi,
Me
kokën e kaltër
Me
trupin e gjelbër
Kitarë
e ujrave vari në qafë
Si
tela kitarash rrëkerat i dredh
Luleve,
blerimit, iu bën serenadë”.
(Marsi në Sarandë)
“Mbi
koka jeshile pemësh
Natyra
derdhi bojë të verdhë
Vjeshta
krahët e artë
Mbi
fusha i hodhi,
Dhe
kodrave lart”.
(Ardhja e vjeshtës)
“Nyja
nyjën thërret
Me
rrezet paralele zgjaten kërcellet
Blerimi
kap syrin e gjelbërt gjithë qejf
Ujrat
pranverore buzëqeshin të qeta
Pemishteve
pjeshka fustanin e purpurt
Nis
zbukuron me lulet e veta,
(Unë nuhas pranverën)
Ja disa strofa
të këtyre pejsazheve ku manija dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkundi. Këto pejsazhe bien erë kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk
pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo malor, nuk ka
asgjë kombëtare, asgjë shqiptare. Vargje të tilla për natyrën kanë shkruar
dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit
socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez,
është i huaj.
Panorama e
Myzeqesë që na jep Faslli Haliti nuk është ajo e ditëve tona. Ai thotë:
“M’i
madh mik i fushës, plugu
Mbi
skenën e blertë këndon
Një
kor drapërinjsh, kazmash, kombajnash
E
shoqëron”.
Është e vërtetë
se dikur ka qenë “M’i madhi mik i fushës plugu”, Mirpo sot kjo panoramë ka
ndryshuar. Në vënd të plugut kemi traktorët që buçasin anëembanë Myzeqesë dhe
në vënd të krahëve të njëri-tjetrit, kemi kombajnat dhe maqineritë e tjera
agroteknike. Buqësia jonë është modernizuar dhe plugu s’është më “miku më i
madh i fushës”.
Dhe, ajo që
është më e rendësishme, në Myzeqë sot vjeshta nuk sheh më fytyrën e vet “mbi
pellgje me ujë” (“Ardhja e vjeshtës”). Këtë
pasqyrim e ka pas vjeshta në Myzeqenë e bejlerëve dhe agallarëve, por jo në
Myzeqenë e partisë dhe të popullit punues.
Me plot të
drejtë na thotë një agronom në Lushnje:
“Në qoftë se
është e vërtëtë ajo që thotë Faslli Haliti në vëllimin e tij “Sot”, për
Myzeqenë, në qoftë se është e vërtetë se vjeshta sheh fytyrën e vetë mbi
pellgjet me ujë këtu në Myzeqe, atëhere Partia dhe Qeveria duyhet të më hedhin
hekurat në duar, se më kanë vënë në dispozicion miliarda për t’ja ndryshuar
pamjen Myzeqesë, për të tharë kënetat dhe pellgjet, që vjeshtat më të mos
shohin fytyrën e tyre mbi pellgjet me ujë. E këtë gjë duhet ta dijë fare mirë
Faslli Haliti, se edhe në qoftë se s’ka kaluar në fushë për të parë ndryshimet
kolosale, sihariqi i këtyre ndryshimeve duhet t’i ketë arrijtur edhe në dhomën
e tij prej fildishi, ku me siguri nuk dëgjhoet piskama e mushkonjave”.
Ja
dhe disa vargje nga vjersha “Shije të reja”:
“Retë
lëshojnë shiun
Zbardhon
si vijë e bardhë horizonti
Zverdhen
zhabinat e verdha
Më
kërkuat fusha
arat
fshatrat
Erdha”.
Vallë, tre
vargjet e fundit të kësaj strofe a nuk edukojnë tek lexuesi pasivitetin
nënshtrimin e njeriut prej natyrës? Si është e mundur që fshatari ynë
kooperativist i edukuar nga partia me botkuptimin materialist, sot, mbas 25
vjetëve, përsëri të presë lëmoshë nga natyra? Kësaj i thonë të shkruash larg
fshatit dhe fshatarit, që nga tavolina. Do të ishte mirë që më parë autori të
vizitointe rezervuarët e Thanës, hauzet dhe kanalet vaditëse anë e kënd
Republikës….Por e keqja s’qëndron këtu?
Le të ndalemi
tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk
u iket”, “Në fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”,
“Kaloj”, “Nata”, etj.
“Njerëz që venë në kamp në Durrës
Që
venë të takojnë të fejuarën
Që
nisen të shohin një ndeshje futbolli
Që
nisen të marrin provimin e parë
Që
nisen të marrin provimin e fundit
Që
nisen kufirit ushtarë”.
Po të heqi
vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na server si problemet më
shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar
qetësinë personale
Ç’vargje
të neveritëshme?!
Vallë s’kishte
mundësi autori në vjershën “Sot” të na paraqistë inisiativa që kanë lindur në
gjirin e të rinjëve dhe të masave për të zbukuruar malet me taraca, për të
përvetësuar mësimet e partisë dhe të shokut Enver, për të hequr dorë nga prona
personale, për të mësuar gjithë artin ushtarak etj.
“Sot”! Vallë, ku
duket heroizimi masiv, ku duket solidariteti popullor, ku spikat uniteti
moralo-politik Parti-Popull….?! Askund, askund, veç predikimeve të sëmura….veç
predikimeve alla-revizioniste…veç rrugëve pakrye:
“Njerëz
që ikin kudo
ku
të mundin…”.
“Sot”
Besnikëria dhe
gadishëmria e kuadrove tona të edukuar nga mësimet e mëdha të partisë për të
vërshuar poshtë, ku e lyp nevoja e atdheut – ja lajtmotivi që duhet të
frymëzonte Faslli Halitin. Por këtë fakt autori e ka injoruar në vëllimin e tij
duke shkruar:
“Kuadro
kudo nëpër poste ku jinni,
Që
dot nuk ju iket
Që
dot nuk ju zbritet…?!”
(“Kuadrove që nuk ju
iket”).
Vëllë ky është realiteti
ynë? Kurrsesi! Faslli Haliti do të bëjë mirë që të njihet me të gjithë kuadrot
e reja që kanë zbritur nga kryeqyteti në qytetin e Lushnjës dhe ndër të gjithë
qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për të kuptuar se tipari karakteristik i
kuadrove tona nuk është “ngurimi i imagjinuar nga Faslli Haliti, por besnikëria
dhe gatishëmria e tyre. Nëse autorin e zë meraku për ata pak individë trumykur
e burokrat që nuk shohin më tej nga hunda e tyre, e këshillojmë që të mos
shqetësohet, sepse Revolucioniut fitimatar nuk i bëhet vonë për të tillë
bashkëudhëtarë miopë dhe egoist.
“Kemi
përpara vjershën “Në fushë”, Lexojmë;
“Nuk
prashitet më
Nuk
korret më
Vapë
Sa
s’ka”.
Stepjen nga
vështirësitë, ja ç’na edukojnë këto katër vargje?! Sjellim ndërmënd vargjet e
poetit tonë të respektuar, F.S. Noli:
“T’u
tha gryka po s’të pihet
T’u
mpi këmba po s’të rrihet
Se
mileti po të pret…
………………………………………
Shpejt
or Marathonomak”!
Ç’optimizëm na
ngjallin këto vargje të shkruara 39 vjet më parë?!
Sa keq na vjen
që Faslli Haliti, në vënd që të na japën figurën e Marathonomakut të ri të
kalitur në kudhërën e partisë, na servir
një fshatar, individ i cili, pasi i than gjoksin katruveve, ngul kazmën në tokë
dhe ja fut gjumit nën hijen e goricës? E ç’mund të mësojë lexuesi prej një
vjershe të këtillë, ku as nuk duket puan kolektive, ku askund nuk vështrohet
teknkika dhe agroteknika, ku veç misrit dhe grurit, nuk mbillet asnjë kulturë
tjetër, ku autori predikon përtacinë dhe stepjen nga vështirësitë? Dhe kur? 39
vjet mbas Marathonomakut të F.S. Nolit, kur ne me plot të drejtë presim prej
poetëve tanë që s’ë paku nga ana ideore, të qëndrojnë më lart se F.S. Noli.
Lidhur me
vjershën “Mik në fshat”, që është një ndër vjerasht më të mira të këtij vëllimi
dhe që ka vargje dhe pasazhe të mrekullueshme, është shkruar në ndonjë artikull
kritik se gjoja këtu na u pasqyruakan ndryshimet social-ekonomike që po ndodhin
në fshatin tonë socialist, etj. S’ka si të mos qeshim me këtë vlersim
subjektivist, që bien në kontraditë me vargjet e letrarit të ri, i cili në mes
të tjerash thotë:
“Daja
fshatrave nuk la pa u thënë:
Nusen
me nipin sonte kam miq,
Po
dreqi ta hajë se sot bukë gruri
Plaka
ime s’paska gatuar!
Po
jemi në kohën e lëmit moj plakë”!
A nuk flasin
këto vargje për një fshat më të prapambetur, edhe të pakolektivizuar, kub
sejcili fshatar ka magjen dhe lëmin e tij?
Nëse Shahini do
të paraqitej si anëtar i kooperatisvës, ankesa e tij do të ishte absurd, sepse
në kooperativë anëtarët bukë nuk gatuajnë vetë, por e marrin në dyqanin e
bukës, ndersa lëmenjtë janë pronë e paprekëshme e kolektivit të bashkuar.
Autori gjithashtu ka harruar faktin se shallvaret dhe tumanet nëpër fshatra
tona fushore dhe malore janë zëvëndësuar me veshjen e lehtë socialiste?!
“Kjo
qenka moj nusja e nipit të Shahinit?!
Ç’qënka
moj qyqe kjo nuse kështu?!
Kjo
të shikoka në kokërr të syrit
Supet
përjashta fustanin nën gju”?!
Ky fanatizëm ky
ambijent fshataresk, bien në kontraditë me fshatin e ri socialist ku të rejat
dhe nuset po shkallmojnë dita ditës zakonet e vjetra, po luftojnë thashethemet,
po përqafojnë normat e moralit të ri, po futen gjithnjë e më shumë në rrugën e
përparimit, po marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës.
Asnjë përgëzim
nuk meriton as vjersha “Unë mësuesi i fshatit”, sepe autori, në vënd të figurës
së mësuesit, komisar drite dhe përçonjës
i politikës së partisë në fshat, na ka dhënë figurën e një mesuesi
qesharak;
“Pantallonat
e mija zhytur në çizme
Flokët
e mij të qullur
Që
kullojnë
Që
varen teposhtë
Si
flokët e Senekës”.
Ky mësues ka
katandisur në këtë gjendje sepse “imazhi i vajzës bukuroshe”, e tërheq
vazhdimisht drejt qytetit. Në asnjë varg ky mësues nuk del si aktivist shoqëror
në fshat. Mëndja e tij është e mbarsur vetëm me formula, konveksjone dhe
“eksklamacione”. Ky lloj mësuesi s’ka asgjë të përbashkët me Ndrec Ndue Gjokën,
Ismet Sali Bruçajn, me mësuesit e Kolonjës e të Mirditës, dhe me mijra e mijra
mësues të tjerë që lumturinë e gjejnë në fshat, në gjirin e fshatarësisë
kooperativiste.
Në një kohë kur
Partia lufton për emancipimin e femrës shqiptare, në një kohë kur udhëheqësi
ynë i madh shoku Enver Hoxha ngre lart gjestin e qytetares Athina Mile, që
zgjodhi për bashkëshort një të ri kooperativist nga Malësia e Mirditës, Faslli
Haliti në poezinë “Ajo” dhe “Ike”, na e paraqet femrën të varfër shpirtërisht
dhe të prapambetur nga ana ideore:
“Jam
fshatar ( qytetare)
Jeni
fshatar!
S’mund
të martohemi bashkë!
(“Ajo”).
“Në
livadhin e blertë të shpirtit të ri
Me
lule ndjenjash, dashuri të njomë,
Ishe
Por
ike
Ike
skëterrës së shpirtit të tij
Ku
lulëzonte vetëm një diplomë”.
(“Ike”)
Ashtu si te
vjersha “Kuadrove që nuk u iket”, edhe në këto dy vjersha të vogla, autori nuk
ka kapur tipiken që ne e shohim të mishëruar në gjestin e Athina Miles dhe të
qindar arsimtareve myzeqare dhe korçare që vullnetarisht kanë shkuar në zonat e
thella malore të Veriut, për të shërbyer si edukatore të brezit të ri.
I padrejtë na
duket krahasimi i natës me nënën e dëshmorit që i dha Luftës
Nacional-Çlirimtare djalin apo vajzën e vet: “Nata, si nënë dëshmori me sharpin
e zi…”. Dhe jo vetëm në këtë vjershë. Krahasimet e Faslli Halitit thuajse nga
vjershë në vjershë çalojnë. Paralelizmi
i pranverës me hoxhallarët dhe i fluturave
me nuska në poezinë “Kur vinin
pranverat”, tregojnë papjekuri të theksuar.
Shenja formalizmi dhe manjerizmi vëmë re te
vjersha “Kaloj”, ku e gjithë amfora
na duket e kërkuar artificialisht, në kundërshtim edhe me natyrën e gjuhës
sonë, e cila pranon të tilla frazeologji; “buzë lumit”, “buzë liqenit”, “buzë
detit”, “buzë malit”, por kurrsesi; “buzë vetullve”, “buzë syve”, “buzë
flokëve”, “buzë buzëve”, etj.
S’jemi
dakort as me konceptin ideo-politik të autorit që duke kaluar
tek traseja, nuk sheh tek aksionet tona
dashurinë ndaj Atdheut, por dashurinë seksuale; nuk sheh bukuritë e sakrificës dhe të vetmohimit, bukuri të entuziazmit rinor, të patriotizmit dhe të ndërgjegjies
së lartë socialiste, por bukuritë e syrit të aksionistëve, të buzëve
vishnje, të syrit, të vetullave, të trupit të hijshëm dhe flokëve. Dhe autori shpif me paturpësinë më të madhe
kundër aksionistëve tona, kundër motrave dhe bijave tona, duke thënë se një njeriu të tillë, ato me qindra ja bëjnë me dorë, e ftojnë për dashuri seksuale. Kjo siç
thamë është një shpifje e paturpshme
dhe e palejueshme, se njerëzve të
tillë, aksioinistet tona, rinia jonë, jo vetëm që s’ua ka bërë dhe s’ja bën me
dorë, por u ka pështyrë dhe u pështyn në surrat dhe ka marrë dhe marr masa kudo që i zbulon për edukimin
e tyre. Një mendim i tillë i autorit asesi s’pajtohet me realitetin ndër
aksionet tona, ku shkohet për t’u kalitur ideologjikisht e fizikisht edhe jo
për t’u dashuruar.
Partisë Faslli
Haliti i kushton vetëm vjershën “Kudo”
e cila s’është gjë tjetër vecse pllakat, ku PPSH - në e gjejmë vetëm të shkruar vetëm; “mbi mezhda”, “bri rrugës”,”në ballin
e malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve të cilët nën emrin e saj munden me furtunën, me
zjarrin, me tërmetin, me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.
Në vëllimin
“Sot”, ndeshemi edhe me krijime shumë të dobta nga ana artistike, si fjala vjen
“Lushnja natën”, që s’paraqet asgjë të re, asgjë të veçantë për Lushnjën si
qytet i rëndësishëm bujqësor dhe industrial.
Fakti që autori
s’na flet as për punëtorët e turnit të natës, as për bisedat e nxënësve që
kthehen nga shkolla e bashkuar pa shkëputje nga puna, as për traktorët që në
periferi të qytetit zhurmojnë gjer në
orët më të vona të natës, na bën të mëndojmë se Faslli Haliti e sodit jetën vetëm nga larg.
Vjerash “Kujtimi
im nga një eskursion”, inkuadrohet ndër krijimet më të dobta, të pafrymëzuara,
ku vetëm përmënden dhe objekte ku autori dhe kolegët e tij kanë parë dhe kanë
marrë me vete. Në përgjithësi poezia e Faslli Halitit është një poezi e përciptë, pa frymëzim, e ftohtë,
e për më tepër denigruese, sepse
Faslli Haliti nuk e vështron realitetin tonë ashtu siç është, por siç ka qenë dikur, nuk krijon poezi të realizmit socialist, por poezi të sëmura që dalin duke e vështruar realitetin përmes një
prizmi personal e të huaj për ideologjinë tonë.
Çuditemi me
autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në
gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më
interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim
Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli
Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda
subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i
artikullit? Partishmëria jonë tek vëllimi i Faslli Halitit është e jashtëme,
qëndron vetëm në fjalë dhe nuk futet në brendi të subjektit. E përsa i përket
vjershave të gabuara, ajo është edhe e
huaj.
Ne dhe shumë
pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e
qytetit tonë për lbrin “Sot”, s’pajtohemi
as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha këtij vëllimi në
konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tonë. Ne jemi të mendimit që autorëve
të rinj u duhet dhënë ndihmë për të përvehtësuar mësimet e partisë, për të njohur jetën dhe për të zotëruar artin e
të shkruarit, por në asnjë mënytrë të mos u bëhen lëshime në ideologji ose t’u
fërkohen krahët kur ata nuk e meritojnë. Tek autorët e rinj nuk duhet vlerësuar
vetëm manitë e tyre për të krijuar figura bajate;
“Kamarieria
puhi
servir
freski”.
Apo;
“Kooperativa
berbere e rreptë
flokrat
e ferrave fare i qethi”.
E themi këtë se
figura të tilla, tendenca formaliste
dhe manjerizmi, e bëjnë lexuesin
tonë të rëvoltohet, të pështyjnë në atë
poezi e të thotë; “Kjo nuk është
poezia që unë kërkoj nga poetët e realizmit socialist”.
Kapllan Resuli, shkrimtar
Spiro Dinaku,
nënpunës
Hysen Kurti,
punëtor
Arkivi Qëndror i
Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja
308. Viti 1973
No comments:
Post a Comment