Thursday, 12 November 2015

KRAHINA E HIMARËS NË STUDIMET ALBANOLOGJIKE TË PROF. DR. JUP KASTARTIT

Konferenca Ndërkombëtare Albanologjioke “Urat kulturore mes Himarës dhe Diasporës Arbërore në shek. XVI-XVIII, kronikë identitare dhe eurocentriste, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, 10-11.11.2015

KRAHINA E HIMARËS NË STUDIMET ALBANOLOGJIKE TË  PROF. DR. JUP KASTARTIT/ THE HIMARA REGION IN PROF. DR. JUP KASTRATI’ S  ALBANOLOGICAL STUDIES







           
MsC. ALBERT HABAZAJ
Biblioteka Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

Abstrakt:

Objekt studimi i këtij punimi është krahina shqiptare e Himarës në vitet 1630-1642, parë nga drita studimore e Profesor Jup Kastratit. Trajtesa ngushtohet në rrafshin etnologjik e antropologjik për kontributin e Nilo Catalanos (1637-3.06.1694). Profesor Kastrati na prezanton Catalanon si italian, por që veprimtarinë e tij e lidhi kaq shumë me arbëreshët, së fundi, me Shqipërinë, sa mund të vështrohet si një “italian i arbëreshizuar”. Janë të dukshme gjurmët e tij për shkollat e para shqipe në Himarë. Himarë, para disa shekujsh, sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, d.m.th., duke nisur nga Radhima, në Lekël e në Butrint. Dihet historikisht, se në atë krahinë që i rezistoi pushtuesve osmanë shekuj me radhë, ka pasë çelur shkolla shqipe para tre shekujsh. Dokumenti më i saktë që në Himarë flitej shqip e mësohej vetëm gjuha shqipe, është puna e madhe e Nilo Catalanos. Këto dëshmon në  Traktatin “Historia e albanologjisë” Profesor Jup Kastrati.

Fjalët kyçe: studime albanologjike, dokumente, misionarët bazilianë, gjuha shqipe, krahina  e Himarës

Abstract:

The object of this paper is studying Albanian regions of Himara in the years 1630 - 1642,  the first study light of Professor Jup Kastrati. The treatments narrows in viewpoint of anthropological and ethnological contribution of Nilo Catalanos (1637 - 3. 06. 1694). Kastrati Professor introduces Catalano us as Italian, but his activity is matched so much to arberesh (albanian living in Italy), finally, with Albania, as can be seen as an "Italian from arberesh". His traces are visible for first Albanian schools in Himara. Himara region, a few centuries, especially after the death of Gjergj Kastriot Skanderbeg, was all regions of Labëria today starting from Radhima in Lekël of Butrint. Historically it is known, that the region that resisted to Ottoman conquerors for centuries, has opened Albanian schools three centuries ago. The most accurate document in Himara was only spoken in Albanian and taught Albanian language. For this  hard work the contribution goes to Nilo Catalanos. This proves the Treaty in "History of Albanology" of Professor Jupp Kastrati.

Keywords: Albanology studies, documents, bazilian missionaries, Albanian language, region of Himare.

1. Vështrim i përgjithshëm për krahinën: Krahina e Himarës është një trevë shqiptare, krahinë gjeografike dhe etnografike, në JP të Shqipërisë, e njohur që nga tejlashtësia, ku prej më shumë se dy mijë vjetësh banon një bashkësi njerëzish me kushte ekonomike - shoqërore të afërta, me mënyrë jetese pothuaj të përbashkët, por që, kohë pas kohe, ka pësuar ndryshime, më tepër është rrudhur si krahinë etnografike, në vështrimin e shtrirjes territoriale. Si pasojë e lidhjeve të gjata, e të ndikimit të ndërsjellë dhe e fakteve të njëjta historike, tek banorët e kësaj treve, krahas tipareve të përgjithshme etnike - kombëtare, formohen edhe doke e tradita kulturore më të ngushta, me tipare të dalluara. Bazuar në kulturën materiale dhe jomateriale (shpirtërore), edhe sipas studiuesve, Shqipëria përbëhet nga dy grupe të mëdha etnografike: Gegëria dhe Toskëria. Himara futet në Toskëri, dhe, duke e ngushtuar më tepër prerjen etnografike, ajo është pjesë e së tërës etnografike që quhet Labëri. Edhe “Bregdeti i Himarës është pjesë e Labërisë”[1], por kushtet natyrore të veçanta i kanë dhënë begati, të cilën banorët e krahinës ia kanë fituar me mend e me fuqi detit dhe malit. Himara (Bregu i Detit), sikurse Kurveleshi, Rrëza e Tepelenës, Buzi, Lumi i Vlorës, Gryka e Dukatit etj., është krahinëz, një ndër ndarjet më të vogla etnografike të Labërisë, që është krahinë e madhe etnografike në Shqipërinë JP. Sikurse krahinat e tjera etnografike, si p.sh. Rrafshi Dukagjnit, (Leknia), Mirdita Hasi, Kraja, Kelmendi, Malësia, Luma, Shpati, Martaneshi, Çermenika, Mokra, Dangëllia, Opari, Zagoria, Krasniqja, Çamëria e Kosova me krahinëzat, Myzeqeja, Labëria etj., edhe krahina etnografike e Himarës ka karakter historik. Prej shekujsh nuk bëhet fjalë në Bregun e Detit me rrethinat përbërëse për prani banorësh me prejardhje joshqiptare. Ajo lindi në kushte ekonomike - shoqërore të caktuar dhe ka ndryshuar me ndërrimin e këtyre kushteve. Sipas shumë dëshmive historike, Himara ka përbërë një krahinëz të organizuar në bashkësi fshatare, që qeverisej sipas një të drejte dokesore e që ishte në gjendje të mbrohej dhe nga taksat feudale. Ajo ka patur gjyqet e drejtimin e saj të brendshëm, jo me ushtri e komandë, po me pleqësi e gjyqtarë popullorë. Shumë autorë shqiptarë, që janë marrë me trashëgiminë historike - kulturore të kësaj krahine, ku do të veçonim Kolë Kamsin, Eqrem Çabejn, Aleks Budën, Shaban Demirajn, Selami Pulahën, Vexhi Buharanë, Rrok Zojzin, Qemal Haxhihasanin, Dhimitër Shuteriqin, Jup Kastratin, Kahreman Ulqinin, Ramadan Sokolin, Mark Tirtën, Pëllumb Xhufin, Shaban Sinanin etj., me  studimet e tyre për  Himarën në shekuj kanë kontribute të çmuara për shkencën e Albanologjisë. Krahas studiuesve dhe udhëtarëve të huaj si M. Šuflai, L. Thalloczy, C. Jirièek, J. G. von Hahn, H. Holland, William Martin Leake [Liku], Ed. Lear [Liri], F.C.H.L. Pouqueville [Pukëlivi], Bajroni etj., shumë të rëndësishme janë studimet për veprimtarinë misionare të Vatikanit, përmbledhur në veprën historiografike të arbëreshit të madh At Nilo (Nicolò) Borgia [Nilo Borxhia]: “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri, shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI - XVIII”, me një parathënie nga prof. Matteo Mandalà, që pa dritën e botimit në shqip në vitin 2014. Studiuesi Rrok Zojzi shkruan: “Labëria përban nji krahinë tjetër që muer pjesë në formimin e Toskënisë”[2]. Më tej ai na bën të ditur se, ndërsa gjeografia vendosi si kufi verior e verilindor të Labërisë Vjosën, populli thotë: labët janë në mes të tri urave: asaj të Drashovicës, të Tepelenës e të Kalasës (Lumi i Kalasës, Sarandë, shën. im - A.H). Me konceptin se, krahinë quhet territori që ka një popullsi me tradita, doke, (zakone) dhe me veçori të përbashkëta, etnologu Zojzi dëshmon: “Brenda këtij territori që quhet Labëri kemi dy grupe popullsie, “labe” dhe “jo labe”. Popullsia labe, ndahet në “Labë kristianë” (Rrëza e Tepelenës, Zagoria, Bregu i Detit) dhe në “labë muhamedanë” (blloku qendror i popullsisë). Ndërsa popullsia jo labe mbrenda Labërisë përfshin Malëshovën, Lunxhërinë, Rrëzën e Përmetit, etj.”[3] Kufijtë e kësaj treve, në të shumtën e herës kanë lëvizur në kohë të ndryshme, përveç kufijve natyrorë me rëndësi si male, qafa e lumenj. Banorët e Labërisë e quajnë veten banorë të lashtë të territorit ku banojnë. Njihen si popullsi joshqiptare banorët e Dropullit dhe të Vurgut, të ardhur në këto hapësira shqiptare dhe si të tillë janë respektuar dhe respektohen qytetarisht nga autoktonët. Himariotët janë dalluar si njerëz të hapur, dinjitozë, të virtytshëm, kuvendarë e luftëtarë lirie, “të penës e të difekut”, me kulturë, të shkolluar, që e thithin të renë, përparimtaren dhe e manifestojnë atë në përditshmëri, të prirur nga e vërteta. Njihen si njerëz që kujtojnë origjinën e tyre nga fisi i kaonëve, që respektojnë lidhjen e gjakut dhe vazhdimësinë tradicionale me statusin e reciprocitetit. Lëvizjet e njerëzve, miqësitë, krushqitë kanë sjellë dhe qarkullimin kulturor nga banorët bartës të kulturës shpirtërore dhe asaj materiale (ruajtës, marrës, dhënës, transmentues), pra si nyje ndëlidhëse. Organizimi shoqëror historik, ndarjet administrative dhe kushtet gjeografike që sollën formimin e krahinës etnografike të Himarës, e cila ruan emrin dhe traditat e kulturës së formave paraardhëse, dallon për veçoritë gjuhësore të të folmeve lokale me nëndialektet labërishte. Si krahinëz etnografike, Himara paraqet interes për të gjurmuar historinë e popullit shqiptar në këto hapësira nëpër rrjedhat e kohës. Himara si vendbanim kaon-epirot dëshmohet midis vitev 220-189 p.e.r., ndërsa fortesa e Himarës së vjetër është e datuar në shek IV p.e.r., e cila u rindërtua në shek. IV të e.r. nga Justiniani, perandori i Bizantit me prejardhje iliro-dardane. Historiografia shqiptare, kur trajton pushtimin e plotë të Shqipërisë pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndër të tjera veçon se edhe fortesat e Himarës dhe të Sopotit ranë në duart e osmanëve. “Por pjesa malore midis Vjosës dhe detit Jon mbeti e lirë, për shkak të qëndresës së popullsisë. Me daljen nga skena të krerëve feudalë vendës, në udhëheqje të qëndresës kundërosmane u vu peshkopata e Himarës, peshkopi i së cilës kryesoi kuvendet e krahinës deri në vitin 1759. Për këtë arsye, nga fundi i shek. XV u quajt Himarë gjithë pjesa JP e Shqipërisë që përfshinte më shumë se 50 fshatra, me shtrirje midis detit Jon, lumi i Bistricës e qafës së Muzinës, rrjedhjes së mesme të Drinos dhe të Vjosës (me përjashtim të Topalltisë dhe të Myzeqesë së Vlorës)”[4]. “Më 1492, Sulltan Bajazit i Dytë, me që nuk ia doli dot me luftë, përdori përçarjen. Si pasojë, edhe Himara, që kishte 52 fshatra, disa thonë 54, Lefter Çipa thotë 74, që nga Gumenica, Tepelena, Kurveleshi e deri në Bregdet, u tkurr veç në 7 fshatrat bregdetarë, të cilëve u dha “venomet” (e drejta e vetvendosjes), duke shkëputur kështu pjesën nga e tëra. “Venomet e Himarës” ishin variante të “Kanunit të  Labërisë”. Populli vajtoi: Që në Gumenic’ e lart/ Himarë i thonë çdo fshat,/ Osmanlliu me zanat/ Na ndau e nbetëm pak…”. Ka qenë fundi i shek. XVI, kur Perandoria Osmane e shkëputi Tërbaçin nga Himara, sikurse dhe gjithë fshatrat e tjerë të Labërisë së Brendshme. Vetëdija sociale kur thotë Himarë nënkupton Labëri e kur thotë Labëri nënkupton Himarë, edhe Drashovica është Himarë, se banorët këto toponime (emërvende) i ndjejnë, i pranojnë dhe i quajnë sinonime të njëra - tjetrës (edhe ne sikurse ata)”[5]. Siç e kemi vërejtur edhe nga ekspeditat në terren, edhe në botimet folkoristike, kënga popullore historike e ka regjistruar në disa variante njësinë folkorike: “Që në Gumenic’ e lartë/ Himarë i thonë çdo fshatë/ gjithë trima e levendë,/ burra stralli pallergjndë,/ lënë nam kudo që venë./ E nisim me Bregdenë,/ e shkojmë në Tepelenë,/ vemi kufi me Delvinë/ ndë Dragji e gjer Kaninë.[6]. [Dragji - është fjala për fshatin Tragjas të Vlorës; shën. im - A. H]. Kujtesa sociale sjell informacionet gojore të të parëve, që vijnë edhe me këtë variant: “Që në Drashovic’ e lart/ Himarë i thonë çdo fshat…[7], veçse ky informacion na rezulton i botuar në këtë variant në literaturën folkoristike: “Himarë, Kaninë, Drashovicë,/ Tepelenë, Kardhiq, Nivicë,/ kaonë janë të gjithë/ nga një farë e nga një fis./ Që me ardhjen e Turqisë,/ në vendet e Labërisë,/ i ndau i bëri dyshë,/ në xhami edhe në qishë[8].Gjykojmë se vlen të theksohet që pothuaj në të gjithë fshatrat e Himarës flitej e flitet shqip; qahet e këndohet labërisht (kënga himariote është një variant i modifikuar i këngës labe të Kurveleshit, po ashtu edhe vallja e kënduar). Por në Himarë ka tre fshatra që flasin greqisht dhe shqip: Palasa, Dhërmiu dhe Himara (kjo e fundit është qytet sot dhe qendër bashkie). Duke u mendjesuar me gjuhëtarin Rami Memushaj, që vëren se greqishtja është përhapur në këto fshatra “për arsye kulturore - arsimore, fetare e të marrëdhënieve tregtare me Korfuzin e ishujt grekë të Jonit”[9], me të drejtë mund të themi se bilinguizmi (dygjuhësia) e këtyre banorëve të Bregut Jonik gjen motivim dhe nuk përbën problem, sepse është shënjë e nevojshme komunikimi përditësor dhe mirëshkuarje. Ky bilinguizëm nuk është gogol, nuk është fantazmë, por një sistem tingujsh, rrokjesh, diftongjesh a fjalësh, trajtash e rregullash, që nga ana sintaksore për lidhjen e fjalëve në fjali, bëhet mjeti themelor e më i rëndësishëm që u shërben këtyre njerëzve për të mbrujtur e për të shprehur mendimet dhe për t'u marrë vesh njëri me tjetrin në tregti, kulturë, miqësi, shoqëri, sepse jemi fqinj, ballkanas, mesdhetarë. Ndoshta qysh në mesjetë apo më herët “greqishja u bë gjuhë e bukës, ndërsa shqipja mbeti gjuha e zemrës”[10], gjuha e nënës. Himariotët janë ndër banorët shqiptarë që e kanë rrahur më shumë se të tjerët detin; e kanë njohur mërgimin, të paktën, qysh pas Motit të Madh të Kastriotit. Ka patur më tepër të larguar (emigrimi) dhe më pak ardhës (imigrimi). Në shekuj janë njohur migrimet e brendshme nga zonat më të vështira për një jetë më të mirë, etj. Himara është shënuar edhe për mërgimin e jashtëm. Janë evidentuar kolonitë e vjetra e ngulimet e reja. Kolonitë e vjetra i përkasin fillimshekullit XIX e më parë. Në fillim të shek. XX, në Italinë e Jugut jetonin më tepër se 200. 000 shqiptarë arbëreshë, që mendohet se janë të larguar nga trojet e Shqipërisë JP, pjesë e së cilës është dhe Himara. (Sot kalojnë një gjysmë milionë). Me lëvizjen e njerëzve (edhe si individë, dhe si grupe, masivisht) qarkullojnë edhe kulturat. Gjeografia e ka privilegjuar Himarën me të tre qytetërimet, si realitete që zgjasin shumë në kohë. Aty janë përplasur, aty kanë bashkëjetuar, aty janë bërë të njësishme, pasi janë shuar konfliktet e qytetërimeve. Historia na mëson se në Himarë kanë kaluar të tre qytetërimet: Universi i Perëndimit (Krishtërimi), Universi Islam dhe Universi Ortodoks, që përfaqësojnë përkatësisht: Qytetërimin Romak Qytetërimin Arab dhe Qytetërimin Grek. Kanë marrë dhe kanë dhënë, janë mbivendosur, kanë përthithur e kanë lënë, sepse u regjistruan në shumëkohësi si qytetërime të strukturuara, të pjekura, të afirmuara. Ka shënja të tyre në fytyrën e saj Himara; ka dhe reminishenca të mbijetojave pagane. Ka ende rite pagane që ushtrohen dhe sot e kësaj dite  ndër banorët himariotë, në trajtën e jehonave parake të tyre. Himara si një mikromozaik shumëngjyrësh me këto pamje qytetërimi nuk na shfaqet vetëm si mosnjohje, përbuzje, urrejtje tjetrit, apo si përplasje, por edhe sakrificë, rrezatim, grumbullim të mirash kulturore, trashëgimi inteligjence, si shtërngim duarsh. Për Himarën, si kryeqendër e krahinës në skenën e kohës sot del qytetërimi ortodoks. Afërsia gjeografike, mundësia e shkollimit dhe e punësimit në Greqi, ka sjellë dhe martesat reciproke. Martesat e djemve himariotë me vajza greke apo anasjellas nga këto fshatra kanë ndikim të dukshëm në dygjuhësinë e praktikuar. Por, kur qajnë, edhe plakat e Dhërmiut, Palasës e Himarës qajnë shqip, me vaje e ligjërime si labëreshat, si plakat e Labërisë së Brendshme, si qëmoti. “Ligjet e vajit janë praktikuar në të gjithë fshatrat e Bregdetit, përfshirë edhe Himarën, Dhërmiun e Palasën vetëm në Gjuhën shqipe. G. von Hahn më 1854 thotë shumë qartë se vajtimet bëhen kryesisht në gjuhën shqipe”[11]. Edhe e folmja e Himarës bregdetare, si nëndialekt i labërishtes, ngjan me të folurën e Kurveleshit si dy pika uji, madje edhe me të folmen e Gjirokastrës e me çamërishten. Sikurse në shek. XVII, edhe në këtë fundpesëmbëdhjetë vjeçari të shek. XXI, nevoja e rigjallërimit ekonomik dhe forcimit të ndjenjës së kombësisë ndikoi në formësim të ri të kësaj krahine etnografike labërore, në ridimensionim afërsisht tradicional të Himarës, sepse është gjykuar i dobishëm. Sot, përveç fshatrave të Bregut, Himara përfshin edhe Tërbaçin, Vranishtin, Bolenën, Kallaratin e Kuçin, edhe Fterrën, Çorraj, Borsh, Piqeras, Shën Vasil, Lukovë. Megjithë pushtimin e gjatë osman, gjurmët më të mira të të parëve mbetën në vetëdije të banorëve të kësaj krahine. Në “Historinë e Shqipërisë” shkruhet se nga fundi i shek. XV dhe në vijim kronologjik, “me mijëra fshatarë u shpërngulën nga bregdeti i Himarës dhe u vendosën në malësitë e Kurveleshit”[12]. Edhe më të mëdha kanë qenë lëvizjet drejt Himarës, të cilat u bënë masive në shek. XV- XVII. Edhe pse nuk reshtën valët e pushtimeve në rrjedhat e kohës, Himara u shënua në histori si fortesë qëndrese, sepse, megjithë rrudhjet e përthithjet nga të tjerët (më të fortët, më të mëdhenjtë), luajtën rol kushtet sociale e gjeografike, sidomos sasia e popullatës dhe shtrirja e saj territoriale kompakte.

2. Në Himarë, katër shekuj më parë…
Gjuha shqipe u evidentua si përbërës themelor i etnokulturës shqiptare në hapësirat e banuara nga bashkësia sociale e banorëve himariotë, të paktën, qysh në vitet 1630-1642, kur kemi shkollë shqipe në Bregun e detit të Himarës, në Dhërmi, fakt që argumentohet dhe interpretohet në studimin e Prof. Kastratit për Nilo Catalanon. Në këtë punim etnokultura lokale trajtohet si pjesë e së tërës shqiptare, me elementët e kulturës materiale (ekonomike), shoqërore, shpirtërore, artistike dhe të kulturës së jetesës (familjare). Nga punimi i Kastratit marrim të dhëna demografike, toponime (emërvende), data e ngjarje me dritë dhe informohemi se, në Himarë rrjedh, bashkohet, përzjehet e pasurohet historia me njerëz, me mënyrë jetese, me fe, me kulturë, me bulëzime të etnologjisë religjionale. Në hapësirë dhe kohë lëvizin, veprojnë  “tanët” dhe “të tjerët”. “Ne” (vendasit) dhe “ata” (të huajt) ekzistojnë si një unitet original, me gjithë luhatjet e pritura apo tronditjet e papritura, parë dhe me syrin e urrejtjes dhe armiqësisë, edhe me syrin e miqësisë dhe dashurisë, por gjithmonë me aftësi vetrregulluese. Nga burimet dokumentare që na paraqet studiuesi dhe nga dëshmitë faktike të shkruara, etnokultura në vetëdijen e banorëve të kësaj përkatësie njëjtëson të kaluarën e largët me të tashmen. Kemi një lidhje dialektike në mes burimit faktik dhe interpretimit shkencor. Natyrisht mendimi shkencor pasqyron kohën përkatëse kur është shkruar. Në Himarën e brigjeve shkëmbore joniane, me Çikën kurorë të vargmalit të Vetëtimave, janë shtresëzuar “qytetërime të ngjeshura pas njëri - tjetrit”[13], si mikrohapësirë lëvizjeje, në sistemin e qarkullimit të kulturave, mbartur qysh nga parakët, “popujt e detit” etj.  Edhe studiuesi Memushaj (i cili përveç kontributeve fushën e gjuhësisë, ka tërhequr vëmendjen edhe me trajtesat e çështjeve të historisë së krahinës së Labërisë, me Himarën e Kurveleshin) nga këndshikimi etnografik dhe historik e shikon Himarën të lidhur me Labërinë, si nënndarje etnografike të saj. “Në pikëpamje të zakoneve e të traditave, Himara nuk dallon nga hinterlandi lab. Nga fusha e kulturës shpirtërore janë të përbashkëta kultet, besëtytnitë, ritet, e drejta zakonore, mënyra shumëzërëshe (polifonike) e të kënduarit, vallja e kënduar, vajtimi me ligje i grave, baladat, legjendat e përrallat etj. Nga fusha e kulturës materiale: veshjet tradicionale prej leshi, si guna, sharku, llabania, linja, fustanella e tirqit; zhapat (opingat) prej lëkure të paregjur etj. Këta elementë etnokulturorë i gjejmë në të dyja anët e vargmalit të Çikës. Edhe përsa i përket së drejtës zakonore, nuk ka pasur dallime midis Himarës dhe pjesës tjetër të Labërisë; Himara, Kurveleshi dhe Rrëzoma kanë pasur një pleqësi të përbashkët, që ka funksionuar deri në vitin 1943, e cila mblidhej për të gjykuar e zgjidhur konflikte e çështje zakonore ndërkrahinore”[14]. Në Mesjetë në përbërje të Himarës, si krahinë gjeografike dhe etnografike e shqipërisë JP hynin edhe Kurveleshi e Mesapliku (pjesa qendrore dhe jugore e Lumit të Vlorës). Gjatë shekujve të pushtimit osman, Himara, si seli e peshkopatës,  ka qenë qendër e kryengritjeve të fuqishme kundërosmane. Aty janë mbajtur kuvende të krahinës për të bërë besëlidhje apo për t’iu drejtuar për ndihmë papëve të Romës dhe mbretërve europianë. Historia ka të shkruar kryengritjen e Himarës (1690) si  një nga kryengritjet e krahinave shqiptare kundër sundimit osman në shek. XVII. Kryengritësit himariotë gjatë luftës venediko - osmane, kur Venediku përpiqej të pushtonte qytetet bregdetare të Shqipërisë, sulmuan garnizonet osmane të kështjellës së Kaninës dhe të qytetit të Vlorës, të cilat i morën pas disa ditë luftimesh. Ndërsa për Dhërmiun kemi këtë informacion enciklopedik: Sipas gjeografit Mevlan Kabo, “Dhërmiu dëshmohet si fshat i vjetër që në v. ’49 - ’48 p.e.r. me emrin Drimades. Në kishën e Shën Stefanit dhe të Shën Mitrit ruhen afreske të shek. XII - XIV”[15]. Problemi qëndron se, mungesa e dokumenteve të shkruara na pengon për të thënë e shkruar gjëra të reja, por jo të kërkojmë e gjithmonë të jemi në kërkim serioz. Shtrojmë një pyetje: shkrimi e bëri njeriun apo njeriu bëri shkrimin?! Patjetër njeriu shpiku shkrimin dhe e përdori atë për paraqitjen grafike të mendimit, të paktën qysh në mesin e mijëvjeçarit IV para erës së re[16] (datim i lënë nga sumerët, sipas njohurive të derisotme). Himariotët jetojnë në hapësira shqiptare, e ndjejnë veten shqiptarë dhe nuk kanë komplekse ndaj të tjerëve, kur s’i trazon në punë të tyre. Në rrafshin socio-antropologjik, Himara shfaqet me identifikimin e vetes, me pranimin e tjetrin, kur i huaji nuk vjen si pushtues.

3. Nilo Catalano në dritën studimore të Kastratit

Libri i Nilo Borgias: “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri, shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI XVIII”, si dhe studimet e kumtimet e albanologëve të ndritur arbëreshë Francesco Altimari e Matteo Mandalà janë punime të thella, të plota, të qarta, korrente, të cilat sjellin prurje të reja, që i shohim për herë të parë për Nilo Catalanon dhe misionarët e tjerë fetarë (të huaj dhe arbëreshë), që kryen edhe shërbime fisnike e kontribuan për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe në shek. XVII. Studimet dëshmojnë se imzot Nilo Catalano ka qenë bulëza filimtare e shqipes në Himarë. Përmasat e nderimit të tij ndër ne rriten sepse  në mesjetën e murme, për banorët e krahinës së Himarës ai qe imazhi i lirisë, i dijes dhe kulturës. Por, në kumtesën e përgatitur, dëshirojmë të paraqesim Misionarin e Kishës së Perëndimit sipas albanologut Jup Kastrati. Dijetari shkodran J. Kastrati (15.04.1924-22.09.2002), edhe në fushën e shkencës që merret me studimin e historisë së shqiptarëve, të gjuhës shqipe dhe të letërsisë e kulturës shqiptare, është një nga titanët e albanologjisë, themelues dhe në krah të Eqrem Çabejt, Shaban Demirajt e Mahir Domit. Me studimet për letërsinë arbëreshe dhe sidomos me punimet shkencore për Jeronim De Radën (1814 - 1903), figurën më të shënuar të lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shek. XIX, ai ka dhënë një kontribut me vlerë për kulturën mbarëshqiptare. Bibliografia e botimeve shkencore të Prof. Jup Kastratit për kulturën kombëtare shqiptare të arbëreshëve të Italisë, që fillon në vitin 1953[17] dhe mbaron me frymën e tij fizike  në vitin 2002, kap 236 zëra. Me  trajtesat për historinë, etnografinë, etnologjinë, folklorin e traditën kulturore të arbëreshëve të Italisë Profesor Kastrati merret për të plotësuar korpusin e tij të studimeve arbëreshe, ndërsa me gjuhësinë dhe me letërsinë ai merret për të ngritur dy nga majat më të larta të studimeve kastratiane: Historinë e letërsisë shqiptare dhe Historinë e albanologjisë. Prof. Kastrati ka botuar edhe librin "Historia e Albanologjisë (1497-1997), vëll.1 (1497-1853), 832 f., Tiranë, Argeta L&M, 2000, ku trajton krahinën shqiptare të Himarës në vitet 1630 - 1642, kontributin e Nilo Catalanos (1637 - 3. 06. 1694), etj. Në vijë kronologjike, mbas studimit të Prof. Shuteriqit (1996), ky punim i Prof. Kastratit është më i pasuri dhe më i ploti për Nilo Katalanon, (bëjmë fjalë për kohën kur është publikuar dhe botuar studimi). Në fund të kreut, është shënuar bibliografia speciale për dijetarin Catalano. Misioni albanologjik, në kontekst gjykojmë se quhet i realizuar me botimin e monografisë “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri, shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI XVIII”, të arbëreshit Nicolò Borgia (1 Janar 1870 - 3 Mars 1942), Kryemurg i manastirit të Grottaferrata-s, që në parathënien me të cilën çelet libri, Prof. Matteo Mandalà e quan: “Vepra e Nilo Borgia-s, burim i rëndësishëm për historinë e jugut të Shqipërisë”[18]. Rikthehemi tek Nilo Catalano, sipas J. Kastratit. Vështruar në rrafshin etnologjik e antropologjik, dijetari shkodran ka skicuar me një gjuhë lakonike dhe mjeshtërisht ustain që hodhi bazamente të qëndrueshme në urën lidhëse sidomos për prurje kulturore e diturore; edhe për shkëmbime vlerash, traditash e dokesh mes Himarës, në JP të Shqipërisë dhe diasporës arbërore në JL të Italisë për periudhën kohore nga shek. XVI - XVIII. Studimi përfshin 24 faqe të veprës "Historia e Albanologjisë, vëll. 1”, nga f. 144 - 166 ka si strukturë: hyrjen, jetëshkrimin e Catalanos, veprat gjuhësore të tij, Fjalorin shqip - italisht, italisht - shqip, Sprovën Gramatike të Gjuhës Shqipe, përmbylljen, bibliografinë speciale, gjuhën e shkruar shqipe në shek. XVI - XVII, arsimin shqip në shek. XVII, kushtet kulturore në shek. XVII - XVIII dhe përmbylljen, ku, sipas tij, del se themelet e gjuhësisë shqiptare u hodhën në shek. XVII. Përmend faktin që Dhimitër Dervina, lëvrues i shqipes, përktheu një katekizëm [shtjellim i përmbledhur i dogmës së fesë së krishterë me anë pyetjesh e përgjigjesh; libri që përmban këtë shtjellim (në vendet ku vepron kisha e krishterë)[19]] në Himarë, në vitin 1637, me një gjuhë të punuar, gjë që mund të flasë për një traditë ë shkrimit të gjuhës sonë  në Jugperëndim të vendit. Kjo është e lidhur me shkollat fetare, që mbajtën në shekujt XVII - XVIII në Himarë misionarët bazilianë, ndër ta edhe  arbëreshët e Italisë të Sicilisë. Nuk mendojmë se vlen të trajtojmë të tëra çështjet e shqyrtuara në punim, por paraqet interes situata e shkollës shqipe në Bregun e detit të Himarës, në Dhërmi (1630 - 1642) Që në hyrje, autori na prezanton atmosferën vendore dhe banorët e etur për dije në gjuhën e nënës si dhe murgjit bazilianë në Himarë, që ndikuan pozitivisht në mësimin e shqipes. Jemi në kohën kur himariotët dhe trevat e Himarës kërcënoheshin nga dyndjet osmane. Studiuesi bën një paraqitje  të misionarit italian Nilo Catalano, për veprimtarinë e të cilit, ai ka shfrytëzuar një literaturë shkencore relativisht të pasur. Në rend kronologjik, në këtë punim përmenden tekstet dhe autorët që kanë shkruar për atë njeri të ndritur: Pietro Pompilio Rodotà (1760), Giuseppe Crispi (1831), Bernardino Biondelli (1856), Giuseppe Spata (1867 - 1868), O. Buccola (1909), “Roma e Oriente” (1913), Giuseppe Schiró-senior (1917, 1918, 1931), “Bollettino della Badia Greca di Grottaferrata” (1928), Gaetano Petrotta (1931), Mario  Roques (1932), Nilo Borgia (1935, 1937, 1939, 1942), Dhimitër S. Shuteriqi (1963, 1965, 1976), Jup Kastrati (1964, 1980, 1989), “Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë”, vëll. 2 (1965)[20].  Në fillesat studimtare për botën arbëreshe, Kastrati na bë të ditur se arbëreshët e Italisë kanë filluar të interesohen për folkorin shqiptar që në shek. XVII. Sipas tij, “kënga e parë e mbledhur në Sicili, gjendet në dorëshkrimin e Nilo Katalanos, nga Mexojuzo. Por mbledhja e parë folkorike është ajo e Kodikut të gjetur në Kjeuti (Kapitanata). Dorëshkrimi mbahet i vitit 1737, veçse shumica e shënimeve të tij duhet të jetë shkruar edhe më përpara. Ruajtja dhe mbledhja e këngëve popullore, botimi dhe studimi i tyre ndër arbëreshët, është një aspekt me rëndësi i vlerësimit të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar. Këngët arbëreshe kanë tiparet e tyre, por edhe mjaft elemente të përbashkëta me këngët popullore që këndohen edhe sot e kësaj dite, në Shqipëri. Kështu p.sh. Kostandin i vogëljith i baladave arbëreshe gjindet në Shqipëri të Veriut te kënga e Aga Ymerit, kurse në Shqipëri të Jugut te Ymer Ago. Atë e ndeshim edhe te Kostandin i vogël (Mikros Kostandinos) të ciklit të Digenis Akritas. Tema është shumë e lashtë dhe reminishencat e saj na çojnë te motivi i Odiseut, kur kthehet në Itakë. Dua të përmend këtu edhe një shembull tjetër me vlerë. “Duro zemër e duro/ Sa duroi malji me bor”, është nxjerrë nga dy vargje të një kënge popullore, me të njëjtin titull, botuar te “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, mbledhur në Kolonitë e Napoletanos, botuar më 1866; ribotuar më 1883. Këtë këngë popullore e ka edhe toskërishtja jugore si edhe arbërishtja e Greqisë”[21])[22]. Edhe ndër Arbëreshët e Italisë, sikurse në Shqipëri: në Himarë, në Shkodër apo në mjaft vise të tjera ruhej zakoni i gjuajtjes së nuses në udhëtim për te shtëpia e burrit me grurë, bathë e oriz, duke simbolizuar kështu një martesë të frytshme. Ruheshin edhe doke të tjera, si p.sh., kur futej nusja tek potra e shtëpisë së re, vjehrra i hidhte në qafë një shami apo shirit mëndafshi, diku një lugë mjaltë ose i dorëzon çelësat e shtëpisë (me mjalt e sherbet mjalti kanë filluar të ripraktikohen). Kemi përshtypjen se për Catalanon nuk ka shumë të dhëna biografike, por prof. Kastrati është përpjekur të japë të dhëna të mjaftueshme për të skicuar portetin e këtij njeriu të ndritur. Duke gjykuar nga mbiemri i Catalanos, Kastrati shprehet se Misionari i Madh mund të ketë qenë me origjinë spanjolle. Por nuk mund të jemi dakort me këtë mendim, ngaqë mbiemri nuk është përcaktues për etninë. Albanologu arbëresh Matteo Mandalá sqaron se Catalano ishte me identitet të shumëfishtë, por nuk qe spanjoll, ai qe italian, nga Sicilia. Në studimin e Kastratit, vendlindja e Misionarit jepet përafërsisht e ka gjasa të jetë lindur në një fshat të Sicilisë pranë Mesinës, në Terra di Massa, në mos në Castagni apo Catanea.  Vitlindja është e saktë: “Nilo Catalano ka lindur më 1637... Më 16 Mars 1659, në moshën 22 vjeçare veshi petkun e murgut bazilian (misionar katolik), në manastrin ortodoks të Grotaferratës, ku kishte arbëreshë”[23]. Aty ka qëndruar rreth katër vjet, ku ka mësuar greqishten e vjetër dhe të renë. Në Manastirin Bazilian të Mezzoiusos (Munxiftsi arbëresh) ai praktikoi disa vjet shqipen, që do t’i bëhej si gjuha e tij. Profesor Kastrati mendon se shqipen vikari i abatit duhet ta ketë mësuar që kur studionte  në Grotaferrata, kur iu vu edhe shkrimit të saj. “Ai pati fatin të njihte ndonjë ose disa nga librat në gjuhën tonë, botuar në Itali gjatë atij shekulli. Mund të kenë qenë veprat e Budit (1618, 1621, 1636, 1664), të Bardhit (1635), po me siguri edhe veprën e Bogdanit (1685). Edhe dërgimi tek arbëreshët mund të dëshmojë se, në atë kohë, ai e njihte shqipen”[24]. Në vitin 1685, jep mësimet e teologjisë dhe të moralit. Nga Dokumentat e Manastririt del se, ai, që u emërua abat, ishte i zellshëm, shembullmirë, e njihte përsosmërisht vendin, kishte fituar prestigj, gëzonte, me kohë e gradualisht në rritje, çmimin e eprorëve bazilianë të Romës dhe të kolektivit të Manastirit të Munxifsit. Qysh në vitin 1682, në Romë, vizitatori apostolik ishte dhënë seriozisht pas gjuhës sonë. Shqipen e shkroi me alfabetin tonë të vjetër të veriut, alfabet i tipit latin, me ndonjë gërmë cirilike, i njohur që nga “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Kastrati mendon se Catalanoja dëshironte me kohë, që të vinte në Shqipëri, andaj edhe merrej me shqipen. “Ai u përgatit përpara vitit 1687, që të shërbente si misionar në viset tona. Prandaj iu vu ta mësonte shqipen me librat e botuara, edhe pse ishin të dialektit verior. Me to, ai mësonte gjuhën dhe plotësonte njohjen e saj. Nuk qe e vështirë që të vinte ré, se të dy dialektet e saj ishin mjaft pranë njëri - tjetrit; por tekstet në dialektin verior, të paktën në fjalor mund ta ndihmonin për misionin në jug të Shqipërisë, ku e çonte puna midis ortodoksve, si bazilian që ishte[25].

4. Catalano për Himarën dhe Himarë shqip, sipas Kastratit

Baziliani Catalano mund të kishte dëgjuar nga Propaganda Fide (që qe edhe kolegj trajnimi për misionarë) se dhe në Shqipërinë JP e pikërisht në Himarë ishin kryer rite fetare në shqip gjysmë shekulli e më parë. Në vitin 1637 në Himarë ishte vënë shqip një katekizëm i vogël katolik, i cili nuk e pa dritën e shtypit, se një vit më parë në Romë kishte dalë një botim i ri i Doktrinës së Budit (“Dottrina Christiana”). E pohon edhe Kastrati, që puna ishte bërë me nismën e bazilianit grek Neofit Rudinó, me anë të priftit vendës, Dhimitër Dhërmiu (Gjileku). Me shqiptarët dhe arbëreshët, Catalanoja u njoh në Romë e pastaj në Munxifs, duke u lidhur shpirtërisht me ta dhe me jetën e tyre. Që kur ishte në Romë, ai ka patur mundësi të mësonte se gjuha shqipe kishte disa libra të botuara. Ai qe informuar, padyshim, për misionet që Vatikani kishte dërguar e dërgonte midis katolikëve, por edhe ortodoksve të Shqipërisë, duke nisur, e pakta, që nga vitet 20-30 të shek. XVII, ai franceskanët  në Veri dhe bazilianët në Jug. Me gjasë, ai e dinte synimin e Propagandës për t’i dhënë përsëri jetë misionit bazilian të Himarës, që nuk ekzistonte që nga viti 1671, dhe duhej të gjykonte se atë mision, të drejtuar e të mbajtur prej bazilianësh grekë, të cilët shqipen nuk e dinin, (as Rodinói nuk e dinte), atë mision mund ta përtërinin më mirë bazilianët që dinin shqip ose që ishin arbëreshë. Bulëzon fara kulturore mes Himarës dhe diasporës arbërore, ndërtohet ura e qytetërimit, hapen krahët e mirësisë, token duart e miqësisë.Me aftësitë që kishte dhe mundësitë që i u dhanë kur rifilloi jetën misioni i Himarës, Catalano po ngrihej si identitet i misionit të lartë që predikonte. Zelli  i tij për hartimin e manualeve për mësimin e shqipes nga misionarët, të cilët mund të mos ishin të gjithë arbëreshë, por edhe për arbëreshët, që duhej të ushtroheshin në gjuhën (dialektet) e Shqipërisë së Jugut, edhe të Mesme, ku një pjesë e banorëve ishin ortodoksë, po që flisnin dialektin e Veriut e  cilësi të tjera të vyera, i dhanë statusin e një drejtuesi të vlerësuar. Nilo Borgia thotë me të drejtë se gjithë jeta e tij e kishte përgatitur Catalanon për atë mision dhe se sekretari i Propagandës nuk ngurroi ta propozonte te Papa, (Papa Urbani VIII?) për t’u dërguar në Shqipëri, duke iu dhënë edhe titulli i lartë i Kryepeshkopit të Durrësit. Më 4 Janar 1693, Catalano u dorëzua Kryepeshkop i Durrësit, në Kolegjin e Propagandës në Romë e ky titull ia rriti edhe më shumë prestigjin dhe e lidhte organikisht me kishën e vendit. Kryepeshkopi niset për në Himarë, si Famullitar Apostolik i Himarës, duke zgjedhur si shok dhe zëvendës Filothe Zassi, (dtl. 1653, pra 16 vjet më i ri), murg i zoti, arbëresh nga Munxifsi. Ndoqën këtë itinerar: U takuan në Napoli, morën drejtim Lecces, ku u vonuan, se qe kohë e keqe për të kaluar detin. Duke i rënë nga Korfuzi, dolën në Himarë më 10 Maj 1693. Pas 23 vjetësh mungese, ardhja e misionarëve u prit mirë nga banorët. Filloi kështu peruidha e fundit, po vetëm prej një viti, e jetës së Catalanos, me  një veprimtari të dendur e me interes të veçantë. Atë verë pëlqeu ta  kalonte në Dhërmi. Si duket, misionarëve u ka pëlqyer natyra dhe banorët e këtyre viseve, sepse Zassi e përshkruan Dhërmiun si “vend i shëndetshëm plot ujëra”[26]. Informacioni në vijim gjykojmë se paraqet mjaft interes jo vetëm për studiuesit, por edhe për historikun e krahinës së Himarës (riorganizuar në bashkinë e re  Himarë): Catalanoja, vetë i tretë, me arbëreshin Filothe Zassin dhe italianin nga Friuli, Lorenzo Mariottin, sipas studimit të prof. Kastratit, “predikonin në fshatrat e Bregdetit dhe në ato të thellësive matanë maleve përreth, që nga Dukati në Shën Vasil e Nivicë, që nga Tërbaçi në Kuç, Zhulat e gjetiu, që dhe këto bënin pjesë në krahinën të quajtur të Himarës, e cila, atëherë, përmblidhte Labërinë, gjithsej 40 qendra të banuara, sipas dokumenteve vendëse të shekujve XI-XVII. Gjendja fetare dhe kishtare ishte më se e dobët. Predikimin, që bazohej te Dhjata e re, po edhe në Etërit e kishës greke, bëhej, doemos, shqip në shumicën e fshatarve. Greqishtja flitej vetëm në 3 prej këtyre, Himarë, Dhërmi e Palasë. Shqipja përdorej edhe në këto tre qendra, sepse vinin e dëgjonin njerëz nga viset përreth, ndërsa vendësit e dinin zakonisht shqipen”[27]. Këto të dhëna kanë vlerën e dokumentit për historiografinë lokale dhe shqiptare, janë një gjerdan margaritarësh për albanologët. Me sa duket, Catalanoja, që nuk ishte fort mirë me shëndet, nuk largohej shpesh nga Himara apo Dhërmiu. Po kur, në Mars 1694, rreth dy muaj përpara se të vdiste, osmanët dogjën Shën Vasilin, Nivicën e Zhulatin, ai nxitoi atje që të shihte vetë gjëmën dhe t’u jepte zemër njerëzve. Kastrati na bë të ditur, se, me të zbritur në Himarë, 57 vjeçari i devotshëm çeli shkolla, që nuk punonin dy dekada më parë: “U fillua me shkollën e të rinjve dhe të fëmijve, duke u mësuar të gjithëve Doktrinën e krishterë”, - i shkruan  misionari Propagandës më 1694. Ishte shkolla e Dhërmiut, fshat me 1850 shtëpi dhe Niloja kaloi 6 muajt e parë, se i pëlqente vendi. Kishte 80 nxënës, gjë shumë e madhe për kohën. Të dielave, fëmijëve u mësohej edhe katekizmi. Vlen të përmendim një tjetër pamje që na bën të njohur studiuesi Kastrati, e cila jep fakte më interesante, të verifikueshme gjeografikisht si toponime (emërvende), të vërteta, shtrirë saktësisht në kohë dhe në hapësirë, paraqitur qartas, duke respektuar ekonominë e fjalës në shtjellim: “Në Dhërmi përdorej greqishtja, por edhe shqipja, se kishte nxënës deri nga Dukati e Tërbaçi. Kishte për të ardhur ndonjë edhe nga Vithkuqi, 5 ditë larg[28]”. Nga studimi marrim vesh gjithashtu, se, veç fesë, shkrimit e leximit të greqishtes, atje mësohej edhe aritmetika dhe njerëzit ishin shumë të interesuar të mësonin të mbanin hesapet e tyre. Kur ndonjë ndonjë misionar qëllonte t’i shmangej detyrës, populli ia impononte, po kjo nuk ka ngjarë në vitin që Catalanoja kaloi në Bregdet. Përveç se në Dhërmi, shkollë kishte dhe në Himarë. Atje zakonisht qëndronte F. Zassi. Sipas kujtesës sociale të banorëve transmentuar brezash gojarisht, edhe sipas dokumentave të kohës, osmanët “dëmtuan egërsisht” dhe fshati i madh mbeti me 1430 frymë. Piluri kishte 500 banorë, Vunoi 660. Edhe në Vuno, baziliani me ideale të larta, ku dha dhe mësimin e katekizmit, predikonte shqip. Aty u sëmur. Aty dha frymë. Kuptojmë se një jetë me sakrifica dhe rreziqe kanë kaluar misionarët, sado që populli i mbante mirë dhe i nderonte, se i mësonin mirësinë. Dhe Paria e vendit kishte interse të ruante miqësinë me viset e Puljes përtej detit, dhe, për këtë, kërkonte ta kishte mirë me Vatikanin. Myslimanët u afroheshin shpesh misionarëve, si të kthyer të rinj që ishin.
Është për t’u theksuar se për  një vit Catalanoja duhet të jetë familjarizuar me të folurën e vendit, por ende nuk kemi gjetur dokumente që ai të ketë vazhduar ta shkruajë shqipen në këto anë. Dimë që misionari ka lënë dorëshkrim një “Fjalor shqip - italisht e italisht - shqip” (“Vocabolario albanese-italiano et italiano-albanese”) hartuar në dialektin gegërisht, sepse kështu e gjeti traditën e shkrimit të shqipes në atdhe si dhe një “Sprovë gramatike të gjuhës shqipe” (ndoshta  mund t’i ketë hartuar në vitet 1693-’94). “Sprova” ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës (Danimarkë). “Fjalori” u bë i ditur nga Xhuzepe Krispi (Giuseppe Crispi, 1781-1859) se ndodhej në Bibliotekën e Seminarit Shqiptar në Palermo më 1831. Më vonë ai ra në duart e studiuesit dhe shkrimtarit arbëresh Xhuzepe Skirò plaku (Giuseppe Schirò senior, 1865-1927), i cili pohon se “Fjalori” është në dialektin  verior gegë (që nuk flitet as në Sicili e as në Himarë)[29]. Studiuesit e vlerësojnë “Fjalorin” e tij më shumë se ai i Bardhit (1635) dhe jo më poshtë se ai i Da Lecces (1702). Paraqet interes edhe më të veçantë “Gramatika” e tij, si e para e llojit për të cilin studiuesit kanë dijeni. Nuk dimë edhe nëse i kishte me vete krijesat e tij: “Fjalorin” dhe “Gramatikën” ku kishte futur dhe “Këngën e Pal Golemit” e disa këngë tradicionale arbëreshe, por nga gjasat, ndoshta duhet të besojmë se Catalano, ngaqë shkruante e krijonte poezi e mund t’i ketë patur me vete në Himarë. Më 3 Qershor 1694 mbaroi fryma fizike e misionarit të madh. Fshati e përcolli me të gjitha nderet e respektet e vendit, fshaçe. Misionin  e tij e vijuan miqtë, që kishin ardhur me të nga Italia, por gjërat u venitën. Zassi zuri vendin e Catalanos, por do të kthehej në Munxifsi pas 3 vjetësh. Studiuesit që gjykojnë se Catalano mund t’i ketë  patur me vete në Himarë “Fjalorin” dhe “Gramatikën”, besojnë se këto vepra mund t’i ketë marrë Zassi për t’u ruajtur në manastirin arbëresh, për të kaluar pastaj nga një pronar në një tjetër. Sipas tyre, i pari pronar i njohur, pasi dorëshkrimi u ruajt në Manastirin e Munxifsit, ka qenë në 1791 një Scariano Palazzo, që e përmend Zef Skiró-senior, pa dhënë ndonjë shpjegim.

Përfundime

Është për t’u vlerësuar jeta e dijetarit italian të arbëreshizuar, Nilo Catalano, Nili Katëlani), sepse me vargjet e tij shfaqet si vjershëtor dhe është i dyti autor, pas Lekë Matrëngës (1567-1619) të shekullit XVI e një shekull pas tij, që shkroi shqip ndër arbëreshë. Vepra e tij përbën një kontribut të dukshëm në urat kulturore mes Diasporës arbërore  dhe Himarës arbëreshe labërore. Gjithashtu veprat e tij i paraprinë hovit që do të merrte letërsia arbëreshe në shek. XVIII me Nikollë Brankatin, Nikollë Filjan, Gjergj Guxetën, Nikollë Ketën me shokë në Sicili, me Jul  Varibobën, Stefan Bafën e ndonjë tjetër në Kalabri.
Catalano është i vetmi autor italian (përfshi dhe arbëreshët e Italisë), që, me sa dimë, ka shkruar shqip në shek. XVII, përveç ndonjë grimëze që na ka arritur prej arbërishtes së shkruar në atë shekull.
Nga ky punim mësojmë se  Catalano qe një meteor që la gjurmë kulturore - diturore në Himarë, pruri përparim dhe fitoi nderim. Jo vetëm zotërimi i gjuhës shqipe, predikimi dhe mësimi në shqip, shërbimet nëpër fshatra, që nga Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Qeparoi, Shën Vasili, Nivica e deri në Zhulat, por sidomos mirësjellja e misionarit me bashkësitë njerëzore i dha atij respektin popullor. Vepra e tij gjuhësore na dëshmon përdorimin e gegërishtes edhe në Toskëri, në Labëri e në Rivierën e deteve Adriatik e Jon (Bregu). Në të njëjtën kohë, është momenti që tregon për bashkëveprimin ndërdialektor të shqipes së shkruar në shekullin  XVII.Nga ana tjetër, përse mos të mendojmë se, “Sprovën e gramatikës së Gjuhës shqipe” e hartoi për ata ata 80 nxënësit e etur për dije që vinin nga Dukati e nga Tërbaçi, nga Kudhësi e Piqerasi, nga Lukova e Shën Vasili, nga Lëkurësi e nga Saranda, edhe për ata që vinin nga Vithkuqi, 5 ditë në këmbë, (se s’kishte makina në atë kohë). E përgatiti këtë manual si tekst shkollor për mësimet e dhëna në këtë mësonjëtore, për t’i pajisur me dije dhe kulturë. Rikonfirmojmë se nuk kanë qenë vetëm të pushkës banorët e Himarës, por edhe të penës. Në Himarë qysh përpara 385 vjetësh, (pothuaj 4 shekuj më parë) janë çelur shkolla shqipe, është folur shqip, është shkruar shqip, është predikuar shqip       
 Në Himarë ka rrezatim reciprok kulturash dhe diversiteti kulturor mirëkuptueshëm e zbukuron hijshëm jetesën e këtyre banorëve detarë të zotë dhe malësorë të virtytshëm. Kemi një mesazh për Himarën, pranë Zotit të Vetëtimave, afër Perëndisë së Krijimit: Çika sipër e flladit e i rreh ballin me erë mali, dhe Joni poshtë i mjekon e i shëron këmbët me jod deti. Për udhëtim. Për udhëtimin qytetar të pandërprerë… Jemi pak që të grindemi. Jemi shumë që të duhemi. Si grushti i dorës, që kur e hap, gishtat bëhen yje, kur i mbledh bëhen grush për historinë, për qytetërimin, për jetën tonë…


Bibliografia

AKADEMIA e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe” Tiranë, 1980, f. 798; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Fjalor i Gjuhës shqipe” Tiranë, 2006.

AKADEMIA e Shkencave e Shqipërisë: “Fjalori enciklopedik shqiptar” (FESH), Bot. i ri, vëll. 2, 2008.

BORGIA, Nilo: “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri, shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI XVIII”, Tiranë, “Naimi” 2014.

BRAUDEL, Fernand: “Mesdheu - hapësira, historia, njerëzit dhe traditat”, Tiranë, Botimet IDK, 1986.


ELSIE, Robert: “Histori e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë - Pejë, Dukagjini, 1997.

HABAZAJ, Albert: “Ndërtimi strukturor apo struktura sociale e Tërbaçit në krahinën e madhe etnografike të Labërisë (Vlorë)”, gaz. “Dielli/ on line”, February 2nd, 2013.

HISTORIA e Shqipërisë”, vëll. 2, Tiranë, 1967.

KASTRATI, Jup: “Arbëreshët për ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kulturore të popullit tonë”, në: “Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike: 28-30 Qershor 1976”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Histografisë, Sektori i Etnografisë, Tiranë, 1977.

KASTRATI, Jup: “Historia e Albanologjisë (1497-1997)”, vëll. 1 (1497-1853), Tiranë, Argeta LMG, 2000.

KASTRATI, Jup: “Mendime të Jeronim De Radës (për gjuhën shqipe)”, «Letrari i ri», Tiranë, 28 Shkurt 1953, V, 4 (90).


MEMUSHAJ, Rami: “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Tiranë, Toena, 2004.

RADA, Girolamo de: “Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano”. Firenze, 1866.

TIRTA, Mark: “Mite dhe besime në bregdetin e sipërm të Himarës”; në: “Himara në shekuj”, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2014.


TIRTA, Mark: “Veshjet popullore në rrethin e Vlorës”, në: “Vlora në rrjedhat e kohës: Konferencë shkencore” , Tiranë, Toena, 2001.

STIPÇEVIQ, Aleksandër: “Historia e librit”, Tiranë, Toena, 2000.

VEIZI, Fane: “Bregu i detit në këngë”, Tiranë, Arbri, 1997.
ZOJZI, Rrok: “Nëndamjet e vjetra krahinore të popullit shqiptar”, në: “Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike (15 - 21 Nëndor 1962)”, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1965.





[1] ) TIRTA, Mark: “Veshjet popullore në rrethin e Vlorës”, në: “Vlora në rrjedhat e kohës: Konferencë shkencore” , Tiranë, Toena, 2001, f. 209.
[2] ) ZOJZI, Rrok: “Nëndamjet e vjetra krahinore të popullit shqiptar”, në: “Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike (15 - 21 Nëndor 1962)”, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1965, f. 553.
[3] ) ZOJZI, Rrok: vep. e cit., f. 553; ZOJZI, Rrok: “Ndamja krahinore e popullit shqiptar”, në “Etnografia shqiptare, I”, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Sektori i Etnografisë, Tiranë, 1962, f. 61; MUKA, Ali: “Bregdeti i Sipërm - rrethinë etnografike e Labërisë”, në “Himara në shekuj”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 495.
[4] ) AKADEMIA e Shkencave e Shqipërisë: “Fjalori enciklopedik shqiptar” (FESH), Bot. i ri, vëll. 2, 2008, f. 926.
[5] ) HABAZAJ, Albert: “Ndërtimi strukturor apo struktura sociale e Tërbaçit në krahinën e madhe etnografike të Labërisë (Vlorë)”, gaz. “Dielli/ on line”, February 2nd, 2013.
[6] ) VEIZI, Fane: “Bregu i detit në këngë”, Tiranë, Arbri, 1997, f. 3. [Ky regjistrim është bërë në Vuno, Qeparo, Himarë, 1956. Në një variant tjetër nga Bolena, përveç dy vargjeve të para shtohen dhe dy vargje të tjera si më poshtë: “Turku punoj me zanat,/  ndaj kemi mbetur pak.” Krahina e Himarës, para periudhës së islamizimit e, sidomos para shek. XVIII, përbëhej nga më se 50 fshatra. Gjerësia e saj ishte rreth 50 milje dhe gjatësia 100 milje. Fillonte nga Kepi Longeta e mbaronte në afërsi të kështjellës së Butrintit. Në këtë krahinë bënin pjesë fshatrat: “Himara, Piliureus, Bumceci, Drimades, Klloparo, Nivic - Bubari, Pallasa, Pikerni, Basilio, Liates, Llukovo, Gjomboçari, Kvarabta, Bunai, Saseno, Dukates, Drazhia, Radhima, Gumenica, Mazzari, Drubaçe, Kudesi, Nivica, Lopes, Mavrova, Vranishti, Zenogorica, Smokthina, Gjonimei, Kallozherates, Vermihiotes, Lepenica, Kuçi, Kardini, Velçja, Bratades, Galiasa, Golimbades, Liaparda, Millu, Loksiotes, Progonates, Gliopezotes, Vansa, Bënça, Tepelena dhe të tjerë më të vogla që nuk përmenden” (Shih: Buletini i Shkencave Shoqërore, Tiranë, 1955, nr. 2, f. 158 - 159)].
[7] ) SIPAS shënimeve që kemi mbajtur në  bisedën me z. Hiqmet Mehmetaj, dtl. 1944, me arsim të lartë, ish mësues , Vlorë, më 20. 03. 2015.
[8]) VEIZI, Fane: Vep. e cit., f. 5, (regjistruar në Himarë, 1975, tregoi Jani Brigo, 1968). [Kaonët kanë qenë fis epirot që kanë banuar gjatë Bregut të Jonit prej lumit Thyamis (sot Kallama) në Jug deri në malet Akrokeraune  (sot Llogora- malet e Vetëtimës) në Veri dhe në krahinat e brendshme të luginës së Drinos (shih: FESH, Tiranë, 1985, f. 450- 451)].
[9] ) shih: “FESH”, vëll. 2, vep. e cit., f. 927.
[10] ) MEMUSHAJ, Rami: “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Tiranë, Toena, 2004, f. 170.
[11] ) TIRTA, Mark: “Mite dhe besime në bregdetin e sipërm të Himarës”; në: “Himara në shekuj”, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2014, f. 358, i cili përdor si referencë: J. G. von Hahn, “Albanesische Studien, JENA, 1854,  (Përkthim në Arkivin Etnografik të Institutit të Kulturës Popullore). [Sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Tiranë - shën. im : A.H].
[12] ) “HISTORIA e Shqipërisë”, vëll. 2, Tiranë, 1967, f. 327.
[13] ) BRAUDEL, Fernand: “Mesdheu - hapësira, historia, njerëzit dhe traditat”, Tiranë, Botimet IDK, 1986,  f. 7.
[14] ) MEMUSHAJ, Rami: vep. e cit., f. 926 - 927.
[15] ) “FESH”, vëll. 1, f. 568.                                        
[16] )  STIPÇEVIQ, Aleksandër: “Historia e librit”, Tiranë, Toena, 2000, f. 5.
[17] ) KASTRATI, Jup: “Mendime të Jeronim De Radës (për gjuhën shqipe)”, «Letrari i ri», Tiranë, 28 Shkurt 1953, V, 4 (90), f. 3.
[18] )  BORGIA, Nilo: “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri, shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI XVIII”, Tiranë, “Naimi” 2014, f . 7.
[19] ) AKADEMIA e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe” Tiranë, 1980, f. 798; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Fjalor i Gjuhës shqipe” Tiranë, 2006, f. 446.
[20] ) KASTRATI, Jup: “Historia e Albanologjisë (1497-1997)”, vëll. 1 (1497-1853), Tiranë, Argeta LMG, 2000, f. 144.
[21] ) RADA, Girolamo de: “Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano”. Firenze, 1866. Tipografia di Federigo Bencini, 106 f. - Biblioteca albanese. “Rapsodie Nazionali”, te rev. “Fiàmuri Arbërit”. Corigliano Calabro, 1883.
[22] ) KASTRATI, Jup: “Arbëreshët për ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kulturore të popullit tonë”, në: “Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike: 28-30 Qershor 1976”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Histografisë, Sektori i Etnografisë, Tiranë, 1977,  f. 127.
[23] ) KASTRATI, Jup: “Historia e Albanologjisë (1497-1997)”, vep. e cit., f. 145.
[24] ) KASTRATI, Jup: po aty, f. 145.
[25] ) PO aty, f. 145 -146.
[26] ) PO aty, f. 146.
[27] ) PO aty, f. 147.
[28] ) PO aty, f. 147.
[29] ) ELSIE, Robert: “Histori e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë - Pejë, Dukagjini, 1997, f. 60.

No comments: