Nga Fatmir Terziu
Dy çafka çukitën mermerin e thatë
Të ftohtën e tij gjarpër
Gulçuan në ajër dhe ikën me vrap
Andej ku lugina përkulet si drapër.
Lanë pas ca fjolla gri
Mbi të kaltrën që sundon në qesëndi
Ashtu të zeza çafkat u zhdukën
Dhe kurrë më pas nuk u dukën…
Morën çafkat andej ku kryqëzohen rrugët
Andej ku syri më nuk sheh
Kaluan malin kurriz-lugët
Dhe përhumbën andej ku pllaja veten fsheh.
Pastaj imituan të tyren çafkërimë
Larg, shumë larg nga sytë
Mali e pasoi si gjëmim
Vrerin e tyre të ndyrë.
Kohë të hershme fort
Kur malet gjëmonin
Aty u derdhën lotë
Mbi dy trupa që ende rrënkonin.
Legjenda u thuri këngë
Populli u këndoi me dashuri
Dhimbje që kafshoheshin nën dhëmbë
Burra e gra që tregonin maturi.
Shekujt e mbajtën fjalën
Rikthyen të vërtetën në shesh
Çafkave u lanë veç ‘përrallën’
Të tjerrin broçkulla me lesh.
Tani aty mbi mermer prehen lulet
Për ditën e bukur
Aty mbi mermer një nur rinor ulet
Nga mali po zbret një flutur.
***
Rrugë që zbulohen
Mote që tjetërsohen
Natyrë e qetë
Aty
ku
Ti
krahëhapur ende pret.
Dritë që zbehet
Fytyra që mjegullohen
Trupa të nxehtë
Aty
ku
Ti
mendjetrazuar ke mbet.
Lule që u vyshkën
Vazo që më si shoh
Këtu
Ku
Ti
mermerin e ftoh.
Rrugë që kryqëzohen
Kohë që ndryshojnë
Natyrë që vret
Andej
Ku
Ti
Ende ëndërrën rinore nget.
No comments:
Post a Comment