Thursday, 5 November 2015

HIJET E SË DJESHMES...

KRISTAQ TURTULLI                                             

HIJET E SË DJESHMES...
                                                                                                                     
I
Dora ime e ngurtësuar trokiti si çok, për të pestën herë, në portën e vjetër. Këtë herë më fort, me padurim. Dera e madhe e vjetër u drodh e oshtiu dhe tok me të gjithë shtëpia e gërmuqur, si të gjendej e varur në çengelin e kasapit. Hodha një hap prapa dhe rrugica e kalldrëmtë hungëriu. Atë çast prej strehës më ranë në qafë disa pika të rënda, e akullta uji që më shkaktuan drithërimë. Lëviza qafën e ftohur pas jakën së pambuktë të këmishës dhe vështrova përreth. Piklat e ujit ishin rënduar, ngurtësuar, shndërruar në llohë.
 Kur ngrita kokën, hëna më ngjau si një kandil i zbehtë në grykën e errët të një tuneli, lëkundej dhe dridhej prej rrymave të ftohta. Kur bëra të largohesha, dera u shkund, u lëkund, u tërhoq nga brenda me vështirësi dhe menteshat e ndryshkura gërvishtën, rënkuan.
 Befas  hodh mbi mua dhe u drodh një fashë e zbehtë drite trekëndore, si lëpirje e fishkur dhe dëgjova një zë të mekur: -Kush je ti o?!
- Jam Bato Shkupi,- i thashë.
Pas pak u shfaq hija gati e përthyer më dysh e një plake të gërmuqur. Ishte mëma e Mujo Mborjes. Diç po thoshte me vete nëpër dhembë që unë se kuptoja, pastaj pëshpëriti zë dredhur:- Bato Shkupi !
-E, ai jam, kaq shpejt më harrove?!
-Nuk të harrova, jo, - foli ultas plaka dhe më përshëndeti me kokë, ftohtë e pasigurt.
-Shyqyr që dëgjuat. Trokit dhe s’ka, sikur trokisja në hava,- i fola i lehtësuar dhe bëra të hyja brenda.
Plaka e imët më preu rrugën, qëndroi si statujë në rezen e derës dhe drita e zbehtë u zgjat, u bë si shtizë. Trupi im u ndeh në mëdyshje. Duart e saj gjithë kokalla rënduan në dorezën e derës për ta shtyrë, mbyllur përpara fytyrës sime dhe mërmëriti si në ethe: -Dale, dale, nuk ku shkon..!
Unë hodha një këmbë tjetër, përkula gjurin e majtë mes dy kanatave dhe i thashë:-Zonja Mborja, si kështu, po ma mbyllni derën!
-Më duhet ta mbyll,- foli ultas dhe me zë të dredhur mëma e Mujo Mborjes:-Më mirë kështu...
                -Përse zonja Mborja! – i thashë, vendosa e gjurin tjetër në mes dy kanatave dhe lëviza përpara: - Më lër të hyj brenda.
-Mos,- mërmëriti ajo me rënkim, gjithë ankth dhe frikë. Ma preu rrugën dhe u nguc e alarmuar pranë derës. Ajo dridhej siç dridhet pela plakë kur e rreh dhe s’mund të bëjë më tutje. Qafa e rrudhur dhe zhubrat e fytyrës i shkundeshin si pezhishka. - Të lutem mos! 
 -Zonja Mborja,- fola ultas. Dreq o punë, ia bëra me vete. Shmanga plakën me kujdes, e ngrita në krahë si pendë dhe i buzëqesha për mirësjellje. Ajo ishte prej dere të fisme, bashkëshortja e doktor Mborjes, me diplomë të mohuar e më pas të sekuestruar. Siç kisha dëgjuar, dikur ajo kishte qenë një femër e bukur e admirueshme prej të gjithë. Një konsull i huaj, novelist i thuri një poezi të mrekullueshme, por tashmë ajo qe një copë plakë sa një grusht njeri, në trupin e flashkët i varet fustani i vjetër, i hirtë. Pleqëria mu duk tmerrësisht e neveritshme.
Ajo rënkoi, vuri dorën përpara fytyrës dhe zë dridhur më lut: -Mos më vrit!
-Oh zonja Mbroja, ç’thoni kështu! Ju thashë, jam Bato Shkupi.
-E di që je ai,- mërmëriti ajo.
-Po atëherë pse trembesh?!
-Nuk e di,- mërmëriti e përhumbur.
- Është Mujo brenda? - e pyeta.
-Nuk e di. O Zot! E mjera unë flas kot, brenda është, por mos hyrë! - mërmëriti ajo zë dredhur. Mu bë sikur dëgjova një klithmë të lebetitur shpirti të plagosur dhe të gremisur në fund të dheut.
Plaka më ngjau si një lëmsh i bardhë, i shpërvjelur, ngecur e bërë si nyje në këndin e derës. Lëviza pjerrtas dhe hyra në korridor.
 Trupi i saj u lëkund si lavjerrës dhe gati sa nuk ra. Nuk pandeha se e shtyra. Kafshova buzën ndërsa ajo rënkoi dhe tha: -Oh, të thashë mos hyr...
-Më fal, të vrava!- O zot, a mund të shtyhej një plakë e gjorë. Nxitimthi zgjata krahun e majtë, e ngrita peshë, e mbajta.
 Plaka mbërtheu gishtërinjtë pas krahut tim. Mezi mbushej me frymë dhe mërmëriti nëpër dhembë si të përtypte një koriçkë të thatë buke dhe foli ajo zë ulët: -Njerëzit për të vrarë, kryqëzuar si Krishti e kanë mendjen
 -Çfarë?!- ia bëra. S’lëviza.
Plaka lëshoi një piskamë të lehtë. Mu duk sikur kisha në duar një grusht me eshtra në prag të pluhurëzimit. E ula me kujdes në tokë. Dhe e pyeta: -Si je tani?
-Si muti në shi.
Nuk mbaja mend ta kishte prishur gojën plaka, e pyeta për të birin: -Si është Mujo?
-Si në breshër, si në stuhi, - rënkoi. Ajo kishte fytyrë të imët, e bardheme, si një fëmijë e paushqyer. Me ca sy të mëdhenj të zinj, me rrathë të kuq, psherëtiu: - Shyqyr mos më keq.
-Kur qenka kështu përse mos hyj? - pyeta ultas. Më hipi një dëshirë ti ledhatoja flokët e bardhë, të shpupuritur të kësaj plake të vuajtur, s’guxova.
-Pa di unë korba, - psherëtiu ajo:-Mujo do bëjë hatanë.
-S’ma merr mendja.
-Do ta bëj hatanë, - dëgjova një zë të çjerrë. Ngrita kokën andej nga erdhi zëri. Mujo Mborja u dha në krye të shkallëve tmerrësisht i zbehtë, këmishë zbërthyer, i mbështjellë me terr, aq sa më ngjau si fantazmë: -Të tha mëma që s’pres njeri, - bërtiti ai dhe vështroi gjithë inat trupin e kërrusur të mëmës: - Përse e lejove të hynte?
Plaka mori krahët nën vete, u mblodh, u bë sa një grusht dhe mërmëriti zë lënduar:-Di unë korba...S’më dëgjoi...
-Më tha, - ia bëra pa ndalur shikimin në shpinën e kërrusur të plakës: - Por nuk e dëgjova.
-Përse erdhe? - pyeti ashpër.
-Përse erdha! - ia ktheva i fyer dhe shkunda pallton në korridor: - Erdha si gjithnjë dhe hyra në konakun mikpritës të Mujo Mborjes.
-Çfarë dreqin... Harroje... - gërhiti Mujo me dhembje dhe me shikim të mbërthyer në derën ku humbi mëma: - Dëgjon... s’është më...mikpritja është bërë morg...
S’i ktheva përgjigje. Sa pelin e kishte gjuhën. S’më përzinte Mujo Mborja, por tensioni i ngrehur. Dobësia e shpërfytyruar e burrit përballë aktit të dënueshëm për vetëvrasje mbetur në tentative! Thonjtë e pista të vdekjes kishin mbetur të ngulura, të zhgënjyera në hatullat e shtëpisë së vjetër, pa mundur të përlanin viktimën fatkeqe që kërkoi të vetëvritej.
Fytyra më përvëlonte prej thëllimit. Ndjeva se mërdhija, kapota e qullur më rëndonte, por nuk guxoja ta hiqja. Ku i dihej, Mujo ishte bërë tjetër njeri dhe mund të dilja përjashta në llohë, erë dhe thëllim. Por këtu ish tjetër thëllim, nuk të përcëllon fytyrën por shpirtin. Në furtunën dhe pështjellim mbarë familjar qe e drejta e tij të mos mirëpriste. U kapërdiva me vështirësi dhe hodha për së treti vështrimin përtej dritares ku kishte filluar të binte dëborë e imët e dendur, që vërtitej me furi prej erës së marrë. Era e tërbuar  merrte dëborën me tërsëllëm, e shkulte prej çative, e rrotullonte e bënte fugë dhe e flakte tutje.

II
Prej një jave s’isha mbledhur në shtëpi, qeshë në kryeqytet. Brodha nga një zyrë në tjetrën për shkak të një prone të babait, përvetësuar me pa të drejtë nga dikush tjetër. Humba kohë, shpenzova të holla dhe dola si ruajtur qethur. Gardhi i dendur i kodoshëve dhe burokratëve qe e vështirë të çahej. Të ngjitnin pas një buzëqeshje standarde si kartëpostale dhe të përcillnin prej zyre duarthatë. Disa të tjerë s’të qasnin as në derë...
Rruga e kthimit më dërmoi, doja të mbështetja kokën në ndenjësen  e shkalafitur dhe të bëja një sy gjumë. S’munda. Moti ishte i keq dhe asfalti shkiste, qe i pa pastruar.
‘Hë, bëre gjë?’ më pyeti gruaja e paduruar, sa vura këmbën në derë të shtëpisë.
‘Një farë soi,’ i thashë. Hoqa çantën prej supi e lëshova mbi stol dhe luajta kryet me trishtim .
‘Ç’domethënë kjo, fara e soit!’ ia bëri ajo e zverdhur dhe hodhi një hap prapa.
‘ Një hiç...’ i thashë .’
‘‘Një hiç, hë! Lekët të shkuan për dreq,’ia bëri gruaja e nervozuar dhe filloi të vërtitej nëpër dhomë, të bënte zhurmë, tre herë e mbushi ibrikun me ujë pa shkak dhe tre herë derdhi. Nuk i dilte inati në paaftësinë time për të rimarrë pronat e babait
‘...Me limon të prishur, si meze përsipër,’shtova, Më shkrepi ti zbrazja asaj mërinë e mbrapshtë të udhëtimit. Ajo nuk donte të më kuptonte. Gratë i kanë në majë të gjuhës të sharrat.
‘Dhe shakatë bajate nuk të lenë o i zi. Shpenzove në mënyrë skandaloze kursimet familjare, si të ishe në gjënë e hasmit,’ tha, përplasi këmbët me inat dhe në fund shtoi: ‘Kur të mbetesh me gisht në gojë o i zi do të jetë vonë dhe të parët e tu do mallkojnë punët e tua të pa bitisura.’
‘Ma the njëherë, dy herë, tre herë,’ i thashë me trishtim dhe shtova: Të parët e mi e dinin që qeni nuk mban brekë.’
‘Ta them përsëri,’ shfryu ajo dhe mu gërmuq: ‘Mos më trego brekët e qenit.’
‘Mjaft o grua!’ rënkova dhe krojta me inat deri sa e gjakosa, puçrrën që më kishte dalë në çaçkë të kokës, i thashë:’ O grua, të thashë, rruga më shkoi një djall e gjysmë, hotelet janë shtrenjtuar dhe restorantet po ashtu. Mes atij korrupsioni të qelbur më ngjante vetja si një lëvore are në mes të dallgëve të detit...
Gruaja vazhdonte të llomotiste pa u vënë veshin ankimeve të mia: ‘Pse mos bësh ti, shkove me taksi, si afendiko, s’tu dhimbsën lekët që i nxjerrim me gjak.
‘S mu dhimbsën lekët?! Jo moj, jo, udhëtova me një furgon gërdallë dhe me një shofer axhami që xhani tim e di se çfarë hoqa. U ngjesha në fund të furgonit se nuk kish vende dhe shtrëngova hekurin e ndenjëses fort, me të dy duart. Hë të gremisemi këtu, hë të gremisemi atje. Ky axhamiu posa kishte rënë në timon, i merrte kthesat me shpejtësi, sa të gjithë pasagjerëve u vinte koka vërdallë, zorrët na shkundeshin, na vinin në gojë, gati për të kërcyer jashtë. Kthimi ish akoma më i vështirë...’
 Por asaj nuk i mbushej qypi, shkrofëtinte, vinte vërdallë nëpër dhomë dhe përplaste kanatat e dollapëve.
‘Më sqaro me hollësi,’ tha dhe me tendencë të hapur shtoi:’Po të kishim shkuar të dy do ta nxirrnim qimen nga qulli.
‘Asgjë nuk do ndryshonte. Më lër të bëj një sy gjumë, jam i dërmuar,’ iu luta.
 Ajo këmbënguli të shkonim së bashku në kryeqytet. Ia preva, nuk po shkoj për kavalishencë dreqi ta marrë. Ndoshta kjo ishte një nga arsyet e mërisë. Ajo shkoi në kuzhinë dhe unë i lehtësuar shpresova se rrebeshi mori fund. Mbylla sytë. Kur po më kaplonte gjumi, ajo u kollit me zhurmë dhe zë lartë më pyeti: ‘Po fle?
‘Ti e pe që sytë i kisha të mbyllura,’ia ktheva me inat:’Më lër të qetë, mirë ishe në kuzhinë.’
‘More vesh ngjarjen e fundit? Mujo Mborja tentoi të vetëvritej.’
 Kërceva prej divanit sikur më pickoi zekthi. Shkunda kryet dhe me nervozizëm i thashë:
‘E pamundur. S’është Mujo nga ata burra të dobët, të vetëvritet! Grua, më lër të fle, mos broçkullit llogje pazari. Kush ta tha?
Ajo nënqeshi me ironi të hapur dhe më tha: ‘Si jeni ju burrat, si jeni, dyshues, dyshues dhe hë..! Vetëvrasja nuk është ndonjë çudi. Ka informacion më të sigurt se Shega, gruaja e tij. Me sa mora vesh shkak për këtë tentativë të çmendur u bë takimi, mitingu, ndoshta mbledhja e fundit.’
 Miku im i vjetër Mujo Mborja u rezistoi me stoicizëm peripecive të pafundme të përndjekjeve dhe jetës së vështirë! E kur gjithçka u zbardh, lindi shpresa për një ditë më të mirë, ndriçoi dielli i lirisë, demokracisë, çmendurisht tenton ti japë fund jetës që është aq e vyer, me aktin e rëndë, të dënueshëm të vetëvrasjes! E pritëm me ankth këtë ditë fatlume dhe s’ish natyra e stoikut Mujo Mborja të arrinte në kryente aktin e tmerrshëm, ti jepte fund jetës së vyer me vetëdashje. U shqetësova, s ‘më mbante vendi kur mësova prej gruas lajmin e tmerrshëm, u ngrita me vrull.
‘Por unë them se s’ duhet të shkosh,’ më foli ftohtë gruaja dhe me kokë të kthyer mënjanë shtoi: ‘Nuk vihet atje ku vdekja i ra kambanës së paralajmërimit.’
‘Asaj familje të gjorë, e flamosura vdekje gjithnjë i ka rënë kambanave,’ i thashë.
Ajo më vështroi pjerrët dhe më foli me vrer: ‘Për të shkuar atje nuk qenke i lodhur.’
S’i ktheva përgjigje. U vesha me nxitim, ngjesha pallton, mbulova kokën me kapelë. Lashë prapa llomotitjet e gruas dhe eca si i çakërdisur nëpër rrugë. Era e marrë më shtynte, më pickonte, më fshikullonte fytyrën, shiu më qullte. Nuk i kushtoja rëndësi asgjëje, e çfarë ndodhte rreth meje. Njëri prej miqve të mi kish tentuar të kryente gjëmë të madhe për vete dhe familjen. Kur u ndodha përpara derës, trokita. E kuptova që kisha ecur pa parë se ku dhe ndjehesha tejet i lodhur, i djersirë, si një kalë gërdallë, i qullur fund e krye.

III
Në cep të korridorit dallova ndriçimin shqetësues të dy syve që më luteshin me përdëllim, mund të ishin sytë e Shegës gruas së Mujos. Buzët e saj dridheshin, por mu duk sikur humbi diku, ngaqë çaponjtë e territ ishin të papërballueshëm. Ajo u përpoq të afrohej tek unë, s’mundi, nuk e linin hijet të lëvizte. Ato shtyheshin pjerrtas në korridorin e madh.
Palltoja e rënduar prej lagështirës së dëborës më akullonte, më rëndonte. Djersa po thahej, më ftohte, por nuk mund ta hiqja. Isha në mëdyshjen e ikjes. Eca disa hapa drejt derës, vendosa dorën në dorezën e ftohtë. Qëndrova. Mu bë sikur pas meje dëgjova hapa të lehtë. Sigurisht më bënin veshët. E harrova në çast shkëndijimin lutës, përgjërues të syve të Shegës ose mëmës. Ndjeva ngurtësi e mpirje në dorën e majtë. Dora më qëndronte akoma mbërthyer pas derës së ftohtë, mu duk sikur lëkura po ngrinte pas saj. E largova me frikë dhe e rasa në xhepin e palltos për ta ngrohur.
 Mujo u zhduk pas derës së majtë. Mbeta vetëm në korridorin e ftohtë. Doja të pija cigare, kërkova nëpër xhepa, e kisha harruar shkrepësen në shtëpi. Vështrova përreth të shihja ndonjë çakmak ose shkrepëse, e atëherë e kujtova që ambienti dergjej në gjysmë errësirë dhe një llambë vajguri përpëlitej gjysmë qorre në cep të derës. Gjurmët e traditës së vjetër, aristokrate ndjeheshin në disa sende të amortizuara, shpëtuar rastësisht prej shkatërrimit dhe shpërdorimit dhe gjysmë errësira e shtonte akoma më tepër shpërfytyrimin.  Ç’u ka hipur këtyre kështu të mbyllin dritat dhe të ndezin kandilat e vajgurit, fare pranë fundit të shekullit të njëzetë dhe kur shtëpia u rrezikua seriozisht prej një vdekje të llahtarshme. Ndoshta i mundon akoma ankthi, trusnia e së shkuarës. Dëgjova një pëshpërimë të zgjatur a psherëtimë.
-Hë, - fola me gjysmë zëri dhe u rrotullova vrulltas. Llamba përpëlitej gjithë ankim në cep të derës dhe unë ndjeja gjithnjë e më tepër të ftohtë. Nuk kisha përse ta fshehja, po ndjeja një farë pendese që morra rrugën mes erës së çmendur, dëborës, trokita dhe hyra në këtë familje ku u bë lojë e çakërdisur për ti dhënë fund jetës me vetëvrasje. Ndoshta mbeti në tentativë e shprehur në bisedë, në inat e sipër me fjalë, pa mundur të realizohej. Gratë si gra i zmadhojnë gjërat, për tu nxehur pizgat e tërbuar burrat, me frikën e veprimit të mëvonshëm, të paralajmëruar. Tentativën e shprehur me fjalë e bëjnë akt skandaloz.

                IV
 Vendosa të ikja, ish e pakuptimtë qëndrimi vetëm, në një shtëpi të huaj, në mes të korridorit të ftohtë, në përpëlitjen e mekur të dritës. Ku u ndje aq pranë lëkundja e litarit dhe përdridhja e hijeve së bashku me hatanë e papërfunduar. Kambanat e vdekjes janë të poshtra. Befas ndjeva që dikush më preku lehtë në sup.
-Hë! - kërceva i trembur, trupi mu drodh dhe hodha një hap prapa. Harrova një moment se ku ndodhesha dhe klithma mu gropos në hon së bashku me pështymën. Shikimi mu përvol dhe më në fund mu kthjellua. Ish Shega, ajo u shkul prej territ dhe eci drejt meje. Fytyra e saj mu duk e ligur dhe tmerrësisht e zbehtë. O zot dhe njerëzit janë bërë si hije në këtë shtëpi. Ku janë dritat isha gati të bërtisja, por nuk fola.
Shega mu gjend në krah dhe më pëshpëriti zëdredhur: -Bëre mirë që nuk ike...
-Hë, mirë bëra...- fola si nëpër tym.
 -Po. Na është bërë shpirti helm. E flamosura mbledhje u bë shkak për këtë tmerr, - foli ajo me zë të ligur.
U ktheva plotësisht nga ajo. Në gjysmën errësirën sunduese të korridorit, trupi i saj i derdhur si lastar mu duk i tkurrur, i  vogël, i mbledhur, si e ciknosur. Si një flakës drite e dridhshme në mugëtirë. Edhe pse Shega po mplakej, përsëri seç kish diçka që e bënte gjithnjë të dallueshme nga femrat e tjera të moshës së saj.
-Shega dritat ku janë?- pyeta gjithë akth, dhe shtova, - nuk i nevojitet më terri kësaj shtëpie.
-Ku di unë e gjora, - mërmëriti ajo.
-Pyete për dritat! Nuk i nevojitet më terri shtëpisë sonë! - dëgjova nga lart zërin e grindur të Mujos, sa oshtiu e gjithë shtëpia. Në duar mbante një shandan tre qirinjsh dhe shtoi me maraz:-Nuk i shkulen këtij trualli çaponjtë e ndyrë të territ. Dritat i preva vetë.
-I preve vetë!? S’ka kuptim.
-Kuptimi është futur në brekët e djallit. Do kishe bërë mirë të ishe larguar, - mu gërmuq ai.
-E morra vesh, mos ma thuaj dy herë, do ik. Por mos harro, jemi miq! - i thashë. Po më hipte inati. Më mirë të kisha qëndruar në rrebeshin e gruas, sa të dëgjoja dënglat e këtij. Tentativa për vetëvarje e ka tërbuar më keq.
-Ç’na the, jemi miq, hë, jemi miq! - bërtiti Mujo dhe shtoi me zë të ngjirur aq sa dritat e zbehta të qirinjve u përpëlitën, u bënë gati për tu shuar.
-Miq jemi, s’jemi kodoshë, - bërtita, aq zëri mu ngjir dhe fyti më dogji.
-Kodoshë... S’ ka miq në këtë botë të shpifur, - ia bëri Mujo i trishtuar.
-Mjaft Mujo, mjaft,- iu lut Shega,- të lutem mos na çmend! Tu përgjërova me dorë në zemër dhe lot në sy, Mujo mos u merr me politikë, por ti nuk më dëgjove...
-Nuk të dëgjova, hë? S’të dija kaq mendje fyçkë. Të mos merresha me politikë! Kush ka të drejtë më shumë se ne sot, të merret me politikë, hë, fol? - bërtiti Mujo: - Kush? Si dje dhe sot, me politikë e kërbaç ata. Të drejtën e kanë vetëm ata. Po ne, hë, ne që hëngrëm dynjanë, ne ku gjendemi, gjithnjë prapa listës?!
-Politika do horra, pushta, jo burra, - këmbënguli Shega.
-Mos më çaj kokën. Si nuk më kuptove njëherë. Kam dert Shega, kupton kaq gjë. Kam dert të madh, sa deti. Dhe ti grua e gjorë ke dert më të rëndë se unë, më shumë se një oqean i tërë.
-Kam, - u përgjigj Shega gati në të qarë, - shpirti ma di o burrë sa shumë derte kam, po ç’të bëj, ti bie murit me kokë? Koka ime do copëtohet, jo muri...
-Nga ta dija unë që ata qëllimisht do flakërinin në fytyrë atë monedhë të nxehtë, të poshtër, të harruar... Fol, nga ta dija.
-Ata që qelbin haletë dhe nxjerrin përpjetë të gjitha fekalet e botës, nuk e kanë për gjë të ndyjnë banjën tonë. Ata dreqër na kanë shkuar në hell dhe tani na shkojnë në vrimën e gjilpërës,- tha Shega: - Po ti...
-Çfarë unë?! Nuk u kënaqe o grua me varjen time, të paralajmëruar, - klithi Mujo.
-Sedërmëdhenjtë përherë i hapin telashe vetes, - foli ultas ajo.
 Mujo rënkoi dhe foli zëngjirur: -Çfarë dreq sedërmadhi jam unë. Apo doje të më shihje të shtrirë në qivur?
-Unë të shihja të shtrirë në qivur... më hëngrët mortja më hëngrët, - rënkoi mes lotëve Shega dhe u lëshua pa fuqi në dysheme: - Ki një çikë mëshirë për mua të gjorën, mos më rëndo më tepër o Mujo, mos, se nuk mbaj më.
-Pse unë, unë, a mund të mbaj më vuajtje, hë!- gërhiti Mujo:- A mund!?
-Eh, o burrë, s’ka kandar ti peshojë vuajtjet tona,- mërmëriti ajo me dhimbje:-Të lutem, më lër, po më dridhet akoma trupi prej mundimeve të djeshme dhe tmerreve të sotme...
 Shega vazhdonte të qante me dënesë. U ndjeva bosh dhe i tepërt në këtë pështjellë të dhimbshme familjare. Gjysmë errësira e bënte më mistike. Mu kujtua gruaja ime dhe broçkullat e saj për pronësi dhe shpenzime bajate, të cilat mu dukën hiç gjë. Nuk dija si të veproja.
-Nuk mund të duroj më lot,- foli mbytur Mujo:-Shko.
Shega vazhdonte të qante.
 -Shumë parti u shtuan në këtë amulli, si morrat në fanellën e palarë të dimrit!- Bërbëliti Shega mes dënesave:- Por asnjë për be, për ne.
-Mjaft qave dhe llomotite. Të thashë shko matanë, - hungëriti Mujo.
 Shega mbuloi fytyrën me shami dhe pa ndërprerën dënesat doli. Mujo ndoqi  të shoqen me sy deri sa u largua. Qëndroi i menduar, me trup të ndehur mbi në parmakët e drunjta të shkallëve, në mëdyshjen e flakjes përdhe prej së larti. Mu bë sikur dëgjova një kërcitje të thatë dhe, në çastin që do klithja i trembur në pamundësinë parandalim të rrëzimit, ai tërhoqi trupin pas dhe zë ngjirur mu drejtua mua: -Po të duash eja lart.
I hutuar u ktheva me rrëmbim dhe gati sa nuk u gremisa në shkallinën e parë. Mujo ngriti shandanin mbi krye, më bëri dritë. Fillova të ngjitja shkallët prej dërrase të shtëpisë së vjetër, të cilat kërcisnin e rënkonin sa më cingërisnin nervat. Ngjitja më dukej tejet e vështirë, më mbahej fryma. Mujo më priti me fytyrë të ngrirë dhe më udhëhoqi në dhomën pranë. Vendosi shandanin me tre qirinj mbi tavolinë dhe u ul në kolltukun e vjetër, të ngrënë të atit, doktor Mborjes. I mençuri, doktor plak, iku pa ndjerë, mes librave të vjetra dhe pluhurit, dha shpirt vite më parë në këtë kolltuk të konsumuar. Edhe pse të gjorit iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit, ai kishte qenë një mjek i mrekullueshëm. Hallexhinjtë e sëmurë rëndë, të pashpresë, shkonin tinës vizitoheshin tek ai dhe si mirënjohje i linin ndonjë monedhë metalike poshtë librave.

V
-Ndizi dritat Mujo, mos i qëro robt e shtëpisë, - i thashë dhe fërkova sytë, më dukej sikur më kishin zënë perde.
 Ai qe mbështjellë me errësirë më foli me sarkazëm: -Thua ti ndez dritat, a?!
-Më trego ku e keni kutinë e siguresave? - e pyeta.
-Ulu ku të mundësh dhe lëri siguresat, - ma ktheu ftohtë  dhe vazhdoi me të keq:- -Qorra dje dhe qorra sot.
-Jo Mujo, s’jemi qorra, - ia ktheva me mllef dhe u ula ku munda. Errësira më pështjellonte. Mora shkrepësen e lënë në tavolinë e ndeza cigaren. E thitha me vrull si të zbusja ankthin e pakuptimtë dhe stresin e krijuar.
Kryqëzova duart rreth gjunjëve që kishin filluar të më ftoheshin. Mujo u shkul prej hijes së kolltukut, fërkoi ballin, pastaj qëndroi i dehur duke më ngulur sytë e vegjël, që mu dukën tmerrësisht të errët. Qafën e mbante të mbështjellë me garzë të trashë dhe qirinjtë në shandan kërcisnin.
-Qorra jemi dhe të fëlliqur bile, - foli me zë të ngjirur:- Bëre mirë që nuk u more me politikë. Përgjatë varjes e ndjeva vdekjen shumë pranë. Nuk e mohoj, është e frikshme dreqi... Por mua më qe bërë zemra akull, isha i vendosur në ikjen përfundimtare.
Ngrita supet, lëviza me vrull në stol dhe vështrova nga ai. Nuk dija ç’të thosha. Prita. Të gjithë i tremben vdekjes. Të rrëmben dhe nuk të kthen më. Gjysmë errësira e dhomës, lëpirjet e mpita të flakëve të qirinjve dhe perdet e rënda, krijonin imazhe të turbullta, mistike. Më mbahej fryma. Mu krijua një ankth i nderë dhe tymi i qirinjve më përvëlonte sytë.
-E pe fantazmën e babës? - më pyeti befas Mujo.
-Çfarë! Fantazmë! - klitha me gjysmë zëri. Mu ngjethën mishtë. O Zot dhe shfaqja e fantazmave i duhet kësaj shtëpie. Kur ngjitja shkallët, mu duk sikur shtëpisë i merrej fryma prej rëndesës së hijeve të shumta, që përdridheshin nëpër mure si rrjeta merimange. Ndoshta brenda rrjetës gjendej e kryqëzuar, e mbërthyer keq dhe fantazma e të atit, dreqi e di. Por përnjëherësh mendova se të gjitha vinin prej mungesës së dritave dhe aktit të tmerrshëm.
-Po fantazmë.
-Ku?!- ia bëra. Një hop pandeha se Mujo Mborja nuk e kish marrë akoma veten prej shtrëngimit së nyjes të litarit. Prashiste në hava, shikonte syhapur fantazma me vampirë.
-Në korridor, kudo.
-Nuk pashë gjë,- i thashë.
-Mos gënje, e di që e pe. Herën e parë fantazma e babës mu shfaq kur u ktheva prej mbledhjes dhe u përpoq të më mblidhte nervat e lëshuara. Ai ishte shumë i ligur, i verdhë dyllë. Por baba ma ktheu, biro, je më i ligur se unë...
Ndjeva një zymti që mu ngrit nga fundi i barkut dhe më errësoi sytë, i thashë: -Mujo, mblidhe mendjen. Je burrë, po u kall datën grave të gjora...
-Të kujtohet fajkoi që mbante baba dikur, - më ndërpreu Mujo.
-Fajkoi! Po, më kujtohet, - i ktheva me bezdi.
Kur ishim shumë të vegjël, na mrekullonte fajkoi i bukur, shikim mprehtë, me krenarinë, lirinë, madhështinë dhe fluturimin. Vërtitej krahëhapur në qiellin e kaltër. Doktori i fërshëllente, fajkoi kthehej, vinte pingul si shigjetë dhe qëndronte në krahun e veshur më lëkurë mbrojtëse të doktorit.
-Fajkoi ka qenë si pjesëtar në familjen tonë, - tha Mujo dhe vazhdoi:-Më kujtohet... si nëpër mjegull... fajkoi theu xhamin dhe hyri si vetëtimë prej dritares së ngushtë të qilarit. Çau me vrull perden e rëndë të territ dhe u drejtua me vërtik nga unë. Sytë po më perëndoheshin dhe fryma po më ikte, litari i trashë më shtrëngonte fytin gjithnjë e më shumë. Koka më buçiste, mbytja dhe vdekja përfundimtare qe e afërt. Fajkoi rrahu krahët me zhurmë, qëndroi në trarin ku ish lidhur litari dhe ku gjendesha unë i varur, filloi ta godiste me sqep lakun e trashë. Trupi më dridhej, toka shkiste me rrokopujë, po kthehej përmbys...
-S’ma merr mendja të jetë gjallë ai fajkua, - i thashë.
-Mos më ndërpre, - më foli me inat Mujo dhe vazhdoi: - Fajkoi tonë dikur mbyti gjarprin dhe kur u sëmur babai, u sëmur dhe fajkoi. Ata jepnin dhe merrnin  me njëri tjetrin...  Nejse, shpendi rrahu krahët, kërceu, e sa hap e mbyll sytë u tjetërsua, u zmadhua, u bë si baba. Rrëzova kokën të mos shihja. Ishte shfaqja e dytë e babait brenda pak orësh dhe ishte tmerrësisht i ligur. Një moment kujtova se ish e poshtra, vdekja që luante me mua, duke marrë formën e shpendit fajkua e herë siluetën e babës. Flokët e bardha i kishte të gjata, deri në fund të këmbëve dhe i qenë mbuluar nga pluhuri. Ai mbante veshur  rroba të vjetra, zhele, copë- copë. Nuk munda ta pyesja, babë ku i ke teshat e reja, të shndritshme dhe pse me flokë aq të gjatë? Ai u shkëput dhe zgjati duart skeletore të më ndalte. Nuk kam parë kurrë vështrim aq të brengosur sa e babës. Shkundi pluhurin prej flokëve, flaku teshat e vjetra dhe u mbështoll me pelerinë të ronitur fund e krye:
‘Urrejtja primitive dhe lufta e komunizmit na i shpuri thikën deri në kockë biri im, por nuk na vrau.’
‘Më lër të vdes,’ i thashë i lënduar babait. Ai u revoltua dhe u përpoq të ngrinte me supe trarët e dyshemesë.
‘Mos e lësho veten. Pikërisht tani kërkon të vetëvritesh, prej shkakut të llumrave dhe mbetjeve të lehonës demokraci,’ më foli ashpër baba dhe u përpoq të më ngrinte peshë.
Nuk munda ti ktheja përgjigje, gjuhën e kisha të trashë dhe trupi po lëshohej, më qullej. Hijet hungëritën, u kërleshën dhe u shtynë në cep të qilarit. Por seç kish ca vargonj të tjerë që babën e pengonin. Shikimi i tij trishtohej gjithnjë e më shumë. Drita hynte e copëtuar nëpërmjet plasave. Figura e babës dridhej, herë shfaqej dhe herë zhdukej. Fryma po më tretej dalëngadalë...
‘Më lër të vdes.., mërmërita.
‘Nuk ka më e ndyrë se vdekja,’më tha baba...
Mujon e mbyti kolla.

VI
-Çlodhu pak, - i thashë Mujos.
-Jo,- këmbënguli ai. Prej brokës prej balte që gjendej në cep të tavolinës, mbushi gotën me ujë, e mbajti gotën  një copë herë në duar pa vendosur se ç’duhej të bënte, pastaj e piu pa e pasur mendjen. Fshiu buzët me trinën e dorës dhe më pas vazhdoi: - Prej fajkoit, babës dhe gruas, Shegës, gjendem gjallë. Ajo dreqe më përgjonte në çdo hap. Unë jam një koqe kandari, qëllimisht i preva dritat që pjesëtarët e familjes të mos shihnin aktin final, varjen e qelbur. Kështu ma tha truri, por fantazma e babës shkoi i lajmëroi. Shega shkallmoi derën me sëpatë, preu litarin, i thirri mëmës dhe të dyja më shkulën gjysmë të vdekur prej lakut dhe qilarit ku dergjesha. Unë përpëlitesha dhe Shega ulërinte si e çmendur:
‘Mos Mujo, mos vdis, mos ma bëj këtë gjëmë.’
‘I vdekur i pambuluar jam o grua...’
Mujo heshti. U tërhoq, ngriti jakën e penuarit dhe u mbështoll me petkun e rëndë të errësirës. Mu duk sikur humbi në kolltukun e madh dhe lëkurë të ronitur. Diku në qoshe të murit mu bë sikur shkau rrëshqanthi fantazma skeletore e të atit, doktorit dhe shkoi u ngjesh në kolltuk pas të birit. I dhemb shpirti plakut për të birin, mendova. Përnjëherë mu duk sikur në atë kolltuk, i ati i vdekur dhe i biri i gjallë shëmbëllenin njëlloj dhe zëvendësonin njëri tjetrin. Ish një lëvizje dhe lojë marramendëse. Mujo ish bërë njësh me kolltukun e vjetër. Nuk doja të shfaqej fantazma e ligur e të atit, doktorit. U gëlltita dhe fërkova sytë. Zotëroi heshtje e thellë, mu tha gjuha. Mbi kokën time tringëlloi me potere ora e varur në mur. U drodha, u shurdhova. Prej hutimit dogja gishtat në cigare.
Vështrova ngulët nga Mujo dhe u kapërdiva me vështirësi. Për një moment, me ankth e frikë përfytyrova përdredhjen e hijeve në qilar dhe lëkundjen e mundimshme të Mujos në litar. Shpina mu ftoh, mu bë sikur dëgjova klithma, ulërima të llahtarisura dhe lojën e mekur të fantazmave. Merakun e hapur të vdekurve dhe çmendurinë e rrethit të mbyllur të gjallëve. Më pas zhurmë e madhe dhe pluhuri mbytës i rrëzimit. Mujo nxori kutinë e duhanit dhe drodhi një cigare.
- Është e tmerrshme varja në litar, - thashë. Përnjëherësh u pendova, kafshova gjuhën për këtë budallallëk me brirë. Ti përmendesh të varurit litarin.  
-Nuk është aq e tmerrshme, - mërmëriti i menduar Mujo dhe vazhdoi: - Është e qelbur. Për mua është mundim të rrëfej, por është stërmundim të hesht, sidoqoftë është mjerim i madh kur në errësirë mprehim dhëmbët të tjerët. Siç të thashë dritat i preva përpara se të kryeja aktin. Le të më rrëmbente terri. Ç’është jeta, një lëkundje e parëndësishme litari. Prej territ dalim dhe në terr shkojmë. Shega u përplas me errësirën, dërmoi gjunjët, shkuli perden që kisha mbuluar dritaren e ngushtë të qilarit dhe u ngatërrua me litarët e varjes. Ajo klithi, qau dhe shkuli flokët. Mendon se jam njeri i dobët? E di, të dobëtit kërkojnë të vetëvriten. Baba prej varrit më fshikulloi. Por nuk është ashtu. Akti i vetëvrasjes e kërkon një çmim të madh...
-Vetëvrasja është dobësi dhe asgjë tjetër, - e ndërpreva.
-Vetëvrasja proteston në mënyrë gërryese mbi pamundësinë, me klithmë të thekshme ndaj ligësisë e çmendurisë, - tha Mujo dhe shkrofëtiu. Heshti një hop dhe vazhdoi: - E njeh Haxhi Çalin që përvetësoi hanin e Gjelit dhe që shet artikuj me shumicë e pakicë në Pazar. I biri rrëmbeu në mes të kishës vajzën jetime të Floridës së bukur, kur vinte kurorë dhe ia mbathi në Itali.
-E njoh thua, - ia bëra dhe shtrëngova dhembët: - Ky dreq Haxhi Çali më futi në sherr me gruan dhe po më nxjerr thinjë me pronën e babait. Në tokën time po hedh themele. Unë bredh nga një zyrë në tjetrën, harxhoj kursimet e mbledhura si plaka qelbin. U tregoj tapinë për zgjidhjen e së drejtës së pronës. Haxhi Çali është bërë rrumbullak me qoshe, ka vënë bark dhe mban kravatë me flutura, zgërdhihet pas shpine, paguan para, dollarë, euro, hedh në themelet e mia gurrë e llaç, ngre dyqane dhe shtëpi. 
-Prej këtij Haxhi Çali, qelbaku e kam të keqen, - nisi të fliste me ngadalë Mujo: - Më është ngjitur si shushunjë vit pas viti. Mundohem ta shkul prej vetes por ai më ngjitet gjithnjë më tepër. U jam shmangu takimeve dhe bisedave me të. Heshta si matuf kur erdhi në shoqatë dhe kërkoi kartë anëtarësie. Një nga ne i tha: ‘Ore Xhike, nga na dole i persekutuar!’
‘Kam qenë i burgosur,’ ia ktheu Haxhiu me plot gojë.
‘Ke qenë i burgosur ordiner, jo politik. Kjo shoqatë është e të persekutuarve.’
‘E kam dhe unë brenda burgosjen për politikë,’ tha Haxhiu dhe tundi një fletë të lëshuar  s’di se prej kujt.
Unë s’fola, mendova se nuk i prish kujt punë, nëse Haxhi Çali merr një copë kartë anëtarësie dhe ndihmë bamirësie. Ai ishte veshur me zhele si për mëshirë. Në qoftë se ai ishte qelbak burgu, nuk mund ti mohohej e drejta familjes së tij prej ndihmave që merrte shoqata. Ca kohë Xhikja qëndroi strukur në qoshe të zyrës sonë, nuk përtonte të pastronte zyrën edhe kur i thoshin të lajmëronte si korrier anëtarët për mbledhje. Gllabëronte si grabitqar ndihmat që i jepeshin, ushqime, veshmbathje dhe falënderonte me përulësi dhe me sytë përtokë. Ca kohë u sëmura, nuk shkova në shoqatë dhe u habita kur e pashë që ai kishte kërcyer si karkalec në kryesi. Mbahej në të rëndë dhe filloi të bënte çorbë të gjithë shoqatën. Disa më thanë:
‘Mujo, ky Haxhi qelbaku po na i bën çorap kryesinë dhe shoqatën.’
U thashë të bënim mbledhje dhe ta hiqnim. Por nuk munda të shkoja, u sëmura përsëri. Mbledhja u bë dhe Xhiken nuk e hoqën dot. Ai me allishverishe bëri pas vetes pjesën dërmuese të kryesisë. Ndërkohë isha i dobët, i ligur dhe mendova, është shoqatë, jo parti. Pastaj ndjeja neveritje për shumë gjëra që nuk po shkonin si duhej dhe me naivitet mendoja ç’më duhet mua, le të bëjnë si të duan. Por Haxhiu si skuth i vrimave dhe i gjirizeve iu qep si rrodhe dhe partisë, me mburojën i persekutuar u ngjit në kryesi. Ai u bë i kudo gjenduri, kodoshi, dorë lëshuari.
Përpara mbledhjes së kryesisë, Haxhiu më doli përpara. Më përshëndeti me zë të lartë ta dëgjonin të gjithë dhe më përqafoi. U ndjeva tmerrësisht i bezdisur prej shtrëngimit të tij. U shkëputa me nervozizëm. Ai bëri sikur nuk e vuri re dhe ngulmoi të punim kafe. Sa herë mundohesha ti shmangesha aq më shumë ai më ngjitej. Në kryesi vetëm ne të dy vinim prej shoqatës së të persekutuarve. Pa shumë dëshirë shkova pas tij dhe u ula në tavolinën e fundit në cep të lokalit. Haxhiu një e dy kafshonte buzën e kollitej. Kruajti grykën me zhurmë si të kruante me thikë një tenxhere të ndryshkur. U kthye mënjanë, mori një letër nga tavolina dhe pështyu në të.
‘Mjaft u kollite dhe pështyve, më kalle datën,’ i thashë.
 Ai u bë jeshil në fytyrë dhe u kollit përsëri por këtë herë nuk pështyu.
‘Plagët e vjetra, të burgut,’ më tha dhe rrufiti kafen ngadalë. Doja ti kthehesha me inat dhe ti shfryja: Kur flet dhe ti për plagë të vjetra të burgut edhe mos plas. Ti që rije pas bishtit të garuzhdës së kuzhinës dhe komandës, por heshta sepse mendova, sidoqoftë burgu ka qenë burg. Burgu, birucat dhe torturat më ngjitën për tërë jetën një listë me sëmundje.
‘Sot zhvillohet mbledhje e rëndësishme, bëhet fjalë për kandidaturat,’ dëgjova që më tha Haxhiu.
Luajta kryet në shenjë pohimi me përtesë.
‘Dhe je kaq indiferent, kaq moskokëçarës! Ia bëri Haxhiu i habitur.
‘Pse, çfarë të bëj?’e pyeta, ngrita kokën dhe pashë Haxhinë që po më shkelte syrin aq fort sa fytyra iu bë si gajde e shfryrë. Mu qesh.
‘Duhet të mendojmë seriozisht për veten tonë, për të drejtat tona të mohuara, atë të bëjmë,’ u grind ai.
‘Le të zgjidhet kush të dojë... i thashë.’
‘Të zgjidhet kush të dojë thua!’ Foli ai fytyrë prishur dhe shtoi: ‘Më vjen të mbyt veten me duart e mia kur mendoj se ne do mbetemi gjithnjë humbës.’
‘Kush ne?’ E pyeta.
‘Ne... ja... fjala vjen ti, Mujo. Je familje e madhe, të gjithë të vuajtur, të stërmunduar. Kush më shumë se ty ka të drejtë të zgjidhet, më thuaj kush?!’ ia bëri ai me indinjatë të thekur. Heshti një hop, më përgjoi me bisht të syrit dhe pastaj shtoi: ‘Ne nuk vuajtëm për të tjerët.’
E pashë ngulët. Doja ti thosha, ti vuajte dënimin për përvetësime dhe vjedhje. Çdo qeveri do të ndëshkonte. Heshta. Fliste me sinqeritet për zgjedhjen time, apo ishte qelbak si gjithnjë. Kisha një frikë të mjegullt se ndoshta vazhdonte të ishte ende koha e qelbakëve. Disa miq të mi, të vuajtur si unë, ngulmonin se duhej të bërë diçka, të mos qëndronim indiferent, të mos linim të djeshmit, të luanin si më parë me fatet tona, me jetën tonë. Të mos na qëndronin si makth në shpirt dhe si vare mbi kokë.
‘Hë si thua,’ më cyti Haxhiu: ‘Mos nguro’.
‘Ta mendoj,’ i thashë dhe shtova. ‘Nuk është e lehtë të jesh deputet, të zien koka nga hallet e popullit,’ ia thashë këto fjalë pa ja shqitur sytë.
Haxhiu u përdrodh dhe qeshi me të madhe:
‘Hallet e leshit. Në do të frysh barkun dhe të mbushësh bythën, bëhu deputet.’
‘S’më duhen të drejta këto që thua,’ i thashë i fyer: ‘Ne aspirojmë për një tjetër kohë. Përçojmë zërin e vuajtjes... ’
‘Ti, do ta hedhësh, do pranosh kandidaturën, këtë më thuaj?!’ më ndërpreu ai me bezdi.
‘Po të më propozojnë pse jo, është respekt dhe nder,’ i thashë dhe shtova: ‘Ne duhet të mbrojmë të drejtat tona, të popullit tonë të vuajtur!’
‘Ke të drejtë, shumë të drejtë. Respekt o posi... Ta hedhësh ore pse mos e hedhësh,’ tha dhe shkundi kokën si kalë.
Ngjitëm shkallët, hymë në sallë. Haxhiu më sillej vërdallë, më vështronte me bisht të syrit dhe më godiste lehtë me bërryl.
‘Xhike, lëri bërrylat,’ i thashë.
Ai më hodhi  një vështrim, por s’tha gjë. Si vura faj. Unë s’mund të prisja, që xhaketa e tij e madhe dopio pet të bënte për mua.
Zura një vend andej nga fundi dhe Haxhiu duke fërkuar duart ul pas meje, por ishim pak ngucur. Ata që ishin në radhët e para, rehatoheshin për vete shtrinin këmbët dhe i ngushtonin ata që ishin prapa. Filloi mbledhja dhe propozimi i kandidaturave. Ai merrte frymë si kalë dhe fryma e nxehtë e tij më qulli qafën. Kandidatura ime ishte ndër të parat që u propozua për deputet. Disa nga të njohurit e mi filluan të tregonin vuajtjet dhe të numëronin meritat e familjes sime. Ndjeva që më shponte si shigjetë pas shpine shikimi i helmët i Haxhi Çalit. S’i kushtova rëndësi. U ktheva e pashë në fytyrë, ai ishte zbehtë. Më hodhi një shikim të mprehtë, gjithë xhelozi dhe ligësi. E vështrova me dashamirësi e pa mëri. Numri i kandidaturave u mbush dhe filloi aprovimi i kandidaturave për deputet. Emri im nuk u vu në pikëpyetje, dhe po kalonte në aprovim unanim.
‘Kalojmë në pikën tjetër të rendit të ditës,’ u tha prej drejtuesit.
 Dëgjova zhurmë pas meje. Ishte Haxhiu që u ngrit me vrull dhe ngjeshi karrigen pas murit:
‘Një minutë,’ ia bëri ai dhe vështroi nga unë me bisht të syrit dhe gjithë vrer tha: ‘Pikat dhe presjet le ti lëmë për paskëtaj. Kam diçka për të shtuar... ’
‘Urdhëro more Xhike, fol,’ i thanë.
 Haxhiu u përtyp një copë herë dhe lëshoi një farë hungërime. Sepse më erdhi dhe mua të hungërija.
 ‘Më falni, dua të them diçka që më kishte dalë prej mendjes..,’ nisi të fliste ai.
‘Xhike lidhe mendjen me ushkur,’ bëri dikush shaka.
Shume veta qeshën. Por ai nuk qeshi, u kollit me zhurmë dhe me zë të dredhur prej pasigurisë vazhdoi:
‘S’është shaka dhe aq e lehtë sa duket nuk është, të flasësh për një mik, bashkëvuajtës që e njeh prej vitesh, që ke ngrënë dhe pështyrë në një pjatë. Vërtet zotërinj është e dhimbshme. Por mbi të gjitha këto është qëllimi, përgjegjësia, e cila është e lartë për të gjithë ne. Prandaj zotërinj, unë Haxhi Çali, si anëtar i kryesisë, them se, sa peshë ka ndershmëria, besueshmëria dhe pastërtia e një personi që zgjidhet në detyrën e lartë dhe të nderuar të deputetit... Kjo peshë është e rëndë sa një mal. E pra... ju të nderuar miq propozuat dhe votuat për Mujo Mborjen, mirë bëtë, shumë mirë, edhe unë jam dakord për të, shumë dakord, sepse ja di mirë vuajtjet dhe stërmundimet. Por...,’ djalli Haxhi heshti një hop, shtriu krahët drejt sallës, fytyra i mori një pamje të përvuajtur dhe lëshoi bombën:’ Të nderuar zotërinj, me dhembje të thellë e them dhe, si i bëhet hallit, kur ky zotëri, mik, shok, vëlla ka firmosur...’
Më beso, ngriva, u shndërrova në dru. Xhike, çfarë po thua, u bëra të klithja, Xhike... Ti e dimë më mirë se kushdo si ndodhi, përse bre më vret me bukë në gojë. Ai më hodhi një vështrim të akullt dhe më nguli deri në mill thikën në zemër. Nga tërë anët dëgjova që u thyheshin qelqe me rrapëllimë, u përplasën karriget me zhurmë. U bë pluhur i rëndë. Ndjeva në mish prerjen e thellë dhe gjakosjen e madhe...

 VII
Mujo heshti një hop dhe thithi cigaren e dredhur trashë që kundërmonte erë të rëndë:
-Koka më gjëmonte, ndërsa në sallë zotëroi heshtje e thellë. Të gjitha shikimet e helmëta u ngulën mbi mua. Doja të flisja, të protestoja, të mbrohesha, të sqarohesha: ‘Ju lutem më dëgjoni, ju nuk mund të kuptoni në çfarë kushte të llahtarshme gjendet njeriu në pragun e hedhjes së një flamosur, dreqosur firme. Pothuajse ju të gjithë që jeni në sallë, jeni pak a shumë prej tjetër barrikadë, bij persekutorësh, ose pjesëmarrës indiferentë në aktin e shëmtuar, të veprimin të vullnetshëm. Por mbi të gjitha asnjë nga ju nuk ka mundur të provojë shkatërrimin familjar, përdhosjen, burgosjen dhe dhunën e tmerrshme.
Ti  kthehesha qelbakut, ti jepja dërrmën. Ai më përdridhej dhe zgërdhihej pas shpine, si të më thoshte: Doje të bëheshe deputet. Hëm, o derdimen, nuk të harrin gjuha te hunda. Harrove që oxhakët e vjetër prej qerpiçi janë rrafshuar me kohë. Kanë dalë dhe do dalin oxhakë të rinj.
U mata ti bërtisja me sa zë që kisha në kokë: Qepe halenë Haxhi Çali. Çfarë fitimi ke që ma bëre këtë gjëmë?! Unë fal dhe ti nuk reshtën së më kafshuari në vesh. Çfarë të kujtoj më parë nga ty dhe të harroj. Ç’të keqe ke pasur nga unë?! Por ti je më i keq, më këllirë se të gjithë. Kjo koka ime është me qoshe trekëndore, prandaj nuk ve mend. Harrove o pusht, Haxhi Çali, mi i qelive, të shpëtova jetën në burg, jo njëherë por disa herë? Dhe në hale nuk guxoje të shkoje se kishe frikë se mos të skopitnin koqet dhe të dërmonin prapanicën. Të kujtohet si donte të ndëshkonte maloku Ramë kokëmushka, pas daljes së tij, dy javore prej biruce. Ishe ti or mi fekalesh, që ia bëre peshqesh birucën e lagësh, ngaqë ai shau partinë dhe komandën e burgut. Rama dikur u kap pabesisht prej një tentativë arratisje të dështuar jashtë shtetit. U dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, por pas vjelljes tënde të pështirë, komanda i shtoi dhe pesë vjet të tjera. Ramë kokëmushka mesi priste të përfundonte dënimin e të dilte prej asaj të flamosur hapsane. I gjori Ramë, në fshatin e tij të largët kishte lënë pleqtë e sëmurë, një tufë me kalamaj dhe me të drejtë bërtiste si i shkalluar:
‘Haxhi Çali, nuk ke lindur nga vëra e femrës por prej llumit e qelbit.  Prandaj je qelbak, i poshtër, nga tinëzitë e tua po më nxihet jeta më keq. Prandaj kam vendosur ta shtyp kokën si qelbakut, të shpëtojnë të gjithë njëherë e mirë.’ ‘Aman mos më vrit, i the, të betohem se nuk e bëj më, nuk llap më. Ç’të bëj unë i ziu, nuk u rezistoj presioneve dhe bëj si më urdhërojnë.
’Po mua, që për një fjalë goje më shtuan dhe pesë vjet të tjera, si të bëj?’
 ‘Më lër o Ramë të puth këmbët,’ luteshe dhe qaje o Haxhi Çali. U zgjate ti puthje gishtat e këmbëve të Ramës, të përlyera me baltë: ’Jam i dobët e pranoj.’
‘Hy dreq, mos më qelb këmbët!’ të shtyu Rama: ‘Kështu të urdhëruaka komanda,  për të na kalbur në biruca. Nuk ke besë dhe nder ti pis i ndyrë, të shet për një fije lakër të kalbur. Unë e kam vendosur ta shtyp kokën si qelbak që je. Të shpëtoj kampin, të burgosurit e tjerë, pa mua në daç të më vrasin në daç të më kalbin përjetë në birucë. Nuk ka kuptim më,’ bërtiste Ramë kokëmushka dhe ngriti gurin e rëndë të shtypte kokën qelbakut dhe të flakte në pusin e skëterrës.
‘Mos Ramë, mos e vrit, është i dobët, nuk e sheh, i ka përmjerrë pantallonat,’ i thashë, ‘është bërë për gjynah.’
‘Ka gjynah ky llum i keq. Ikë më lër, ky vetën të kafshojë, të qelbë e të helmosë dynjanë di,’ bërtiste Rama.
E shtyra me forcë Ramë kokëmushkën, por guri më ra në këmbë dhe më nxiu gishtërinjtë.
‘Më dërmove gishtërinjtë e këmbës o Ramë,’ klitha nga dhembja.
‘Mirë të bëhet, vetë e deshe, s’më le ta vrisja,’ shfryu kundër meje Ramë kokëmushka: ‘Por mbaje mend nga unë, vëre vëth në vesh, ky nuk ka din e imam, është qelbak i ndyrë. Do të qelbë dhe ty një ditë më shumë se ç’të ka qelbur.’
Në kundërshtim nga tërë ato që mendova të thosha, mu lidh gjuha, heshta. Çdo gjë mu duk e përmbysur, e neveritshme e pakuptimtë...
Qelbaku Haxhi Çali vazhdonte të fliste:’ Ne duhet të jemi të hapur, të sinqertë...’
‘Le të ngrihet, të flasë, të sqarohet, të mbrohet,’ dëgjova.
U ngrita, doja tu thosha se sinqeriteti u përlye prej gjuhës së qelbakut Haxhi. Lëvizën stola, u përplasën gjuhë, duar dhe këmbë. Pa kryer kokën, ika. Zhaurima mbeti prapa, ndërsa rrapëllima e qelqeve të thyera më ndiqte pas, në përgatitje të uraganit të madh.
 -Ta kishe lënë ti shtypte kokën Ramë kokëmushka,- i thashë me inat:- Haxhi Çali po përlan palcën e qytetit.
-Nuk e lashë. Haxhiu mu dhimbs, qante, ishte langaraqur bërë si kërmill. Të thashë, pantallonat i përmori me shurrë dhe nuk doja që Rama ta paguante me jetën e vet për një copë bajgë... Por ai hale ka qenë gjithë jetën. Majën e mprehtë të shigjetës e leu me helmin vdekjeprurës të kobrës. Haxhi Çali më qëlloi me shigjetë në zemër. Klithma e qelbakut çau qiellin mes përmes kur tha për firmosjen. Firma, ose mosfirma është tjetër çështje... E urreja vrasjen... Është sfilitje e gjatë e pafund dhe çmimi i vdekjes apo vetëvrasjes në këtë rast nuk ka ndonjë vlerë... Ecja duke u kalamendur, me kokë përkulur, si ti ngulesha murit. Ta çaja kafkën, ta dërmoja dhe të lija trurin me të gjitha rraqet e tjera, të derdheshin jashtë në rrugë. Veshët më ushtonin prej sarkazmës së tmerrshme të dikujt: ‘Ai hodhi firmën, por firma e tij nuk ishte firmë, por vetëtimë, ka shkruar një poet ynë i njohur... Dikushi më ironizoi me diktatorin, që urdhëroi për ne persekutimin, por e imja ishte keqardhje... 

VIII
Mujo lëvizi me nervozizëm  në kolltuk dhe hijet e përdredhura u zbythën. Ai u kapërdi me vështirësi dhe vazhdoi:
-Më beso është kalvar i gjatë vuajtje, mundimi, i jetës sime dhe familjes time. Të gjitha familjet e persekutuara dhe të shpronësuara ishin nën kthetrat e sigurimit të shtetit, si gestapoja gjermane. Ata po të donin të shfarosnin me soj e sorollop, të vrisnin ëndrrën, të internonin, të spiunonin, të përgjonin gjumin e pafajshëm. Ata buzëqeshnin me djallëzi dhe me gjithë mënyrat kërkonin të bëheshe pre e tyre.
Kështu ndodhi dhe me familjen time. Na shpronësuan, na zhveshën nga gjithçka dhe na flakën në kanal. Por një mëngjes më shkulën prej kanaleve të ujërave të zeza, ku punoja dhe më afruan mundësi, punë të qëndrueshme, fshehje të biografisë, më bënë presion. Refuzova me përbuzje. Atëherë me nënqeshje cinike më flakën në përsëri në kanal, por aty ku ishte më thellë. Do më shumë, më thanë, të afruam zgjidhje më të mirë. Refuzova tu përgjigjesha, dhe me vete mendova se nuk ka më keq se kanali i ujërave të zeza. Kujtova se më harruan. Punoja si kafshë. Balta, pisllëku, era e tmerrshme, varfëria dhe mundimi nuk linin shteg për të ngacmuar. Një copë herë mora frymë i lehtësuar, shyqyr zotit na lanë të qetë në varfërinë dhe mundimin tonë. Ne zvarriteshim në kanal si kërmij, kokulur, pa fjalë, por së paku flinim në shtëpinë tonë. Ata na kishin në qendër të vëmendjes dhe ia behën në mesnatë si çakej.
‘Amani more të zinj, s’ u ngopët,’ u tha nëna me zë të lutur:’ Na lini të qetë në kanal, s’kërkojmë më shumë.’
‘Është pak, shumë pak,’ thanë ata dhe arrestuan babanë:’ Ju të tjerët ngarkoni leckat, të zhdukeni.’
  Gazi me babanë e lidhur preu majtas, drejt lindjes. Vështrimi i tij i trishtuar fshiku rrugën e përbaltur. Makina që na mbarte neve, preu djathtas drejt humbëtirës. Qielli u ça prej rrufesë. Makina tundej dhe shkundej në rrugë e pa rrugë. Mëma mbuloi fytyrën qau dhe volli me gulçe. Nata rënkoi. Ne të tjerët ishim mbledhur në fund të karrocerisë, s’bëzanim. Në mëngjesin e ftohtë u gjendëm në një fshat të thellë mes malesh, mbuluar nga bora e trashë.
‘Ku të jetojmë?’ i pyeta me gjysmë zëri.
‘ Ja, pastroni këtë kasolle prej borës e bajgave dhe jetoni aty në qoftë se doni të mbeteni gjallë.’
 S’fola. Vështrova kreshtat e maleve të larta, dëborën e rëndë, mjerimin, tretjen dhe thashë me vete, shyqyr, na degdisën larg, do të na harrojnë, siç harrohet një send i flakur tutje dhe mbulohet prej borës dhe ngricës. Sepse ka edhe më keq.
‘Ka të keqe më të madhe se ky syrgjynin o Mujo?’ më pyeti Shega me lot në sy? Nuk i ktheva përgjigje.
‘Ka,’ dëgjova një zë si shungullimë prapa veshit.
 Bënte dimër i keq dhe ne dridheshim, na kërcisnin dhembët në atë kotec ku era bënte pallë ariu.
‘Më mirë ky dimër që ngrin, se ata të zinj,’ mërmëriste nëna.
‘Më mirë se e keqja..,’ pëshpëritja.
‘ Do zoti na harrojnë, na lenë të qetë,’ shtonte nëna.
‘Të na lenë të qetë, se e paqeta..,’ i pasigurt bërbëlitja.
Djalli me brirë të kuq nuk desh dhe urdhri i ashpër, i prerë erdhi një mbrëmje dimri të egër. Nëna dergjej e sëmurë rëndë, me të ftohur, kish temperaturë të lartë. Ne nuk lejoheshim të zbrisnim në qytet ta vizitonim tek mjeku. Kërcënimi, egërsia dhe tajfuni shkundnin kasollen tonë dhe nëna rënkonte. Së bashku me Shegën i vunë nënës kupa, e për fat të mirë, e kaloi lumin. Gëzimi i vakët i përmirësimit të nënës u tret në buzë.
Kundërshtimi im i prerë dha rezultatin e pritshëm, arrestimin. Ishin të gjithë me kapuçonë të zinj, të armatosur deri në dhembë dhe lanë vragë të thellë.
‘Ngrehu nga vendi, lëviz,’ më urdhëruan ashpër.
U ngrita.
‘Na duket sikur ke vënë pak dhjamë,’ u tallën ata.
‘Kam vënë,’ u thashë. Prej mundimit dhe urisë më vareshin në trup leckat e zbardhëlluara prej doku.
 Më hodhën hekurat.
‘Këto byzylykë në duar do ti kesh gjithë jetën,’ më thanë.
‘E di, do ti kem për gjithë jetën ,’ u thashë.
 Ata më kapën nga krahët më ngritën peshë dhe më flakën si deng me kashtë në kamion. U nisëm, kamioni lëkundej dhe shkundej nëpër rrugën e përbaltur, me gropa të fshatit dhe koka më përplasej pas spondit. Nëna duke qarë dhe ulëritur ndoqi kamionin deri në qafën e qoftëlargut. Atje nënës i ra të fikët, humbi ndjenjat.
‘Të poshtër, ngriheni, shpëtojeni nënën,’ bërtita me dhembje.
 Ata ma shtuposën gojën me leckë me uthull. Kamioni më morri me vete të lidhur si kafshë.
‘Paska më keq,’ mërmëriti me dhembje dhe tmerr Shega.
 ‘E keqja s’ka fund’, dëgjova përsëri prapa veshit zërin si oshtimë.
Pas lashë dy gra, pa mbrojte dhe Dolorezën, vajzën time të mitur. Kamioni tundej dhe shkundej, koka më përplasej pas mbështetëses metalike ku isha lidhur. Ishim të shpërndarë, si të shkalafitur, si mos më keq; tre krijesa të pambrojtura femërore mbetën të ngujuara në një skërkë të vetmuar dhe dy krijesa mashkullore u arrestuan, burgosur, torturuar, flakur në qelitë e tmerrshme të Hanit me dy porta.
Do të pyesësh cila ishte arsyeja e kësaj përndjekje të pamëshirshme, shkaku qe bastard: Im atë specialist në mjekësi, patriot dhe njohës i mirë i anglishtes, shoqëroi majorin anglez në luftë. Së bashku bridhnin maleve për të takuar forcat luftuese, krijuar paqe me dy palëve, mos kishte vëllavrasje dhe të rritej bashkëpunim mes tyre kundër armikut të përbashkët. Babai ishte përkthyes i majorit anglez, por emri i tij u shkrua me rreth të kuq. Sipas arsyes së fitimtarit; të jesh i pasur, intelektual i shquar, njohësi mirë e anglishtes, bashkëpunëtor i anglezit dhe amerikanit, në ndihmë të shuarjes së vëllavrasjes, luftës civile, është mëkat i madh, tmerri vetë! Më thuaj ku qëndronte krimi i babës, faji im, i familjes, i vogëlushes sime Dolorezë, që u detyruam të tërhiqnim si skllevër vuajtjen dhe përndjekjen? Thuaj, çfarë dreq shorti na ra në pjesë!
Qe çmenduri e llahtarshme klithma përtej varrit dhe zgavrës së llavës për firmosje prej hetuesve ndaj skeletorëve të burgosur. Ne ishim kufoma të pa mbuluara, të groposura në birucat me të tmerrshme të Hanit me dy porta. Ditë e natë të vënë nën pranga e hekurta dhe torturë të vazhdueshme.
Dikush prej ne ulëriti:
‘Shporruni hije të poshtra.’
‘Firmosni.’
‘Firmat janë shpata, kosore, thika,’ ia pat një tjetër.
‘Thoni janë thika, kosore! Sa të gjorë jeni more, sa të mjerë!’ gërhiti Haxhi Çali që vinte vërdallë dhe përgjonte të burgosurit.
 ‘Gremisu tutje Xhike...’i thashë.
‘Sa vlerë ka një firmë, kur jemi në vallen e pështirë të vdekjes,’vazhdonte të llomotiste Haxhi Çali.
‘Hesht qelbak! Vdekja për ne është xhan o lule!’
 ‘Je në vete Mujo, firma shkruhet me bojë, qullet dhe zhduket me ujë!’
‘Mu sikteris Xhike, mos të shoh sytë,’  i thashë, por ai nuk fyhej, nuk mërzitej.
‘Firma është si bushtra,’ ia bëri një tjetër,’ të lëpin dhe kur se pret të kafshon.’
S’ ishin gjë tjetër veç mërmëritjet e mia nëpër gjumë. Haxhi Çali më qëndronte mbi kokë, më nxiste, më ngacmonte. Si të gjithë të burgosurit e tjerë të flakur në qeli pas torturave, xhelatët na mbanin në mengene. Jeta lëkundej si cipë e hollë qepe në dritaren e ngushtë me hekura të përdredhura të birucës. Përsëri lëkundej fleta e brymtë, kërkohej firma si këmisha e përgjakur e të vrarit, bërë shoshë nga plumbat, ndehur në tel, paralajmërimi i mortit të afërt. I vdekjes së paralajmëruar pa mëshirë dhe kthim. Të gjithë i sfiliste ajo fletë çfarëdo, priste me kënaqësi vrastare. Në realitet s’ ish fletë çfarëdo, por këmishë e përgjakur. Na marroste, ishim pafuqi e në dorë të tyre. Këmishët e përgjakura lëkundeshin prej erërave, gjëmonin si kambana, të ndehura mbi retë e dendura, në cepat e zverdhur të yjeve përgjatë qiellit...
U gëzova kur dikush më tha që, babanë e ke këtu, në të njëjtin burg. E kërkova babanë. E kishin degdisur në katin e fundmë të birucave, ku skeletet zbardhonin nën vezullimin e dridhshëm e gjakësor të dhëmbëve të minjve.
Kur pyeta një gardian, ai u zgërdhi e me tha, yt atë e ka dredhur këmbën me vakt e me kohë. Si doktor i nderuar që ishte, e groposën pa ceremoni nën qershizë. Qershizë i thoshim një trungu të kalbur të ngulur në tokë si relikt e kalbëzimit.

IX
Një mëngjes të zymtë dy gardianë më shkulën prej brezit të gjashtë të nëntokës dhe më ngjitën duke më tërhequr zvarrë në brezin e dytë. Prej aty mund të shihja zverdhimin, skërmitjen e hënës dhe klithmën e çjerrë të kukuvajkës. Më dhanë të pija ujë të ndenjur ku brenda në gavetë bënin pallë krimba të hollë, të bardhë. Gjithsesi uji ish komod, në krahasim me etjen e madhe, më njomi buzët e përzhitura. Në pjatën e ciflosur lëkundeshin morat dhe tartabiqet. Supa më fashiti tallazin e urisë. Kisha ditë pa futur gjë në gojë dhe zorra po më thahej. Në pamundësi ushqimi, morrat dhe tartabiqet kishin përfunduar në pellgun e nxehtë të kazanit, sikundër unë në grackën e ndyrë të tmerrshmit Hani me dy porta.
Mendova se ish afruar dita e gjyqit. Një copë herë vështrova rrezet e holla, të dridhshme të dritës dhe mora frymë i lehtësuar. Sido që të ishte gjyqi, sarkazëm e neveritshme dhe vendimi i gjykatës, kërbaç pas koke, përsëri i lante hesapet një herë e mirë. I jepte fatkeqit të groposur trastën e transferimit prej birucave të errëta të torturës të hetuesisë, të bashkohej me tufën e laraskave të mjerimit. Degdisjen së bashku me të tjerët në burgjet e mundimit dhe të vdekjes së ngadalshme.
‘E kërkojnë atë flamë, me ngulm,’ dëgjova një zë të mbytur prej fundit të birucës. Nuk e kuptoja hollë se çfarë vlere, a rëndësie kishte firma e një të burgosuri pa shpresë, që jepte grahmat e fundit. U ktheva dhe u mundova të shquaja njeriun që foli përtej errësirës. Hija shtyu shkëmbin e lagësht dhe dallova Haxhi Çalin, shushunjën, qelbakun, miun e birucave. ’
‘Kush është më i rrezikshëm, kafshimi i kobrës apo firmosja? ’
‘Kafshimi i kobrës është vdekje,’ mërmëriti ai dhe luajti syrin: ‘Firma është hiç gjë, një plesht pas bythe’.
Nuk vështrova Haxhiun por piklat e ujit që vareshin si litarë e binin përdhe dhe pëshpërita me dhembje: ‘Nuk u lodhën!
‘Jo..,’ u dëgjua klithma.
‘Le të plasin,’ mërmërita dhe shtova sikur fola me vete: ‘ më mirë kafshimin e kobrës, le të jetë vdekje.’
‘Ata nuk lodhen kurrë, vëre vëth në vesh këtë. Kafshimi dhe helmi i kobrës vdes luanë, jo më një të sakatosur si ty Mujo. Por dhe helmin e kobrës ata do ta japin me pikatore të mos vdesësh por të vuash. Përpara vuajtjeve e jetës firma nuk është vetëm plesht pas bythe por dhe një zhgarravitje boje,’ më foli Haxhi Çali prapa veshit.
‘Bëhu def dreq,’ rënkova. Haxhiu qe mbështjellë me errësirë. Unë nuk shquaja asgjë.
Pas disa minutash rrapëlliu dera e birucës më morën me vete. Dikush më qëlloi prapa kokës, trupi mu var. Kovat me ujë të ftohtë e klithmat e çjerra më sollën në vete. Drita e fortë e një llambe më varej mbi krye. Më verboi. Më bërtitën:
‘Firmos kafshë.’
Ata nuk pyesnin, të hetonin për mëkatin, krimin e supozuar për të cilin u arrestova. Bërtisnin, ulërinin rrëzë veshit vetëm një gjë, të ndehja këmishën përgjakur në skaj të qiellit tim, të firmosja.
‘Çdo gjë është në dorën tuaj, mund edhe të më vrisni. Hidheni vetë firmën,’ u thashë.
Ata u zgërdhinë.
‘Ne gozhdojmë dhe nxijmë botën me miliona firma. Ne jemi jeta e ardhmja, bota. Por...kur ju qelbësira, milingona, shkarravisni firmën në atë copë letër, ne shohim përdredhjen, tjetërsimin, qullosjen, zhburrërimin deri tek asgjësimi,’ më thanë.
Nuk fola, ata u ngërdheshën dhe me vunë në torturë.
Isha i mbështjellë në qethurin e përgjakjes së torturave të njëpasnjëshme. I ënjtur, i sfilitur, i flakur mes pellgut të zi. Dhe i bombarduar prej llomotitjeve të pandërprera të Haxhi Çalit, prej kthinës së errësirës së lagësht ku ish mbështjellë. Mendoja se njeriu e di pashmangshmërinë e përkohshmërisë të gjithësisë e të vetes. Do bëhet pluhur një ditë, do zhgërryhen minjtë, kërmijtë dhe gjarpërinjtë. Shpejt a vonë nuk kam për ta parë vezullimin diellor, lotimin e vesës, magjinë e mëngjesit dhe mrekullinë e ylberit. Buzagazin e ëmbël, qumështor të vajzës kur porsa shkëputet prej krahëve të purpurta të gjumit.
Në minutat e fundit të jetës do shoh vetëm përballjen me egërsinë të xhelatit Bëzi Kule. Ndyrësirë i pashpirt, dy metra i gjatë, si një gorillë zbritur nga fshatrat e thella të Mokrës, me marrëzinë dhe revanshin e inferioritetit të pështirë të njerëzve. Rrotullohet mirësia dhe ndershmëria kah territ, bëhet lëvere në duart xhelatit Bëzi Kule, përbindësh pa tru e mëshirë. Fatkeqi i vënë në torturë s’mundet, thërret me ngulm, prej thellësive të shpirtit. Vdekja ngjan e ëmbël, pret të vijë ta marrë pa shumë ceremoni. Qaja pa zë dhe rënkoja.

X
Haxhi Çali u shkul prej territ. Shkundi kuvertën e pistë, të mbushur me morra e tartabiqe dhe qëndroi në këmbë mbi mua:
‘Ore i vrarë, akoma ngulmon si mushka. Je në vete o kokëgdhe! Jemi tanët bre, prandaj të flas hapur. Përse kërkon vuajtjen me qiri? Firma nuk është siç mendon, këmishë gjaku e ndehur në tel, përgjakur prej plumbave të gjakmarrjes. Firma është një shkarravitje e pështirë, paçavure e pavlerë e vënë në torturë,’ foli mbytur dhe më shkundi nga krahët:’ më dëgjon Mujo Mbroja, thirri mendjes.
U ktheva me vështirësi kah tij, më dhembte i gjithë trupi prej torturave.
 ‘Të dëgjoj o Haxhi Çali, të dëgjoj,’ mërmërita. U kollita, pështyva gjak dhe shtova:’ Emrin e kam Mujo prandaj i thërres mendjes. Nuk thyhem lehtë prej torturave. Le të vdes, punë e madhe. Mos harro Haxhi Çali, bëhet fjalë për nderin dhe dinjitetin e burrit.
‘Nderi, dinjiteti i burrit. Aha, ç’na shkrive gazit Mujo Mborja! Sa naiv që je. Të gënjen mendja more i shkretë, kujton se je Mujo i legjendës! Jo more i gjorë, jo, je Mujo i qilizmës, kokorroç i qelisë, një numër e asgjë tjetër. Për çfarë lloj nderi e ke fjalën bre? Sipas mendjen sime, nderi dhe dinjitetit burrit është bërë lëvere, përzierë gjak e baltë në qelitë e nëndheshme të Hanit me dy porta.
 ‘Jo, nuk jam dhe nuk do jem kurrë kokorroç i qelisë, apo numër. Jam njeri dreqi e morri. Pranoj të vdes si njeri dhe jo si lëvere. Firmën nuk hedh dhe pikë. Burri edhe në momentin e fundit të jetës qëndron për një nder dhe moral,’ i fola me inat dhe mllef. Ngrita kokën dhe vështrova Haxhiun pjerrët, ‘Xhike, thuaj të vërtetën, e ke hedhur firmën, ke pranuar që më flet kështu?
Haxhiu përdrodhi buzët e trasha dhe bërbëliti.
‘Të thashë, sa vlerë ka një firmë e hedhur në torturë. Gruaja hyn në nderin dhe moralit e burrit?’
‘Gruaja është shenjtëria e burrit, e shqiptarit Haxhi Çali, nuk e di këtë ti a!’
‘E di,’ mërmëriti Haxhi Çali: ‘Sigurisht e di. Ka burrë nëne të mos e dijë.’
Më vështroi ngulët një copë herë. U kollit, rënkoi, erdhi vërdallë qelisë dhe u zhduk përsëri. Mbeta vetëm, por fjalët e tij qëndronin të varura si qyre në muret e lagështa.
Më mbërtheu gjumi i rëndë, i lidhur pas bisedës me Haxhi Çalin, e tek mendimi i shenjtë se burri që është burrë e ka një nder dhe një moral. Të ndjehet i përgjegjshëm për tu bërë ballë torturave. Është njolloj si të jesh mbërthyer pas një peme të lartë, jetëdhënëse. I kapur fort pas trungut, me të dy duart, përpiqesh të ngjitesh lart në majë, qielli dukej si kurorë dhe ish i kaltër, i kthjellët më tepër se kurrë. Ndjehesh i plotë. Një dorë e butë më ledhaton lehtë, flokët, qafën, buzët, fytyrën. Ish gruaja, Shega! Asnjëherë nuk e kisha kërkuar dhe parë në ëndërr në qelinë e ferrit gruan time, Shegën. Ajo përkuli kokën ngadalë, shmangu flokët e dredhura, të derdhura, i hodhi mbi shpatulla si ujëvarë dhe më puthi. Unë lëpiva buzët,u ripërtëriva, puthja ishte e freskët, magjike, e papërsëritshme.
 Por nuk ish e thënë të arrija në mesin e gjelbër të pemës dhe të shijoja deri në fund shijen e puthjes. Më ngritën me përdhunë, më tërhoqën zvarrë,  më futën në qelinë e torturave. Drita e fortë mi lëbyri sytë. I mbajta një copë herë sytë e mbyllur. Kur i hapa, u ndesha me sytë e trishtuar, të përmbytur prej lotëve të gruas sime, Shegës. Ajo qëndronte e lidhur e zverdhur dhe gjysmë e zhveshur.
Shega, ç’do Shega në qelinë e tmerrit, kur e arrestuan! Burgu është për burra, jo për gra. O zot, janë në vete, kanë mëshirë këta, vetëm atë jo, oh ju lutem, vetëm atë jo! Preket, shpërdorohet, torturohet femra në pafajësi, gruaja, nëna e fëmijës. Por...dhe unë jam i pafajshëm. Mirëpo jam i biri i doktorit, i cili shoqëroi përfaqësuesin anglez. Çfarë faji ka bërë e mjera që e mbajnë lidhur dhe lënë gjysmë të zhveshur në të ftohtin e hidhur, në ciknën e janarit.
Vetëtimthi Bëzi Kule u kthye nga unë e më ngjeshi një grusht të fortë turinjve. Më pas zbrazi një batare. Qeshje, zgërdhije. U plasa përdhe i zalisur. Dëgjova nëpër mjegull klithmën e Shegës dhe asgjë tjetër. Më hodhën kova me ujë të ftohtë. U përmenda, vështrimin e kisha të mjegullt, si të më ish hedhur një pelte e trashë. Koka më buçiste dhe nuk kisha fuqi të ngrihesha më këmbë. Torturat e vazhdueshme më kishin bërë të thyeshëm si qelqi.
‘ Çohu se të pret zana, të japë gji, more Mujo kreshniku, lapangjozi,’ dëgjova.
U përpoqa të pastroja shikimin të shihja nga Shega ç’po ndodhte me të, e torturonin keqas në praninë time. Një masë e ngurtë, më pengonte, ishte e errët e rëndë. U zvarrita më tej të shihja, trupi më shponte dhe priste gjithandej. Masa e ngurtë rrëndonte mbi qepalla dhe nuk ishte gjë tjetër veçse gjaku im, i trashur, i mpiksur, shtrirë në gjithë fytyrën, trupin.
‘ Le të çepkatim së bashku çështjen e burrit, nderit, dinjitetit dhe moralit,’ dëgjova:’ Ke filluar të na shesësh edhe mend. Hëm, një plehrë, qelbësirë armik si ti, llapashit. Shërbimi dhe firma është nderi e morali. Mos i kërko ato në qeli...
Nderi dhe morali, dinjiteti dhe ndershmëria.., më buçiste koka. Ç’kuptim kanë këto fjalë të shenjta në  kasaphanën e torturave..! Përnjëherësh mu kujtua biseda e bërë një ditë më parë me Haxhi  Çalin. Unë u flisja hijeve, territ dhe jo atij. Të jetë mi qelie Haxhi Çali, jemi dhe prej një fisi dhe një farë. Hiqet më i vuajturi prej të tjerëve mbështjellë me kuvertën e pistë, të shkalafitur, gjithë morra dhe pleshta. Vërtitet si hije nga një qeli në tjetër qeli, zhduket sikur e përpin dheu dhe shfaqet përsëri!
‘Është paralajmërimi i fundit për të firmosur,’ më thanë.
‘Mujo të lutem më thuaj, ka më keq se kaq!’rënkoi Shega krahëvarur.
‘Sigurisht ka dhe më keq,’ dëgjova.
Paskëtaj gjithçka po shkonte drejt një pështjellje, përmbysje, rrokopujë të ngjethëse. Qelia e torturave filloi të mblidhej, të tkurrej të zgjatohej, të bymehej, të fryhej, të shpërthente dhe unë ngjaja si një amebë e flakur në  një pellg me baltë të qelbur. Fytyrat filluan të deformoheshin, krahët po zgjateshin dhe këmbët po shtrembëroheshin. Po bëhej një zhveshje e përbindshme. Me epshin e pashpirt. Një lakuriqësi zvetënuese, gjakësore, lemeritëse. Qëndroja i zhveshur, i lidhur, i kryqëzuar, i përgjakur. I pazoti të bëja veprimin më të vogël për tu ngritur, lëvizur, kundërshtuar, mbrojtur të shenjtën gruan time dhe luftuar. Ish një gjë e zakonshme në birucat e nëndheshme të Hanit me dy porta, që viktimat e pambrojtura të hidhnin vallen e llahtarshme të torturave.
 O zot. Përse po flak përdhe rrobat e xhelatit, të përlyera me gjak dhe zhvishet lakuriq përbindëshi Bëzi Kule! Shega gjendej e flakur në shtatin e drunjtë të torturave dhe bërtiste:
‘Mujo, nuk ka më keq se kaq, nuk ka...’
Drejt saj në lakuriqësi pështirosësh, qime nxirosëse, po shkonte duke ecur si gorillë, mekanizma e torturave, xhelati Bëzi Kule. Dëgjoja zgërdhije dhe qeshje të çmendura. Sytë e bukur të Shegës ishin shpërfytyruar, hapur tej mase sikur do të shqyheshin, kërcenin jashtë. Në to shihja lutje për ndihmë, tmerr dhe llahtarë. Ajo lëvizte krahët dhe këmbët, klithte, bërtiste. Më ndihmo o Zot, më kthjello o zot! Të jetë ngjitje e pështirë e qepallave të mia apo një e vërtetë që nuk mund ta durojë dot burri, nderi, jeta! Gjaku rridhte pa ndërprerje...
‘Të poshtër, largojini duart nga gruaja ime,’ bërtita me sa zë që kisha:’ Ju nuk jeni shqiptarë dhe as burra. Mjaft, nuk mundem më...
Gjithçka ngriu, u pre si me thike dhe iku tatëpjetë. Loja e verbërisë dhe hijeve qelbej në atë qeli...

XI
Unë me naivitet u përpoqa ti harroja të gjitha. I hodha pas shpine, shtriva dorën e miqësisë dhe paqes, sepse e di fort mirë që demokracia nuk do revanshe. Por nuk harron Haxhi Çali, prandaj më qëlloi me shigjetë të helmatisur pas shpine. Mirë i thoshte Ramë kokëmushka,  gjarpër je dhe shkuar gjarprit o Haxhi Çali, prandaj duhet ta shtyp kokën..! Unë e zhgarravita një firmë në një moment ligështie dhe dobësie të burrit, por nuk e lëpiva atë, nuk pranova të merrja më qafë njeri...
Mujo heshti, befas e mbërtheu një kollë e keqe. Shkuli me forcë dhe nervozizëm garzën e përgjakur që mbante qafën shtrënguar. Drita elektrike e dhomës vetëtiu. U platita kur pashë qafën e lënduar, të fryrë, të mavijosur të Mujos.
Majat e thonjve të vdekjes kishin mbetur ende atje. Por kjo ish një pjesë, e sipërfaqshme mbase e shërueshme. Por kur majat e thonjve të pistë të vdekjes ngulen tinëzisht ne zemër është pashërueshme...
 KRISTAQ TURTULLI

No comments: