Thursday, 24 July 2008

PIKETAKIMI ME IDENTITETIN SHQIPTAR

Në shkrimin e disa ditëve më parë përmenda kontributin e disa prej individëve të diasporës shqiptare, duke i quajtur ata "dhaskalë" të kulturës e të gjuhës shqipe, por që kanë si pikëtakimi-

IDENTITETIN SHQIPTAR

Po e vazhdoj më tej mendimin e filluar në shkrimin e mëparshëm për t'u ndalur në formën që ka marrë ky identitet në diasporë dhe në kontributin e veçantë të disa intelektualëve të diasporës për të mbajtur gjallë kulturën dhe gjuhën shqipe, pra, sipërmarrjen e tyre për t'u bërë "DHASKALË" të sajë....
Për vazhdimin e jetës së një kombi, identiteti nëpërmjet kulturës është më i qëndrueshmi edhe më i domosdoshmi. Në emigracion erozioni i harresës së gjuhës, i harresës dhe i humbjes së këngëve popullore, i harresës dhe i humbjes së përrallave dhe gjë-a-gjëzave, i harresës dhe i humbjes së historisë së fisit ( të emrit të gjyshit e gjyshes, të emrit të fshatit e të lagjes), gërryen, dhe çon deri në shkatërrim Indeditetin. Ka mes nesh emigrantëve,prindër që me “mendjelehtësinë” dhe “mendjemadhësinë” e qytetarit europian apo amerikan, u vjen turp që të përdorin gjuhën e tyre shqipe, mes njëri-tjetrit, në familje dhe në mjediset publike.. Ka të tillë që edhe me fëmijët flasin më tepër në gjuhë të huaj (ashtu shtrembër e copa-copa) se në gjuhën e tyre që e njohin nga qumështi i gjirit e nga librat e shkollës. Më e theksuar kjo dukuri verehet në Greqi, ku familjarët përballen dhe me fshehjen e identitetit shqiptar. Si rrjedhojë, humbja e gjuhës amëtare bëhet me nxitim ndër fëmijët që janë lindur dhe rriten në vende të huaja të cilët detyrimisht s'e flasin gjuhën e prindërve, madje ka raste që nuk duan t'ia dinë për Shqipërinë.
Duke u nisur nga kjo dukuri, mendoj se është e domosdoshme që familjet të jenë “dhaskalë-“t e parë të gjuhës shqipe, pastaj dhe “vatrat” e organizuara me emrin “shkollë”, ku mësohet shqipja, që është “flori e shkuar floririt”. Për të mbajtur gjallë kulturën dhe gjuhën shqipe, shumë shqiptarë janë organizuar vetë dhe kanë hapur klasa ose shkolla ku mësohet gjuha shqipe e sëbashku me të dhe kultura e historia.
Si shembëll të parë po filloj me mësimdhënien në Greqi, ku në qytete si Athina, Selanik, Hanja(Kretë), siç kemi lexuar nga shtypi dhe dhe ku shkruhet edhe në Revistën “Pelegrin” 11, me dhjetra nxënës, fëmijë shqiptarë, të lindur e të rritur në këtë shtet, mësojnë gjuhën shqipe dhe këndojnë këngët shqip, nën kujdesin e mësueseve Keti Bandilli nga Kuçova, mësuesit Llambro Karakokiri nga Narta e Vlorës, Adelina Gjoka,Mimoza Xengo, Ilia Sema, Reveka Peri, Enkelejda Dushka.
Nga Greqia po kaloj në ShBA, ku veprimtari të suksesshme bën Shoqata “ Bijtë e Shqipes”, e cila vemendjen e drejton tek”Drita e Syrit”–Fëmijët. Që nga 7 mars 2004, kur u hap shkolla e parë shqipe në Filadelfia te shtetit të Pensilvanias, fëmijët shqiptarë, të lindur në Shqipëri, apo në Amerikë, nga dita në ditë njihen me gjuhen shqipe në këtë shkollë. Kjo, falë “dhaskalëve” Llazar Vero, Vlash Fili e shumë e shumë intelektualëve, bizesmenëve dhe prindërve që janë bashkuar në emër të Identitetit shqiptar e mbushin “kosheren” shkollë te ”Bijtë e Shqipes”. Madje miqve drejtues të kësaj shkolle i është dhënë edhe një mendim nga stafi i revistës "Pelegrin" për t'i vënë emrin e të shquarit profesor Anastas Dodi. Por s'është vetëm shkolla për të cilën "Bijtë e Shqipes" kujdesen, ata kanë hapur edhe bibliotekën me libra shqip. Në këtë bibliotekë ka dhënë dhe jep kontribut mes të tjerëve edhe klubi “Drita” në mbështetje, vlerësim dhe admirim të punës së palodhur të "Bijve të Shqipes".

Ndërsa përmend kontributin e këtyre intelektualëve s'ka se si të mos përmend, ose më mirë të veçoj një emër të përveçëm që ndodhet mes shqiptarëve në Itali: Mimoza Hametaj.

Kjo grua nuk është e panjohur, jo vetëm për shqiptarët e Ankonës e të Italisë dhe të “Botës së Gruas Shqiptare”, por edhe për krijuesit e Klubit “Drita”, ku ajo ka hyrë me poezinë e vetë të pa ndarë nga piktura, si dhe nga shumë krijues e intelektualë shqiptarë të kudondodhur jashtë vendit.
Mimoza Hametaj, nuk është më vetëm Mimoza Hametaj, siç ishte deri më 1991. Në një kohë kur në Itali mungonte një qendër që të adresonte nevojat e emigrantëve shqiptarë, ishte Mimoza që, e vetme filloi punën për t'i sjellë publikut italian atë anë të shqiptarëve që ata nuk e njihnin dhe për t'u ardhur në ndihmë shqiptarëve emigrantë për çfarë ato nevojitnin të stabilizoheshin në shtetin italian.
Mimoza më 1998 krijoi shoqatën shqiptare në Marche (Ancona). Bashkëpunoi duke koordinuar veprimtarinë e kësaj shoqate edhe me shoqata të tjera simotra në të gjithë Italinë, duke organizuar manifestime solidariteti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ku denoncohej inkriminimi i klikës së Milosheviçit.
Mimoza Hametaj është themeluese dhe Presidente e Shoqatës "Qytetarë të Botës"; një veprimtare e denjë dhe e përkushtuar e Lidhjes Shqiptare në Botë (LSHB); një nga iniciatoret dhe organizatoret e projektit:"Nënë Tereza" TEMPULLI I PAQES.
Nga 1993 deri 1996 ka kontribuar dhe përkrahur në mënyrë vullnetare veprimtarinë humanitare në shoqërinë italiane "Opera pia Grimari Butari" në Osimo.
Më 1998 ndërmerr studime rreth ndërmjetësimit të kulturave në ndihmë të emigracionit dhe koordinimin e të gjitha shërbimeve sociale për emigracionin .
Projekti "Bazar Ludo Cafee”, që Mimoza organizoi në Shoqatën Qytetare të Botës më 2005, shënoi një tjetër realizim të suksesshëm të kësaj shoqate, e cila u vlerësua me konsideratë për arritje të larta nga autoritetet e komunës dhe zonës së Markes .
Në 1 qershor 2008, Festës Ndërkombëtare të fëmijëve, ka hapur ekspozitën e saj me piktura dhe kolazhe në qytetin e Ankonës....(për më shumë shihni: http://mimozahametaj.blogspot.com/
(Sa herë “shetis” në blogun e Mozës, aq më e vogël më bëhet vetja...)
Mimoza, tashmë ka një mbiemër të gjatë, të gjatë sa gjatësia e urës shpirtërore që lidhet midis dy qyteteve bregtare , që lagen nga i njejti Det (por me dy emra: Jon-Adriatik). Ne, miket e saj shpërndarë në të gjitha shtetet e Kontinenteve, por të bashkuara në forumin “Bota e Gruas Shqiptare”, Mimozën , tashmë jemi mësuar ta veçojmë nga Mimoza-t e tjera, duke i thirrur: Mimoza Vlora-Ankona. Portreti i “Dhaskalëve” të shqipes do të ishte i mangët po të mos shkruanim disa radhë nga veprimtaria e madhe e gazetave më me zë dhe më profesionale të shqiptarëve emigrantë: gazeta “Illyria” në SHBA, me dhaskalët publicistë: Vehbi Bajrami, Dalip Greca, Ruben Avxhiu , gazeta “Tribuna” që botohet në Athinë nga gazetari i mirënjohur dhe shkrimtari Robert Goro, gazeta "Rrënjët", e cila është iniciativë dhe kontribut i një personi -Hysen Aliaj e që shpërndahet në shumë shtete të Europës, por dhe në kontinentin amerikan, me financimin personal të Hysenit. Gazeta " Illyria" dhe "Tribuna" janë nderuar me “Çmimin e Mirënjohjes” nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita”, në vitet 2006-2007 “ për pasqyrimin e Krijimtarisë Letrare dhe propagandimin e Veprimtarive Atdhetare-Kulturore në shërbim të Komunitetit Shqiptar. Kjo s'do të thotë se gazeta Rrënjët ka më pak vlerë, përkundrazi. Këto gazeta, janë si të thuash, një shtëpi botuese, ku gazetarë, shkrimtarë e poetë, por edhe artistë të fushave të ndryshme-botohen dhe lexohen njëherësh nga mijra lexues....
...Dhe nuk ka se si të mos vijë mirënjohja e madhe e qytetarëve shqiptarë, që gjejnë të shkruar një pjesë të halleve të tyre, një pjesë të gëzimeve të tyre, mendimet e tyre për jetën në emigracion pa u ndarë nga kultura shqiptare, nga jeta dhe shqetësimet e përditshme të vendit të tyre.
Këto janë vetëm disa shembuj që ravijëzojnë konturet e shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë të organizuar mes vete, pa thirrjen e ndokujt, por thjesht nga dëshira dhe dashuria që kanë për gjuhën, kulturën dhe vendin e tyre, ndërkohë që zyrtarët shqiptarë as që e venë shumë në zjarr ujin se ç'bëhet me emigrantët, por kujtohen për ta vetëm në kohë zgjedhjesh e del me joshje nga më trulloseset, tamam si prostitutë, në semafor, që pret t’i “hapet drita jeshile” ...
Prandaj dhe e nisa këtë shkrim me një titull disi të çuditshëm: “Dhaskal-ët në “Kohën e prostitutave”. Kur shteti do të dijë sa shtetas ka nëpër botë, kur shteti do të dijë sa shqiptarë të mençur, sa krijues, sa veprimtarë-krijues, sa “Dhaskalë” ka të ikur nga Shqipëria, që mendojnë, që shkruajnë, që punojnë me shkronjat dhe fjalën shqipe në ruajtjen dhe ngritjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare, atëherë “koha”do të ketë ndonjë emër tjetër, emrin e qytetarisë europiane dhe botërore, ashtu siç e kanë dhe do ta kenë “Dhaskalët” e vërtetë të fjalës shqipe dhe të punës shqipe.



Iliriana Sulkuqi

23 korrik 2008

(Vijon...)

No comments: