Saturday 6 September 2008

Violina që prodhon cicërima të vërteta zogjsh




Fatmir Terziu

Muzika ka fuqi. Më së shumti kur violina e bën atë të ketë lartësi dhe fuqi të tmershme. Dhe kjo muzikë bën që të na qetësojë ne, që të na frymëzojë ne në gëzimet tona, në dëshpërimet tona. Ajo, pra muzika e tillë është dhuratë nga zoti. E vyrtytshme në të gjithë kulturat, të së shkuarës dhe të së sotmes, muzika është gjuhë e të dyjave, mendjes dhe zemrës. Që nga koha që kemi lindur ne ndjeshëm kemi dëgjuar forma të muzikës. Padyshim ninullat e nënës për të rënë në gjumë. Gjatë fëmijërisë muzikën dhe interesin fëminor për të. Dhe të rritur padyshim jemi në krahët e muzikës. Dhe vjen një kohë që muzika bëhet më shumë se një domosdoshmëri. Muzika! Dhe vetëm muzika e vërtetë, muzika profesionale. Atëherë pra muzika në gjuhën e Stuart Hall ‘kryen punën e gjuhës’. Pra gjuha e muzikës ka rëndësinë e saj…

Në kërkim të muzikës profesionale

Para ca kohësh kërkoja muzikë për një nga filmat e mi. Kërkova në të gjitha instancat zyrtare. Në cdo vrimë. Kush merret me filmin e shkurtër e kupton më mirë këtë gjë. Këtë stërmundim, këtë problem kur muzika ka një ligj të cuditshëm në fushën e filmit. Copyright! Në këtë kërkim iu drejtova zyrtarisht kompozitorit shqiptar, Dr. Thoma Simakut dhe kur cdo gjë ishte gati thuaj në rrugë, një email tjetër diku ngeci. Kësisoj një miku im anglez që ka njohuri për muzikën, ish profesori im në MA të Universitetit të South Bank në Londër dhe kolegu im tashmë Chris Eliot, pas kërkimeve, më kujtoi kujtoi të kërkoja në hapësirën e ballkanit. Dhe në kërkim e sipër dikush më kujtoi profesorin e muzikës, violinistin e rradhë shqiptar, Zeqir Sulkuqin. Në fakt ai më dha një emër grek të tij. Më tha se e quajnë Zeki, por nuk ishte i sigurtë. Kështu pasi telefonata bëri të vetën, një zë nga pas celularit dhe që vinte nga Greqia ballkanase në zyrat e universitetit londinez sqaroi cdo gjë. Ishte miku i mirë i shqiptarëve, violina e parë dhe e paaritshme, Zeqir Sulkuqi.
Pastaj doli CD-ja nën siglën “Lava Quartetto” dhe në të sigla e parë, violina e parë: Tzeki (Zeqir), krahas emrave Maria, Akileas dhe Konstantinos. Më pas edhe tre emra të tjerë…Pra një kuartet, një bashkëpunim ideal, ku violina e Tzekit bënte mrekullinë. Dhe filmi im treminutësh “Zogjtë në tel” për herë të parë gati qetësohej në diagramën muzikore në Final Cut Pro. Kishte gjetur cicërimën e zogjve tek violina magjistare e Zeqir Sulkuqit. Kështu i mbetet vetëm procedurave të mëtejshme dhe në muzikën e filmit fabulë që protagonist animatorë janë zogjtë ka të ngjarë të jetë muzika e violinës së profesionistit shqiptar…

Por çfarë gjeta duke kërkuar për zeqir Sulkuqin?

Kastriot Lekdushi shkruan në gazetën “Tribuna” që drejtohet nga i mirënjohuri i gazetarisë shqiptare Robert Goro, “grupi artistik “ADRIATICA” tashmë i afirmuar për aftësitë e tyre profesionale artistike, të cilët në këtë veprimtari ekzekutuan melodi magjepse të muzikës Shqipëtare dhe nga vënde të ndryshme të Ballkanit. Ky grup i krijuar në Athinë qysh në vitin 1995 nga artistët emigrantë Shqiptarë, Zeqir Sulkuqi, Gjergji Mëhilli, Pirro Koka, Lindita Laro me gjithë modestinë që i karakterizon, kanë krijuar fizonominë e tyre të një trupe artistike të përfaqësimit të kulturës kombëtare në veprimtari ndërkombëtare të çfarëdo përmase! Dhe siguria e një përfaqësimi dinjitoz është e garantuar. Me interpertimin e melodive magjepsëse ky grup shpalosi në Koridhalo vlerat, që mbartte thesari i kulturës Shqiptare!” Ndërsa M. Gjoka në studim-shkrimin e tij “Violinisti virtuoz” shkruan: “Dhe në një moment mu mbush mendja se unë e njihja këtë njeri. Pozicioni pak në profil në të cilin e shikoja, pasioni me të cilin interpretonte më bëri të mendoja se unë vetëm një njeri të tillë njihja personalisht që mund të luante me kaq virtuozitet.
“Bravo, bërtisnin disa gra pas çdo “figure” të violinistit. Afrohem dhe pyes një grua: e njihni prezantuesin e grupit? “Po, është Xheqi” -më thotë. Atëherë u binda se ai duhet të ishte Zeqir Sulkuqi, ish pedagogu i muzikës i Universitetit të Elbasanit nga i cili kisha dëgjuar shumë herë pjesë të ndryshme klasike.
Në një intermexo Xheqi gjen rast të falenderojë “ikodhespinën” Dhora Bakojani (e “zonja e shtëpisë”-dmth kryetarja e bashkisë së Athinës që i kish ftuar) “Me agapi nga patridha- me dashuri nga atdheu im” –vijon të kumtojë titullin e pjesës në vazhdim Xheqi. “Cili është atdheu yt”- pyet një zë këmbëngulës nga turma. Xheqi heziton në çast dhe mandej jep një përgjigje të bukur këtë mes-shtatori kur ende njerëzit nuk e kishin harruar ndeshjen Greqi-Shqipëri: dëgjojeni pjesën dhe në fund të saj, në se nuk e gjeni vetë, do t’ju a them unë. Dhe Xheqi me violinën tij fluturon tashmë në vise të njohura për mua. Një muzikë e gëzueshme që të sjell sa në vallëzimet plot ritëm nën tingujt e çiftelisë së Alpeve, në meloditë e Shqipërisë së mesme dhe cicërimat e zogjve. Nuk do ta besoni po t’ju thom se ishin cicërima të vërteta zogjsh. Biles unë tashmë fluturoja me këta tinguj dhe në ahishtet shekullore të Klenjës dhe Gjinarit. Në Gjinar së bashku me Xheqin ishim ndodhur mjaft herë gjatë eskursioneve me studentët dhe vilolinën e tij të cilën ai nuk e ndante vetiu…”

Vazhdon…

No comments: