Wednesday 17 September 2008

Njerëz prej buke

(tregim)

Faruk Myrtaj

...robërohemi për liri...

Gardiani nuk po bëhej i gjallë dhe unë u ngrita.
Në një hapësirë sa kjo e qelive, “të ngrihesh” s’ka asnjë kuptim, nuk ia vlen të ngrihesh për të kryer ndonje veprim. Mjafton të zgjatësh dorën dhe arrin kudo, në secilën qoshkë të qelisë. Por ngritja më këmbë është instiktive, përpjekje për lëvizje, orvajtje për të mos humbur vetinë e të gjallit.
U çova dhe bëra një gjysëm hapi për nga dera e qelisë, preka shufrat e hekurta, futa turinjtë midis tyre. Doja të kqyrja koridorin. Gardiani ishte edhe më tej atje, ulur në karriken prej hekuri. Kryembështetur midis pëllëmbëve të duarve, dremiste. Nuk them ëndërronte, jo pse ishte gardian, por sepse asgjë nuk do të ndryshonte në këtë mes. Dukej se flinte, pra unë isha i lirë të merresha me veten. Kjo më duhej. Këtë prisja.
U zhvendosa një gjysmë hapi, për nga qoshku i djathtë. Gjithnjë brenda qelisë sime. Atje kisha lënë pjesën e kursyer prej racionit tim të bukës. Në këtë lloj qelie s’është e nevojshme të hapësh sirtarë e dollapë e bufera. Ajo është e lehtësuar prej formaliteteve. Edhe në errësirë të plotë, e di se ku e kam vendosur bukën, brenda një shamie të bardhë, aq të pastër sa mund të ketë kuptim pastërtia në një qeli pa ujë e pa dritë. Shamia është e mbështjellë me një copë plastmasi, lëndë që mbron bukën nga tharja e ashpërimi.
E marrë në duar, si me kujdes nënash për foshnjën e tyre.
Janë orët më të veçanta të jetës. Të jetës sime në burg. Kudo e kurdo, njeriu gjen kohë për tu gëzuar. Mbase kjo është arsyeja që marrin vlerë të veçantë cigari i fundit, fjala e fundit përpara togës së pushkatimit, apo ato ca pak grimasa më parë se njeriu të jap frymën e fundit për të ndërruar jetë.
“Ah, jeta ime...!”, thashë si përvajshëm, pa zë.
Më kishin rrjedhur njëzetë vite këtyre burgjeve. Nëna kishte vdekur, më kishte humbur përpara ikjes për në botën tjetër, pa më dorëzuar, siç bëjnë zakonisht nënat, tek tjetra, gruaja.
“Edhe aq keq nuk qenkam, përderisa gjej me ç’gëzohem!”, shtova me zë, për të qenë i vërtetë deri në fund. Së paku me vehten.
U rrotullova, bëra një lëvizje më shumë, një gjysëm hapi në të kundërt dhe, kokëulur, u ula në shtratin përdhes, një dyshek, i hollë fare, diçka më i trashë se feta e bukës që na japin për çdo vakt.
U rregullova këmbëkryq, mbi batanie. Shaminë e vendosa në prehër. Si një lëndë e rrallë e materies, tuli i kursyer prej racionit tim të bukës. Po të më shihte kush, do besonte se ulesha për të ngrënë. E mendoja këtë, edhe pse këtu gjithkush e dinte menynë time dhe kurrkush s’më bënte shoqëri. Po të më begeniste gardiani, që tashmë dremiste gërrhimshëm në fund të koridorit, sigurisht do ta ndaja me të. As që e shkonte ndërmend. Jo ngaqë ndjehet ngushtë se herë pas here i duhet të m’i dhuroj ca grushte e ca shkelma, edhe pa arësye. Po nuk është ky shkaku. Gardiani nuk do ta vinte në gojë bukën time sepse s’e vë fare në dyshim kur i thonë se unë jam armiku i tij. Po të më ftonte të haja a pija diçka prej tij, nuk do ta refuzoja. E di se s’është ndër armiqtë e mi, edhe pse më sillet si njeri prej tyre.
Po për çfarë ta ftoj?! Vetëm një copë buke kam, pak tul buke. Edhe këtë, jo për ta ngrënë. Ah, kam edhe një gotë uji, por as ujin s’e kam për ta pirë. Ndaj lere gardianin e shkretë të marrë një sy gjumë e të ketë më shumë fuqi kur t’i teket të më ndëshkojë.
“Vazhdo të bësh gjumë të qetë, zotëria im! Sikur të zgjohesh e të shohësh me ç’merrem, do të zgërdhiheshe përtej hekurave, ose do të hyje brenda qelisë dhe do të m’a shpërbleje ftesën me ca shkelma. Nuk ke ngè ti të marrosesh si unë!”
Afrova gotën e ujit pranë vetes, njoma tulin e bukës dhe ia nisa punës. Secili merret me diçka, në këtë jetë. Gjithkush krijon botën e tij të vogël, brenda kësaj bote të pafund. Kështu besojmë, së paku. Iluzion? Ku ka rëndësi si e quajmë. Rasti ma solli ta krijoj këtë botën time të vockël fare brenda kësaj qelie. Njeriu qenka qenie e çuditshme, mbase pikërisht për këtë aftësi: mësohet me kushtet, përshtatet me rrethanat. Mjaft ta lesh vetëm dhe ai, fa-fap, në çast e ngjall jetën; edhe brenda një vrime vetmie, siç është kjo qelia ku më kanë mbyllur.
“Beson vërtetë se je vetëm aty...?!”, më pyeti një mik, kur kishte guxuar të më vizitonte aty ku isha. E vështrova në sy. Fliste për burgun tim si për jetën e tij jashtë mureve. Atje përgjohej kudo dhe ai ishte i sigurt se s’mund të mos përgjohemi edhe ne këtu, në burg.
“Unë në burg jam!”, ia pëshpërita. “Nuk ndjehem keq...”, shtova pastaj. Me zë. Nëse përgjoheshim, le të dëgjonin se nuk qahesha. Edhe për mikun tim, këto fjalë shkonin për mirë. I burgosuri i tij nuk ndjehej i pakënaqur!
“Me se e kalon kohën e lirë?!”
“Bëj njerëz,” i thashë. “Njerëz prej buke bëj...Të kam edhe ty...prej buke!”
Më hodhi një vështrim të drobitur dhe sikur u ftohë në sytë e mi. S’foli. Iku shpejt. Nuk shpresova të vinte më. Mbase dyshoi që kam probleme. Diku në tru. Po mbase është trembur se mos e marrë më qafë!
U ktheva në qeli, nuk bëra asnjë përpjekje për të kqyrur ku mund të ishin aparatet përgjuese, të cilat m’i ndërmendi. Variantin e tij prej buke e ndryshova. Menjëherë. S’doja të bëhesha shkak për ndonjë të keqe ndaj tij. E njoma formën e tij prej buke dhe e zhbëra. Por e kam endè, në formën e brumit të thatë.
Ndenja ca shtrirë. Rrëshqita vështrimin në tavanin e qelisë, në faqet anësore, tek porta e hekurit, tek llampa e venitur, tek dryni që më mbyllte brenda. Kudo mund të kishte kamera. Aparatet mund të vendoseshin gjithandej. Le të bënin ç’të donin. S’ishte aspak e këndshme ta përfytyroje veten të vëzhguar nga zyrat e komandës së burgut, por edhe me këtë duhej të mësohesha. Pasi ke humbur të shumtën e gjërave të mëdha, të voglat s’ndjehen fare. Të përshtaturit me mungesat është e pashmangshme. Duhet vetëm ca pak kohë. Dhe nerva...nerva. Në qeli, kohë kisha plotë. Nervat do t’i ushtroja, le të rezistonin. Për hir të tyre!
Një lëvizje mashtruese: ngrita dorën, e afrova tek goja, sikur futa kafshatën e bukës. Nuk ishte gjë e re. Të ngrënit nuk na ishte ndaluar. Endè! Ktheva kokën rreth e qark, lëviza nofullat e buzët, që kqyrësit e mi të mundshëm të besonin se po përtypesha. Të burgosurit, në gjithë botën, janë ripërtypës. Ripërtypin të shkuarën. Si emigrantë pakthim.
“Në djall vafshi, bashkë me qelinë time dhe përgjimin tuaj!”, thashë me zë.
Tërhoqa një gazetë dhe nisa të lexoj. Pastaj më shkrepi të lexoja me zë, me zë të lartë. E kisha unë radhën t’i nervozoja. Duke u lexuar gazetën e tyre! Meqë nuk më linin të gëzoja vetminë time, le të bënin shoqërinë që ofroja unë. Apo prisnin t’i shaja, t’ua grisja gazetën përpara syrit të fshehtë të kamerave të tyre, që të humbisnin qetësinë dhe të më ndëshkonin?
Më tej, duke u marrë me tulin e bukës, i ndiqja me bisht të syrit. Pajisjet përgjuese le të vazhdonin të tyren...
Eh! Buka është e bekuar! Është fryti i tokës. Jo i makinave. Punohet toka, hidhet fara, mbin bima, rritet kalliri, piqet, korret, bluhet, bëhet miell dhe bukë. Mua më është dashur ta bëj edhe njerëz prej buke...
Sapo e prek me dorë, ajo e lumja merr e jep me gishtat e mi. Kisha lexuar se fatet e njerëzve lexoheshin në vijat e pëllëmbëve dhe gishtrinjëve të tyre. Buka mbase prekte vijat e fatit në duart e mia, që më ngjallte këto ndjesira.
E njomja, e ngjishja, e përpunoja, majagishtash, ajo bëhej edhe më e butë, ishte gati të jepej, njëlloj si ajo plastelina që përdorin fëmijët për të sajuar lodra e figurina të ndryshme.
Nuk doja gjumë këtyre netëve. A thua edhe ata, modelet e mi, rrinin zgjuar, duke ndjerë ethet e mia? Edhe përgjuesit e mi, të pa gjumë, duke më vigjëluar mua?!
Zoti u ruajtë mendjen, nëse më përgjojnë kur merrem me tulin e bukës!
M’a shohin fytyrën lëbyrur prej një rrezatimi të pazakonshëm, dhe kam drojë se nuk besojnë dot se drita buron prej marrëveshjes sime me të dashurit e mi dhe me tulin e bukës së kursyer. E shohin se përpiqem të krijoj njerëz, njerëz prej buke, po kush e di ku tjetër u rrëmon hamendja. Kjo fytyra ime e drobitur, s’besoj se do t’u duket aq e urtë sa të më justifikojnë si qenie të joshur prej delirit filozofik që kapllon të burgosurit afatgjatë. Ky djall, mund të thonë me njeri tjetrin ata, mund të ngrihej netëve, të kaloj telat me gjemba, të na vijë deri në komandë dhe...të luaj me kryet tona si me copën e bukës...
Njeriu nuk arrin ta njoh tjetrin, nëse nuk njeh veten e tij. Nuk them se njeriu duhet të shkojë në burg për të siguruar këtë njohje, por vetminë e tij ka mundësi ta krijojë, kudo ku është. Mbase edhe kur rastisë në komandën e burgut. Vetmia, më shumë se çdo shkollë e mënyrë tjetër, krijon mundësinë e rishikimit e plotësimit të vetes. Qenia njerëzore është një trajtë e caktuar, një lloj ene që tërë jetën e jetës gjallon për t’u mbushur. Popullimi i tërë hapësirave brendaqelizore, mbushja e këtij boshi, vetëm kjo i jep kuptim të jetuarit. Dhe, pa asnjë dyshim, ky boshllëk, mund të zbulohet, verifikohet e plotësohet vetëm në vetmi.
Duke krijuar njerëz prej buke, nisa të ndjehem ndryshe.
Atëherë kur tuli, më në fund, merr formën që kam dashur t’i jap, teksa s’kam pushuar së foluri me veten dhe me atë që jam duke sajuar, kam shtysë ta ngrè zërin. Si ai plaku që bëhet gati të niset për të ikur përgjithnjë, apo si fëmija që sa-lindet. Pa asnjë shkak, mbaj gjallë shpresën se m’i dëgjonin edhe murmurimat. E çfarë nëse vërtetë jam i lajthitur?! Mjaft që flas me njerëzit e mi, paçka se prej buke. Është pak a shumë si t’i kem të gjallë.
A thua të më kenë parë, përgjuesit e komandës, kur kam qarë për vogëlushët e mi prej buke? Eh, kur sajoj fëmijët, tuli i bukës është si lënda e përdorur për të krijuar njerëzit e parë të botës. Vetja më bëhet si Krijuesi i Madh, Ai i Vetmi, i Vërteti. Më fal, më falë që të imitoj ty, i drejtohem atij, duke ngritur sytë lart. Më fal, nëse duke të kërkuar ty, më shfaqet tavani, ku ata mund të kenë vënë aparatet e përgjimit, i them. Deri në shenjtëri e pafajshme, për të krijuar qenie perëndisht të pafajshme, buka vazhdon të lakohet në midis gishtat e mi, duke më falur ajo në emër të Zotit, por edhe duke m’u lutur që të bëj kujdes.
Ata të mirët, fëmijë të mi, vijnë në qelinë time si në një kënd lojrash, si në një copë lëndine të pashkelur. Më vjen keq për këtë, që i sjellë fëmijët në këtë vrimë miu, por ja që miu jam unë, babai i tyre, që s’mund të rrij dot pa ta. Sa bukur vijnë e rrijnë në tulin e bukës, dhe sa mirë ndjehet tuli i bukës në trajtën e tyre...O Zot, si s’pushove një herë së ngushëlluari njeriun fatzi!
Kam frikë se duke folur kështu po i bëj më të ashpër ata të komandës, nëse më përgjojnë vërtetë...
E si ta dinë ata se ç’është njeriu prej buke! Unë për vete, bëhem shend e verë, teksa ndjej në këtë mënyrë. Farfuritja e një drite prej së brendëshmi, më ofron një gëzim që as vetë nuk arrij ta shpjegoj dot. Ata nuk e dinë, nuk e marrin dot me mend se gjatë kësaj lloj pune me dorë, nuk ndjehem më në qeli, nuk jam më i burgosuri i tyre.
Mbase më mirë që s’e dinë...
Herë pas here sajoj edhe gruan. Gruan time. Gruan time prej buke. Punoj gjatë me trupin e saj. Në fillim, mezi më bindet. Edhe vetë, kur merrem me të, ndjehem i drojtur. Drita e paktë e qelisë është si ajo drita në dhomën tonë të gjumit, intimiteti është i brishtë dhe joshës, teksa besnikëria e sinqeriteti i ftesës sime për t’a sjellë në qeli, sigurohet prej shenjtërisë së bukës. Gruaja zë e më jepet pak nga pak, nuk nxitohet, më bën të mundohem ca, por e di që do të më jepet deri në fund. Nuk më është mërzitur kurrë, ajo e vala, ngrohtësia ime, edhe kur i sillja shqetësime të llojit që më sollën këtu ku jam.
Ndryshe nga ajo gruaja tjetër, reale, kjo prej buke është edhe më ideale: nuk më qahet për hallet e ditës, as për ushqimet e pamjaftueshme për fëmijët. Kjo grua tjetër më ngjan më shumë me atë vajzën që kam njohur dikur, ajo pas së cilës rendja nëpër rrugët e qytetit, ajo që më premtoi se do të më bënte të lumtur, edhe nëse unë do t’i shkaktoja andralla.
Brumi, duke shfaqur trupin e saj, bëhet edhe më i epshëm, më i ndjeshëm, gishtat e duart e mia teksa më përcjellin nëpër trup ndjesinë e një kënaqësie të të qenit vetëm me të, edhe pse në një qeli si kjo, e shndërron këtë prani në diçka të papërsëritshme. S’mund ta merrni me mend ç’është një grua në burg. Të jesh vetëm me një grua në burg...
Duhet të kthjellohesha, sidoqoftë: më përgjonin apo jo? Duhet ta dija këtë gjë. Pastaj le të bënin ç’të donin. Me mua, me njerëzit prej buke, me fëmijët dhe gruan time. Ata duhej t’i jepnin fund këtij përgjimi të fshehtë. Pra, duhet të pranonin që më përgjonin. Kaq. Të burgosurit do t’ja krisnin së qeshurës, nëse do t’u thuhej se përgjohen. Isha një i burgosur, pra, me mua mund të bënin ç’të donin. Por përse të më vidheshin? Drojtje a frikë prej meje?!
Do doja t’ua qartësoja këtë. Në burg isha njeri prej të burgosuri të tyre, por brenda qelisë zoti isha unë. Aty jeta më bindej mua, zotit të dhimbjes së saj!
Pjesa tjetër e tulit të bukës kishte marrë formën e një koke e të një fytyre tmerrësisht të njohur. Hunda endè s’po i bindej bulzave të gishtave të mi. I nervozuar, kisha lënë mënjanë gruan dhe pa e kuptuar po bëja komandantin e burgut. Atë prej buke.
Po ndjeja fodullëkun e tij, teksa përplasej me krenarinë time. Nuk e fshihja dot një lloj ndjenje hakmarrjeje ndaj tij por, edhe pse kishim ndërruar rolet, nuk bëja asnjë veprim që të cënonte sedrën e komandantit prej buke. Duke u marrë me të, kisha heshtur. As flisja, siç bëja me gruan, as këngëzoja, siç bëja me fëmijët. Nuk doja t’i shpjegohesha dhe as prisja të më shpjegohej. Nuk e pyesja, pra as prisja të më përgjigjej. Në fund të fundit, ai i dinte përgjigjet e mia, ashtu si unë dija pyetjet e tij.
Pas pak e ndjeva veten në një situatë krejt tjetër. Komandanti prej buke, me të njëjtin zë si të modelit të gjallë në zyrat e komandës, më pyeti.
“Ku jam këtu, zotëri?”
“Në burg, i thashë. Ku tjetër mund të ndodhen bashkë një komandant burgu dhe një i burgosur?!”
“Në qeli?!”
“Në qelinë time!”
“E unë?!”
“Për shkak të bujarisë së bukës...”
“Edhe...?”
“Buka të krijon mundësinë e të qenit Tjetër...”
“Sa vjet burg ke bërë?”
“Aq sa m’u bënë të domosdoshëm njerëzit prej buke!”
“Përse je dënuar?”
“Po më pyet për fajin tim, apo për akuzën tuaj?!”
“Mos fol kështu, i dënuar...”
“Nuk jam i dënuari, jam krijuesi yt...”
“S’ta kërkoi njeri këtë...”
“As ti nuk më pyete kur më sollën këtu!”
“Nuk të solla unë...”, po thoshte komandanti prej buke.
Duke thënë kështu, sikur lutej që ta lija rehat. Sikur kishte frikë se mos ngrija zërin dhe ndokush merrte vesh që mua, të burgosurit të qelisë 111, më bëhej shoqëri nga komandanti i burgut.
“Nuk përgjigjem për atë tjetrin...”, shtoi pas pak.
Më vështronte, pa bërë zë. E kisha rikrijuar prej buke dhe ai po e përdorte shansin që i dhashë: maturia që shfaqte më ftonte kujdes në bisedën me të.
Brenda një çasti, vetëtimshëm, besova se tek ajo copë buke, fare mirë, mund të ishte një njeri i zakonshëm, një qenie njerëzore e lodhur nga jeta jashtë qelisë; mund të ishte një shembëlltyrë njerëzore në depresion, në prag të një marrie, mbase një njeri që kërkonte të mbante gjallë fëmijët e gruan e tij; e përse duhej bërë doemos fajtor që s’kishte zgjedhur një jetë si timen...
Nuk është aq e lehtë, ta marrë djalli këtë punë, nëse të është shtruar si alternativë e të mos pranuarit të qenit komandant burgu, ajo e të burgosurit.
Unë i kisha ofruar mundësinë për t’u shprehur jashtë detyrimeve të tilla, por ai nuk po shprehte gjë në ishte fat apo fatkeqësi forma e mënëfundme, Njeri prej Buke. Ndjehej i tejdukshëm përballë, ngaqë e dinte se mund të bëja ç’të doja me të, apo se, duke qenë prej buke, nuk mbante përgjegjësi ligjore?
