Fatmir Terziu
Jo pak herë kemi lexuar ‘ndërhyrje’ në letrat shqipe nga ‘huajzime’dhe ‘të huaj’, që shfaqen “njohës” apo edhe studiues të letërsisë shqipe. Jo pak herë këta “njohës” modernë thurin ditirambe dhe rrjeshtojnë emra, talentë, poetë, shkrimtarë e ku di unë. Emra që dalin nga miqësira. Emra që mbijnë nga intriga dhe ‘kafeteria e interesit”. Emra që mbushin “Historira të Letërsisë Shqipe” nga njohës e albanologë, që një zot e di se cilës meshë letrare shqiptare i përkojnë. Dikush vjen si ‘komshi’ i letërsisë Ballkanike, dikush si albanolog apo gjithëfarëllojëlog. Në një rast është një dikush. Ky dikush është thurrës, që pastaj si në politikë, qoftë edhe një turist, që pëlqen disa qofte dhe larmohet nga jeshilllëku apo mikpritja, pritet e fryhet duke zaptuar ekrane, tabloide, revista dhe antologji. E gjitha si me një magji. Një magji që ka vënë në gjumë lexues, krijues, shkrues dhe një shtet-komitet të tërë, një Ministri Kulture, që është kthyer në pjekëse byrekësh, apo qoftesh furre. Askush nuk shqetësohet kur ky dikush është thjesht një ik-kush që deshifron emrat e dhëna kafeneve dhe restoranteve të bollshme shqiptare. Ndryshe s’ka si të ngecet vetëm tek një kosh emrash, që nënkupton vetëm ata janë letrarët më fanatikë, “ata janë burrat nën rrjeshtoren numërore apo femrat tek ish-zbori i katandisjes letrare shqiptare.
Në fakt këtë rradhë “njohjen me poezinë shqipe” e bën Pandelis Bukalas, Kathimerini, dhe emrat në analizën e tij të “përzgjedhur nga Romeo Collaku janë në këtë tekst, jashtë asaj që ne kemi ndeshur për ‘homogjenët’ dhe të ‘pakapshmit’ e letërsisë: “Nëse vëllimi «Emos» përbënte «letrën rekomanduese» të themeluesve të poezisë shqipe, «Antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe», e hartuar nga poeti Romeo Çollaku, është një njohje, qoftë edhe e shpejtë, me peisazhet e letërsisë së sotme të këtij vendi. Janë përzgjedhur, pra, me nga katër poezi secili, shtatëmbëdhjetë poetë, që janë lindur pas vitit 1964 dhe u shfaqën në skenën letrare pas vitit 1990. Dymbëdhjetë prej tyre janë burra (Arben Dedja, Arian Leka, Virion Graçi, Agron Tufa, Çelo Hoxha, Idlir Azizi, Ilir Belliu, Parid Teferiçi, Gentian Çoçoli, Romeo Çollaku, Alket Çani, Ervin Hatibi) dhe pesë gra (Luljeta Lleshanaku, Olimbi Velaj, Lindita Arapi, Linditë Ahmeti, Ledia Dushi). Shumë prej tyre kanë dhënë edhe vepër përkthimore, duke shqipëruar poetë të huaj, ndër të cilët edhe grekë (Seferis, Elitis, Ricos, por edhe Safo, poezi të së cilës ka përkthyer Linditë Ahmeti, që u lind në Prizren të Kosovës dhe jeton në Shkup, ku edhe ka studiuar greqishte të vjetër dhe latinisht)”.
Këta emra që i përkasin një brezi të pas gjashtëdhjetës dhe një risie të re natyrshëm sqarohen më saktë nga autori i antologjisë Romeo Collaku, në intervstën e dhënë gazetares së mirënjohur shqiptare, Flora Nikolla.
Fqinji shpirtin e fqinjit e njeh nga poezia e tij
Intervistë me poetin Romeo Çollaku, hartues i “Antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe” botuar në Greqi
Flora Nikolla
Janë përzgjedhur, me katër poezi shtatëmbëdhjetë poetë , ... jo më emra të traditës së poezisë shqipe...! Janë emra të një brezi të ri poetësh (të lindur pas viteve ‘60-të), por që ditën të shfaqen me fizionominë e tyre të qënësishme në skenën letrare të Shqipërisë pas vitit 1990. Arben Dedja, Arian Leka, Virion Graçi, Agron Tufa, Çelo Hoxha, Idlir Azizi, Ilir Belliu, Parid Teferiçi, Gentian Çoçoli, Romeo Çollaku, Alket Çani, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Olimbi Velaj, Lindita Arapi, Linditë Ahmeti, Ledia Dushi, janë protagonistë të një Antologjie botuar pak kohë më parë në dy gjuhë shqip dhe greqisht në shtetin helen, falë përkushtimit të një shqiptari-artist që jeton prej vitesh atje. Romeo Çollaku, një frymë e re letrare në letrat shqipe, në poezi dhe në prozë, larg paragjykimeve dhe i lirë në mendim përkushtoi kohën e tij për të bërë që poezia shqipe, një vis i panjohur, në Greqinë, ku ai jeton prej kohësh të renditej në një libër, duke i dhënë asaj dinjitetin që duhet të ketë një brez që natyrshëm zëvendëson një tjetër...
Pas një prezantimi shumë të mirë me poezinë e kultivuar shqipe në Greqi me “Emos – Antologji e poezisë ballkanike” (botim i revistës «Anti», 2006), ku jepen poezitë e poetëve të njohur shqiptarë të shekujve XIX dhe XX , si De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Migjeni, Martin Camaj, por dhe të një brezi poetësh të konsoliduar pas viteve ’50 të shekullit të kaluar si, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Pano Çuka, Thoma Sterjo, “Antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe”, e hartuar nga poeti Romeo Çollaku, është një njohje e prekshme me peizazhet e letërsisë së sotme të Shqipërisë.
Teksa lexon këtë botim (dy gjuhësh shqip dhe greqisht) vë re lirinë dhe një mendim të ri të shprehuri në temat që rrokin dhe trajtojnë poetët që përvijuan kështu fizionominë e një poezie të re shqipe.
Siç shprehet dhe studiuesi Jorgos Blanas “poetët e sotëm shqiptarë shfaqin një dije, e cila nuk i detyrohet vetëm qëndrueshmërisë së mjeteve neoromantikë dhe modernë të shprehjes. Zgjedhjet e tyre duken tërësisht të kontrolluara nga një ndërgjegje estetike, e cila e sheh poezinë si një ekspasion të fantazisë”.
E çliruar nga regjimi mbytës i së shkuarës komuniste poezia shqipe mëton të përshkojë sot distanca që nuk u përshkuan në kohën e tyre dhe në mënyrë fiziologjike. Duke iu gëzuar pikërisht lirisë së formës dhe asaj të përmbajtjes, si dhe duke synuar të rilidhet me botën e jashtme, duket se ajo nuk i ka për zemër “temat e mëdha”, “ndjenjat e mëdha”, qëndrimet gjëmimtare, dhe u bën bisht fjalëve të mëdha që, në kësi rastesh, lindin thuajse detyrimisht.
Pse ju lindi ideja për realizimin e një Antologjie me poezi, ku protagonistë ishin vetëm emrat që i takojnë një brezi të ri poetësh?
Doja të përgatisja një antologji të poezisë shqipe në greqisht, pasi kisha vënë re se një libër i tillë i mungonte “tregut” të librit në vendin ku jetoj. Ndonjëherë mendoja se do të ishte mirë që në këtë libër të përfaqësohej gjithë poezia jonë, qysh nga fillimet e deri tani. Por e dija se një gjë e tillë kërkonte përkushtim shumë të madh. Kështu përfundova tek një antologji e poetëve që u shfaqën në skenën tonë letrare pas viteve ’90. Zgjodha pikërisht këtë brez ngaqë e njoh disi më mirë, si dhe ngaqë mendoj se prurja e tij, në mos më shumë, është të paktën po aq e begatë sa prurja e brezit të viteve ‘30.
Nuk menduat se kjo mund të shkaktonte hatërmbetje?
Jo, mua vetë nuk më shkoi ndërmend, por më vonë u kujdesën të tjerë të ma kujtonin një mundësi të tillë. Sidoqoftë, ndërmarrja ime kishte vetëm qëllime të mira. Nuk synoja dhe nuk kisha arsye të prekja askënd. Për më tepër, një poeti që me pjesëmarrjen e tij do t’i ngrinte nivelin një antologjie të këtij lloji e megjithatë nuk përfshihet në të, jam i sigurt se nuk ka për t’i mbetur hatri. Nuk i mbetet hatri, pasi shumë rrallë ndodh që një poet me të vërtetë i mirë të mos jetë i ndërgjegjshëm, së pari, për vlerat e vetes – ndaj dhe nuk pret t’i konfirmohen nga antologjitë e nga kritika – dhe, së dyti, për ligjet e shumëllojshëm që veprojnë në hartimin e një antologjie, sidomos të një antologjie në gjuhë të huaj. Pastaj, antologjia ime është, e shumta fare, një alternativë; ajo nuk vendos për asgjë. Ndokush mund të ketë vërejtje pse kam përfshirë edhe veten në të. Por, po të mos më pëlqente poezia ime, nuk do ta shkruaja ose do ta shkruaja ndryshe. Nuk jam as i pari as i fundit, përkundrazi, jam nga të shumtët që e ndjekin këtë parim kur marrin përsipër të hartojnë një antologji.
Sa kohë u morët me këtë punë dhe cilët ishin kriteret mbi të cilët u mbështetët?
Përzgjedhja filloi të ndodhte vetvetiu këtu e pesëmbëdhjetë vite të shkuara, kurse përkthimet e poezive të para duhet t’i kem bërë para tetë vjetësh. Pra, duke ndjekur gjatë këtyre viteve, me aq sa kam patur mundësi, krijimtarinë e poetëve të brezit që përfaqësohet në antologji, kisha veçuar, vetvetiu, disa poezi nga secili. Punova mbi këtë lëndë dhe i dhashë formë antologjisë. Një pjesë e mirë e poezive që kisha veçuar, kuptohet, nuk i bindej përkthimit. Detyrimisht, u mora vetëm me të tjerat, por mbeta, megjithatë, i kënaqur nga rezultati. Nuk pretendoj se e njoh shumë mirë poezinë e brezit që përfshihet në antologji. Do të doja ta njihja më mirë dhe të përktheja çdo poet që do ta bënte atë më të plotë. Kam parasysh këtu disa emra që përmenden herë pas here nga kritika – ajo kritikë që kemi ne në Shqipëri – por që, për fatin tim të keq, kam lexuar aq pak gjëra prej tyre, saqë përzgjedhja dhe përkthimi bëheshin të pamundur. Siç e shihni, ky punim u kushtëzua edhe nga një faktor jashtëletrar, që është largësia ime, gjë që nuk e mohoj.
Meqë folët për largësinë, sa e lehtë dhe sa e vështirë është për dikë që ta gjykojë letërsinë e vendit të vet nga larg?
Largësia nuk është gjë, po të kemi parasysh se ekzistojnë edhe njëqind e një faktorë të tjerë që e pengojnë një shqiptar, qoftë ky edhe shumë i interesuar, të njohë disi mjaftueshëm poezinë që shkruhet sot në gjuhën e tij. Madje largësia, nganjëherë, të ndihmon të kesh një mendim më të kthjellët mbi disa gjëra. Tek e fundit, njerëz jemi dhe marrëdhëniet njerëzore, sidoqoftë, ndikojnë në nivelin e kritikës së një vendi, aq më tepër të një vendi të vogël si Shqipëria. Por në kohët e sotme largësitë janë shkurtuar së tepërmi. Për sa më përket mua, kjo largësi pothuajse nuk ekziston, falë të afërmve dhe miqve që nuk harrojnë të më dërgojnë libra dhe revista nga Shqipëria.
Bashkëpunëtorja juaj ka qenë një greke. Ç’mund të na tregoni për këtë bashkëpunim dhe si e sheh ajo poezinë shqipe?
Pata fatin të bashkëpunoja me një nga zërat më të rëndësishëm të poezisë së sotme greke, me Pavlina Pampudin. Ajo është përgjegjëse e kolanës së poezisë së huaj në shtëpinë botuese Roes, një ent i rreptë, që boton pak libra, por vetëm libra shumë cilësorë. I çova përkthimet që kisha bërë dhe ajo u befasua nga poezia shqipe. U entuziazmua dhe i kërkoi menjëherë bashkëshortit të saj, botuesit Lefteris Kartakis, një njeri ky me shije të holla letrare, botimin e librit. Reagimi i tyre vlen diçka më shumë se një vëllim i tërë kritik për poezinë e sotme shqipe. Veç të tjerash, janë njerëz që e duan Shqipërinë, që shohin tek ne ato vlera që gjithandej po rrënohen dalëngadalë nga zhvillimet e fundit të shoqërisë. Vjet, nga e njëjta shtëpi botuese u botua një antologji e poezisë popullore shqiptare, në përkthimin e Thoma Sterjos dhe me pasthënie të Ismail Kadaresë, vepra e të cilit është bërë e njohur në Greqi para disa dhjetëvjeçarësh po nga ky ent.
Cili është destinacioni i kësaj Antologjie?
Megjithëse është dygjuhëshe, ajo i drejtohet, në radhë të parë, lexuesit grek. Më jepet rasti këtu të shtoj diçka në lidhje me “hatërmbetjet”, për të cilat folëm më parë: duke iu drejtuar një publiku joshqiptar, është gjetur mënyra dhe i janë bërë të qarta publikut në fjalë kufizimet e saj të mundshme. Por qëllimi i saj është të njohë lexuesin grek me poezinë që shkruhet sot në Shqipëri. Tani, në qoftë se ky punim do të ketë ndonjëfarë dobie edhe për publikun shqiptar, aq më mirë.
Si është pritur deri tani?
Shumë mirë, gjë që e prisja. Ka vetëm dy muaj që ka dalë në qarkullim dhe për të është shkruar në shtypin grek me fjalët më të mira. Vlen të veçohen një shkrim nga Pandelis Bukalas dhe një tjetër nga Jorgos Blanas, që janë emra të rëndë në poezinë e sotme greke.
Si njohës i mirë i letërsisë, si e shihni letërsinë e sotme shqiptare dhe poezinë në veçanti?
Letërsia shqipe është duke kaluar, siç u shpreha edhe më lart, një nga periudhat e saj më të begata. Kjo deri tani nuk është vlerësuar saktë, gjë që duket, deri në njëfarë mase, e natyrshme. Por nuk ka dyshim që në të ardhmen do t’i jepet rëndësia që i takon.
Jo rrallëherë duket se poezia shqipe edhe paragjykohet. Nëse mendoni kështu, cilat janë arsyet sipas jush?
Patjetër që paragjykohet. Por unë mendoj se, në shumicën e rasteve, nga të huajt paragjykohet për mirë. Pra, një lexues i huaj, kur i bie në dorë një roman apo një libër me poezi nga letërsia shqipe, ka parandjenjën se do të lexojë diçka cilësore, pasi të tillë letërsi bëjnë, zakonisht, popujt e vuajtur; aq më shumë një popull i vuajtur që i ka rrënjët në të njëjtët troje ku i ka edhe poezia. Dhe, ndoshta, ky lexues rrallë qëllon të zhgënjehet. Letërsia shqipe, sidomos poezia, paragjykohet për keq nga vetë shkrimtarët dhe kritikët shqiptarë. Për shembull, faktin që Camaj apo Mjeda nuk kanë tërhequr kush e di se çfarë vëmendjen në gjuhët ku janë përkthyer, këta nuk e shikojnë të lidhur me vështirësitë e shumta që ndesh një gjuhë “e vogël” si shqipja për të komunikuar me një auditor të huaj, por tek inferioriteti i hamendësuar i artit të tyre. Është gabim të nisemi nga kritere të tillë për të vlerësuar poezinë tonë të traditës. Sikurse është gabim të nënçmojmë poezinë e re ngaqë nuk jemi në gjendje ta shijojmë.
Ju dalloheni për një stil të veçantë në letërsinë që bëni. Kujt ia dedikoni këtë dhunti?
Zakonisht, para pyetjesh të tilla mikluese, me kalimin e kohës, shkrimtarët po përpiqen t’u shmangen përgjigjeve klasike dhe të tregohen sa më origjinalë. Prandaj, mbase do të tregohesha më origjinal duke dhënë një përgjigje klasike: punës, kryesisht.
Cila është sfida juaj më e fundit në letërsi, pse jo edhe ajo që prisni të keni?
Meqë folëm për përkthimin dhe antologjitë, qëllimi im i afërm është të botoj një antologji të poezisë greke në shqip, për të cilën punoj prej dymbëdhjetë vjetësh. Shpresoj të gjenden mundësitë dhe të botohet, sepse fqinji shpirtin e fqinjit nuk mund ta njohë nga analizat e dyshimta të gazetave, por drejtpërdrejt nga poezia e tij.
E Diele, 20 Korrik 2008
No comments:
Post a Comment