Fatmir Terziu
Pretenca njerëzore shpeshherë ka për gjykatës natyrën. Në këtë ligjësi poeti vibron mendimin e tij. Mendimi i poetit pastaj qartëson ose ndeshet me spiralen e vibrimit dhe me një gjuhë ndryshe, poetike ta quajmë, që padashje riskon tematikën. Shpesh ndodh që ky riskim spiralues sfidohet nga organika, apo metafizika e fjalës në varg, por shpesh, ndikohet deri në mërzitje, deri në lodhje koke. Benxhamin kur shkruajti për kohën e teknologjisë, risolli një ide edhe për poezinë e Audin tek “Night Mail”, duke parathënë se në poezi nuk mund të luhet si në teknologji, duke menduar se sjell diçka të re, diçka ndryshe. Në këtë rast sipas analistëve bashkëkohore, që përfaqësohen nga Elliot, ndryshimi i vetëm është rrokja e idesë, që siparizon një telajon të peneluar nga vizioni i poetit. Këtë telajon e ka siguruar deri në një hapësirë prekëse dhe tepër njerëzore edhe poeti dhe analisti, Ndue Ukaj, që me poezitë e tij më të reja “Thirrje”, “Hija e korbave” dhe “Dramë” ka përcjellë në mesin tonë një sigël domethënëse poetike, një sigël që normalisht mund të quhet, “Poezia e Ukajt”.
Në një nivel të tillë poetik, natyrshëm mund të shihet edhe ndikimi dhe ngjashmëria në hapësirën krijuese shqiptare. Një hapësirë që ndikohet hershëm si një shkollë moderne, përpos tre riskimeve kohore, gjithmonë pas viteve 1940-50-të dhe përpos risive që shkolla të ndryshme poetike ndikuan në këtë hapësirë poetike shqiptare. Ndikimi rus dhe analogjia me poezinë ballkanase, mund të shihet si shkas, por jo në tërësi të plotë ndikuese. Në këtë tërësi si shembull mund të merret Britania e Madhe. Poezia angleze në fakt ka dominuar, por poezia skoceze me shembullin e Robert Bernsit, natyrshëm mund të quhet një ndikuese e pastër në tërë ishullin me poetë me vlera botërore. Në rastin konkret tre poezitë e Ukajt ngjajnë si tre pika kristali në një hapësirë që synon largimin nga fusha ndikuese, ose nga magnetizimi urban i hapësirës poetike në trevat shqiptare. Unë e konsideroj prurjen e Ukajt dhe e vlerësoj atë natyrshëm.
Ndue Ukaj (poezi)
Thirrje
Muzë, mos fli hape sythin
Dhe më huazo zërin këngës
Përkulem para teje
Digjem e flakë s’jam
Muzë, në fillim ishte fjala
Dhe fjala ishte gjithçka
Tanimë s’mbet gjë tjetër
Përpos fjala e dashuria
Më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes
Dhe mbretërinë poezisë
Në qytetin tim më kufij dhe mure
Më dëfto mbretërinë tënde
Prej urate
Dhe më mëso të bëhem dishepull i fjalës
I muzikës së shpirtit të dëlirë
Që vallëzon kurrë pa ndal
Më dëfto shumë
Se historia është nyje në këmbë
E shkruar dhe e rishkruar
Nëpërmjet gishtave të dridhur
Për të prodhuar mite
Dhe një kodër rrenash
E pra Muzë, këndo me mua
Dhe dashurinë që vlon
Në metamorfozën e kohës
Më dëfto Zoti im se
Dielli lind për të mirët dhe të këqijtë
Gjuha e zjarrtë shndërrohen në hije
Dhe shikimi im në horizontin e pritjes
Tek rikthen mendjen në ditën e djeshme
Dhe kundron strukturën e kohës
Në pikën e së nesërmen
Hija e korbave
Në ishullin e pritjes vetmia e thartë
Dhe struktura e deformuar e seksit
Në lumin e kohës ecte zvarrë, Grua
Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij
Me hapa të Akilit masë kohën prapa
Dhe kilometrat deri matanë Itakës
Sythi yt kaltërosh përhumbet në lakuriqësinë
E natës së zezë ku tëhajsohet mendja
Në të qarën e seksit tënd rrjedhin pikat
E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë
Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave
Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur
Një korb vështroj shikimin tim prej të dashuruari
Ditën me mendime të hallakatura
Dhe miti reflektoj fragmentin
E artit të shkruar nën hije kobrash
Sytë nuk janë dritare prej motesh
As dyer të largimit nga trishtimi
Dramë
Shalli i zi në qafën e rënduar
Dhe një shikim i përvujtshëm
Treten ngjyrat e shndritshme
Dhe rekuizitat e zeza na marrin sytë
Një gomar pallë sa të shurdhon veshët
Dhe hija e korbit mistershëm
Kafshojnë fjalët e aktorëve të rraskapitur
Një puthje prej Jude
E deh aktoren me emrin Çudira
Zhvesh brekët mu duhmë shurre
Dhe i hedh në publik e llastuar
Akti i parë pa orgazëm
Loja zgjati disa minuta
Dhe akti i dytë i kredhur në soditje
Një gomar defilon në skenë
Dy korba i bëjnë hije prej uji
Aktori i turpshëm refuzon të lakuriqësohet në skenë
Perceptimi për dramën mi gërryejnë sytë
Godo nuk priti sa unë
Dramë...!
No comments:
Post a Comment