Monday 29 September 2008

Poezi që të zgjojnë kujtesën



Fatmir Terziu

Është një rast i mirë të lexosh, por edhe të kujtosh, duke lexuar. Duke lexuar një letër të poetit elbasanas, Nexhip Ejupi, më erdhi nëpër mend thuajse një periudhë kur një grup penash krijuese elbasanase qëndronin së bashku dhe mundoheshin të kthenin monotoninë e tyre në poezi, tregime dhe këshilla dashamirëse për krijues të rrinj, studentë dhe pse jo edhe për të tjerë. Dhe kjo shoqëri krijuesish të mirë dhe tepër shpirtkrijues afronte fjalën e Milianov Kallupit, Lirim Dedes, Nexhip Ejupit, Nexhip Bashllarit e mjaft të tjerëve që i gjeje në afërsi të shkollës “Qamil Guranjaku”, aty ku bisedë kryefjalë ishte krijimtaria. Me Milianovin më kishte lidhur një respekt i hershëm i një miku tim pilot dhe shkrimtar, Riza Lahi, që më fliste me shumë respekt për të, me Lirim Deden më lidhte leximi i hershëm i reportazheve të tij, të shkruara së bashku me Thoma Notin, me Nexhip Ejupin më lidhte profesioni dhe të qënit e tij ish mësues i vëllait tim më të vogël, ndërsa me Nexhip Bashllarin ishte diçka tjetër që më lidhi pasi Milianovi më dhuroi librin e tij “Mall i brengosur”. Për këtë libër është pikërisht shkrimi i Ejupit që më zgjoi kujtesën: “I dashur shoku im dhe miku im Nexhip!
I rikthehem hera-herës librit “Mall i brengosur” dhe ndjej kënaqësi të veçantë për secilën vjershë të këtij libri të arritur artistikisht.
Që në titull unë kuptoj moshën e thyer. Këtë mendim ma përforcon edhe folja “mbërthej”. Je në gjendje të dëshpëruar shpirtërore…Në një tryezë-vetmia. Karriket bosh-boshësia. Vetmia jote ndodhet përballë bukuroshesh dhe bukuroshësh të lumtur. Edhe ti dikur ke qënë i bukur dhe ke dashur një të bukur. Ama dikur… Nuk ka më keq se sa kur kujton një moshë të re e të lumtur i mbërthyer nga thinjat! “Krejt si ata- rinia ime, buzaqeshur, buzagaz…” Megjithatë ti nuk je si “vjeshtakët” e të tjerë me bostun, që e kalojnë kohën me domino… Ti ke gjetur një zgjidhje kuptimplote, optimiste, një shtegdalje prej zymtësisë e boshësisë… Ti kridhesh nëpër vjersha duke iu shmangur kotësisë, mërzisë… ti kapërcen vjeshtën e moshës së bardhë duke iu rikthyer viteve çapkëne, ndërsa dimri plak i ngjitet malit përkarshi…”
Ikja e dimrit!… Kam parë shumë dimra në fund të dimërimit të tyre. Ca janë të furtunshëm, me borë,me fraq, me ngrica… Ca më të butë, aq sa çelin mimozat e kumbullat e bajamet e kajsitë… Dimri yt, o xhexho, është i këtillë, i pleqëruar, i urtë, e pranon ikjen dhe tërhiqet qetësisht në guvat e malit ku s’i shkrin bora kurrë. Doemos, që fusha do të mbushet me jetë, me punë me njerëz, me bardhësi kumbullash e bajamesh e kajsish…Shpërthen dashuria në të gjitha moshat… Sido- mos të rinjtë që u zënë pritë vashave me lule në duar…
Jo mëkot ato dalin lëndinave… Edhe për të parë, por edhe për t’u pare… Dhe qielli është gri… Dhe jeta zhurmon… Dhe zemrat dehen nga e ëmbla dashuri…
“Ikja e dimrit!”- një tablo plot jetë, plot gjallëri, motiv për piktorin e merituar, Xhemal Lufta.”
Dhe për çudi ky libër me poezi ende ndodhet në duart e mia, si një respekt për krijuesin që më detyroi respekt pa e njohur atë. Çfarë ndjeva në këtë rilexim të poetit, prozatorit që nuk shkruajti për emër, as për lavdi, por për një ndjenjë të cilën e sheh duke e lexuar, për një ndjenjë që e gjen duke kumtuar ligjërimin e brendshëm të penës së tij, penës së tij të kuptueshme, duket se e plotësova kur lexova krijimet e tij të palexuara më parë.

Edhe pse një moshë 64 vjeçare, ai lexohet në poezinë e tij si një prurje me moshë ndryshe. Fakti që tematika e poezisë së tij rrok ngjyrime të ndryshme ka në thelb këtë fakt. Ai ndjehet në moshë vetëm kur i referohet asaj. Dhe pikërisht kreu i parë i “S'kam kohë të vdes”, siç e titullon vetë ai, përshkruan një itinerar që në mënyrë figurative plotëson një përditësi, një përditësi që nis me njeriun në tërë hapësirën dhe vendndodhjen e tij. Kështu flasin poezitë e kreut të parë të përmbledhura në nëntitullin “Më ndjek një diell”, ku poezia “Dhimbja e strehëzës” është një dhimbje poetike për njeriun, miqtë dhe zbrazëtinë e hapësirës pa njeriun që s’ka kush t’i japë qoftë edhe ndihmën më sublime:

“Kush t’ma ndezë pakëz zjarrin
Kush dhe dritën të ma ndezë?!
Kush t’ma shuaj pakëz mallin?!
Kush…Asnjë s’troket në derë.”

E krijuar në vargje, por e gatuar me lotë malli, kjo poezi të bën të ndjehesh natyrshëm në të njëjtën pamje, në të njëjtën panoramë, që të krijohet në mendjen tënde, fill pasi e lexon atë. Nuk është thjesht një domosdoshmëri njerëzore, por është një “Dhimbje e strehëzës”, ku autori e shuan jetën duke pritur:

“U gjerbova duke pritur,
Prit e prit… Nuk mbahet mend!...
Po në ç’vend më paski ikur,
Ku më jini, miq, në ç’vend?

Ndjehem qyqe majë bliri
Rrahur shi e fshikur shqotë,
Krejt i thatë më mbeti gjiri,
Sytë më rrjedhin pika lot.”

Në vargjet e mëposhtme ritmi poetik siglon hapat e brezave, që nisin me ‘çapa vocërraku’ e bitisin në pragje të gurta e themele që janë hapur e ngritur për të pritur e përcjellur. Kjo mënyrë e bukur e pasqyrimit poetik të traditës shqiptare, ndjehet kuptimplote dhe krijon etjen tek lexuesi.

“S’ndjej më çapa vocërraku,
As dhe ison që të ziejë,
Nuk më ulet kush te pragu,
S’kam të pritur, të përcjellë.

Bëhuni njëherë të gjallë,
Të mos ndjehem krejt e mjerë,
Të ndiej hapa nëpër shkallë,
Të nxjerr mallin, të thaj vrerë!

U gjerbova duke pritur…
Pritja qenka pik e helm.
Ndjehem si kandil i fikur,
Si një shpirt që heq e merr…”

Por në këtë zbrazëti autori gjen edhe një dorë të ngrohtë, atë dorë të ngrohtë mbi supin e tij. Tek poezia “Dorë e ngrohtë mbi supin tim” Bashllari, gjen arsye të shpjegojë edhe rrethnajën. Ajo nuk është thjesht një ndodhi e rastit, nuk është as një stisje e ‘mobiluar’ në fjalë për të plotësuar qenësinë. Në vargjet e mëposhtme ajo vjen e gjallë, e gatuar me “shpirt-mall”:

“Shpirti-mall mbushur me majë
Si pite me hoje mjalti,
Ëmbëlsinë për ta zbrazur,
Rrugën mora për nga fshati.

Ja dhe kroi që i paç kënduar,
Dy grusht ujë dhe pas kësaj,
Shkoj te strehëza i përmalluar,
Kokëulur, i zënë në faj.

Me dhimbje-mall për strehën time
Të mbetur larg e të vetmuar,
Mes visoresh krejt jetime,
Mes brejtësve kohë rrënuar.

Rreth e qark i vij me dhimbje,
Futem brenda heshtur pak…
Shoh imazhin e një ikje,
Ikje tmerri, hap e vrap.

O, ç’rrëzim muresh të gurtë,
Shurdhmemece heshtja që vret.
Po ku janë burrat e urtë…,
Dhimbje-dashurat nënetë?

Si bisk thane, oh, si dridhem
Dhe në duar kokën marr,
Vuaj, grindem edhe çirrem,
Ulërij i plasur në vaj.

Dorë e ngrohtë… mbi supin tim:
-Duro! Gjakun mos e prish!
S’vonon shumë…Te mëma klloçkë,
Zogjtë do kthehen gjith sërish.”

Pastaj në krijimtarinë e Nexhip Bashllarit vjen vetë natyra që plotëson tërësinë poetike të peisazhit ku gjen ushqim vargu poetik. Është një simpati që krijohet nga nuanca dhe kolorite natyrale. Është një etikë poetike që frymëzohet nga materialja, ku natyralja është jo vetëm rrethuese por edhe domosdoshmëri e vargut të poetik. Në poezinë “Ku zhuzhit e kullot bleta” gjendet fuqia e një strofe tipike, që mer një formë të ngjeshur, ku me pak riskim fjalësh ajo meret si një model krijimtarie në këtë zhanër. Është fjala për antitezën e krijuar, përshembull tek vargjet e para: “Mos u lodhni të më gjeni,/Gjithë mundimi u shkon kot.” E që pasohet pastaj me krahasimin “Si Naimi, tej te bregu,/Vështroj delet në kullotë.”, ku kjo traditë dhe mënyrë poetike gati e lehtëson kuptimin figurative të poezisë. Më poshtë ndjehet frymëmarja e saj dhe mer nuancë të vërtetë fjala poetike në tërë konfiguracionin e saj:
“Tek ndjej flladet pranverore,
Fëshfërimat gjethe-pemë,
Shtrihem butë në bregore,
Dielli sytë m’i rrëmben…

Zë shëtis nëpër livadhe,
Ku mbledh lule trëndelinë,
Ku shkel tokën bukëvale,
Shuaj mallin, ndez rininë.

Mes aromash i përkundur,
Ku zhuzhit e kullot bleta,
Të më gjeni s’është e mundur,
S’u mjafton e gjithë jeta!




Hallakatja mbi letra

U tretën vitet si qiriri,
Tretur pak edhe nga pak,
Përmbi stol në hije bliri,
Vështroj, ngopje s’ndjej aspak.

S’ndjej të ngopur së vështruari,
Ato… që s’mundem t’i zë dot,
Falmë, o Zot, një vit rinie,
Ç’më ka mbetur,… t’i fal sot!

U shkrinë vitet, përgjithnjë
Më të ëmblat, më të sertat.
Ç’më ka mbetur? Pakëz gjë…
Dy kafe në ditë dhe letrat.

Përmbi letra hallakatem,
Qesh e qaj me gaz e derte
Nuk kam kohë mbi to të mbart,
Gjithë kujtimet e kësaj jete!”

Duke ndjekur krijimtarinë e Bashllarit, shoh një vlerë të pazbuluar shqiptare në përmasat që i takojnë të jetë ajo. Kështu krijimtaria poetike e Bashllarit, shpalos një arsye më tepër për të përshpejtuar leximin. Duhet thënë se krijimtaria e autorit pasohet nga një mori krijimesh në prozë dhe në poezi. Në poezi spikasin poezitë e lartpërmendura, por edhe “Këngë moj”; “Veç këtë…prej teje dua!”; “Ç’më ke këndellë moj vjeshtë e parë !”; “Heshtur pres kalin e bardhë”; “Pema e vetmuar”; “Strehëzës”; “Këngë gurgullimash”; “Vitet e rinisë”; “Pa titull”, që është një poezi tepër e arirë dhe tepër e goditur me sarkazmën që gatuan, e mjaft të tjera:

“Më vriten brinjët
Në dyshek sfungjeri,
Më çmendën ëndrrat!...
Më çoni të shtrihem nën gunë
Ku blegërijnë shqerrat
Të bëj një sy gjumë.”

Duke përfunduar këtë vëzhgim kritik të krijimtarisë së krijuesit elbasanas Nexhip Bashllari, dëshiroj të fiksoj atë që poeti Ejupi ka thënë ndjeshëm e me shpirtin e tij krijues për krijimtarinë e tij: “Edhe poezia “E fshehtë dashurie”, sipas meje, të kujton “Dil, moj, dil…” te kjo poezi del e vërteta: nëna me babanë janë mposhtur nga thashethemet dhe e kanë mbyllur brenda vajzën, pra, miken tënde të pare.
I dashur xhexho!
Pak poezi për dashurinë ke në ketë libër, por ato të gozhdojnë në vend me sinqeritetin intim, me frymën popullore që i përshkon ashtu si veriu nëpër lulet e lëndinave…
Vë re se ka disa fjalëpërbërje që më sjellin ndërmend lirikun pogradecar, Lasgush Poradecin: Ja disa: Flokë-kreshp-e-gjak-përflakur; faqe-gropka-brymë-e-brumë; sy-e-zemër-prush; krim-terror-e-tmerr e ndonjë tjetër.
Këto janë fjalë të përbëra me vizë mes fjalësh përbërëse, pra, janë jo kompozita, por fjalë-metafora. Fjalë-metafora gjëllijnë vetëm në poezi, kurse në popull ato janë jashtë përdorimit në të folurën e përditëshme. Sidoqoftë, ato i japin temporitëm ndjenjës, e ngazëllejnë lexuesin dhe e bëjnë atë t’i kujtojë shpesh…
Kryemjeshtri i fjalëmetaforave është Lasgush Poradeci. Edhe përpjekja jote është e lavdërueshme, por duhet vazhduar me kujdes, siç ke bërë në poezitë për dashurinë…
Xhexho shoku!
Xhexho miku!
Jam i lumtur që je dhënë me mish e me shpirt pas poezisë lirike dhe shoqërore. Mos iu shkëput lirikës! Një i vjetër (i mençur) ka thënë:
Lepuri sa më shumë shkurre të përshkojë, më shumë lesh lë…
Të lutem merru vetëm me lirikën! Ajo të ngop ty! A ngopet njeriu me farëza lulesh dielli? Jo, ai ngopet me bukë! Buka e frymëzimit tënd është lirika dhe…PIKË!

No comments: