Kol.Dr.Luan Nikollari
Ne kujtim te nji kolegu te nderuar.
Pas një sëmundje te rende, me datën 19 nëntor 2013
U NDA NGA JETA Dr.Shk.Halo KERRAJ
U NDA NGA JETA Dr.Shk.Halo KERRAJ
Dr.Halo Kerraj, bën pjese ne plejadën e shkëlqyer te mjekeve ushtarake duke lenë një emër dhe kontribut te madh dhe te paharruar ne Spitalin Ushtarak dhe shërbimin shëndetësor te ushtrisë
Dr.Halo Kerraj lindi me 20 korrik 1944 ne fshatin Matohasanaj te Tepelenës.
Dr. Halo i përket një nga emrave te njohur, te dashur dhe shume te respektuar te mjekësisë ushtarake. Një jete te tere pune dhe kontribut ne mjekësi ku pjesën me te madhe ja kushtoi ortopedisë.
Punoi dhe u specializua me emrat e njohur te ortopedisë universitare si Prof.Panajot Boga, si dhe ata te Spitalit Ushtarak ushtarake Petraq Xoxe Luan Greva te cilët i kujtonte dhe respektonte me konsideratën me te larte.
Ne vitet 1957- 1961, ai përfundoi Shkollën e Mesme te Përgjithshme, “Janaq Kilica” Fier dhe 1962- 1967 Universitetin e Tiranes, Fakulteti i Mjekësisë, si mjek i Përgjithshëm. Ne vitet 1970-1971 përfundoi Specializimin ne Spitalin Qendror te Ushtrisë (SQU) “Kirurg i Përgjithshëm” dhe 1978-1980, Specializimin ne Ortopedi-Traumatologji” ne SQU dhe Spitali Civil Tirane-QSU “Nene Tereza”. Kualifikimet Dr.Halua i vazhdoi dhe me pas ku me 1986 ishte ne Kliniken Universitare “Umberto Primo” Rome-Itali dhe 1987 specializim Kliniko Universitar për ortopedi ne Vjene-Austri, 1998 kurs 1 mujor ne SHBA ne spitalin SPECTRUM për menaxhim spitalor.
Dr.Halua e filloi karrierën si mjek i përgjithshëm ne NBSHU Elbasan dhe me pas Mjek i Përgjithshëm Korpusi I-re Bregdetar Fier, Shef i Spitalit Ushtarak dhe mjek kirurg po ne Fier. Nga viti 1978 Kirurg Ortoped-Traumatolog ne SQU Tirane, Shef i shërbimit te ortopedi-traumatologji SQU. Ne vitin 2006 për plotësim kohe si oficer, lirohet nga Ushtria me Grade N/Kolonel, Nga 2006 ishte ne pension por vazhdon te ushtroje detyrën e konsulentit te mjekut Ortoped-Traumatolog ne shërbimin Ambulator ne SUQU dhe Spitali “Royal” Tirane. Ai nuk u shkëput asnjëherë nga puna deri muajin e fundit kur gjendja shëndetësore nuk e lejoi me.
Dr. Halua kishte disa grada shkencore ne fushën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë Kandidat i Shkencave Mjekësore, me temën “Frakturat e hapura te Gr.III-te dhe ato me PAZ me mungese masive te indit kockor dhe te indeve te buta ne kockat e gjata diafizare” Studim Kliniko-Eksperimental me Vendim Nr.168 date 27-01-1988. Me pas “Doktor i Shkencave Mjekësore” Vendimi Nr.351 date 30-06-1993. Nr.Rregj.1934 dhe nga 1987 e vazhdim, Anëtar i Shoqatës Botërore Ortopedike Vjene (Austri).
Dr.Halo bën pjese ne plejadën e shkëlqyer te mjekeve ushtarake duke lenë një emër dhe kontribut te madh dhe te paharruar ne Spitalin Ushtarak dhe shërbimin shëndetësor te ushtrisë. Kontributi i Dr.Halos është po aq i njohur ne ortopedi-traumatologji sa edhe ne kualifikimin dhe përgatitjen e brezave te ardhshëm te mjekeve ortopedë. Mendimi teorik i ortopedisë ka dhe kontributin e Dr.Halos përmes përgjithësimit te përvojave, shkrimeve, artikujve, botime tekstesh dhe referateve shkencore si “Trajtimi i pseudoartrozave te infektuara”, “Zgjatja e anesive te poshtme”, “Mbi trajtimin e demtimeve traumatike te gjurit ne IKMU gjate viteve 1976-1982”, “Problemet e trajtimit ne etapa te thyerjeve te kockave te anësive”, “Frakturat e hapura te kërcirit”, “Anestezia e pleksusit brakial ne praktiken tone kirurgjikale”, “Thyerjet e kockave te anësive te sipërme ne politrauma, trajtimi i tyre”, “Trajtimi i thyerjeve me AZ me mungesa te mëdha indesh.” Studim eksperimental. Po kështu “Edukimi ushtarak për shkollat e mesme me profil mjekësor”, “Mekanizmi i plagëve te shkaktuar nga predhat, principet e mjekimit te tyre”, “Rikonstruksioni i vonuar i tendinit patellar ne dëmtimet me AZ”, “Mbyllja e defekteve osteomielitike me lembo muskulore” Kongresi i I-re i Shoqatës se Ortopedëve me pjesëmarrje ndërkombëtare.
Për punën dhe kontributin e tij ai është dekoruar dhe vlerësuar me tituj dhe medalje “Medalja për shërbim te mire ndaj popullit” Dekret i Presidiumit te Kuvendit Popullor Nr.6349 date 29-06-1981 “Medalja për shërbimin ushtarak ”Dekret i Presidiumit te Kuvendit Popullor Nr.2557date 17-02-2000 “Urdhri “Ushtarak Shembullor” Si dhe dekret te Presidentit te Republikës Nr.2557 me motivacionin “Ka punuar me përkushtim e devotshmëri ndaj te sëmurëve, sidomos ne ngjarjet e vitit 1997 dhe ato te Kosovës”.
Koleget qe kane punuar me te, e kujtojnë Dr Halon, gjithmonë me humor, kurajos si ai, dashamires, bujar, duararte, me te rinjtë do te ndjeheshin shume mire me te, do te mësonin shume nga ai si profesionalisht ashtu dhe nga ana njerëzore.
Dr.Halo do te mbahet mend gjate ne memorien e njerëzve te thjeshte, paciente e te afërme te cilëve u shërbeu me humanizëm e profesionalizëm te larte.
Ai nuk do t’i mungoje vetëm familjes por dhe personelit te Spitalit Ushtarak ku ai kaloi një pjese te jetës. La emër te mire dhe do te jete i pa harruar ne historinë e këtij spitali. U preftë ne paqe dhe i pa harruar kujtimi i tij.
No comments:
Post a Comment