Tuesday, 22 July 2008

DRITËZA SHQIPËRIE




esè


nga Kolec TRABOINI



Në forumin e intelektualëve shqiptarë në mergim, “Fjala e lirë” e Fatmir Terziut i cili e dritëzon kulturën shqiptare nga Londra, gazetar e kineast i denjë nga Elbasani i Kristoforidhit, kam vënë re se nuk janë të pakta gratë shqiptare në emigracion që marrin pjesë në bashkëbisedime, rrahin probleme e merren edhe me krijimtari.

Ka nga ato që kanë një jetë që merren me art, siç është poetja Iliriana Sulkuqi, në Nju Jork, e cila është bërë shpirti i shoqeve të veta më të reja krijuese, nxitje e frymëzin për to, tek ndjekin udhën e saj poetike e pse jo dhe atë të gazetarisë. Iliriana që e shtrin jetën e vet sa në Shqipëri dhe Amerikë, në mes të poezisë dhe gazetarisë, bashkë me Nase Janin, shkrimtar e botues nga Lunxheria me qëndrim në Athinë, nxjerrin revistën letrare tremujore të shkrimtarëve shqiptarë jashtë atdheut “Pelegrin”.




GRIGJA POETIKE E ILIRIANA SULKUQIT



Edhe tek "Pelegrin"-i Iliriana si kryeredaktore ka mbledhur grigjen e vet poetike mbarëkombëtare nëpërmjet njohjeve të vjetra e lidhjeve të reja. E ku nuk ka zënë shoqëri e miqësi Iliriana, poetja me trup te vogël e shpirt të madh, që nga Shqipëria në Kosovë, Maqedoni, Zvicër e Itali. Po ta pyesësh për bashkpunëtoret gra të revistës, nuk harron asnjë emër, sepse më të shumtat i ka njohur e takuar personalisht. I përmend me dashuri miket e veta krijuese nga tërë hapsira europiane si dhe në Amerikë; Puntorie Ziba në Shkup, Radije Hoxha në Prishtinë, Valbona Zurçe në Tetovë, Miradije Maliqi në Zyrih, Fatime Kulli, Valdete Antoni e Ana Petrela në Tiranë, Englantina Kume në Athinë, Ardita Jatru në Selanik, Albana Temali në Bolonjë. Për këto të Amerikës e ka më lehtë sepse i takon më shpesh, si Merita Bajraktari-McCormack, miken e viteve të rinisë, poeten Julia Gjika- Naçi, Aida Dismondy, Aida Bode, Rajmonda Moisiu, Mimoza Dajçi, Elinda Marku e tjerë.

Dhe janë jo pak gratë mergimtare, që anipse pa bujë, ashtu si kalliri kokulur me bukë shumë, e shfaqin praninë e tyre me fjalën e mençur e qëndrimin realist për shumë çeshtje të koklavitura të këtij tranzicionit tonë, që ka nisur e kurrë nuk po mbaron. Por ata e thonë fjalën e tyre jo vetëm si problematikë bashkohore, por edhe në sensin artistik si krijuese.

Ndër këto gra me prirje krijuese, disa të pakta kanë privilegjin të jenë afishuar disi lodhshëm në media elektronike dhe në shtyp, madje ca ithtarë këtyre të pakave që janë në qëndër të vëmëndjes, u venë epitete diellore, i barabitin me shenjtore, madje duke guxuar t'i afrohen për kah madhështia edhe Nënë Terezës,( andej nga Europa ku shoqatat mergimtare janë si miza lisi është fort e theksuar kjo megallomani) kur, siç po lexojmë në shtyp, nga anketat ndërkombetare del se Nënë Tereza është figura më e respektuar e personaliteti me ndikimin më të madh në botë. Ndodh edhe kështu, atë që njerëzimit i duhen për ta krijuar një shekull, ca manipulator përpiqen ta sajojnë në ndoca ditë.

Rezulton të jenë lauruar prej shoqatave të shumëllojta shqiptare edhe të ashtquajturat "Gra të vitit 2008", dy të tilla kanë shpallur vetëm në qytetin e Nju Jorkut, kur vetë ky qytet amerikan dhjetra milionësh nuk ka shpallur asnjë grua viti. Ndër ne shqiptarët ndonjë herë, e jo vetëm ndonjëherë, ndodhin çudira...Ndërkaq, e kjo është për tu theksuar, mbi disa gra e vajza të tjera veprimtare, që janë të shumta e punojnë pa bujë, si tis mjegulle është tendosur mbi ta heshtja e harrimi, duke bërë të qëndrojnë bukur larg medias së shkruar dhe vemëndjes publike.

AIDA DISMONDY

me pasion për fjalën dhe ngjyrat

Tek shohim të njëjtat fytyra të stërpublikuara deri në zvenitje e stërlodhje, tek përballemi me faktin disi paradoksal, ngre Meleleqe e vur Meleqe, rri e mendoj dhe me ngacmon ideja se ka ardhur koha të shkruhen dy fjalë sado të kursyera edhe për Aidat. E përdor shumës sepse në mënyrë të figurshme janë më shumë se një, por fillin e esès le ta nisim me Aida Dismondin në Çikago... Përdora shprehjen fjalë të kursyera jo se Aida meriton pak, por se është nga ato shfaqje shkelqimtare që nuk durojnë dot as dhe një fletëz fundvere e fillim vjeshte përsipër. Ta zëmë, pikës së vesës, kësaj mrekullie të bukurisë mengjezore, kësaj dritëze të vogël, pikëz uji e burim jete, nuk mund t’i vesh përsipër kurrgjë mbi faqe të dheut, as një grimcë pluhuri, sepse rrëzohet e bie. E shuan shkelqimin si diellzë, por vazhdon trajten si jetë, si vlagë për dheun dhe bimët...

Janë ca shkelqime që nuk durojnë fjalë...ndaj jam druajtur të shprehem për Aida Dismondin, vajzën shqiptare nga Elbasani, bijë e një fisi me tradita, Hoxholli, që krijoj familjen e saj në Çikago të Amerikës, ku jeton me bashëkshortin amerikan dhe dy fëmijë si dritë, se molla bie nën mollë, e ku tjetër…

Nga leximet e shkrimeve të saj kam mbresat më të mira për Aiden, madje e kam quajtur, në bisedat vetmevete nga ato që bën njeriu kur ka një dell krijuesi, Aida impresionante. Ndoshta ky është shkaku që nuk më ka befasuar analiza e saj ”Falja qiellore dhe roli i gruas në tregimin e Roland Gjozës “Motrat Karmelitane”, ku ajo shpreh në mënyrë të sintetizuar jo vetëm vlerat e një tregimi apo vazhdimsinë krijuese të autorit Gjoza, por edhe pasurinë e saj të dijeve në fushë të letërsisë dhe intuitën e vet artistike. Kritika do shumë kulturë e shumë lexime. Aida dha prova se e ka përballuar këtë kerkesë. E përsëris, nuk jam befasuar sepse këtu e një vit më parë kam kaluar nga blogu i saj personal në internet dhe kam lexuar përsiatjet e saj për artin dhe jetën, si dhe kam soditur me endje peisazhet e pikturuara prej saj, një tjetër pasion i "fshehtë" i Aidës, çfarë kombinuar me krijimtarinë personale letrare dhe mendimin e saj mbi letërsinë, të krijojnë bindjen se ajo po e shfaq mjaft mirë vetveten.

Aida, kështu ngadalë ( çfarë mund edhe të merret si drojë), po e ravijëzon autoportretin, po e pjek mendimin e vet, por edhe të tjerëve mbi atë, po e bën atë më solide, jo vetëm tek “Fjala e lirë”, çfarë u vu në dukje edhe nga shkrimtari Faruk Myrtaj, por edhe në një mjedis të bukur, të organizuar nga gratë shqiptare mergimtare, në forumin me emrin e të mrekullueshmes, zërit të pavdekshëm Tefta Tashko Koço. Kësaj perlë të këngës shqipe, por edhe bukurisë fizike, nën shkelqimin e frymëzimin e të cilës shumë gra krijuese në mergim, larg atdheut, po e rrezatojnë shkelqimin e vet të brëndshëm.

MERITA BAJRAKTARI-McCORMACK

lajtmotivi: e bukura, njerëzorja, miqësia dhe paqja

Aida është një prej zonjave shqiptare por jo e vetme, ka edhe të tjera si ajo, me pasione për letërsinë e artet, për të bukurën, njerëzoren, për miqësinë e paqen, që mbajnë gjallë dashurinë për memëdheun, ja ushqejnë femijëve, por edhe mjedisit ku jetojnë.

Një nga këto është dhe Merita Bajraktari, poete nga Cangonji i Korçës, martuar me John McCormack, Xhonin me origjinë nga Irlanda, por që ka jetuar në Afrikën e Jugut dhe është krenar si dhëndërr Shqipërie.

Ata kanë tre fëmijë. Sabrinën, më të madhen e fëmijëve pata rastin ta njoh kur erdhi në mesin e qershorit në një seminar disaditor në Boston me fëmije të zgjedhur nga më cilësorët e Amerikës e qe i përgatitin si udhëheqës të së ardhmes së vendit.


Sabrina është një vajzë e zgjuar,
më një fytyrë ëngjëllore. Edhe Xhonin e kam takuar në një festival folklorik shqiptar në Nju Jork. Pas festivalit, bashkë me Meriten u ul në një tavolinë me grupin tonë të Bostonit, që kishim shoqëruar grupin e valleve. Ishte aty edhe editori i revistës "Jeta katolike" Mark Shkreli, veprimtarja e shquar shqiptaroamerikane për çeshtjen e Çamërisë Vera Gjata, koreografi Bashkim Braha e të tjerë. Xhoni është dashamirës i pakushtëzuar i atdheut tonë. Ka qëndruar me punë mjaft kohë në Shqipëri dhe kur merr në telefon nga Nju Yorku a Vashingtoni, nuk harron të na përshëndesë familjarisht në gjuhën shqipe.
E kush shqiptar në Amerikë, a kudo xhanëm, nuk do të
ndjente emocione nga një përshendetje e tillë e një amerikani në gjuhën shqipe?




RAJMONDA MOISIU

mësuese anglishtje e derdhur e tëra shqipërishte


E kush s'e njeh tashmë Monden. Brenda një kohe të shkurter, duke bashkëpunuar me gazetat e Tiranës dhe atë e"Illyria" në Nju Jork, u bë emri ndër më të njohurit në shtypin e përditshëm. Veçmas për intervistat me të cilat po punon për ti botuar në një përmbledhje krahas botimeve të tjera me krijime letrare.

Me shpirt altruist, fort e komunikueshme, bashkë me shoqet e veta krijoj forumin "Tefta Tashko Koço", të cilin tashmë e drejton me shumë sukses duke e bërë një nga forumet shqiptare më interesante ne internet.

Rajmonda Moisiu është nga Korca, jeton në Konektiket e me plot gojë mund ta quajmë mund ta quajmë shqiptare 24 karatëshe. I afroi gratë shqiptare si kosherja që mbledh bletët për të krijuar hoje mjalti atdhedashurie. Për ata që njihen më shumë do të perdorim kriterin të shkruajmë më pak. Kështu dhe për Monden. Në mënyre lakonike për Rajmonda Moisiun mund të themi: Mësuese anglishtje, por e tëra e derdhur shqipërishte.

Ndoshta kjo fjalë mjafton për të zbërthyer figuren e saj si korçare atdhedashëse e artdashëse...ashtu siç gjithmonë kanë qënë korçaret tona, qoftë në atdhe apo mergim..



AIDA BODE
me "David and Bath Sheba" dhe mollët e Korçës.


E s’duhet kurrsesi të harrojmë se Aida ka edhe një shoqe tjetër si veten këtu në komunitetin shqiptar, madje me të njëjtin emër, një Aidë tjetër plot shkelqim dhe ajo, që ka botuar edhe librin "David and Bath Sheba" në anglisht. Ky libër gjëndet në shitje në internet, mjafton ta kërkosh me emrin e saj në Google, Aida Bode.

Këtë Aidën tjetër mund ta krahasoja me një manushaqe bukuroshe, siç shkruante metaforikisht i madhi Naim.

Kjo, sepse Aida tjetër me mbiemrin Bode është punëshumë e fjalëpak. E pasionuar pas letërsisë. Zotëruese e shkelqyer e anglishtës. Shume aktive në veprimtaritë e komunitetit. Të gjitha fjalët e mira mund t'i thuash për Aiden. Ajo mishëron virtutet më të mira të qytetit të vet, apo s'thonë, o korçare, o hiç fare, si Monda dhe ajo.

Eh, Korca, me shkallaret e gurta, me kangjellat prej hekurit, me oborret e vogla plot trëndafila për të cilat nënat korçare tregojnë kujdes si të ishin frymë të gjalla. Kanë frymë dhe trëndafilat, meditojnë nënat e mira korçare. Pyesni Kozeta Qirjo- Zavalanin çfarë thotë për këtë ngjizje të njeriut me natyrën në këtë qytet "Paris i vogël". Madje , dikur në rininë time, në një verë që banova tek shkolla pedagogjike përballë Shën Dëllisë, kam soditur sa e sa ditë një cift lejlekësh që kishin ngritur folenë, kishin bërë vezët e kishin çelur zogjtë sipër shtëpisë së familjes Polena, një shtëpi aristokratike korçare.

Vend i paqëm si në parajse perëndie Korça. Si mollët e kopshteve i ka edhe njerëzit, plot shëndet e aromë jete. A nuk ju thotë portreti i Aida Bodes diçka rreth kësaj?...


MIMOZA DAJÇI

humanizmi njerëzor dhe respekti për viktimat e diktaturës


Mimoza Dajçi është një tjetër zonjë krijuese e forumit “Tefta Tashko Koço”, që ka bërë emër të mirë në komunitetin shqiptar në Amerikë me shkrimet e saj në faqet e gazetës “Illyria” në Nju Jork.

Rrëfimet e Mimozës për komunizmin çnjerëzor në Shqipëri janë të verteta drithëruese, por edhe parësore sa kohë që ende në Shqipëri nuk ka një ndarje përfundimtare me të keqen e dënim të plotë të krimeve të diktatures. Sa kohë që nuk është bërë pastrimi i institucioneve prej agjentëve të sigurimit makabër shqiptar, të cilët kanë gjetur strehë deri në parlamentin ku, presupozohet të shkojë ndërgjegja e ajka e kombit e jo kriminelët me duar të përgjakura, spiunët, dora e fshehtë vrasëse që ka arritur të mbijetojë në saj të papërgjegjesisë së politikës. Mimoza Dajçi, si përfaqësuese e asaj shtrese të popullsisë së persekutuar më egër nga diktatura, që s'donte të dinte se i përkiste një familje patriotësh me lidhje në trungun e fisit të Isa Buletinit, është koseguente deri në fund në luftën e saj, që në thelb është shprehje e humanizmit njerëzor dhe respektit për viktimat e diktaturës. Historia tragjike nuk përsëritet nëse njerëzit do të jenë të ndërgjegjëshëm për plagët, mundimet e vuajtjet e veta. Harrimi kurrë nuk është kurrë solucion çudibërës. Jo alibia por përkundrazi katarsasi është mjeti më i mirë për të shëruar plagët e një shoqërie që dëshëron paqe e prosperitet. Në thelb misioni i Mimoza Dajçit është humanizmi, dashuria për njeriun, shpëtimin njëherë e përgjithmonë i shoqërisë shqiptare prej traumave që sjell mungesa e lirisë dhe keqpërdorimi i pushtetit.


DIANA GËLLÇI

nga "E hënë në Detroit" tek Kanuni i Lek Dukagjinit

Detroiti ka privilegjin të ketë edhe dy zonja shqiptare fort të çmuara, por për to as shkruajnë e as flasin. Të dyja krijuese me një individualitet të spikatur.

Njëra nga ato është Diana Gëllçi, kolonjare. Për ndonjë emri i saj nuk thotë asgjë, a më së paku, ja bashkangjisin emrit të bashkshortit të saj gazetar e shkrimtar humorist, Thomait, por në të vertetë duhej të ngjiste e kundërta. Kjo sepse Diana Gëllçi është një prozatore për t'ia patur zili çdo shkrimtar i afirmuar. Botimi i librit të saj “ E hënë në Detroit” 19 tregime në 250 faqe, me emocionant njëri se tjetri, duhej të ishte një e papritur e këndëshme për prozen shqipe në Amerikë. Mirëpo jo, edhe pse libri është botuar në vitin 2003, fare pak është njohur, fare pak është folur e shkruar dhe mjerisht kurrkush nuk ka shprehur asnjë konsideratë a të ketë shkruar ndonjë rrjesht për të në Komunitetin Shqiptar në Amerikë, ku fryhen si tollumbace shumë krijues që as kanë qënë e as do të jenë kurrë të tillë. Thjeshte zhgarrashkrues.

Në një bisedë në Tiranë me shkrimtarin e mirënjohur Koço Kosta me tha “Tregimet e Diana Gellçit më kanë befasuar. Janë të jashtëzakonëshme, ajo është talent i madh dhe ështe krim nesë ajo e ndërpret krijimtarinë...”. Pastaj shtoi, “ në do të merresh me letërsi mos rri me shkrimtarë se më së shumti jemi ziliqare me njëri-tjetrin. Rri me njerëz të thjeshtë. E në rastin e kësaj Dianës prozatore, do të këshilloja të kundërtën, është i vetmi person me të cilin ja vlen të rrish... Është tregimtare e jashtëzakonëshme, talent i rallë...”.

Rri e pyes veten, mirë Koço Kosta me emer të madh si shkrimtar e di dhe e vlerëson, po a e di ndonjëri prej atyre që fryhen si elitë shqiptare këtu në Amerikë se prej mjaft vitesh jeton në këtë vend një shkrimtare me potence si Diana Gëllçi, krijimtaria e së cilës pasqyron pikërisht jetën e këtij komuniteti më mirë se çdo kush tjetër. Jo nuk dinë. Nuk e dine sepse allasoj, dinë që aksh autor që shkruan si këmbët e pulës e bishti i dhisë, ka sajuar një roman, e kësaj levere letrare i është kushtuar supervemëndje në median e shkruar dhe veçmas nga një shoqatë pseudoshkrimtarësh. Është e natyrshme që aty ku janë të gjithë qorra, atë që ka vetëm një sy e shpallin mbret. Por edhe nëse e dinë, me qëllim e heshtin, më shumë nga zilia, por mbase edhe me pretekstin mediokërr e jashtletrar se ... e ka patur shokun e jetës ca kohë në shtypin e majtë. Se... siç ishim kthyer perdhunshem në shkurtanë të kuq në shtratin e Prokustit monist, tani u dashka të kthehemi pa tjetër e me çdo kusht në liliputë blu, paçka se në të dy kahjet gjënden të prerët e një kallëpi... Ja sa marrë që janë. Sa të pa kulturë. Sa teveqel e injorantë. Kërkojnë të transplantojnë luftën e klasave ala Hoxhë, në sens të kundert, në shoqërinë e hapur dhe të emancipuar amerikane prej të cilës merr shëmbull gjithë bota. Por jo, nuk ua kanë ngenë këtyre shëmbëllesave korrozijtë tanë rozë a blu, që nuk rrojnë dot pa një hendek të madh në mes vedit...

Diana punon pa rënë viktimë as e euforive e bla-blave që bëjnë ca pseudoshkrimtarë për njeritjetrin, por as dhe e frymës denigruese ndaj saj. Madje nuk i honeps të tillë ekzemplarë fanatikësh manjakopartiakë as si prototipa në tregimet e veta. Përndryshe personazhet e saj janë njerëz që e jetojnë kohën, të ravijëzuar me mjeshtri e të gjëndur në qerthullin tonë me një mënyrë jetese të dyzuar. Karaktere shqiptare të vizatuar në mjedisin amerikan, në mes të lëvizjeve marramëndese të jetës në këtë shtetkontinent të çuditshëm. Të përshkruash këtë jetë duhet të jesh vëzhgues i hollë, sepse këtu çdo gjë vdes e ringjallet në dimensionet e një dite, nuk ka kohë për romantizëm bosh as për përshkrime të lodhëshme situatash e karakteresh. Në tregimet e kësaj prozatorje ndjehen intensiteti i veprimit, dramaciteti e nervi përshkrues, dialogu i shkathët e lakonik si dhe fryma poetike. Tregime si "Irena e Zjarrtë" janë imazhe të një pasioni të përflakur. Prirja e Dianës nuk është vetëm proza. Kam patur rastin të lexoj një cikël të saj poetik dhe jam ndodhur para një poetje të formuar. Ajo thoshte se kishte një vëllim poetik të përgatitur por... nuk ngutej. Kane kaluar dy a tre vite dhe nuk ve re që ajo të ketë botuar jo vëllimin, por as dhe ndonjë cikël nga krijimtaria e vet poetike.

Por ndoshta Diana ka patur aq shumë ngarkesa që nuk të lënë t'i kushtosh shumë kohë pasionit e talentit. Ajo ka ardhur në Amerikë me diplomën e Universitetit të Tiranës dhe pas studimeve plotësuese si dhe fitimit te gradës shkencore e ka konsoliduar veten si pedagoge në një universitet në Detroit. Ka dy fëmije me ecuri të admirueshme Kristin dhe Klaren, që patjetër do të ndjekin rrugën e prindërve. E të gjitha këto duan kohë e përkushtim. E ndoshta për këtë ka munguar me libra të rinj Diana. Ajo ka shkruar edhe një studim të gjatë, libër i plotë në anglisht, për Kanunin e Lek Dukagjinit. A dimë gjë ne për këtë? A ka shkruar ndokush për këtë? A jeton ndonjë shkrimtare Diana Gëllçi në Amerikë?! Këto pyetje nuk i drejtohen askujt, janë retorike, i kanë pergjigjet brënda si një rebus shqiptaro-amerikan i media tam-tameve.

ELINDA MARKU

në mes të loteve të jeshiltë e Maces blu


Gruaja tjeter poete sfidante e Detroitit, që edhe për atë fare pak dinë, është Elinda Marku, autore e disa librave me poezi. Ani pse e veçuar, e angazhuar me revisten “Kuvendi” në Miçigan, është prej atyre grave krijuese që e thonë fjalen e vet edhe si opinion por edhe si krijmtari. Ndaj është për të ardhur keq se nuk gjen jehonë përtej “Kuvendit” të botuesit Pjetër Jaku. Madje shumëkush në komunitet prej fjalës së saj të guximëshme druhet. Kur s’u pelqejnë të vertetat e thukta të Elinda Markut e etiketojnë, siç bëjnë ca ish punjonjës sigurimi që kanë bërë fole edhe në Amerikë, madje në paradoks, kanë edhe ndonjë media televizive të komunitetit shqiptar të Detroitit në dorë, në saj të parave të nëndorës. Pa çarë kryet për çfarë thonë e flasin ata që ja kanë zili talentin e guximin, e quajnë kokë në vete e kryeneçe, Elinda Marku në poezi vazhdon të thotë fjalën e vet krejt natyrshëm, sa thjeshtë aq magjishëm, e drejtpërdrejtë, me pasuri figurash letrare, emocionuese dhe e pangjashme me poete të tjerë. Madje e thotë fjalen e vet poetike shumë më mirë e shumë më bukur se sa ata që kreshpërojnë në majë të kalit farfuritës të lavdisë vetjake për të cilën punojnë goxha shumë...Sa lodhën të shkretët... Le të perifrazojmë disa vargje të Elindës:


“Eshtë trashur kalorësi/dhe kali trishtohet nën shalë/ e midis shalëve të tij…”


Ata pra, që si kalorës të roitur e delirant, si shoqatamaniakë të sëmurë të komunitetit, rrahin gjoksin e bëshëm burrëror se gjoja ata janë e jo tjetër, se ata janë shkrimtarë me emër në botë !!! dhe marrëzitë shkojnë deri atje sa edhe botojnë libra biografike për njeritjetrin. Bëhen biografi ende pa patur vepra. Asnjë gjeni i letërsisë nuk e ka patur këtë privilegj. Diçka di Robert Elsie që thotë se “shqiptaroamerikanët kanë para e botojnë libra.” A thënë ndryshe sharrojnë të shkretat pyje...

Elinda Marku, poetja me fëmijëri me "lotë të jeshiltë" në Rubik, që nëna kur e lindi i vuri emrin Elinda e vetë me pas ndrroi jetë, Elinda me universitet të mbaruar në Shkodër dhe universitetin e jetës në Detroit, "Macja - poetike- blu" siç metaforon në titullin e një libri të saj me poezi, nuk mund të jetë e qetë e indiferente, ndaj nuk pranë t'i stigmatizojë prapsitë e kësaj bote njerëzore me poezi por edhe me polemiken e shkruar e fort të mprehtë, por a dëgjojne ata që duhet të dëgjojnë?! Jo besa. Se lavdia dhe shurdhëria janë vellezer siamezë.

Punët jane katandisur aq gazmëndshëm në komunitetit shqiptaroamerikan të krijimtarisë, letërsisë e arteve, manisë së pafundësisë së shoqatave, mendësisë për t'i parë këto shoqata si parcela personale, rrahjes së gjoksit nëpër tubime a në ca dreka e darka me aheng "atdhetar"; sa do të duhej një Molier, të vëzhgojë e të shkruaj komedi, që pastaj me "prijetarët" tanë të gajaset bota.

Atëherë vertetë do të kenë bërë emër në botë fodullët tanë rapsodë me disingtiv....


Epilog i ngjizur me magji Shqipërie

Ndryshe prej frymës delirante e groteske, ushqyer përdhuni nëpër shoqata me kukulla lecke në teatrin e marionetave shqiptaroamerikane, gratë shqiptare, këto bletëza punëtore e të pa fjala, si Aida, Merita, Iliriana, Aida tjetër, Monda, Julia, Mimoza, Diana, Elinda, që dalin ne pah në këtë shkrim, por dhe zonja të tjera krijuese të njohura në komunitetin shqiptaroamerikan si Rozi Theohari, Albana Lifchin, Donika Timko, Julika Prifti, Jonida Beqo, Mariana Eski, Sidorela Risto, punojnë përditë pak e nga pak, pa asnjë pikë frymë deliri për vetveten. Janë njerëzore, janë tokësore, janë bija të dënja të Shqipërisë.
Secila ka të veçantën e vet, por edhe atë magji Shqipërie që i bashkon. Nuk u ndahet shpirti nga brigjet e Adriatikut, jetojnë në Amerikë e kanë jetën e vet të dytë në Mëmëdhe.
Paçim fatim ta shohim përherë në sy dritëzen e tyre, anipse kur shihet dielli gjithnjë je më pranë rrezikut të verbimit… metaforik.
Gjithësesi, këto pikëza vese që për nga bukuria e shpirtit rrezatojnë dritën e diellit të Tefta Tashko Koços, kurrë mos u shofshin! Janë dritëza Shqipërie!


KT. 22 korrik 2008


No comments: