Thursday, 14 February 2008

Basha: Shqipëria është në një progresion të dukshëm dhe të përditshëm

Shqipëria vazhdon të mbështesë një axhendë emancipuese ne Ballkan, marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, pavarësisht prej pozicioneve tona krejtësisht të kundërta përsa i përket Kosovës." Në një intervistë për BBC-në, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha, foli për "një atmosferë optimizmi të justifikuar" përsa i përket shpresës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit në muajin prill. "Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE janë objektiva madhore e ndërkombëtare dhe asgjë nuk mund të ndërpresë rrugëtimin tonë drejt tyre, " tha zoti Basha. Pas një takimi të zotit Basha me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Miliband, Sokol Gruda i BBC-se e pyeti shefin e diplomacisë shqiptare se çfarë ishte diskutuar në atë takim për Kosovën? "Lulëzim Basha: Me sekretarin Miliband kemi diskutuar gjerësisht për përgatitjet që ka bërë establishmenti politik në Prishtinë për përgatitjet në nivel rajonal në mënyrë që shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ngjarjet që do të pasojnë ti shërbejnë edhe më tej stabilitetit e paqes në rajon dhe, ç'është më e rëndësishmja, ti shërbejnë hapjes së një perspektive europiane dhe euro-atlantike për gjithë rajonin. Në këtë kuadër, veçanërisht kemi folur për përpjekjet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të siguruar gjithë qytetarët e Kosovës, me theks të veçantë pjestarët e minoritetit serb, se Kosova e pavarur do të jetë shtëpia e gjithë atyre që e thërrasin shtëpi dhe që Kosova e pavarur është një shans jo vetëm për kosovarët, për qytetarët e Kosovës, por për gjithë rajonin, për të çliruar energji pozitive dhe për tu ndarë përfundimisht nga e kaluara. "BBC: Në këtë kuadër, a u bisedua me zotin Miliband se çfarë pret Britania nga Shqipëria me rastin e shpalljes së pavarësisë se Kosovës? "Lulëzim Basha: Sigurisht që kemi folur për rolin e Shqipërisë në këtë proces. Mendoj që ka qenë i pashmangshëm diskutimi i të gjitha mundësive që Shqipëria ofron në këtë javë kritike dhe në kohën pas saj. Kjo me qëllim vazhdimin e mbështetjes së përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për një Ballkan të qetë, i cili ecën me hapa të sigurt drejt perspektivës evropiane dhe euro-atlantike. Në veçanti kemi folur për rolin e Shqipërisë si një forcë moderatore, si një zë i arsyes, si një influencë pozitive në Prishtinë dhe me gjerë. Kemi folur në veçanti për respektimin e të drejtave të minoriteteve, por edhe tolerancën e ndërsjellët, fetare e ndër-etnike që karakterizon historikisht Shqipërinë dhe modelin që kjo sjell për Ballkanin në tërësi. "BBC: Zoti ministër, për shkak të qëndrimit ndaj pavarësisë së Kosovës, pritet nga Serbia që të ketë ndoshta edhe një embargo ekonomike. Çfarë do të bëjë Shqipëria, konkretisht, nëse jemi para një embargoje serbe ndaj Kosovës? "Lulëzim Basha: Embargoja e deklaruar apo e presupozuar, në radhë të parë, është një masë e cila i drejtohet opinionit të brendshëm publik serb. Si e tillë, efekti i saj mbi Kosovën, nëqoftëse do të ecet me hapa të tillë, do të jetë minimal. Kosova rrethohet nga fqinjë të tjerë të cilët kanë bërë të gjitha përgatitjet për të vazhduar në mënyrë të pandërprerë lidhjet me Kosovën, lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të shërbimeve. Në këtë kuadër Shqipëria i ka marrë të gjitha masat. Unë kam qenë para dy të dielash në Prishtinë ku u kam përcjellë autoriteteve në Prishtinë të gjitha mesazhet e kryeministrit Berisha. Pjesë e rëndësishme e mesazheve kanë qenë të gjitha masat që Shqipëria ka marrë, po merr dhe do të marrë në dobi të mbajtjes plotësisht të lirë të linjave komunikuese për Kosovën, atyre të transportit, energjetikës, etj., si dhe sigurimit intensiv të komunikimit tregtar, të furnizimit me energji dhe lëvizjes së lirë midis dy vendeve. Po kështu autoritetet e Prishtinës kanë patur kontakte të ngushta me autoritetet e Shkupit e të Podgoricës. Nëqoftëse do të ketë një lëvizje, e cila mendoj se do të ishte fatkeqe, nga Beogradi për të ushtruar presion mbi Kosovën, kjo në radhë të parë do të dëmtonte imazhin ndërkombëtar të Serbisë. Së dyti, dyti do të dëmtonte vetë ekonominë serbë, sepse Kosova dhe gjithë fqinjët e saj do të jenë plotësisht në gjendje ta përballojnë këtë situatë me sukses të plotë. "BBC: A do të ketë ndryshim në marrëdhëniet e deritanishme diplomatike të Shqipërisë me Serbinë në rastin e mosnjohjes nga Serbia të shtetit të ri të Kosovës? "Lulëzim Basha: Shqipëria vazhdon të mbështesë një axhendë emancipuese ne Ballkan, marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, pavarësisht prej pozicioneve tona krejtësisht të kundërta përsa i përket Kosovës. Ne besojmë, gjithashtu, se e ardhmja e Kosovës, sikurse e ardhmja e çdo vendi tjetër në rajon, është e ardhmja evropiane dhe auro-atlantike. Sigurisht, çdo shtet në këtë udhëtim do të bëjë zgjedhjet e veta dhe duhet të kalojë sfidat e veta. Në këtë kuadër, ne nuk urojmë dhe as nuk dëshirojmë përkeqësim të marrëdhënieve me Beogradin zyrtar. Ne shpresojmë për një angazhim konstruktiv me Beogradin, për ti shërbyer edhe më tej paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe perspektivës europiane e euoro-atlantike të të gjithë rajonit. "BBC: Meqë po flasim për marrëdhëniet rajonale, shumë shkurt, a mund të na shpjegoni metamorfozën e ditëve të fundit të çështjes së liberalizimit të vizave me Maqedoninë? "Lulëzim Basha: Mund të them vetëm se jam shumë i lumtur që përpjekjet diplomatike të ministrisë të jashtme, të autoriteteve shqiptare, përpjekjet diplomatike të të dy vendeve kanë dhënë një rezultat pozitiv. Ai konsiston në një projekt-marrëveshje për liberalizimin e plotë të lëvizjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, e cila pritet të finalizohet në ditët dhe javët që vijnë gjatë vizitës së kryeministrit maqedonas në Tiranë. Mendoj se ky është një lajm i mirë, jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por edhe për dashamirët e të dy vendeve në Bruksel, veçanërisht në vigjilje të samitit të Bukureshtit, ku shpresohet që të dy vendet të marrin ftesën për anëtarësim. "BBC: Zoti ministër, nëse për Kosovën po numërohen orët e fundit drejt pavarësisë, për Shqipërinë po numërohen ditët e fundit drejt Samitit të Bukureshtit, të cilin ju sapo e përmendët. Keni pasur një axhendë pak të thuhet intensive gjatë kohëve të fundit. Vini nga Konferenca për Politikat e Sigurisë në Munih. Është diskutuar atje edhe për çështjet e zgjerimit të NATO-s me vendet e reja të "Adriatik 3-shit", ku bën pjesë edhe Shqipëria. Por mesazhet kanë qenë disi kontradiktore. Pak më herët është thënë se nuk ka garanci për pranimin e Shqipërisë. Ju keni mesazhe më pozitive? "Lulëzim Basha: Mendoj se është shumë e qartë për të gjithë palët e përfshira në këtë procesi se procesi po ecën përpara. Mesazhet janë përditë e më pozitive. E rëndësishme është të theksohet se procesi është në vazhdim. Është detyra e kryetarëve të shteteve, të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s që në Samitin e Bukureshtit si pikë kryesore të axhendës të konfirmojnë edhe njëherë zgjerimin e kësaj aleance në Europën jug-lindore. Është prerogativ i tyre, është e drejta e tyre dhe, deri në këtë moment, është mirë që fokusi i qeverive tona, i vendeve tona të vazhdojë të mbetet tek reformat. Ato do të vazhdojnë pa u ndalur deri në atë moment dhe do ti vazhdojnë edhe më tej, pas samitit. Ndërkohë, mund të them se kemi konstatuar vazhdimisht që atmosfera e qarqeve vendimmarrëse në raport me perspektivën, pra mundësinë e marrjes se ftesës nga ana e Shqipërisë, është në një progresion të dukshëm dhe të përditshëm. "BBC: E pranoj që po ju drejtoj një pyetje hipotetike, por nëse ftesa për anëtarësim nuk bëhet në Samitin e Bukureshtit në prill, ku do ti kërkoni shkaqet? "Lulëzim Basha: Mendoj se ky është moment për të ecur përpara, që mbi një atmosferë optimizmi të justifikuar të vazhdojmë përpjekjet tona deri në Samitin e Bukureshtit e më tej. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE janë objektiva madhore e ndërkombëtare dhe asgjë nuk mund të ndërpresë rrugëtimin tonë drejt tyre. E Enjte, 14 Shkurt 2008

No comments: