Saturday, 2 February 2008

PAK TURSHI




Nga Fatmir Terziu

Në një qytezë ndodhet një rrugë. Në atë rrugë ka një rrugicë. Në atë rrugicë ka një shtëpi. Në atë shtëpi ka një familje. Në atë familje jam edhe unë. Unë jam në atë shtëpi! Me atë shtëpi janë lidhur si vagona treni edhe tridhjetë e shtatë shtëpi të tjera. Në këto tridhjetë e shtatë shtëpi askush nuk e di se kush, cili sa e si jetojnë aty. Askush nuk e sheh sho-shoqin. Edhe kur ndonjë përplasje e rrastësishme ndodh, po more një të buzëqeshur, ah një të buzëqeshur, je më i lumturi në botë. Më i lumturi i asaj bote. Lere pastaj të dish e të mësosh ndonjë lidhje mes tyre, pra banorëve të këtyre shtëpive. Për shembull, shtëpia ngjitur me timen, për pesë vitet e mia të banimit këtu, ka ndërruar banorët e saj gati-gati dhjetë herë, në mos gabofsha në matematikën time. Eh matematika ime, thashë. Aty nuk gaboj. Nuk gaboj sinqerisht. Unë shquhem tani. Ia kalova edhe kompjuterit. Më vjen për t’u habitur. Si ore, ky elektroniku i mençur më numëroi së mbrapshti ditën e pasaportës. Unë e kisha fiksuar se kur i mbushja pesë vitet, ndërsa kompjuteri më shtonte edhe nja pesë të tjera plus. Kisha dëgjuar se si ushtarët numëronin ditët e lirimit. I shkruanin me tullë në muret e banjove. I shkruanin me gozhda në pjatat e aluminit ku hanin, apo në gotat prej alumini ku pinin çaj me klor. Edhe unë gati-gati ashtu kisha bërë. I shkruaja ditët në murin e kopshtit prapa shtëpisë. Mirë kisha bërë. E sheh, të m’a kallte elektroniku mua shqiptarit?! Unë ia kalla atij. E munda. Kur iu drejtova zyrës së pasaportave, zyrtarja rrudhi vetudhat. “Ti do të mundësh elektronikun “Macintosh”?- më tha ajo.
Ajo më pa mua dhe rrudhi më tepër vetudhat e saj. Unë i nxorra një letër dhe i tregova ditët e numëruara.
“Mirë, mirë kompjuteri flet amerikance”, - më tha ajo. “Duhet t’ia ndërrojmë gjuhën e t’a kthejmë në anglishten e shtëpisë, që të mos gabojë më”- shtoi ajo.
Anglishten e shtëpisë?! Po, ç’hyn këtu matematika? Asaj nuk i thashë asnjë gjë. Vetëm tunda kokën. Ajo më dha letrën e duhur për të vazhduar procedurat. Pagesat, ‘pengesat’, sorrollatjet, faturat, fotot, formatimet e dhjetra procedura të tjera, të ngjashme derisa një ditë u dëgjua një trokitje e fortë në derën time numër 44. Ishte një postë që shpërndahej vetëm me parapagim. Një postë që vinte me motorçikletë.
“Firmos këtu!”, - më tha djaloshi me kokorre mbrojtëse në kokë. Unë firmosa.
“Firmos edhe këtu!”, - shtoi ai. Prapë firmosa. Mora zarfat dhe me vrap në dhomë ku më prisnin fëmijët dhe ime shoqe. Hapëm të parin dhe…, ç’të shihnim. Një emër tjetër, një pasaportë për një person tjetër. Shihnim njëri-tjetrin në sy dhe fap në dritare. Postieri kishte kaluar këndin ndarës të rrugicës. Motori sapo la një fjollë të zezë, ku unë në fakt hapa dritaren. Pastaj me vrap tek telefoni. Pesëmbëdhjetë minuta sqarim nga kompjuteri i lidhur me të. Asgjë në thes. Askush nuk më vinte në ndihmë. Pashë orën, ishte vonë. Zyrat ishin mbyllur. Ajo natë m’u duk si një natë pesëvjeçare e gjatë dhe mërzitshme. Dita kishte zbardhur, por sytë e mi ishin mbyllur. Gruaja më tundi lehtë.
“Nuk do të shkosh tek zyrat e pasaportave?”, - më tha ajo. Dhe unë kaq desha. U vesha, u lava dhe me vrap tek dera. Atje u gjenda në kohë. Por në kohë për tek informacioni, që më kërkoi letër kontaktin që duhej ta bëje një javë më parë. “E ku kisha lënë unë takim?!”, - u mundova t’i shpjegoja njeriut përballë meje, që ngulte këmbë në nenin numër 21 të datës 22 të vitit 2006. “O Zot i Madh!”,- thirra me vete…”
Kështu pasaporta mbeti. Mbeti edhe për gjashtë muaj të tjerë. Ndërkohë kisha dhe një bela tjetër. Gjyshja. Gjyshja nuk rinte dot më pa na parë. Ajo na kishte rritur neve. Ajo në fakt kishte rritur edhe fëmijët. Ishte gjyshe e mbajtur. Duhej të vinte patjetër që të na vizitonte. Dhe kështu u bë. U bënë një thes me letra dhe ajo mori vizën. Pas disa javësh ajo do të vinte. Në aeroport shkuam të gjithë për t’a pritur. Gjyshja doli si e dehur nga avioni. E lodhur, e dërmuar.
“Më mirë të kisha ardhur në këmbë”,- më tha, - “se sa me këtë çudi”.
Pastaj erdhën çantat. Një valixhe, një çantë sporti dhe një qese plastike me disa kuti plastike në të. Gjysma ishte mbushur me lëng, madje kur u vendos në transportier edhe transportieri u lag. Morëm bagazhet dhe u nisëm. Morëm një taksi. Shoferi dy herë na pyeti: “A jeni mirë? A keni nevojë për ndonjë ndalesë?”
Ne i thoshim vetëm të ecte. Pastaj foli gjyshja: “Po turshinë, turshinë a e morët?” Dhe prapë ajo në të sajën, “turshinë, tek ajo qesja plastike…”. Atëherë e kuptuam se përse taksisti ngulte këmbë të ndalonim diku për nevoja personale…

No comments: