Thursday, 7 February 2008

BOTA ‘RILIND’; … EDHE ME TY SHANEL!

Nga Fatmir Terziu
...ajo tani nuk dëgjon- as kupton sigurisht
ka kohë për të kuptuar e dëgjuar e, deri atëherë
le ti këndojmë një ninullë dashurie të përjetshme:
Bota sot rilind bashkë me ty, Shanel!...
Ne foto: Kolec Traboini

Bota rilind sot bashkë me ty Shanel!” Një derivat katërcipërisht tërheqës, që buron nga një figurë letrare e tejzgjedhur e që dominon në katër komponentë filozofikë-letrarë. Së pari është Bota që na rethon me të mirat e të këqiat e saj, është vendi, hapësira e kësaj bote të madhe apo të vogël ku shtrihet qënia e gjallesës së vogël shqiptare, është ana fizike e kësaj materie në sensin material, pra është imagjinarja dhe e prekshmja që gatuhet në nocionin ‘Botë’. Së dyti është procesi i fjalës ‘rilind’ që kalëron magjishëm në itinerarin mendje-analizë dhe pushon në koinçidencën e arritur letrare të fillit që zë fjala poetike. Lindja-dhe rilindja si process i tendencës për një të tashme, e një të ardhme ëndërrimtare me pamjen e mitakes, njomëzakes së fjetur, në bukurinë e saj përrallore. Së treti është termi logjik i së tërrës, ‘përfaqësimi analitik’ i fjalës “bashkë”, që nënkupton ‘grupin’ e përfaqësuar nga vogëlushja, moralin e grupit që pasqyrohet në figuracionin e përzgjedhur dhe së fundi është vet simbolika e një pafajsie të sapoardhur në këtë botë që rilind bashkë me të.
Është një figurinë njërëzore, një frymëmarëse e lirshme, ende pa ëndërra, pa analiza, pa filozofi të botës që e priti në mesin e saj, pa moralin e njeriut që pritet t’i depërtojë në ‘qenien’ e saj njërëzore. Është një Shanel, që pena mjeshtërore e poetit Kolec Traboini e përzgjedh dhe e sjell jo vetëm të shkruar, vargëzuar e poetike, por edhe të stimuluar me shijen artistike të një moderacioni prekës, shijues e të ndjeshëm.
Aty është tërë kompleksi i një detaji filozofik, me të cilin më tej argumenton vjersha e tepërarrirë e Traboinit. Ashtu si një rrëmbim momental, të cilën vetëm poezia ta dhuron, kur mendja e pikëtakon atë, vjen edhe kjo “Shanel” fytyrë-poetike e detajuar në mendjen dashamirëse, për tu fiksuar e mbetur gjatë.

Në rregull! Ajo rron gjatë. Pas kaq kohe vjen dhe të pushton ndjesinë një poezi, që nënshkruan një emër, një Shanel, e që mund të ishte njëmilionë apo bilionë emrash të kësaj bote dhe natyrshëm edhe pse është Shanel, 'shqiptarja e vogël e penel-penës së Traboinit', aty është e Gjitha, aty është dhe pushon pafajsia e kësaj moshe e kësaj ndjesie që nis me zbrazëtinë e me gjuhën e saj, heshtjen e pafajshme. Pra aty edhe janë edhe s’ka nevojë për emra. Aty janë gjithë emrat, aty janë gjithë qeniet e tilla, nën siglën Shanel.
“...të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemëve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet..."


  • ZBRAZETIA MIDIS DERRIDE DHE HEIDEGGERIT; 'FILOZOFIA' E TRABOINIT

Zbrazëtia! Zbrazëtia është lëshuar në këtë botë pa praninë e Shanel që të bëjë realitet mosekzistencën e të plotësojë atë që Derrida e quan ‘hapi i munguar në një hap’. Natyrshëm, sot është një ‘ditë e zakonshme’ thotë Traboini, një ditë ku ajo s’përjashtohet nga ditët e shumta, por kjo ditë për poetin është:
“sot është një ditë e zakonshme dimri mbi glob
trenat zvarriten si dinosaur metalikë në mjegull
diku bie shi, ditë me diell diku tjetër
bora dyndet në Ameriken e Veriut egër…”.

Natyrshëm sot është pra, kjo zbrazëti foshnjore e mbarsur me zhurma, që Traboini e zbulon në detajet e Jacques Derridës dhe në sytë e pikturuar prej tij tek engjëlli njërëzor, Shanel. Por zbrazëtia është normalisht një aleat i ngushtë edhe i karakterit në hapësirë. Çfarë është filluar që herët të sillet si një sukses i konsideruar në hapësirën poetike dhe përkatësisht në art-poezinë bashkëkohore, një spekullim detajesh artistike të ‘afër-sisë’ dhe ‘distancë-s’, të premtuara nga Heidegger në punimet e tij analitike tek “Arti në Hapësirë” (Art in Space) (1968), ka gjetur një kompleks labirintesh në rrugën shumëdegëshe të piketuar nga Traboini për të dhuruar një gjuhë provokuese, ose mësaktë një gjuhë mendje-ngacmuese.
Në konsideratën e kësaj logjike pikëtakuesja e estetikes në letërsi dhe kompleksit meta-linguistik zbulohet kuptimi i të mundshmes për të nënkuptuar posibilitetin dhe limitin e termit ‘relatim’ dhe ‘dialektik’. Duke përshtatur termin Derridian, kompleks identitetesh të një artifice, prurja letrare e Traboinit motivon diskursin dialektik por edhe vihet në funksion të mjetit topologjik të variacionit.

Këtu janë zgjidhjet e gatshme se si çdokush mund të startojë këtë trajektore në rrugëtimin e tij në hapjen e një strofe si kjo:
“Shanel është një vajzë shqiptare e sapolindur në Barcelonë a Trieste
e sotmja që qan e nesërmja që qesh hareshëm
e nesërmja që nuk është larg, tek pragu i derës
ajo në të ardhur, ne duke ikur... në botën tjetër.”

Këtu si një i sapombërthyer në tërë kompleksin e artit, krijimtarisë, gazetarisë, filmit dhe kërkimeve akademike, natyrshëm kam edhe ndjenjën e kundërshtisë për atë që ndoshta do të përkiste në një demarkacion të së ashtuquajturës poezi të strukturuar ‘nga jashtë dhe nga brenda’, që në themel huazon fjalën e arkitekturës për të thënë se pena e gjallë dhe prodhuese e gjen vet ‘mjeshtrin’ disa-profesionesh që i duhet sot kësaj bote të artit krijues, të cilën Kolec Traboini nuk e kursen dhe madje e vërshon cilësisht.
Ngjashëm unë gjeta tek Derrida në Wegmarken një gjuhë të cilën Traboini e ka gllabëruar fuqishëm dhe e deprovon me magjinë e tij enkas për një “peisazh” si ky që figuron tek fatura e heshtjes së asaj që Foucault e quan “heshtje të fuqisë dhe diturisë”:
“në ekranet televizive tymnaja të trëndafilta
një grua bjonde a një burre ... do jenë USA- president
komente të shumta për ikjen e Bushit e trazirat në Kenia
CNN 24 orë - por asnjë lajm nuk thotë për Shanel.”

Dhe duke marrë borxh termin e Traboinit edhe unë natyrshëm i premtoj heshtjen Shaneil:
“të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet

ajo tani nuk dëgjon- as kupton sigurisht
ka kohë për të kuptuar e dëgjuar e, deri atëherë
le ti këndojmë një ninullë dashurie të përjetshme:
Bota sot rilind bashkë me ty, Shanel!”


Por, heshtjen nuk ia “dhuroj” Traboinit, kompleksit Shqiptar!

Londër, Shkurt 2008

5 comments:

Anonymous said...

Nje poezi e goditun, ma mire s'ka ku me shkue, ... I love it...Shanel!

Anonymous said...

Mirënjohje për analizen poetike "Shanel".

Kur e kam shkruar nuk kam pas parasysh asnjë platformë estetike apo aspekt filozofik, por thjeshtë një vogëlushe shqiptaro-europiane, me fytyrë ëngjëlli që i shtohet kësaj botë e që në të vertetë me qetësinë e brishtësinë e saj e ngërthen brenda vehtes atë, pra botën. Koha ndrron në mënyrë të pakuptueshme e ne shpesh herë harrojmë se çfarë ngjet, na duket se jemi më të rëndësishmit, na bëhet se jemi të përjetshëm. Harrojmë se jemi pjesëz e një stafete, hallkëz fort e vogël në zinxhirin e të pafundmes. Dua me sinqeritet të pohoj se duke lexuar analizën mbi poezisë sime "Shanel" nga kritiku e krijuesi Fatmir Terziu, mbeta i befasuar sepse ndesha njeriun me dimension në fushën e analizës letrare por edhe njeriun e njohurive të thella në dijet e filozofisë së artit. Të paktën unë si autor i poezisë “Shanel” u gjënda para një analize mbreslënëse. Analisti Fatmit Terziu zbulon mjeshtrisht edhe atë dimension të poezisë, çfarë autori e ka krijuar falë subkoshiencës që edhe ajo është pjesë e proçesit krijues. Krijimi i goditur është si ajsbergu që nuk mund të jetë vetëm ajo pjesë që shihet në siperfaqe, por dy të tretat nën ujë mund ti shohin vetëm zhytësit e studiuesit e thellësive. Ashtu ndodh edhe me kritikët e plotësuar e dimensionuar të letërsisë të cilët, edhe ata, zbulojnë misteret e padukshme të krijimit. Fatmir Terziu në aspektin e analizës poetike deperton mrekullisht në çdo qelizë të strukturës, ideve dhe figurave. Eshtë kjo jo vetëm dhunti njerëzore por punë studimore skrupuloze që e nderon. I jam mirënjohës. E kësaj mirënjohje do ti jap trajtë me dhurimin e 6 librave të mi poetikë, bashkë me një libër me krijime, poemë e publiçistikë, të tim eti të shkruara në vitet 1910-11.

Kolec Traboini
Boston, 8 shkurt 2008

Anonymous said...

Kur ka me rrit qy Shanel bre?

Anonymous said...

Nje foto e gezueshme femije
nje poezi me ndenje.Ta ka enda te lexosh e ta rilexosh .Poezia eshte ndenje dhe kjo shanel eshte ndenje ,eshte krijim i mirfillte poetik i nje krijuesi qe eshte marre gjate me artin, duket se poezin e ka brenda ne shpirt,mjafton te hapi rubinetin pa u sforcuar per te shkeputur poezine.
G.llojdia

Anonymous said...

Asgje nuk shkruhet rastesishem!
As poezia, as kritika per te dhe, aq me pak "te lexuarit e analizes" prej
autorit te poezise, nuk ndodh atyketushem!

Sepse: duket sikur nuk ke pasur synim, duket sikur nuk je nisur te arrish
diku, duket sikur ke dale aty ku dole rastesishem, se kush guxon
ndonjehere te shprehet se "rasti eshte mbreti i botes"...! Por vetedija e
plote nuk eshte vecse respektimi i urte i nenvetedijes, te cilen quajeni
po deshet edhe Vetja Instiktive!

Ne te vertete duhet te lindesh prej nje nene, qe pastaj te ke4sh pse te
duash nenen; duhet te lindesh pasardhesin tend qe te kuptosh paraardhesin,
dhe duhet te mbetesh pa fryme per femijen tend, qe lexuesit te marrin
fryme njeheresh me ty, duke lexuar poezine tende per nje femije fiktion!

Kritiku, e si mund te mos jete veçse zbuluesi yt, gjersa arrin te bej
lexuesin e autorin njeheresh dhe bujarisht te vendose perpara syve
pasqyren?! Aty, jane gjithe frymet: e heroit, personazhit, lexuesit dhe
krijuesit, gjere ne ate mbivendosje sa nuk ka pse kerkohet identifikimi i
tyre. Eshte vetem krijimi qe duket.

Ai qe njeh veten, dhe qe di te doje tjetrin, vetem ai i rrefen tjetrit
ç'ka dhuruar, duke menduar se thjesht ka ofruar ç'ndjen...

Tashme, pas analizes se Fatmirit dhe konsiderimit te saj prej Kolecit,
edhe poezia e tij po me duket edhe me e bukur: ajo ka qene ajo qe eshte,
por nepermjet kesaj marre-dhenieje te pafundme, me ndihen edhe mua te
zbuloj veten atje.

urime,

Faruk Myrtaj