Astrit Lulushi, SHBA
Njerëzit gjithmone kanë krijuar a ngritur monumente përfshi kryevepra e statujat madheshtore. Arsyeja e ngritjes së shumë prej tyre vazhdon të mbetet e panjohur dhe kjo ndoshta sepse të shpjegosh kotësinë, ështe njësoj si të pretendosh se ke kapur erën.
Thuhet se që nga koha kur Arka e Noes doli mbi ujë, u deshën të kalonin disa breza që njerëzit të ndjeheshin të aftë e përsëri të sigurt për të mare persipër ndërtimin e projekteve të mëdha. Sepse, gjithmonë sipas gojëdhënes, kishin kaluar 5 breza nga përmbytja e madhe kur ata thanë: “Le të ngrejmë një kullë maja e së cilës të preki qiellin, dhe me këtë të bëhemi të famshëm para se të vdesim”. Historianë, që prej kohëve më të lashta, thonë se Kullën e Babelit askush nuk e ka parë e jo më të dijë se sa e lartë ishte. Por nga që përmendet a mbahet mend, kjo tregon se disa besonin në ekzistencën e saj, njësoj si në rastin kur njerëzit kurrë nuk i kanë njohur a parë paraardhësit, por megjithatë flasin rreth tyre me aq siguri, njësoj sikur sapo të ishin ndarë. Por edhe si në rastin kur provojnë një system politik.
Teologjikisht, historia e Noas, merret si koha e fillimit të kohës moderne, ashtu si historikisht, 28 nëntori 1912 është zanafilla e shtetit të sotëm shqiptar. Për të mbritur shkallën e zhvillimit e te rimëkëmbjes sa për të marrë përsipër ngritjen e kryeveprave si ajo e Kullës së Babelit, njerëzimit u desh te kalonte rreth 225 vjet nga koha e Noas. Thuhet se i quajturi Phaleg, një nga arkitektët e Kullës së Babelit. ishte stërnipi i pestë i Noas.
Por vetëm më pak se një brez, 32 vjet nga 28 Nëntori 1912 mjaftuan kur më 1944 një grup shqiptarësh, të pushtuar nga vetlavdia, i hynë punës për të detyruar të tjerët të punonin për ngritjen e kullës së tyre; “Fanarin ndricues në brigjet e Adriatikut”. Fillimisht shumë besuan dhe punuan rëndë, njësoj si arkitektët e muratorët e Kullës së lashtësisë. Por kur panë se qielli ishte i pamundur të arrihej, mes tyre plasi grindja dhe shtyrjet, shpifjet, rrëzimet, vrasjet hapur a pas shpine të njeri tjetrit u benë të panumërta.
Nuk dihet përse është thënë se Kulla e Babelit simbolizon moskuptimin sepse sipas një etimologjie, “Ba” do të thotë “Baba” dhe Bel > Zot. Megjithatë, ashtu si askush nuk mund t’a kuptojë foshnjen që sapo fillon të belbëzojë, gjithashtu askush nuk mund të shpjegojë përse njerezit që deri atëherë flisnin një gjuhë, krejt papritur filluan të mos kuptonin njëri tjetrin.
Ashtu si idea e K. së Babelit, edhe Komunizmi, në kuptimin fillestar të fjalës është joshës; vlera materiale e pronat të përbashkta. Në kushte të tilla prona vetjake është e siguruar, e pakërcënuar, pasi të gjithë kanë. Tërheqës si një mit, por shumë bindës për të qënë i vërtetë, sepse tani që dihet, mund të thuhet se bota sot do të kishte qënë më e mirë sikur “komunizmi” të kishte mbetur vetëm një ide.
E shfaqur fillimisht si teori shoqerore, (1840) komunizmi mori kuptimin e një sistemi politik me botimin nga Marksi e Engelsi të Manifestit të Partisë komuniste gjermane më 1850. Kështu lindi projekti i Kullës moderne të Babelit. Pas 150 vjetësh mundimesh, krimesh, vrasjesh, manipulimesh, kulla u shemb e njerëzit të të zemëruar u shpërndanë e u përcanë dhe cdo njeri filloi të flasë një gjuhë krejt të pakuptueshme nga ajo e tjetrit. Mos eshtë kjo nje prej arsyeve që sot ata nuk kuptohen politikisht?. Kjo gjithashtu tregon se ata nuk kanë mësuar asgjë nga humbja, sepse shihet se cdo grup a parti premton të pamundurën vetëm për të kapur majat e pushtetit, dhe pas cdo dështimi, krijon fragmentizëm e përcarje brenda partisë së partisë prej partisë e kështu me radhë.
No comments:
Post a Comment