Wednesday, 25 November 2015

TAKIM MBRESËLËNËS, ME KRIJUESIN E NJOHUR LEFTER ÇIPA…

Skicë:
TAKIM MBRESËLËNËS, ME KRIJUESIN E NJOHUR LEFTER ÇIPA…
Nga: Murat Gecaj


Krijuesi L.Çipa…
1.
Mendoj se asnjëherë nuk është vonë që të shkruajmë diçka për një njeri të njohur mirë nga ne ose pak të njohur, më parë. Në rastin konkret, këtë gjë po e them për mikun “e ri” (ha,ha) Lefter Çipa. Sigurisht, shumë të tjerë e kanë njohur sa e sa vite më pare, por dhe kanë shkruar për të. Ndërsa unë, edhe pse disi i vonuar, dëshiroj ta ndaj me lexuesin kënaqësinë time, që pata atë ditë të 15 nëntorit 2015, kur u ula në një tavolinë me këtë artist e krijues, mjaft të dëgjuar, jo vetëm në fshatin e lindjes Pilur, por sidomos në tërë Jugun e Shqipërisë e më gjerë. Dhe, ja si ndodhi…
Bashkë me Viron Konën, shkrimtar tashmë mjaft i afirmuar, për fëmijë e të rritur, por dhe me mikun publicist Ilir J.Hoxha, u larguam nga hotel-lokali“Livia”, që ndodhet në qendër të kryeqytetit. Aty kishte qendruar kolegu e miku i përbashkët, Sadulla Zendeli-Daja, nga Gostivari dhe që jeton tash 50 vjet në Suedi, pra në Skandinavinë e largët. Ai mori pjesë në veprimtaritë e zhvilluar në Panairin e Librit “Tirana-2015” dhe ku u përurua libri i V.Konës, kushtuar atij, “Ju dua më shumë se veten” dhe libri i vetë Dajës, me vjersha e shkrime, “Rizgjimi i Arbërisë”. Pra, u ndamë përzemërsisht nga Daja dhe atë, me dy nipat e tij, e përcollëm për në Gostivar, ku e priste edhe bashkëshortja.
Për t’u çlodhur pak, por dhe për të sjellë në kujtesë ditët, që kaluam të tre ne, me Dajën, u ulëm që të pinim kafe, në pjesën e jashtme të lokalit “Ulqini”. Pra, folëm jo vetëm për “Panairin e Librit” të këtij viti, por dhe për bisedat e zhvilluara për këta dy libra, si në bibliotekën e qytetit të Durrësit, por dhe në atë të Lezhës, ku na pritën me kënaqësi e bujari.
Sakaq, vërejta se drejt nesh po vinte buzagas një njeri, të cilin e kisha parë vetëm nëpër fotografi ose në TV. Vironi, i cili u sqarua se njihej nga afër me atë, na e paraqiti që ishte i mirënjohuri Lefter Çipa. I mësuar dhe më parë me takime të tillë, ai na e zgjati dorën me shumë dashamirësi dhe u ul pranë nesh. Nuk më kujtohet, nëse e kishte cigaren apo e ndezi, sapo zuri vend, por atë nuk e leshoi nga dora gjëtë tërë kohës së qendrimit me ne. Shpejt e informuam njëri-tjetrin për të dhënat vetjake e vendosëm “marrëdhëniet diplomatike”(ha,ha). Ndër të tjera, unë tregova se djalin e tij, publicistin e afirmuar Aleksandër Çipa e kisha takuar në shoqërinë e prof. Hmit Boriçit, kur të dy jepnin leksione në “Albanian University” ose, siç njihet ndryshe, “Ufo”.
Bisedën nuk e zhvilluam gjatë për krijimet dhe botimet tona, se secili nga ne do të ikte në drejtime të ndryshme. Megjithatë, ndjeva kënaqësi që njoha një artist të fjalës së shkruar dhe të interpretimit të saj, i cili e ka mbështetur fort krijimtarinë e vet, në thesarin e pashterrshëmm popullor. U ndamë me njëri-tjetrin sikur të ishim takuar shumë kohë më pare dhe me shpresën se do të shihemi prsëri. Por aty fiksuam edhe disa fototgrafi të përbashkëta, që janë një kujtim i paharruar, nga ai takim i paplanifikuar.


Nga e majta: L.Çipa, I.Hoxha, V.Kona e M.Gecaj…(Tiranë, 15 nëntor 2015)
2.
Sigurisht, për t’i njohur më nga afër botimet e këtij krijuesi të veçantë, pra të L.Çipës, “gërmova” jo vetëm në Internet, por hapa edhe skedarin e Bibliotekës Kombëtare, online. Së pari, më mbetën në mendje fjalët e shkruara nga Dritëro Agolli, për atë, se: “Lefteri më kujton lirikët bohemë të Rusisë. Ai nuk merr frymë, po frymon poezi”.
Ndërsa, e shprehur në shifra, krijimtaria e tij shënon rreth 16 libra të botuar, secili më interesant se tjetri. Ndërsa janë shkruar edhe këto radhë vlerësuese për krijimet e Lefterit: Ai është burimi, ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë pë;qyer që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori”. Prandaj kishte të drejtë shkrimtari Bardhyl Xhama, kur i tregova se isha njohur me Lefterin, i cili më tha këto fjalë: “Njëri ndër krijimet më të bukur, kushtuar fshatit Fterrë, pra vendlindjes sime, ka autor pikërisht L.Çipën”.
Ndër titujt domethënës të librave të Lefter Çipës janë: "Bejkë e bardhë"(1976), "Bilbilat e vendit tim", "Shqipëri, moj ballëhapur"(1980), "Këngët e Ruzanës"(2004), "Dheun tim përsipër mbaj", "Për Kosovën, prapë do të ngrihem"(1999), "Kënga që tretë lotin"(2002), Këngët e Atdheut tim”(2014) etj. Ndërsa vëllimi më i ri i tij është “Vij nga drita”(2014). Ky libër, në 165 faqe, ka vjersha të frymëzuara dhe  të papublikuara më parë.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve modeste për vjerëshëruesin dhe artistin e fjalës Lefter Çipa, botimet e të cilit kanë përmbajtje të theksuar atdhetare, dëshiroj që atë ta përshëndesim përzemërsisht dhe t’i urojmë shëndet të mirë e jetëgjatësi dhe botime të tjera sa më të bukura! Jam i sigurtë që librat e tij, kryesisht në vargje, do të zenë vend të merituar në thesarin e krijimeve dhe botimeve tona.
Tiranë, 25 nëntor 2015


No comments: