Saturday 27 September 2008

Ah, ah… ai qejf




Tregim

Fatmir Terziu

Unë shkova që në orët e para të mëngjezit të acartë të Dimrit për të gjetur pikat e ujit që vareshin në muret e shtëpisë sonë. Ne sapo kishim lëvizur me të tre fëmijët në shtëpinë e re në Londër. Ishte një shtëpi e vjetër, por e lirë për qiranë që kishte. Atëherë ajo dukej si një tub i ngrirë nën çatinë tipike të saj. Por, kur unë u përpoqa të shkund burrin tim nga ai gjumë i rëndë pas asaj nate alkohoolike, e gjitha prej tij që mora ishte një e sharë e padurueshme dhe një e zakonshme e tij që përfundonte tek fjalët e mijëra herë dëgjuara, se ai më kishte shkëputur nga ai vend me pluhur e baltë dhe më kishte shpëtuar nga ata maskarrenjtë e atij vendi ku ishim lindur e rritur ne të dy dhe djali ynë i madh, se dy të tjerët na lindën këtu mes atyre lumturive të para të shijes për botën e paparë dhe të ëndërruar. Ishte koha kur Tomori filloi të vizitojë ngeshëm pubin e madh në krye të rrugës, derisa një ditë erdhi i dhjerë e i shuruar. Ca ditë pas kësaj ndodhie u qetësua në betimin fals të tij dhe fill pas katër ditësh gjeti një mënyrë tjetër. Në supermarketin më të afërt shkonte blinte dhe e rrëmbente mbi shpatulla një arkë të madhe dhe ia shtronte në shtëpi. Dukej paksa më ndryshe. Mendoja të paktën kur të më duhej burri e kisha aty dhe sikur të dehej të paktën e zinte gjumi nën kujdesin tim. Edhe pse e dija që kur ai do të dehej nuk do të ishte në gjendje të më ndihmonte, prapë se prapë mendoja të ndodhej pranë nesh. Këtu kisha shumë arsye që shtyja mendjen time që të mendonte kështu, në atë vend ku veç fëmijëve kishim vetëm murret miq të afërt.

***

Tomori dhe unë u njohëm bashkë kur u takuam në Shqipëri aty nga fillimi i vitit 1990 në dyqanin e tij të bulmetit. Në atë kohë shkëndija na kaluan syve, teksa u pamë njëri me tjetrin në atë mënyrë. Ai ende kishte në dorë bulmetin e asaj kohe, dhe ende njerëzit ia kishin nevojën si inerci nga tollonat, por edhe pse ende s’kishte filluar tregëtia me jashtë. Ai më pas mësova se ishte një njeri i përkryer dhe mjaft i respektuar në tërë qytetin, madje dhe kur e privatizoi dyqanin kishte aq miq e shokë sa tia përllogarisnin sa një kafe. Si u bëmë miq nuk kaloi shumë kur ne ramë dakord të martoheshim. Kështu ne ishim me dyqan privat në kohën kur mallrat kishin vlerë dhe valuta të bënte të pasur nga dita në ditë. Për pak kohë dhe në dyqan filluan të na sillnin mallra falas romët tregtarë, që filluan të lëvronin tregëtinë me Turqinë. I shisnim dhe paratë ua kthenim kur shiteshin. I shisnim gati trefish. Dhe fitimi ishte fantastik. Kështu filluam ta rrëkëllenim nga një gllënkë alkool. Pastaj nga ndonjë shishe birrë. Dhe kur paratë u bënë goxha vendosëm të ndërtonim edhe shtëpi. Shtëpinë e nisëm dhe e ndërtuam shumë shpejt. Ishim mirë. E vendosëm të lindnim fëmijën e parë. Qemë me shans. Doli djalë, ashtu siç e donim të dy. Por kur çdo gjë gati po shkonte si në vaj na trokiti në derë ai romi tregtar, Bezati. Na ftoi për darkë. Hëngrëm e pimë deri në të gdhirë. Ditës tjetër na erdhi prapë. Na kërkoi para për pak ditë. I dhamë ato që kishim. Na i ktheu tre ditë para fjalës, madje na dha gati njëqind mijë lekë më shumë. Ishte shumë korrekt. Pas një muaji na erdhi prapë. Na tha se tani kishte plan më të madh për tregëti. I duheshin shumë para, por fitimi ishte nëntë herë më i madh. Më jepni tuajat dhe ju kthej trefishin, na tha ai, por ama më gjeni edhe tek të tjerët jepuani dyfishin atyre dhe njëfish mbajeni për vete. Leku është lek, dhe ne iu qepëm dyerve të kushërrinjve, miqve dhe shokëve. Grumbulluam gati pesëdhjetë milionë lekë. Mrekulli. Ia dhamë Bezatit dhe mbas tre muajve morën trefishin. Ai na i kërkoi edhe njëherë. Kësaj rradhe i dhamë trefishin e marë prej tij, por kwshtu edhe ata tw tjerwt i dhanw paratw se garantw ishim bwrw ne dhe pasi do të mernim sërrish trefishin e tyre. Nuk mbaheshim nga gëzimi. Në shtëpi na vinin nga ana e anës e mik pas miku se donin të jepnin para për dyfishin e fitimit, madje edhe me njëfishin disaherë. Ne nisëm të bënim lista. Bezatit, romit barkmadh filloi ti shkëlqente dhëmbi i floririt në gojë. Kështu filluam t’ia shtronim përnatë. Pinim e hanim deri vonë. Qejf o qejf. Kishim harruar dyqanin, kishim flakur punën natë e ditë, kishim lindur me këmishë. O qejf ku kishe qenë më parë. Tomori shtoi kile. Lëkura filloi ti shkëlqente. Unë si femër mo, e re dhe në kulmin e saj. Lezet më kishin të gjitha. Lahesha e lyhesha tre herë në ditë. O qejf o kokë e qejfit. Të gjithë na e kishin zilinë. Tomorit filluan edhe konviktoret e Universitetit t’ja bënin me sy e me dorë. Mua më kishte hypur xhelozia dhe unë nuk e lija Tomin të dilte as edhe në rrugë vetëm. Edhe në ballkon kur dilte i ulesha në prehër dhe ia mbërtheja kokën në gjoksin tim gjysëmzbuluar. Gjithmonë e provokoja. E ngacmoja aty ku ai nuk duronte më. Thuajse vetëm qejfi, pija dhe seksi na kishte mbetur në gojë, në mendje e në veprim. Djalin herë na e merte njëra e herë tjetra kushërirë. Ne i bënim njerëzit me para. Bezati ishte lidhur aq shumë me Stambollinjtë sa që edhe njërën nga tre vajzat e martoi për djalin e tij të vetëm, edhe pse kishte një diferencë tetëmbëdhetë vjeçare në moshë.
Një ditë ndërsa pinim e ishim gati në atë temperaturë që të përfshin nga shikimi i dy kasetave me film porno, trokiti dera e jashtme. Unë isha gati pa gjë në trup, veç atij robdeshamit të mëndafshtë që Tomi e pëlqente aq shumë. Dera po bëhej akoma më e fortë. Dola në dritare, por nga hardhitë nuk dukej gjë. U vesha dhe dola tek dera. Pyeta kush ishte. Dhe pasi dëgjova zërin e tim eti e hapa derën. Sa hyri ai klithi me sa zë që kishte:
“Po tani, po tani o mutër ku do të shkojmë?”
“Pse,…”
“Si pse? A nuk i patë lajmet? Atë tregtarin, mikun tuaj e kanë arestuar në kufirin me Maqedoninë. I kanë kapur mes damaskave treqind kilogramë pluhur, nga ai muti thuaj…”
“Pluhur?!”
“Jo, mut. Nuk dëgjon ti? Ku është Tomi?”
Tomi kishte ngritur zërin e televizorit dhe dëgjonte. Lajmi ishte i vërtetë. Pas tre ditësh ai turku ia ktheu edhe vajzën Bezatit, madje e kishte kërcënuar edhe për shtëpinë se ishte zhytur në borxhe tek ai. Paratë ikën. Mirë tonat, po milionat e të tjerëve?
Nata nuk na zuri. Kaluam përgjithë natën malit andej nga Maqedonia dhe atje me kontrabandistë hymë në Greqi. Nga greqia në Angli në krye të tre javëve. Ndërruam emrat dhe tani ishim Kosovarë nga lufta. Na dhanë shtëpi. Na filluan ndihmat. Pas pak kohësh rifilloi qejfi. Harruam paratë, por nuk harronin të tjerët. U detyruam të shisnim shtëpinë, dyqanin makinat dhe gjithshka kishim. Prapë s’kishim të larë. Tomi merr ndihma e puno, madje edhe unë. Mblodhëm ca para dhe filluam të hiqnim nga kurrizi ata që s’u ndaheshin prindërve tanë. Brenda dhjetë viteve i lamë të gjithë. Tani kishim filluar të mendonim prapë për shtëpi dhe dyqan. Por ishte tepër vonë dhe pa fat. Tomin e kapën duke punuar jashtë ligjit dhe tani duhet të paguajë nga e para gjithë ato që ka marë, madje rrezikon edhe ndëshkimin ligjor. Dhe ndërsa rrotullohet si i përhumbur nëpër shtëpi, vetëm pin e dehet. Dehet deri në atë masë sa unë ia kam frikën se nuk e ka të gjatë. “Ah, ai qejfi, ah, ai zullumi ynë, ah tahmaja e madhe, ah alkooli,…”- shfryhem unë.
“Ah mendja thuaj”, - thotë ai.

No comments: