Thursday, 24 July 2008

SHOQËRUESI I MISS DURHAMIT NË VLORË ?



GEZIM LLOJDIA

Meri, anglezja piktore, Edih Durhami, në librin e saj “Brengat e Ballkanit‘, u botuar në fundvitet ‘80 në shqip në Tiranë, shkruan, për një Sadik, që e solli nga Tepelena në Vlorë. Ajo thotë se Sadikun e kishte njohur në nënprefekturën e Tepelenës dhe e kishte marrë si shoqërues, që ta zbriste nga vendet e ashpra malore, për tek deti në perëndim, në Vlorë. Sadik, do të thotë “besnik”, shprehet ajo. Po kush është Sadiku? Rron, apo nuk rron?
Ky personazh shqiptar i vizatuar me kaq kujdes nga Meri, në të vërtetë quhej Sadik Hoxha. Në vitin ’91 gjurmova në rrethin e Tepelenës rreth faktit që anglezja simpatike shkruante për shoqëruesin e saj, pasi kisha lexuar më parë librin. Rastësia është mbret i botës. Në një dasmë në një fshatë të tij gjeta të dhëna që i afrohen atij personazhi që përmend anglezja simpatike. Dhe duket se këto gjurmë të shpien tek personazhi që shoqëroi Miss Durahmin në Vlorë, nëpër shtigje dhe nën një mot të egërsuar. U tregova për një angleze që kishte marrë një shoqërues nga Tepelena dhe që quhej Sadik. Shiko më thanë, ka qenë plaku i kësaj shtëpie ku zhvillohet dasma. Ai kishte pasur flori, kishte njohur të huaj dhe e kishte molloisur disa herë udhëtimin e tij, ndër pleqtë e fshatit si një histori të largët të hareshme dhe pa ndonjë interes të veçantë. Ndërkohë që libri i Miss Durhamit është shfaqur kur ky personazh prehej në varrezën e thjeshtë të fshatit të tij, larg kësaj bote tonën.
Në fshatin Mezhgoranë të Tepelenës, një fshat i njohur nga kënga: ”Një zë po vjen nga gryka e Mezhgoranit”, një grykë e rëndë e thellë, gati misterioze me vërshimin e Vjosës shfaqej në pamje të parë, zbulova tre fakte. Një person nga fshati ishte takuar me një angleze. E dyta ishte paguar me flori për një udhëtim. Ky person quhej Sadik, siç e kishte përshkruar Durhami, kohë më të cilin përputhej historia e vajzës angleze. Kishte po atë moshë dhe përkonte me përshkrimin e saj nga anglezja.
Sadiku është nga Tepelena, më saktë ka lindur në Mezhgoran, në vise të ashpra, me male të larta, me dimër të ftohtë. Mezhgorani është një fshat karakoll në lartësi malesh. Trebeshina, barrëngritjsa e dëborës dimërore është mali përball. Burimet e kanë origjinën nga thellësia e malit. Kthjelltësinë, nga mali, ftohtësinë nga dëbora. Origjina e tyre e hershme është vargmali jugor. Nën këmbët e tij, Vjosa çapitet ngadalë ujëshumë e zhurmëmadhe në dimër.

Sadik Hoxha, ka lindur para viteve 1900 besohet mbi vitet 1800. Vendlindja është ky peizazh malor i katundit Mezhgoran. Shtëpia e Sadikut, në këtë katund, është në zemër të tij. Fare pranë sot është edhe një tyrbe dervishi bektashi. Ibrahim Përmeti, deshifrohet në hyrje të saj. Ky dervish ishte kunati i Sadikut, i arsimuar në Arabi. Asnjëherë, shpjegojnë familjarët, nuk u martua. Ishte dervish në sojin e Haxhi Bektashit. Duke parë shtëpinë e Sadikut ajo ka një hark guri të gdhendur me elegancë, nga mjeshtër të ndërtimit. Flitet për një vit ndërtimi 1926, kjo shprehet në gurin e latuar. Këtu është rritur Sadiku. Shoqërimin me anglezen, në një farë soji, rrugëtimi i tij drejt Vlorës ku përcolli anglezen Meri është përmendur rrallë, prej tij. Në fshat dihej diçka, por jo e saktë. Dihej për shembull se Sadiku ka rrugëtuar me një angleze, po kush ishte kjo, çfarë u bë më vonë, s’u mor dot vesh e vërteta. Familjarë të tij në këto lartësi malore shpjegojnë se kanë mësuar se ai e shoqëroi deri në hanin e Vlorës, por mungesa e të dhënave për Edih Durhamin, ka bërë të vetën, me kohë plasi lufta, ndërkaq ngjarja u harrua fare. Lufta botërore, plagët, hallet pse jo edhe nënvlerësimi i një evenimenti të tillë, nga intelektualët, që bashkëjetuan me xha Sadikun, kanë bërë që sot nuk kemi asgjë të shkruar nga kujtimet e tij për ... ”anglezen e gjallë shtatvogël e engjëllore, me një kujtesë të jashtëzakonshme”. Në qoftë se ata fshatarët e varfër atje në katundet e errëta kaq larg vendit e harruan, si harroi anglezja ata. Meri, shkroi me emocion, çfarë pa, çfarë dëgjoi dhe ku shkeli. Nuk harroi as shoqëruesit e saj, që rrugëtuan me të nën llohë dimri nëpër shkrepa të paudha në Shqipërinë e viteve 13. Sadiku zë dy-tre faqe nga libri i misis Durhamit. Por ai këtë nuk e mësoi dot, megjithëse rrojti 94 vjeç. Sadiku, shoqëruesi i udhëtares angleze ka 35 vjet, që nuk rron më. Trupi i tij prehet në katundin e largët malor të Mezhgoranit, por shpirtin e ka në qiell. As Meri, anglezja shtatëvogël, studiuesja nuk rron më. Por libri i saj dhe rrëfimi i saj, ruhet atje në katundin Mezhgoran, kaq larg provincës Tepelenë, kur e gjeta të freskët në fillimvitet ’90, por sot banorët e këtij karakolli malor e kanë braktisur fshatin. Bashkë me këtë braktisje janë harruar edhe shumë të vërteta dhe ngjarje që kanë mbajtur banorët në gjirin e tij, sipër maleve, dy orë rrugë në këmbë, atje ku ndriçimi i vetëtimave është një shpërthim drite dhe mjegullat mbulojnë fushëpamjen në kohë llohe dimri të mërzitshëm.

Letra nga New Jork nga poetja dhe pedagogia Kozeta Zylo, sjell më të freskëta këto ngjarje: Jam tërësisht e befasuar, e shtangur para ekranit, që me kaq bukuri sillet kultura e lashtë e mezhgoranësve.
Ajo shton se vajza e bukur angleze, Meri nuk kish se si të mos i besonte atij djaloshi me flori, me sytë blu si deti, i pashëm, por mbi te gjitha i besës, që e shoqëroi Edit Durhamin në vendin e caktuar. Eh kohët... kushedi se çfarë mund të bëjmë ndonjë gjë, me djemtë e Xha Sadikut, Ibrahimin ... te cilët thank God që janë dëshmi e gjallë për atë kohë.
Jo me kot shkrimtari i madh Qamil Buxheli shkroi tekstin "Nje ze po del nga gryka e Mezhgoranit, ku u interpretua nga Mentor Xhemali, një nga baset me te mëdhenj te muzikës shqiptare... pikërisht ai e gjeti muzën aty tek ai fshat, qe është midis malesh, me përrenj ne mes, qe derdhen si argjend ne lumin Vjosa...

No comments: