SHPENDI TOPOLLAJ
Kritikë letrare
Në Rusinë e sotme ka kaluar për të mos u kthyer më koha kur dikush e quajti Boris Pasternakun si një nga tri të këqiat më të mëdha të Moskës. Sot brezi i ri nuk e koncepton dot sesi një poet, nën trysninë e kundërshtarëve të mendimit të lirë, dikur vriste veten, burgosej, internohej apo kërkonte rrugë ilegale për të botuar veprat e tij nëpër Evropë. Poeti që mundohej të ishte vetvetja, duhej të mbetej i kënaqur vetëm nëqoftëse do ta shihnin me dyshim. Sidoqoftë, ecën si ecën nëpër zikzaket dhe të papriturat e rrugës krijuese, ata gjatë njëqind vjetëshit të fundit, asnjëherë nuk iu shmangën traditës që krijoi gjenia e Pushkinit,Derzhavinit, Lermontovit, Nekrasovit, Tjutçevit, Bllokut dhe Eseninit me shokë. Edhe pse jetuan në kohët e vështira të çensurës komuniste, Majakovski, Jevtushenkua, Ahmatova, Cvetajeva, Ahmadulina, Brodskij e plot të tjerë, gjetën forca që me talentin e tyre dhe guximin qytetar të vazhdojnë t`i këndojnë siç dinin ata bukurisë, dashurisë, Atdheut, të mirës, të drejtës, virtytit njerëzor.
Jo më kot antikonformisti Osip Mandelshtami, poeti që mbeti pa varr, shkruante: “Pasi ma morët detin, vrapin, fluturimin / Dhe tokën me gjëmë ma mbytët vaj e lotë / Ku dolët, ç`fituat? I qartë përfundimi: / Mërmërimën e buzëve s`ma hiqni dot.”
Dhe mërmërima e buzëve të poetit i ngjan tallazeve të valëve të detit, lëkundjes së pyllit nga shkulmet e erës, fëshfërimës së gjetheve të mështeknës, butësisë së barit të luadhit, erës së këndshme të rrëshirës së pishës, fluturimit të vonuar të krillave, lodrës së purpurtë të reve, gurgullimës së përroit, freskisë së burimit, vlagës së dheut, rrëshkitjes të sajës, tymit të bardhë të oxhakut, zhurmës së shiut, ndriçimit të hënës, shkëlqimit të yjeve, këngës së cinxërrit, pritjes së gjatë, hoveve të zemrës së dashuruar, shijes të paharruar të puthjes së parë… Ashtu sikurse ajo mërmërimë, me artikulime melodioze na bën të besojmë se përveç se gëzim, kënaqësi, emocion, drithërimë, e përjetim, është zhgënjim, braktisje, tradhti, dhimbje. Por, të gjitha pjesë e pandashme e jetës, ku e mira dhe e liga janë bashkëudhëtare të pandara.
Dhe ja, me të tilla mërmërima, vjen edhe në gjuhën tonë, ndjekësi dinjitoz i vlerave më të arrira të poezisë ruse, Valdimir Masallovi i cili aktualisht është Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë. Libri i tij i përkthyer dhe përshtatur mjeshtërisht nga të mirënjohurit Jorgji Doksani dhe Qazim Shemaj është titulluar thjeshtë “Zjarri”. Vepra poetike e
Masallovit përmblidhet në disa vëllime, por ne do ta gjykojmë atë vetëm nga tetëdhjetëekatër poezitë që përfshihen këtu. Dhe kuptohet që këto janë mëse të mjaftueshme për të krijuar një mendim të qartë mbi vlerat artistike, qytetare dhe intelektuale të tij.
Vladimir Masallovi ka lindur në Rjazan, pra atje, ku fare pranë, në Kostandinovo (sot Esenino) ka lindur dhe përfaqsuesi më i talentuar i plejadës së atyre që futen te “poezia e argjendtë”, Sergej Esenini. Masallovi si ai, pa, u frymëzua dhe dashuroi përjetësisht të njejtat vende. Me historinë e vendlindjes, me atë katedralen pesëqind vjeçare, me peizazhet mahnitëse, me ato pyjet e pafund, ku mështeknat belholla dukej sikur vallzonin, dhe të cilat njeri i quan kofshëbardha e tjetri pulpëbardha, me ato izbat prej druri, brenda të cilave njerëzit bujarë, të ndershëm dhe të padjallëzuar, lumturoheshin kur u vinin mysafirë, te dera e të cilave plakat ngjanin me njera - tjetrën si dy pika uji, ai si Esenini identifikon Atdheun. Ndofta kjo është dhe arsyeja që në vendin e tij edhe Masallovin e nderojnë, duke e indentifiluar me vetë Sergej Eseninin.
Në Rjazan, për Eseninin gjithçka, edhe ajo në dukje më e parëndësishmja, është me vlerë: Shih ç`bën hithra me xhufka, se ç`rit, / Duke përkulur ballët me vesë, / Ajo çapkënçe të pëshpërit: / “Mirëmëngjes!” Kështu ngjet edhe me Masallovin e kohës tonë: Pse zgjohem pa nisur mëngjesin / Këngëgjelat / Kuajt, siç din` na përshëndesin, / Tundin jelet. Për të dy, hëna ngjet me drapër, malli për shtëpinë dhe fshatin është po ai. Se ç`thotë Esenini e dimë, por dëgjoni sesi shprehet Masallovi: Kudo ku jam endur, këndej e përtej oqeanit, / Kudo ku kam shkelur e kurrë s`jam ndalur, / Më shfaqen në ëndërr viset e Rjazanit, / Mështeknave tona me shpirt u jam falur.
Por sado të ngjajnë me njeri - tjetrin të dy poetët kanë veç të përbashkëtave edhe veçoritë dalluese të tyre, pra atë që quajmë individualitet poetik. Ky individualitet imponohet nga koha kur ai jeton. Kultit të dashurisë tani s`para i besojnë. Kulti i parasë e ka zëvendësuar atë. Vetë kuleta e poetit thuajse është bosh. Në të nuk tingëllon asnjë kopek dhe rublat e rënda xhepi i tij nuk i mban dot. Gjithashtu, vetë Rusia ka halle të tjera dhe tani edhe toka s`para punohet, edhe era e bukës nuk ndihet më, edhe viçat s`pëllasin edhe delet
s`blegërijnë më. Syrit të poetit gjithçka i duket se është braktisur, njerëzit i sheh me buzënplasur, shtëpitë dergjen të sakatosura, aq sa edhe vetë shenjtorët lart në qiell qajnë me lot. Ja pse ai e sheh misionin e poetit si atë të një apostulli të cilit kurrë nuk duhet t`i mungojë guximi për të thënë me zë të lartë të vërtetën: Poet, t`u bë detyrë e vërteta, / Misioni yt fisnik; / Le të drejtojnë njëqind shigjeta, / Shkruaj, mos ki frikë! Dhe shpejt mendja e poetit kthjellohet: ai e di se gjithçka e mirë do të vijë pasi së pari, njerëzit duhet t`i kthehen dashurisë. Prandaj i këndon asaj me zjarrin e zemrës. Ai nuk e ndan asnjëherë njeriun nga natyra. Njeriun e quan pjesë të qenësishme të saj. Pjesën më të vyer. Por, duke shfaqur dashurinë për natyrën, duke i ngritur himne asaj, madje duke kuvenduar si me një mikun e vjetër të tij, ai duket se flet me njerëzit. Ja si shprehet ai: Si shpatë majëmprehtë më shpoi mendimi: / “Çudi! Dhe drurët në fakt ngjajnë me njerëz.” Dhe tamam si njeriun, ai e sheh atë të qeshur, të ngrysur, të mërzitur, të gëzuar, të pikëlluar, shend e verë, sipas stinëve. Dhe gjithmonë e gjen atë të bukur, të nurshëm, të mençur. Mrekullinë dhe magjinë e natyrës ai e ve në funksion të atdheut. Duke pikturuar me gjallërinë e ngjyrave të Rjepinit, Levitanit, Serovit peizazhet e ndryshme të natyrës, ai bën tablonë e madhe, portretin e vendit të tij. Dhe atë portret ai e kujton përherë. Kur ndodhet larg ai përlotet nga malli për të. Dhe këtë dashuri e mall e shohim fare qartë te poezitë e tij “Rusia ime”, “Nuk heq dorë”, “Melodi nga vendlindja”, “Krillat”, “Nostalgji”, “Miku” etj.: Për Ty i kam forcat, për Ty i shumoj. / Më beso, mëma ime Rusi! / Nga mirësitë për njerinë nuk heq dorë, / Ama, Ty të kam kurorë e lavdi.
Natyrisht që atdheun e bëjnë njerëzit akoma më të nderuar dhe të shtrenjtë. Ndaj dhe poeti Masallov u drejtohet Pushkinit dhe F. I. Tjutçevit. Të parit, pasi i falet gjenisë së tij, i thotë të vazhdojë t`i ndezë shpirtrat e poetëve dhe me dritën e dëlirë të lirisë t`u prijë përpara, kurse të dytit, të kulturuarit, të edukuarit, poliglotit, elokuentit dhe komunikuesit të shkëlqyer i uron të realizohet dëshira e tij “Ruaje, o zot, shpëtoje nga të ligat” Atdheun.
Një vend të rëndësishëm zë në këtë libër dashuria për femrën. Se është ashtu sikurse pohon njeriu më popullor i poezisë moderne ruse J. Jevtushenko, se në çastin e ndarjes nga kjo botë e di; do shikoj këtë grua duke dalë nga deti. Masallovin e trondit bukuria e një vajze. Dashuria për të është gjithçka. “Në do të jetosh, prej dashurisë duhet të jesh i pushtuar.” Se: Pa dashuri, perëndimet s`do të kishin përflakje, / Vesa s`do ta kishte lotin aq të dëlirë e të qartë, / Dhe ahet, me gjethnajën e praruar vjeshtake, / Nuk do të përkundeshin aq bukur në liqenin e artë. Dhe ndofta pikërisht për ndjenjat e flakta dashurore, më shumë sesa për kuptimin filozofik, ky libër duhej quajtur “Zjarri”. Dashuria jote ma ndezi ndjesinë, / Që me sa duket e kisha harruar, / Më grishi, më shpuri në çmendinë, / Më rindezi zjarrin që më qe shuar.
Poeti Masallov, duke qenë jashtzakonisht i thjeshtë dhe i kuptueshëm, është njëkohësisht mjaft sqimatar në zgjedhjen e një figuracioni artistik mjaft të goditur. Gjykoni vetë; Mjegulla e bardhë po na shtron çarçafët, Flokët trazuar me argjend, Rënkon si degë e thyer kjo ikja jote, Deti pa rrezet - thjesht një ëndërr trishtimi, Vesa mbi bar, ndrin vesërisht, Retë, këta kuaj qiellorë, Ylberi, i qetë, me hir të ylbertë, Kush u vesh gëzof kunadhesh, drurëve në borë?, Mjegulla na e veshi vështrimin me lot etj.
Masalloi, me veprën e tij të përkthyer, plot ndjenjë, muzikalitet dhe ëmbëlsi, na kthen te ajo poezia që sado po i largohemi, nuk ka për të vdekur kurrë. Nuk ka për të vdekur, pasi e mbajnë gjallë poetët e pavdekshëm që e thanë aq vërtetësisht të vërtetën, sa me të drejtë në shekuj do meritojnë vargjet e Masallovit: Të heq kapelën, miku im poet, / Për ty kam nderim, / E vërteta është buka jonë, / Vetë ti je pagëzimi im.
No comments:
Post a Comment