“Modeli yt shërben si komandant burgu...”
“Për të njëjtin shkak që unë shfaqem para teje si njeri prej buke!”
“Beson se njerëzit bëjnë atë që mundin?”
“Nuk jemi prej buke, apo jo!”
“As unë...!”, nxitova t’i thosha, për të mos i lënë kohë të ngjante edhe më shumë me atë tjetrin, që mbase na shihte e dëgjonte prej zyrave të komandës.
U ndjeva më i qetë, teksa shkova ndërmend se komandanti real tashmë përgjonte, bashkë me mua, edhe sozinë tij prej buke.
Duke ma ndjerë turbullimin, komandanti prej buke nisi të lëvizë nëpër qeli. Nuk e hidhte hapin të shtrirë, si ai Tjetri kur zhvendosej e ngrinte zërin përpara rreshtit të gjatë të të burgosurve.
Mbase këtë zvogëlim të përmasave dhe të lëvizjeve ia detyronte hapësira e qelisë, por unë shpresoja se kishte lidhje edhe me natyrën që e kishte lindur, me virgjërinë e tij të dikurshme njerëzore, me të qenit tjetër në rininë e fëmijërinë e tij. Nuk di pse shpresoja se njerëzillëku i komandantit prej buke buronte jo veç prej brumit por edhe prej qelizave të origjinalit, prej kohës më përpara se të bëhej komandant burgu.
Varianti i tij prej buke vazhdonte çapitjen nëpër qeli, pa i hedhur sytë nga unë. M’u dukë se edhe ai ndjeu që përgjohej, sepse ngriti sytë për nga tavani.
“Po vuajmë bashkë!”, i thashë unë.
“Në emër të kujt?”, pyeti ai.
“...vetëm në emër të popullit jo, të lutem...!”
Nuk kisha ndërmend të luaja gjatë, siç luanin me ne kur na dënonin, por ndjeva kënaqësi kur më erdhi ndërmend diçka tjetër.
“Në emrin e lirisë sime të vogël”, i thashë.
Pikërisht pas kësaj u ndjen hapa në koridorin midis qelive. Më shkoi ndërmend të fshihja fëmijët dhe gruan, t’a merrja komandantin prej buke, ta fshihja edhe atë diku, por hapat ishin shumë të shpejtë, erdhën direkt tek porta ime. Gardiani qenkej zgjuar, e pashë që rrotulloi çelsin në dryn, hyri brenda, pas tij hynë dy a tri të tjerë dhe, fill pas tyre, u gjend brenda qelisë komandanti i burgut. Përgjimi i qelisë qenkej realitet. Ose disa rastësi të çuditshme po i shndërronin përfytyrimet në gjëra konkrete. Njëlloj si të mund t’u jepej frymë njerëzve prej buke.
Komandanti i burgut, si kurrë herë tjetër, po sillej shtruar. Nuk e ngriti zërin, nuk po kërcënonte, madje as statuetën e tij prej buke, që ia rroku syri menjëherë, s’po e merrte për të keq. Largoi gardianin që rrinte midis nesh dhe u mbështet në murin e qelisë.
Unë po ndjehesha mirë, edhe pse kuptova se kishin futur turinjtë deri në robërinë e qelisë. Ndjeja një lloj kënaqësie të pamenduar më parë: kjo marrëzia ime nuk qenkej edhe fare pa kuptim! Tërësisht e parrezikshme e, megjithatë, e kisha sjellë komandantin në qeli, në mes të natës. Kësaj here jo për mua.
As ky tjetri, komandanti prej tulit të bukës së kursyer prej racionit tim, nuk po ndjehej. E kishte mbyllur gojën, sapo në qeli ishte shfaqur modeli i tij. Madje po më dukej tmerrësisht i brishtë, i vogël, shumë më i vogël se ç’e kisha bërë unë. Për të ardhur keq, më dukej.
U ndjeva edhe vetë i lodhur, i zhgënjyer, i dështuar. Isha munduar kot së koti me bërjen e tij? Po besoja se isha po kaq i dështuar edhe me fëmijët prej buke, gjersa variantet e tyre prej buke nuk po e zemëronin komandantin real.
Pikërisht në çastin kur vuaja kotësinë e kësaj pune dhe kësaj lirie, bërjes së njerëzve prej buke, komandanti i burgut, modeli vetë, u përkul paksa dhe zgjati dorën drejt shembëllimit të tij prej buke.
Gishtat e tij e kapën me kujdes, por në mënyrë krejt të vendosur, kopjen prej buke të vetes dhe e ngritën në lartësinë e zakonshme të vështrimit. Ai tjetri, prej buke, s’bëzante. Si i hutuar, i pagojë, ngaqë e kishin gjetur aty, në qeli, në orët e natës. Apo ndjehej mirë, i shliruar, i shpëtuar prej meje, tashmë që do të bashkohej me veten e vërtetë? Komandanti i burgut kqyri një copë herë veten prej buke, hodhi një vështrim të shpejt mbi mua, pastaj përsëri sozisë së tij të belbake, nuk mund të rrinte pa u hedhur një sy gardianëve që e kishin shoqëruar deri në qeli dhe, në çastin tjetër, u nis rrëmbyeshëm për të dalë prej qelisë.
Mbeta përsëri vetëm. Më lanë përsëri në vetminë time.
Shëmbëllesa ime endè nuk ishte plazmuar tërësisht. Mbase ishte e pamundur të krijoja veten, por do të vazhdoja të merresha me të. Nuk më privonin dot prej kësaj të drejte. Nëse do të ma vogëlonin edhe më racionin, aq shumë sa të mos kisha mundësi të kurseja, ose nëse do të ma ndërpritnin fare bukën, duke më hequr të drejtën e qenies gjallë, kjo ishte tjetër gjë. Do të ngordhja nga urija, këtë nuk e ndaloja dot, kjo ishte liria e tyre, njera nga liritë e tyre.
Njeriu nuk shkon rastësishëm tek liria e tij. As tek robëria nuk shkohet rastësishëm. Shpesh, liria imponon robërinë dhe robëria siguron lirinë. Fati i jetës së zgjedhur. Në qelinë time mund të gëzoj vetëm lirinë e të kursyerit të bukës dhe bërjes së njerëzve me të. Liri e vogël, tmerrisht e vogël, por ishte liri, forma më e paprivueshme e lirisë. Le të tingëllonte si lodër fëmijësh!
Vlera e lirisë qëndroka në mënyrën e përdorimit, jo në madhësinë e saj. Për këtë u binda me kohë. Gardiani që edhe përgjumshëm përgjon, më shumë akoma komandanti i burgut, gëzojnë liri të mëdha: të drejtën për të bërë ç’duan edhe me lirinë time. Por ata nuk kanë ç’i bëjnë lirive të vogla! Mjafton pak tul buke që t’i kapërceja gjithë pengesat, deri edhe muret e burgut dhe të sjell gruan e fëmijët këtu ku jam. Vetë komandantin e ndryva në qeli. S’është ndonjë kush e di çfarë liria e madhe. Së paku nuk ia vlenë të gëzohen aq shumë për të.
Ata që janë të nginjur e të velur me liritë e mëdha nuk arrijnë dot të besojnë se njeriu mund të bëj fare mirë pa liritë e mëdha, por kurrën e kurrës pa liritë e vogla. Secila prej lirive të vogla është një mrekulli e madhe! Dhe s’ka bir nëne t’a privoj njeriun prej lirive të vogla. Ishte diçka normale të kurseja ca bukë për fëmijët dhe gruan e për ndonjë mik që më mungonin aty ku isha. E vërteta dukej se ishte shumë më e ndërlikuar. E kisha shndërruar lirinë e vogël nga një e drejtë dhe mundësi rikrijimi, edhe pse veç e drejtë zotash të burgosur. Liritë e vogla paskeshin rrezikun e shndërrimit në liri të mëdha.
Kur kalonin disa orë dhe vakti tjetër i të ngrënit ishte ende larg, ndjeja gjithnjë gurgullimën e zorrëve. Për të shuar urinë më duhej të haja njerëzit prej buke...Si gjithnjë, komandantin e burgut e haja të parin. Pastaj përtypja gardianët, më tej miqtë e mi, gruan time dhe më në fund u vinte radha fëmijëve...
Nisa të ndjehem keq, më vinte për të vjellë, e gjykova veten si njeri të vogël, qenie shtiranake. U justifikova me lodhjen, qëndrimin mbyllur në qeli, por e vërteta ishte tjetër. Nuk u kisha shpëtuar dot instikteve. Edhe pse s’guxoj të mendoj keq për këtë liri të vogël, e kisha keqpërdorur.
Natyra e njeriut ka të ngjarë të ishte një godinë me shumë dhoma, me hapësira të mëdha, të pamatshme, njëherë e mirë të panjohura. Individi kurrë nuk e di vendin e vet. Fatin jo e jo. Njëkohësia, përballja, marrëveshja, lufta, midis asaj që është dhe asaj që dëshiron të jetë, është vetë motivi i të qenit. Ai që është nuk mund të asimilohet nga shëmbëllimi i tij. Përgjohet në çdo çast nga i dyti, duke mbetur pashmangshëm vetja e parë, shfaqja në marrëdhëniet me të tjerët. Ç’të drejtë kisha të cënoja prirjen e tyre natyrale për të gëzuar liritë prej të cilave u kishte rënë hera të realizoheshin? I rrëmbyer përsëri nga joshja për të kuvenduar me njerë të llojit tjetër, e kisha lënë mënjanë figurinën e komandantit. Kisha marrë tjetër tul buke dhe gishtat po kryenin shërbimin për tjetërkënd. Kisha bërë një copë punë, pra, kur vura re se statueta prej buke që sapo kisha filluar, isha vetë unë. E tëra kjo kishte ndodhur krejt instiktivisht. Si reagim ndaj përhumbjes përballë krijesës sime më të fundit, komandantit të burgut. Apo ishte rrjedhojë e pushtetit të grumbulluar në figurën e tij.
Mos, o Zot, falmë i Madhi Zot! Paskam nisur shembëllimin e vetes. Edhe pse e dija se më ishte dhuruar prej dëshirës e vullnetit të tij suprem?
Tërë jeta e njeriut kishte qëllim rikrijimin e shembëlltyrës së vetë, shumimin e saj. Kjo e shtynë të rritet, të krijojë familje, të lindë fëmijë, të besojë e të ndihë në vazhdimësinë e jetës. Qelizat, që funksionojnë në trup, si tru e si ndjesi, kërkojnë papushim të riprodhohen. Prej mishi a prej buke, ç’rëndësi kishte? I rëndësishëm ishte krijimi, qoftë edhe si rikrijim, por jo i vetes prej vetes.
“Ja që ndodhi,” thashë me vete, “edhe pse bërjen e vetes e nisa paqëllimshëm...”
S’do të kisha guxuar, paraprakisht. Do të më dukej e pamundur t’u kërkoja gishtave të mi, duarve të mia, syrit tim, shijes sime, vetes sime, të përngjashmin prej buke. Si do t’a lypja prej tulit të bukës këtë katana prej mishi, gjaku e kockash, qenien time që u ishte mërguar fëmijëve, gruas dhe jetës atje jashtë? Nëse rimodelimi i fëmijëve, le të themi edhe i gruas, kishte shpjegimin e vetë, mungesën e tyre, ç’dreq më shtyri të shtoja midis njerëzve prej buke gardianin, komandantin e burgut dhe veten time? Të dy i kisha këtu, më kishin ardhur në majë të hundës! Aq më shumë vetja ime...
Për shkak se ndodhem në vetmi, në botën time të vogël, paskej ardhur vjedhurazi ora e ribërjes së Vetes Tjetër?
Kush e di si isha kandisur prej kurtheve të lloj-llojshëm të qelisë, gjersa merrja përsipër të dilja prej vetes e të përftoja formën e një statuete. Dhe, gjoja i isha gëzuar, mjerisht, lirisë sime të vogël.

No comments: