Wednesday, 25 November 2015

POETËT ME POEZI DOLËN NË MAL

Reportazh letrar

           
NGA KALOSH ÇELIKU

Poetët me penën në brez, nga të katër anët e Atdheut dhe Diaspora, si zogjtë shtegtar erdhën nën Rrap. Përdallim nga herët tjera, kur vinin në stinën e Pranverës dhe Verës, kësaj radhe erdhën krah për krahu në prag të Dimrit Madh. Sidoqoftë, Çarshinë e Shkupit e gjetën të veshur kuqezi me flamuj kombëtar gjatë festave të Nëntorit Madh.
         Çerdhet moti kohë, vjet për vjet i kishin ndërtuar nëpër degët e Rrapit. Tashti, pritej në prag të Dimrit Madh t’ia thonë këngës. Edhe, i thanë këngës në mes të Shkupit si burrat. Dimrin e Madh ta bëjnë Pranverë.
         Derën krah më krah ua hapi Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup, z. Kalosh Çeliku. Ndihmë, i erdhi edhe kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti. I përshëndeti poetët duke i përgëzuar, se: Vitin e ardhshëm do ta keni derën e hapur krah më krah. Çarshia e Shkupit ka nevojë për kësi zogjësh shtegtar, që me cicërrimat e tyre: Dimrin na e bëjnë Pranverë.
         Ora simbolike letrare, kësaj radhe u hap me një poezi të poetit të mirënjohur shqiptar, Neki Lulaj: Poetët, të cilën na e përcillte përmes E –mailit nga Gjermania. Poezinë e solli ende të ngrohtë në mesin tonë, poeti dhe artisti Ali Qerimi.
         Shkaku numrit të madh të poetëve pjesmarrës, që të mos ngarkohet programi, organizatorët vendosën që poetët t’i ndajnë në katër grupe: poetët që do të lexonin poezi në Orën simbolike letrare: Na bashkoi Rrapi, Sofra poetike e Rrapit në Mal, Ora poetike përpara këmbëve të Olimbisë me fëmijë në bark, gji dhe prehër tek Ura e Gurit, në Shkup. Dhe, me poezi, këngë e valle deri në Agim.
         Poezinë e poetit Neki Lulaj, e përcollën me instrumente frymor, matanë Urës Gurit: Shefket Latifi (kavall e fyell) dhe Daim Kadriu (gajde). Orës simbolike letrare i dhanë zjarr. Mikrofonin e rrëmbyen poetët: Iliaz Bobaj,  Seida Beganoviç, Dashnor Selimi, Kristiana Veliou, Prend Buzhala, Olivera Doçevska, Sami Velçani, Gjon Gjergjaj, Nikolla Spathari dhe Kujtim Agalliu.
         Tahir Seferi me çifteli, një këngëtar i mirënjhohur i këngës burimore popullore patriotike e shuajti zjarrin duke paralajmëruar Darkën Poetike me raki rrushi dhe shtamba me verë, në sofër deri vonë pasmesnate.
         Ditën e nesërme, poetët nëpër shi me autobus dolën në Mal. Shkaku, politikanëve që ua kishin zaptuar arsimin dhe kulturën. Themelet e një shoqërie. Shteti.
         Në Mal, tek restoranti “Pisha” i pritën me lodra, cingana e valle burimore popullore shqiptare: pronari i restorantit z. Sefer Isaku dhe SHKA “DËRVENI”.
         Ora letrare e Xha Derallës në Mal, i hapi krahët me poezinë e Ali Asllanit: Hani, pini dhe rrëmbeni, interpretuar nga poeti dhe artisti i skenes teatrore, Ali Qerimi. Poezi mes pishave lexuan edhe poetët: Agim Vinca, Xhelal Tosku, Radije Hoxha – Dija, Nehas Sopaj, Lumturi Plaku, Seida Beganoviç, Iliaz Bobaj, Kujtim Agalliu, Sami Velçani dhe Namik Selmani. Hapësirë i lamë edhe poetit të mirënjohur nga Struga, z.Agim Vinca, i cili kishte ardhë enkas në këtë Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar nga Prishtina. Poeti, pasi e lexoi poezinë e tij antologjike, bëri edhe përurimin e librit të tij të rikënduar në gjuhën greke nga poeti Iliaz Bobaj, që posa kishte dalë në dritë.
         Librin me poezi MASHAT të Agim Vincës e vlerësoi lartë poeti dhe përkëthyesi Iliaz Bobaj. Poetët, përsëri e rrëmbyen mikrofonin dhe lexuan poezi. Lodraxhinjt copë – copë i bënë daullet. Cinganat piskatnin me gjithë fuqinë muzikore, zëri u shkonte deri në qiell. Vallëtarët fluturonin para syve tanë si shqiponja. Tahir Seferi e rroku çiftelinë: Nusen e pret me gjithë krushq e koçi, Prizreni.
         Pronari i lokalit Pisha, z. Sefer Isaku Drekën Poetike në Mal, veç më e shtroi në sofrën shqiptare. Mikpritja shqiptare dhe atmosfera e ngrohtë poetike në Mal, poetët vështirë se, do t’i zbriste në fushë, po të mos u bënte zë Olimbia me fëmijë në bark, gji dhe prehër tek këmbët e Urës Gurit. Arsye, që poetët e lanë malin dhe zbritën në fushë. Vargun e nxorrën nga brezi përpara këmbëve të Olimbisë: Sami Sherifi me poezinë Hëna vajton mbi Paris, në dy gjuhë shqipe dhe frënge. Fatmira Loci, Fadil Curri, Seida Beganoviç, Kristiana Veliou, Vesel Xhaferi, Afrodita Triha, Miranda Thaçi, Rabije Bytyçi dhe Rexhep Bajrami.  Nesër, politikanët t’i nxjerrin në Mal.
          Darka Poetike në restorantin Tivoli, veç më i priste në sofër e shoqëruar me raki rrushi dhe shtamba me verë. Moti e kam thënë, se: me bark të zbrazët nuk shkruhet e lexohet poezi. Mendjen, kur e ke te buka.
         Pasdarke, Nata e Madhe u hapë me  Portretin përkujtimor: Gani Xhafolli – miku i Rrapit, shkrimtari shqiptar nga Kërçova Him Koça me poezitë e Gani Xhafollit nga libri: Sintaksa e Syrit duke i hapur udhë Natës Madhe. Poezi përkushtuar poetit të madh shqiptar me 33 dashnore edhe në Parajsë, lexuan miqtë e tij poetë: Namik Selmani dhe Gjon Gjergjaj. Miqtë e tij të penës: Reshat Sahitaj (shkrimtar) dhe Prend Buzhala (shkrimtar dhe studiues letrar) para të pranishmëve bënë edhe një vlerësim të ngjeshur rreth jetës dhe krijimtarisë letrare të Gani Xhafollit.
         Në fund, u ngritë edhe një dolli për shpirtin poetik të Gani Xhafollit që të prehet në paqe në atë botë, paqe të cilën nuk e kishte në këtë botë. Dhe, një miku tjetër të fjalës poetike nga Struga, Imet Ziba, që shpirti i tyre udhëtar të prehet në paqe, në Parajsë.
         Organizatori mbi tryezën poetike hodhi edhe një pikë programore: Rruga e mistikëve për në Baba Tomorr, për ta nxitur diskutimin në Kuvendin Poetik. Fjalën i pari e mori shkrimtari dhe studiuesi Nehas Sopaj. Në kuvend u kyq me mendimin e tij edhe shkrimtari Nikolla Spathari. 
         Librat që e prisnin radhën për përurime, veç më dolën mbi sofër: Poezi dashurie i Baki Ymerit, Ha – Ha (haiku) i poetes Radije Hoxha – Dija, Porta e Parajsës dhe Dridhet fjala si fije bari (poezi) të autorit Sami Sherifi. Hapsirë i lamë edhe prezentimit të dy librave të Namik Selmanit: ........ Në fund, u bë edhe përurimi i dy librave të autorit Kalosh Çeliku: Shtëpia publike (roman) dhe Plaga e dhjetë me Hënën (poezi), rikënduar nga poeti i mirënjohur shqiptar, Iliaz Bobaj në gjuhën greke.
         Vlerësime kritike për librat bënë krijuesit dhe kritikët letrar: Librin e Baki Ymerit, Poezi dashurie e vlerësoi lartë poeti Namik Selmani. Librin me haiku HA-Ha të autores Radije Hoxha – Dija e përgëzuan: Kujtim Agalliu dhe Rami Kamberi. Librat e poetit Sami Sherifi: Porta e Parajsës dhe Dridhet fjala si fije bari (poezi), Namik Selmani. Në fund, librat e autorit Kalosh Çeliku: Shtëpia Publike (roman), vlerësim të thellë analitik paraqiti para të pranishmëve në sallë, kritiku letrar dhe studiusi Fatmir Minguli. Dhe, për Plagën e dhjetë me Hënën, rikënduar nga Iliaz Bobaj, Dashnor Selimi.
        Ora letrare poetike e “mërzitur”, veç më priste pas porte. Derën ia hapi krah më krah, kritiku letrar Fatmir Minguli me një poezi të poetit të mirënjohur Moikom Zeqo, që posa ia kishte përcjellë përmes E –mailit. Moikomi nuk ishte kësaj radhe në mesin tonë nën Rrap, shkaku i sëmundjes që i kishte trokitur te porta. Poezinë e durtrokitën të pranishmit duke i dëshiruar poetit Moikom Zeqo shërim sa më të shpejtë, që përsëri me vargje të shtegëtojë si herat tjera vitin e ardhshëm nën Rrap!
         Nata e Madhe, i hapi krahët: Sami Velçani me poezinë e tij doli në fushën e mejdanit. E shkrepi i pari vargun. Xhelal Tosku me tre sejmenë përmbrapa. Pëllumb Mane, Kujtim Agalliu, Nikolla Spathari, Namik Selmani, Fatmira Loci, Vladimir Muça, Remzi Salihu, Xhelal Ademi, Behare Neziri, Rami Kamberi, Ali Qerimi, Agron Elezi, Arben Shaholli, Sermet Sulejmani, Sadri Jakupi, Adem Xheladini, Rexhep Bajrami, Fadil Curri, Asdren Çeliku, Him Koça, Kadrie  Gurmani, Seida Beganoviç, Iliaz Bobaj, Sami Sherifi. Dhe, Tahir Seferi me çifteli: shoqëruar me një poezi mallëngjyese, përkushtuar vajzës së tij e përfundoi Natën e Madhe poetike. E fuqishme artistikisht, ishte kënga e tij popullore për Nusen e Maleve, të cilën me këngë e valle përmes maleve nëpër pusi e sillnin krushqit me flamurin kombëtar kuqezi përpara koçisë në Prizren me atë këngën e mirënjohur popullore: Hajdeni, bini djemtë e Shalës!...
         Pasmesnate, u pranua si anëtar në Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup edhe poeti Sami Sherifi. Dhe, u bë ndarja e çmimeve letrare: Çmimin Ulu mal të dalë Hëna, për poezi më të bukur lexuar gjatë dy takimeve poetike nën Rrap, e rrëmbeu poetesha Fatmira Loci. Çmimin letrar: E përcolla Natën, për vepër erotike, Bubullima e Bukureshtit, poeti Baki Ymeri. Çmimin RRAPI, për vepër jetësore, poeti, kritiku dhe studiusi letrar nga Kosova Prend Buzhala. Çmimin letrar, Mikja e Rrapit: Kristiana Veliou nga Patra (Greqi) dhe Miku i Rrapit, Fatmir Minguli nga Durrësi (Shqipëri).
           Që nga ky vit jubilar, Çmimeve letrare tradicionale nën Rrap iu shtuan edhe dy Çmime letrare edhe për dy personalitete të Letërsisë Shqipe: Pano Taçi për poezi të egër, që kësaj radhe e rrëmbeu Radije Hoxha – Dija dhe Çmimi letrar Mehmedali Hoxha (Letërsi për fëmijë), që kësaj here e meritoi Sami Velçani nga Durrësi (Shqipëri).

         Dhe, në fund pasmesnate, poetët u arratisën nëpër errësirë rrugëve të Çarshisë Shkupit për ta pritur nën Rrap Ditën e Nesërme...







No comments: