Faruk Myrtaj
-tregim-
S’di pse i gëzohem copyright-it për thënien “gjithë qeveritë dhe gratë nisen për të mirë”. Mbase ngaqë ato kanë edhe ngjashmërinë tjetër: janë njëlloj.
Para nja shtatë vjetësh po këtë grua kam pasur. Qeveria ishte tjetër, por është ndërruar nja katër herë ndërkohë. Kishim vetëm një fëmijë, tërë jetën do gëzonte privilegjin e të qenit “i parë”, mund të mbetej edhe “i vetëm”, por gruaja solli në shtëpi Fletoren Zyrtare dhe më ftoi të lexoja diçka në të.
“Kam qejf ta dëgjoj me zërin tënd, e dashur!”
“S’ka nevojë ta lexosh fare!”, pëshpriti ajo.
Isha mësuar me ndërrimendjet e saj. “Qeveria premton kushte të veçanta për nënat me shumë fëmijë”, deklamoi. Shuajti llampadarin që i kisha dhuruar për 8 Marsin dhe ndezi ca llampushka bubureza, që ftonin për dashuri. Pak më vonë, teksa kthjelloheshim, vuri dorën e zemrës në barkun e saj. Sapo e filluam vajzën, tha. Do ta kemi të vetme, si djalin, thashë unë, si kënaqësi për lajmin. S’mund t’i mbajmë të dy të vetëm, tha bashkëshortja, duke u kthyer sërish në pozicionin të cilit nuk i rezistoja dot. Asnjë rëndësi nuk kishte nëse binjaku do të ishte gocë apo djalë, madje s’ishte e thënë të konsultonim probabilitetin shkencor apo vullnetin hyjnor. Mjaft që gruaja të ndjehej në një gjatësi vale me qeverinë e radhës.
Pas katër a pesë vjetësh, zyrtarisht i kishim katër fëmijë. Kisha pranuar që s’mund të ndodhte ndryshe, pra nuk ishte e nevojshme ndonjë aftësi e rrallë parashikuese për ç’ka do të ndodhte një ditë: erdhi në shtëpi e mbytur në lotë. Një grua që qan kaq bukur, s’mund të mos e dashurosh tërë jetën. Isha fatlumë. Ia mora çantën nga dora, i rashë në gjunjë për t’i hequr këpucët sic meritonte një zonjë që arrin të mbetet zonjushë, që pastaj të vazhdoja me heqjen trikos së lehtë. Dhe më tej akoma...
“Mos, të lutem. Të kam marrë më qafë, më duket...Ty dhe fëmijët...”
Po shpërbëhej në lotë, në duart e mia. Kërkoi çantën dhe unë ia ofrova. Më në fund po pranon të përdorim kontraceptivët, shpresova unë. Sa herë i pata thënë. Nxori letër-tharëse-lotësh. Pastaj surprisën e përhershme: Fletoren Zyrtare.
E dinte se besoja që gratë e qeveritë gjithnjë nisen për të mirë, ndaj s’po kuptoja pse duhet ta lexoja sërish rrethanën zyrtare lehtësuese për nënat me shumë fëmijë.
Është numri i ri, sqaroi ajo. Vetëm paraqitjen kanë të njëjtë.
Ngaqë imeshoqe është qenie entuziaste, për të siguruar ekuilibrin në çift më është dashur të bëj pesimistin. Në këtë rast, s’kisha pse shprehja dëshirë ta dëgjoja lajmin me zërin e saj. Hapa Fletoren në faqen e lotuar dhe të palosur: ishin pezulluar thuajse tërë benefitet e kompensimet për fëmijët me shumicë. Por qeveria, si gjithnjë gjinitë femërore, premtonte diçka tjetër. Ofronte falas literaturë për planifikimin familiar...
E dija se lotët më në fund do sillnin gjendje të mirë humori, ashtu sic isha i sigurt se mëria e gruas ndaj qeverisë nuk do të zgjaste shumë. Duke qenë realisht bashkëfajtor me time shoqe për numrin e fëmijëve, më duhej të bëja të zellshmin edhe si bashkëvuajtës. Atë vjeshtë nuk shpresoj ta përsëritim dot më. Shëtitëm çdo ditë, në natyrë, pranë ujit, nën diell, deri vonë në mbrëmje. Por në tetor filluan shirat. Na duhej të rrinim tërë kohën mbyllur, në shtëpi. Ishim gjashtë frymë tashmë. Fëmijët provojnë të zbaviten në çdo hapësirë që rastisin, të sigurt se klithmat e tyre nuk i konsiderojmë zhurmë. Prindërit nuk e kanë privilegjin e qeverive që, kur ndjehen ngushtë, japin dorëheqjen. Një llogaritje e thjesht për ajrin e nevojshëm, ekzistencial, na kujtonte t’i linim dritaret hapur. Edhe pse moti po ftohej.
Një ditë të tillë gruaja u kthye në shtëpi tërë shend. Në këto momente, ajo më ngjan me pulat që kakarijnë ngazëllueshëm pasi çlirohen prej vezëve. Më vetëtiu shpresa se qeveria e re kishte rikthyer benefitet për fëmijët.
Më sugjeroi të shkoja të interesohesha për një apartament tjetër.
Më dha edhe adresën e zyrës, me një entuziazëm që më bindi se ishte kthyer sërish në humorin e mëparshëm. E vetmja gjë që më kujtoi nevojën e pesimistit në çift, ishte se fliste për nëpunësin e zyrës atje si për një magjistar.
Për hir të harmonisë familiare, të nesërmen u gjenda në radhën e gjatë. Në paradhomë, në një tavolinë të ulët, shërbeheshin gazetat zyrtare. Secila kishte lajm për nëpunësin në fjalë, i cili pas pak më ftoi të hyja. Qytetari që dilte në ndërkohë, nuk e fshihte kënaqësinë e takimit të kryer. O Zot, thashë me vete, mbase më në fund populli s’ka gabuar në zgjedhjen e tij.
E porosita veten të fiksoja gjithçka të atyshme, dekoracionin e zyrës, ngjyrën e tavolinës, modelin e karrikeve, nuancën rozë në të jeshiltë të perdeve, dhe natyrisht sjelljen, gjestet, fjalët e nëpunësit. Që t’ja rrëfeja bashkëshortes sime të mrekullueshme, që më priste. Me padurim.
Ishte vërtetë magjistar, fillova t’i tregoja asaj. (A nuk të thashë, më përqafoi sërish ajo). Jemi ngushtë me strehim, i thashë, por ai më pyeti për shëndetin, për ty (ah, të pyeti edhe për mua, jo si ata veqot e mëparshëm, e shikon), për fëmijët, emër për emër, më pyeti për...(Po kaq jemi, unë, ti dhe fëmijët, ndërhyri gruaja). Më pyeti edhe për jashtë shtëpisë. (Ah, të pyeti edhe për mamin tim?!) I tregova. Kemi një kolibe të vogël në oborr, si të tjerët. Atje mbajmë katër pula, një dhi, një qen, dy dele...M’i nxori si me grep. E kishte gjuhën mjalt (S’më besove mua ti...) Edhe drutë që kemi atje, i tregova.
Futini brenda, më tha. Futini brenda drutë. Sot. Sot do të fusni drutë. Pas tri ditësh do të fusni edhe qenin.
Ku? E pyeta. Ku do t’i fusim drutë dhe qenin?
Në shtëpi, më tha, aty ku rrini vetë.
Më tha këtë dhe u ngritë më këmbë. Takimi kishte mbaruar. Nuk po e mblidhja dot veten.
Pas një jave të pres këtu, më tha nëpunësi. Rëndësi ka të fillojmë...Hajde, mirë ardhsh!
Gruaja kishte mbetur pa gojë. Në këto raste të krijon idenë se është duke vrarë mendjen. Por, në çastin tjetër, ia krisi së qeshurës. Pasi u sigurua që nuk bëja shaka (verifikoi që serioziteti i nëpunësit nuk ishte shaka e imja), bashkë me fëmijët, në një lojë të marrë po aq seriozisht, i futëm dhe stivosëm drutë brenda shtëpisë. Qeni u familiarizua shpejt me fëmijët. Ngushtë që ngushtë ishim, më tha gruaja, si për të më qetësuar, duke harruar se pas një jave duhej të shkoja sërish tek nëpunësi.
Mos e humb toruan, më tha ai, kur java kaloi. Zgjidhjet s’janë të lehta. Por duhet të besojmë në to. Futini edhe delet brenda. Kësaj radhe delet, më këshilloi ai. Dhe, pas një muaji eja përsëri, mirë?!
I vura përpara delet dhe trokita tek dera. Kalamaja ia dha hohoramave. Gruaja u duk ca e hallakatur në fillim, si delet, por e kuptoi se unë nuk isha veçse zbatuesi. I porosive të njeriut të zyrës. Hapëm një pëllëmbë vend midis druve, sa për këmbët e deleve. Qenit iu krijua shansi të rehatohej poshtë krevatit marinari të fëmijëve. Na bezdiste ndonjë lehje natën, blegërimat aty afër mëngjesit, gruaja e nxirrte ndonjë “uh, këto...”, por i sillja ndërmend se të gjithë llojet e gjallesave, në barkë me njeriun kanë qenë në fillimet e botës, dhe ajo humbiste në gjumë, si shqerrkë.
Kur shkova pas një muaji, nëpunësi s’më la të prisja. Ktheu në shtëpi. Futi pulat brenda. Aty mbi drutë, e gjejnë vetë vendin ato. Dhe pas dy muajsh...
Pas dy muajsh?, pyeta pa dashur. Thjesht përsërita fjalët e tij.
Mos të duken shumë, më rrahu krahët ai. Nuk është e lehtë të jap këshilla të vështira, por të siguroj se një ditë do të thuash sa mirë bëmë. Ik tani dhe, pas dy muajsh të pres këtu. Të fala shumë gruas.
Ia përcolla përshëndetjet gruas sime, edhe ato të pas dy muajve, kur mu desh të tërheq osh dhinë. Briarta, ngulte këmbë të mos e kapërcente pragun e njeriut. Në të vërtetë, ishim bërë ca si shumë brenda asaj kubature. Kjo e bënte të justifikueshme ca zallamahi nga ana e kafshëve. Delet dukeshin ëngjëj përballë brirëve të dhisë, kurse vogëlushët i imitonin aq mirë të lehurat e blegërimat dhe s’dalloheshin prej origjinalit.
Që të jemi të sinqertë, ndonjëherë kujtoheshim që ishim njerëz. Dhe që ishte bërë kohë e gjatë që qenia njerëzore s’jetonte më me kafshët. Ishte çmësuar.
Kafshët u mësuan të bashkëjetonin më shpejtë. Megjithatë, e kishin të pamundur të përdornin banjën tonë. Qeni dilte me fëmijët jashtë shtëpisë dhe mbaronte punë atje, por dhia e delet kakërdhinin aty brenda. Deodoranti dhe erëzat, që shtoi gruaja si emergjencë, nuk e eklipsuan kundërmimin e paraardhësve darvinianë. Por si t’i bënim me faj; vetë u kishim kërkuar bashkëjetesë...
Shko edhe një herë atje. Mbase ka ndonjë afat më të shpejt, më tha ajo.
Pas tri muajsh. Ai është burrë shteti, nuk luan me fjalën. Por edhe unë jam qytetar i përgjegjshëm. Duhet të bëjmë shyqyr që s’kishim lopë, se do të na ishte dashur ta futnim edhe atë brenda. E merr me mend të dalën jashtë të lopës në krahasim me kakardhitë?!
Përpiqeshim të merrnim me mend zgjidhjen që do të na ofronte nëpunësi i shtetit, por këshillat deri atë kohë nuk çonin askund. As gruaja, që gjithnjë shquhej për logjikën ëndërruese, nuk gjente udhë. Qeni shkonte dhe i lehte dhisë mu përpara brirëve, delet ia merrnin vrapit nëpër shtëpi si të kërkonin daljen nga vatha. Kur ndodhte që blegërimat dhe ciatjet dhe mjaullimat e kakarimat dhe të lehurat bëheshin bashkë, në pikun e natës, kriste e qara e vogëlushëve dhe mungonte vetëm përmbytja që të shihnim me sy barkën e Noes. Por tokë nuk dukej gjakund.
Gruaja, asnjëherë nuk i shante qeveritë. E kishte më të lehtë të më sulej mua me mallkime, t’u dhuronte ndonjë flakërimë fytyrës fëmijëve, që ankoheshin se kishin të krruara dhe që shokët e klasës u largoheshin duke zënë hundët. Duroni, duroni edhe pak, u thoshte. S’do mbetemi kështu gjithë jetën.
Një ditë përpara takimit me nëpunësin, fëmijët ishin grindur e përleshur me njeri-tjetrin, ishin shkarrëzyer përtokë dhe aty dihej se çfarë kishte...
Si ndiheni, më pyeti nëpunësi.
Jo aq keq, por...
Dua të di të vërtetën, jo zbukurime e lajle-lule...
Të vërtetën nuk ia them as gruas, që rron aty me mua, thashë unë.
E di, si s’e di, por...duroni deri nesër. E di unë çfarë duhet bërë atje...
U ktheva në shtëpi dhe ia citova bashkëshortes fjalët e zyrtarit në ligjëratë të drejtë. Nuk shtova gjë. As ajo pyeti. Nuk merrnim dot me mend ç’mund të ndodhte të nesërmen. Ishim të mpirë. Si ata të burgosurit afatëgjatë të galerave që kanë harruar se si jetohet, në vigjilje të lirimit. Na kishte zënë një gjumë i rëndë, i thellë, që kush e di si mund të lexohej në filxhanët e kafesë. Edhe kafshët e shpestë e kalamjtë nuk u bënë gjallë atë natë...
Na zgjuan trokitje me të fortë tek dera. Kori i gjallesave nisi të bënte zërin e tij. E trokitura u bë më e rreptë. Gruaja hapi derën.
Na kërkuan të linim shtëpinë. Në pak minuta. Siç është, na thanë, pa lëvizur asgjë. Ashtu bëmë. Na hipën në dy taksi. Unë e gruaja, në njerën. Të bindur, fëmijët, në tjetrën. Pa e fshehur keqardhjen që s’i morën dot me vete qenin. As delet. As dhinë. As pulat...
Në pak çastet e pragnisjes, një trumbë punëtorësh të komunales filluan të nxirrnin jashtë gjënë prej shtëpisë.
Harroji ç’lamë pas, më tha gruaja, duke pështetur kryet në supin tim.
Nuk kishim asnjë grimë energjie të pyesnim se ç’kishin ndërmend të bënin me shtëpinë, me kafshët me...Ndjeheshim të raskapitur, dielli na dukej si i sapo krijuar nga i Gjithëfuqishmi, natyrën sikur s’e kishim vënë re kurrë. Megjithatë, gruaja gjeti kohë e ngè të lëvdonte nëpunësin e zyrës, dhe unë vetëm tundja kryet. Nuk kisha asnjë provë për të kundërshtuar në prani të një shoferi të panjohur. Na zbritën në parkun e madh. Fëmijët na bënë shenjë se po i çonin në zoopark.
Pas katër orësh na kthyen sërish. Aty ku u nisëm. Si për të na kujtuar se çdo gjë vjen rrotull. Në oborr nuk kishte asgjë nga plackat tona. Urdhëroni brenda, na tha dikush. Mu duk zë i njohur. Ngrita kokën. Po, ishte nëpunësi i zyrës, i magjishmi. Shtëpia ishte e lyer, brenda e jashtë. Dyshemja vetëtinte, xixë, muret bardhëllonin. Xhamat e dritareve ishin larë, mobiljet dhe orenditë pastruar e ujdisur e në vendet e tyre.
O zot, qenke i vërtetë!, po thoshte gruaja duke iu gëzuar pastërtisë dhe hapësirës. E kishim pasur, pa ia ditur vlerën. A të kujtohet, i dashur...katër orë më parë. Në mes të plehrave dhe kafshëve...Ç’kemi hequr, o Zot! Nesër do shkojmë të lutemi për nëpunësin. Na bëri të lumtur.
Na bëri të lumtur, pa ndryshuar gjë, shtova unë.
*Toronto, Canada

No comments:
Post a Comment